11.2 C
Pristina
E hënë, 2 Qershor, 2025

Terrori i një nëne: Mërgime Aliu rrëfen momentet dramatike me të birin, pëson kriza febrile dy herë radhazi

Influencerja e njohur Mërgime Aliu ka ndarë me ndjekësit e saj në Instagram një nga përjetimet më traumatike të jetës së saj si nënë, teksa djali i saj i vogël Zayn është përballur me krizë febrile të rëndë, madje jo një, por dy herë brenda një nate.

Në një rrëfim të ngjeshur emocionalisht, ajo tregon se si gjithçka ndodhi papritur gjatë një qëndrimi të djalit tek gjyshërit. Fillimisht, një telefonatë alarmuese nga vëllai i vogël i bashkëshortit e njoftoi se fëmija ishte bërë blu në fytyrë. Për Mërgimen, momenti ishte i pakuptueshëm, por shumë shpejt, pas fjalëve të vjehrrit “ka humbur vetëdijen”, ajo kuptoi menjëherë se bëhej fjalë për një krizë febrile – një gjendje që e kishte përjetuar më parë edhe mbesa e saj.

“Është krizë febrile – nxirreni jashtë në ajër të pastër!”, kujton ajo si reagimin e parë, përpara se të thërriste urgjencën.

Fëmija u transportua me autoambulancë dhe në gjendje të pavetëdijshme në spital. Nëna dëshmon se e kishte të pamundur të qëndronte e qetë dhe mezi priste të përqafonte të birin. Momenti më emocional ndodhi kur ai hapi sytë në krahët e saj dhe filloi të qante ngadalë – një shenjë se po kthehej në vetëdije.

Por drama nuk përfundoi aty. Gjatë natës, Zayni pësoi një tjetër krizë febrile, e cila kërkoi sërish ndërhyrje emergjente me oksigjen dhe ilaçe. Mërgimja rrëfen momentin me emocione të përziera: “Ai ende nuk po reagonte… me drita të ndezura u nisëm drejt spitalit.”

Në mëngjes, fëmija kishte temperaturë, por gjatë ditës u përmirësua. Megjithatë, frika nuk u zhduk.

“Na kanë dhënë një farmaci emergjente në rast se ndodh sërish. InshaAllah mos ndodhë më kurrë,” përfundon ajo rrëfimin prekës.

  

Çfarë është kriza febrile dhe si duhet të reagohet?

Kriza febrile është një lloj konvulsioni (ngërçi) që ndodh te fëmijët e vegjël kur temperatura trupore rritet papritur. Ato janë më të zakonshme te fëmijët midis moshës 6 muajsh dhe 5 vjeç.

Çfarë duhet të bëni nëse një fëmijë përjeton krizë febrile:

1.⁠ ⁠Qëndroni të qetë – Edhe pse pamja mund të jetë tronditëse, shumica e krizave febrile janë të padëmshme.

2.⁠ ⁠Vendoseni fëmijën në një sipërfaqe të sheshtë, anash, për të shmangur mbytjen.

3.⁠ ⁠Mos i futni asgjë në gojë.

4.⁠ ⁠Mos e mbani me forcë – Lejoni trupin të lëvizë lirshëm gjatë konvulsioneve.

5.⁠ ⁠Thirrni ndihmën e shpejtë – veçanërisht nëse kriza zgjat më shumë se 5 minuta, ose fëmija nuk zgjohet pas saj.

6.⁠ ⁠Pasi kalon kriza, ulni temperaturën me ilaçet përkatëse sipas udhëzimeve të mjekut.

Frika e Mërgimes është frika e çdo prindi, por rrëfimi i saj mund të ndihmojë shumë familje të informohen dhe të veprojnë saktë në situata të ngjashme. /Prive By Liberta Spahiu

POSTIMET E FUNDIT

TE NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here