Lëvizja Vetëvendosje dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë thelluar bashkëpunimin për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale.
Dy subjektet politike të cilat shkëmbejnë akuza të ashpra ndaj njëra-tjetrës në nivel qëndror, kanë lidhur koalicion për balotazhin e zgjedhjeve lokale në Komunën e Vitisë.
Në balotazh, AAK-ja do ta mbështesë kandidatin e Vetëvendosjes, Arsim Ademin, kundrejt Sokol Halitit të LDK-së.
Marrëveshja për bashkëqeverisje mes LVV-së dhe AAK-së është nënshkruar mëngjesin e sotëm, ka bërë të ditur kryetari i Degës së AAK-së në Viti, Labinot Bislimi.
“Sot në mëngjes nënshkruam marrëveshjen e koalicionit në nivel të degëve dhe i zgjatem dorën njëri-tjetrit me kandidatin për kryetar, z. Arsim Ademi”, shkroi Bislimi në një postim në Facebook të premten.
“Ky koalicion është rrjedhojë e natyrshme e situatës dhe e vet pozicionimit tonë karshi të keqes së komunës së Vitisë që me emër thërrasim Sokol Haliti”, tha Bislimi.
Bislimi tha se Dega e AAK-së në Viti “nuk ka qëndruar asnjëherë indiferente ndajë proceseve dhe nuk ka pasur asnjëherë pozicion neutral përballë të keqes”.
Lëvizja Vetëvendosje dhe AAK-ja, deri më sot kishin lidhur marrëveshje koalicioni edhe në Fushë Kosovë, Junik dhe Prizren.




