21.4 C
Pristina
E premte, 8 Gusht, 2025

Takim i fshehtë në Mal të Zi: Milorad Dodik takohet me Richard Grenell

Sipas mediumit malazez Antena M, ish-emisari i posaçëm amerikan për Ballkanin, Richard Grenell, është takuar sot fshehurazi me liderin e entitetit të Republikës Serbe në Bosnje-Hercegovinë, Milorad Dodik.

Takimi është zhvilluar në hotelin luksoz “One and Only” në Mal të Zi, ku ka qenë e pranishme edhe një kongresiste nga Partia Republikane në SHBA. Burimet e Antena M njoftojnë se shteti i Malit të Zi nuk ka qenë i përfshirë në organizimin apo lehtësimin e këtij takimi, duke nënvizuar natyrën private dhe jozyrtare të vizitës.

Pjesëmarrja e Dodikut u konfirmua edhe përmes të dhënave nga aplikacioni për ndjekjen e fluturimeve civile, ADSB, ku u regjistrua kthimi i avionit të Qeverisë së Republikës Serbe nga Mali i Zi drejt Bosnjës.

Richard Grenell, i njohur për angazhimin e tij në rajonin e Ballkanit gjatë administratës së parë të Donald Trumpit, ka mbetur një figurë e afërt me presidentin amerikan. Edhe pse nuk mban më ndonjë post zyrtar, ai vazhdon të shfaqet në rrethin e ngushtë të Trumpit dhe konsiderohet si ndërmjetës joformal për interesat e presidentit në Ballkan, veçanërisht në Serbi dhe Shqipëri.

Grenell, që më herët është përfolur për role të larta si sekretar shteti apo shef i CIA-s, aktualisht udhëheq Bordin Drejtues të Qendrës “Kennedy”, një pozicion që megjithatë u shoqërua me largimin e shumë figurave të njohura nga bota kulturore amerikane pas emërimit të tij.

Asnjë nga palët nuk ka dhënë ende ndonjë koment zyrtar lidhur me temat e diskutimit apo rezultatet e këtij takimi.

POSTIMET E FUNDIT

TE NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here