The Telegraph ngre alarmin: Militantët serbë po luftojnë për Putinin dhe po përgatiten për një luftë të re ballkanike
Një gjeneratë e re nacionalistësh etnikë serbë po përgatiten për një konflikt të ri të armatosur në Bosnjë, paralajmëron The Telegraph në një investigim të gjatë, duke ngritur alarmin për rrezikun e destabilizimit të rajonit 30 vjet pas përfundimit të luftës së përgjakshme në Bosnjë.
Sipas gazetës britanike, qindra militantë serbë kanë udhëtuar drejt Ukrainës për të luftuar krah forcave ruse, të bindur se “Nëna Rusi” do t’i shpërblejë në të ardhmen, duke i ndihmuar të rimarrin territore që ata i konsiderojnë të humbura, si Kosova. Mes tyre ka edhe veteranë të luftës së Bosnjës, të cilët po përdorin rrjetet sociale për të rekrutuar të rinj serbë, duke u premtuar pagesa deri në 23 mijë funte për t’u bashkuar me luftimet në Ukrainë.
Frika kryesore e autoriteteve dhe analistëve është se, pas kthimit në Bosnjë, këta luftëtarë mund të nxisin konflikte paramilitare dhe të ringjallin tensionet etnike në një rajon ende të brishtë.
Një nga rastet e përmendura nga The Telegraph është ai i Dario Risticit, një nacionalist serb që u plagos rëndë në Ukrainë, ku luftoi në një njësi ruse të njohur si “Ariu nga Permi”. I njohur në front me nofkën ironike “Speedy”, Ristic mori pjesë në sulme me snajper dhe dronë në qytete si Avdiivka, ndërsa në rrjetet sociale, përfshirë TikTok dhe Vkontakte, promovonte luftën dhe mesazhet nacionaliste për të rinjtë serbë në Ballkan.
Pas kthimit në Bosnjë, Ristici u arrestua në aeroportin e Sarajevës për pjesëmarrje në një formacion paramilitar të huaj, por më pas u lirua dhe aktualisht ndodhet në arrest shtëpie në pritje të përfundimit të gjyqit. Pavarësisht kësaj, ai mbetet një figurë me ndikim, me mbi 10 mijë ndjekës online, dhe konsiderohet rrezik serioz për rekrutime të reja.
The Telegraph thekson se kjo lëvizje mbështetet kryesisht nga një bërthamë veteranësh të luftës së Bosnjës, të cilët vazhdojnë të ushqejnë ideologji përçarëse tek brezat e rinj. Analisti Srecko Latal shprehet për gazetën se këta ekstremistë besojnë se Rusia do ta “shlyejë borxhin në gjak” duke ndihmuar në realizimin e projektit të “Serbisë së Madhe”. Edhe pse numri i tyre është i vogël, ndikimi i tyre mund të jetë destabilizues. “Nuk nevojiten shumë individë të armatosur për të rrezikuar paqen”, paralajmëron ai.
Në qendër të kësaj rrjete qëndron edhe Davor Savicic, i njohur si “Ujku”, një ish-anëtar i njësisë famëkeqe paramilitare “Tigrat e Arkanit”, përgjegjëse për krime të rënda gjatë luftërave të viteve ’90. Savicic ka luftuar në Krime, Siri dhe ka qenë pjesë e grupit Wagner. Sipas dokumenteve mjekësore të rrjedhura, ai rezulton gjithashtu kolonel i GRU-së ruse, shërbimit famëkeq të inteligjencës ushtarake.
Nën drejtimin e tij, thuhet se janë krijuar kompani guackë për të ndihmuar rekrutët të shmangin autoritetet në vendet e tyre, duke siguruar leje pune dhe itinerare udhëtimi përmes vendeve të treta. Një gazetar investigativ nga Sarajeva, i cituar nga The Telegraph, tregon se pagesat për luftëtarët janë rritur ndjeshëm, për shkak të humbjeve të Rusisë në front.
Situata është veçanërisht shqetësuese në zona si Modrica, ku papunësia është e lartë dhe pagat mujore arrijnë vetëm rreth 500 paund. Në këto kushte, ofertat financiare dhe propaganda nacionaliste gjejnë terren të favorshëm, ndonëse ligjet në Serbi dhe Bosnjë e ndalojnë pjesëmarrjen në luftëra të huaja, me dënime deri në pesë vite burg – dënime që, sipas gazetës, rrallë zbatohen.
Raporti ngre gjithashtu dyshime për bashkëpunim shtetëror, duke përmendur fotografi të Milorad Dodikut, liderit të fuqishëm të Republika Srpska, me Davor Savicic, përpara një takimi me presidentin rus Vladimir Putin në Moskë.
Sipas The Telegraph, ka frikë se kjo infrastrukturë paramilitare dhe trajnimi i luftëtarëve në enklavën e mbështetur nga Rusia mund të ketë pasoja edhe për sigurinë evropiane dhe britanike. Dëshmi nga gjyqe të fundit në Moldavi sugjerojnë se Republika Srpska është përdorur si bazë trajnimi për luftë hibride, përfshirë sabotime, përdorim dronësh dhe shndërrimin e protestave paqësore në trazira të dhunshme.
Për komunitetin mysliman boshnjak, kthimi i këtyre luftëtarëve ringjall plagë të vjetra. Banorë që kanë përjetuar masakrat e viteve ’90 shprehen se, pavarësisht përpjekjeve për pajtim, ekziston ende një pakicë ekstremistësh që kërkojnë të rikthejnë frikën dhe dhunën. “Ne refuzojmë të jetojmë sërish në frikë”, citohet të ketë thënë një dëshmitar i luftës për The Telegraph.
