Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, premtoi sot se do të marrë masa për të zgjidhur problemin e krimit në Çikago, duke e cilësuar qytetin si “më të rrezikshmin në botë” deri tani.
“Do ta zgjidh problemin e krimit, siç bëra në Uashington”, shkroi ai në platformën Truth Social, duke iu referuar vendosjes së forcave federale në kryeqytet.
Pas ndërhyrjeve të tij në Los Anxhelos në qershor dhe në Uashington në mes të gushtit, Trump kërcënon të dërgojë agjentë dhe ushtarë federalë edhe në qytete të tjera të udhëhequra nga demokratët, përfshirë Çikagon, Nju Jorkun, Baltimorin dhe Bostoni.
“Çikago është kryeqyteti i vrasjeve në botë,” shkroi ai më pas me shkronja kapitale.
Guvernatori demokrat i Illinois, J.B. Pritzker, akuzoi presidentin miliarder, i cili e ka quajtur tashmë një “diktator”, se po përpiqet të përdorë ushtrinë për të sfiduar zgjedhjet e mesit të mandatit të nëntorit 2026.
Si Pritzker, ashtu edhe Guvernatori i Merilendit, Wes Moore, e akuzojnë Trumpin për krijimin e krizave artificiale me qëllim justifikimin e dërgimit të trupave federale në shtetet demokrate. Trump iu përgjigj duke thënë se Pritzker “ka nevojë urgjente për ndihmë”. “Ai thjesht nuk e di ende”, shtoi presidenti.