div[data-widget-id="1924179"] { min-height: 300px; }
class="archive paged tax-post_format term-post-format-aside term-191 custom-background wp-custom-logo paged-56 wp-theme-news-25 td-standard-pack group-blog hfeed">
Kush janë “kampionët” e keqpërdorimeve nga tri partitë më të mëdha në vend

Vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për rinumërimin e të gjitha vendvotimeve shpërfaqi parregullësi të mëdha në procesin e numërimit të votave për zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit.

Mbi 70 mijë vota dallim ishte vetëm në Prizren, mbi 17 mijë në Malishevë, e mijëra vota tjera nëpër qendrat tjera të numërimeve.

Partia Demokratike e Kosovës i priu garës me më së shumti dallime mes kandidatëve.

“Kampioni” i të gjitha ‘dallavereve’ ishte Fetah Peçaraizi, kandidat për deputet nga Prizreni.

Paçaraizi mori 14 mijë e 365 vota në Qendrat Komunale të Numërimit, por pas vendimit për rinumërim, ai humbi mbi 6 mijë vota. Në total, Paçarizit iu minusuan 6 mijë e 753 vota.

Një numër të madh të votave iu hoqën edhe bashkëpartiakëve të tij: Nait Hasanit, Kujtim Gashit e Luljeta Veselaj Gutaj. Të tre nga komuna e Prizrenit.

Hasanit, djali i të cilit po mbahet në paraburgim për shkak të dyshimeve lidhur me keqpërdorime të votave, iu hoqën 3 mijë e 312 vota. Kujtim Gashit 2 mijë e 423, Luljeta Veselajt 2 mijë e 90, e me mbi 1 mijë vota iu hoqën edhe Arianit Çollakut, Fadil Demakut, Xhavit Halitit, Enver Hoxhajt e Gazmend Maliqajt.

Hiq më mirë në procesin e rinumërimit të votave nuk dolën as kandidatët e partive tjera politike.

Sikurse kolegët e tyre nga PDK-ja, ngjajshëm ndodhi edhe me kandidatët e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Vendi i parregullsive sërish ishte i njëjtë, Prizreni.

Te LDK-ja më së shumti vota iu hoqën Xhavit Ukës. Uka ka 1 mijë e 363 vota më pak pas vendimit për rinumërim.

Mbi 1 mijë vota iu hoqën edhe Driton Selmanajt, ndërsa ‘më pak’ vota të parregullta kishte gjenerali Anton Quni e ish-kandidati për kryetar të Ferizajt, Visar Azemi.

Qunit iu hoqën 530 vota, ndërsa Azemit 457 sosh.

Afërisht 1 mijë vota iu hoqën edhe ish-kandidatit për kryetar të Pejës nga radhët e Lëvizjes  Vetëvendosje, Taulant Kelmendi.

Kelmendi kryeson listën e LVV-së me më së shumti vota të keqpërdorura. Ai ka 922 vota më pak.

Pas Kelmendit radhën në VV e zë Arbër Rexhaj e Rea Krasniqi. Rexhajt iu hoqën 625 vota, kurse Krasniqit 541.

Në top 4-she te VV është edhe lideri i saj, Albin Kurti. Kryeministrit në detyrë iu hoqën 487 vota pas procesit të rinumërimit të vota.

Diçka më mirë gjërat qëndrojnë te Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Kandidati me numër 23 në listë, Besnik Krasniqi ka më së shumti vota te keqpërdorura te AAK-ja.

Krasniqit iu hoqën 318 vota, ndërsa pas tij qëndron Burim Ramadani me 281 vota, Hamdi Komoni me 231 vota e Tringa Morina me 175 vota.

Procesi i rinumërimit të votave po shkon drejt përfundimit. Deri më tani janë rinumëruar 91.32 për qind të vendvotimeve.

Sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, procesi i rinumërimit pritet të përfundojë nesër (e premte).

Në lidhje me kepqërodrimet e votave, Prokuroritë përkatëse në Kosovë nën drejtimin e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit kanë marrë veprimet fillestare duke arritur ndalimin e mbi 100 të dyshuarve.

Vetëm në Prizren 109 të përfshirë në keqpërdorimet e votave u ndaluan për 48 orë nga Prokuroria Themelore në këtë komunë.

Ngjashëm u veprua edhe nga Prokuroria Themelore në Gjakovë, ku në Malishevë 15 kryesues të komisionerëve iu caktua masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 muaj.

Koordinatorja Nacionale e Zgjedhjeve, Laura Paula, ka paralajmëruar se Prokuroritë Themelore në qendrat tjera pritet të veprojnë njësoj sikurse ato në Prizren e Gjakovë.

PDK kundër rritjes së tarifave të energjisë: Barrë e papërballueshme për qytetarët

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka kundërshtuar paralajmërimin për një rritje të mundshme të tarifave të energjisë elektrike deri në 21%, duke e quajtur këtë një goditje të rëndë për qytetarët.

PDK-ja thekson se në kohën kur qytetarët përballen me rritje të vazhdueshme çmimesh dhe pagat e ulëta, një rritje e tillë e tarifave do të thellonte krizën sociale dhe ekonomike.

Partia kërkon nga Qeveria dhe Zyra e Rregullatorit për Energji që të refuzojnë kërkesat për rritje dhe të mbrojnë interesin e qytetarëve.

“Partia Demokratike e Kosovës e konsideron të papranueshme çdo përpjekje për ta transferuar barrën e keqmenaxhimit dhe dështimeve në sektorin e energjisë mbi qytetarët tanë. Energjia elektrike është një nevojë bazike dhe trajtimi i saj si e tillë është detyrim institucional. Për këto arsye, PDK-ja kundërshton fuqishëm çdo propozim për rritje të tarifave të energjisë elektrike dhe u bën thirrje Qeverisë së Kosovës dhe Zyrës së Rregullatorit për Energji, që t’i refuzojnë këto kërkesa dhe të veprojnë në mbrojtje të interesit publik dhe të qytetarëve të Kosovës. Partia Demokratike e Kosovës do të vazhdojë me angazhimin e saj për zbardhjen e aferave në sektorin e energjisë, për rritjen e llogaridhënies institucionale dhe për mbrojtjen e qytetarëve nga politika që rëndojnë jetën e tyre të përditshme”, thuhet në njoftim./GazetaSinjali/

KESCO kërkon rritje të çmimit të rrymës prej 21.4%

Kompania furnizuese me energji elektrike, KESCO, ka kërkuar rritje të çmimit të energjisë elektrike për 21.4 për qind për vitin 2026.

Kërkesa është dorëzuar në Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE) dhe tani i takon këtij institucioni të vendosë nëse do ta aprovojë apo jo propozimin për rritjen e çmimit të rrymës.

Sipas aplikimit për të hyrat maksimale, pas marrjes në konsideratë të shpenzimeve të pritshme, kërkesa e Furnizuesit të Shërbimit Universal (FSHU) për të hyrat e lejuara maksimale për vitin 2026 arrin në 528.78 milionë euro.

Për krahasim, të hyrat e lejuara për vitin 2025 kanë qenë rreth 435 milionë euro – të cilat ishin aprovuar nga ZRRE-ja.

Qeveria në detyrë mbajti mbledhje, merr një vendim

Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës, ka mbajtur dje një mbledhje elektronike në të cilën ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Mbrojtjes për dërgimin e Kontingjentit të FSK-së në operacion humanitar në Republikën e Shqipërisë, raporton GazetaBlic.

Kjo u bë e ditur nga njoftimi i fundit i ZKM-së.

Në anën tjetër, edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se ka autorizuar dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Klos, Shqipëri, për të ndihmuar në kërkimin e 24-vjeçarit Jurgen Karaj.

Osmani theksoi gatishmërinë e FSK-së për ndihmë vëllazërore “kudo dhe kurdo që ka nevojë”.

Publikohet vaktia e Ramazanit 2026 në Kosovë

Vaktia e Ramazanit 2026 në Kosovë është publikuar zyrtarisht nga Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës dhe vlen për të gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Sipas vaktisë, muaji i shenjtë i Ramazanit nis të enjten, më 19 shkurt 2026, kur besimtarët myslimanë fillojnë agjërimin.

Në ditën e parë të Ramazanit, syfyri përfundon në orën 04:49, ndërsa iftari është në orën 17:21. Agjërimi i ditës së parë zgjat 12 orë e 32 minuta, ndërsa drejt fundit të muajit, kohëzgjatja e agjërimit rritet deri në 13 orë e 51 minuta.

Muaji i Ramazanit përfundon me Fitër Bajramin, i cili festohet të premten, më 20 mars 2026, ndërsa namazi i Fitër Bajramit falet në orën 06:18.

Vaktia e Ramazanit përfshin oraret e sakta të syfyrit, iftarit dhe namazeve dhe shërben si udhërrëfyes ditor për besimtarët në Kosovë gjatë gjithë muajit të agjërimit.

Arrestohet edhe një i afërm i “supermenit”, Fetah Paçarizi

Gazeta Sinjali mëson ekskluzivisht se për rastin e manipulimit të votave është ndaluar edhe Hasan Paçarizi, i afërmi i Fetah Paçarizit, i cili ka pasur më së shumti mospërputhje me votat në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit.

Sipas burimeve të Sinjalit brenda hetuesisë, ndalimi i Hasan Paçarizit – Cani, i cili ishte në arrati lidhet me dyshime për manipulim me vota në Prizren.

Ai siç merr vesh Gazeta Sinjali është ndaluar ndaluar për 48 orë.

Rasti tashmë është duke u trajtuar nga organet kompetente, ndërsa ndaj të dyshuarit pritet që të ndërmerren veprime të tjera procedurale në varësi të zhvillimit të hetimeve.

Nga Policia dhe Prokuroria ende nuk ka një njoftim zyrtar për detajet e rastit.

Arrestohet zyrtari kryesor zgjedhor në Prizren

Nysret Bytyçi, kryetari i Komisionit Komunal Zgjedhor në Prizren, është ndaluar me urdhër të Prokurorisë së Prizren të enjten.

Bytyçi, i cili është zyrtari kryesor i KQZ-së në Prizren, dyshohet për keqpërdorim të detyrës dhe falsifikim të rezultateve zgjedhore.

Paparaci mëson se ai është shoqëruar të enjten në stacionin policor në Prizren ku është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit dhe pastaj është ndaluar me urdhër të Prokurorit të Shtetit.

Bashkë me Bytyqin, është ndaluar edhe Hasan Paçarizi, po ashtu i dyshuar për manipulim të rezultateve zgjedhore.

Prokuroria tha sot se po zhvillon hetime të zgjeruara lidhur me grupin e dytë të të dyshuarve për manipulime zgjedhore në Prizren.

Deklaratat e forta të Naim Murselit për raportin e tij me Liridonën

Në Gjykatën Themelore të Prishtinës po mbahet seanca gjyqësore ndaj Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës, të dyshuar për planifikimin dhe vrasjen e Liridona Ademajt.

Naimi Murseli ka folur lidhur me raportin e tij me Liridonen. Ai ka thënë se për 12 vite martesë ata kanë qenë të lumtur dhe se asnjëherë nuk ka ushtruar dhunë ndaj saj, raporton Indeksonline.

“ Kam pas 12 vite martesë me Liridonën dhe si rezultat i saj kemi dy fëmijë dhe marrëdhëniet tona, marrëdhënia ime me Liridonën ka qenë shumë  e mirë, e lumtur. Lirdiona ka qenë një grua e mrekullueshme, një nënë shumë e përkushtuar dhe një bashkëshorte e devotshme. Ne kemi jetuar në Suedi ku Liridona pas tri vitesh qëndrimi është bërë dhe nënshtetase suedeze. Si pasojë e martesës sonë 5 vitet e para me Liridonën ka qenë dëshira e saj e madhe, që të bëhet nënë. Kishte probleme me mbet shtatzënë dhe 5 vitet e para jam marrë shumë me të nëpër spitale. Më në fund në 2017 u realizuan ëndrrat tona. Unë u bëra babë. Pas një viti e gjysmë pas fëmijes së parë, deshi zoti dhe fëmija i dytë dhe kemi jetuar së bashku krejt kohen. S’ka pas anjëherë ndonjë ndarje  apo diçka të tillë. Ka qenë çdo gjë në rregull mes neve. Leonardi tregoi se për kaq vite nuk është ankuar Liridona. Kjo është e verteta se ska pas pse të ankohet, se asnjëherë në jeten time larg qoftë me ushtru dhunë apo diçka të tillë. Ato gjëra nuk kanë ekzistuar në marrëdhënien tonë“, ka thënë ai.

Ndërsa ka pohuar se asnjëherë nuk ka pasur marrëveshje për vrasjen e Liridonës.

Hekuran Hoxha u gjet i vdekur, gjysmë ore më parë kishte nënshkruar overdraft 50 mijë euro në bankë

Biznesmeni nga Gjakova, Hekuran Hoxha, është gjetur i vdekur të mërkurën në Veternikë.

Sipas burimeve të Arbresh.info, rreth gjysmë ore para se të ndodhte ngjarja, Hoxha kishte qëndruar në një bankë në Kosovë, ku kishte nënshkruar një marrëveshje overdrafti në vlerë prej rreth 50 mijë euro për kompaninë e tij.

Ndryshe, Hekuran Hoxha në zgjedhjet e 28 dhjetorit garoi për deputet në listën e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës./Arbresh.info/

Vendimi i Kushtetutës për Rashiq, reagon Basha: Është në kundërshtim me Kushtetutën

Gjatë ditës së sotme Gjykata Kushtetuse ka bërë të ditur se zgjedhja e Nenad Rashiqit si nënkryetar i Kuvendit të Kosovës është jo kushtetuse.

Lidhur më këtë ka reaguar kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha. Basha përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka bërë të ditur se vendimi i gjykatës përmban gabime thelbësore në interpretim dhe zbatim të normave përkatëse

Postimi i plotë:

Më herët pranova Njoftimin për Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në rastin KO325/25, dhe vlerësoj se i njejti është në shpërputhje me Kushtetutën (67.4) dhe përmban gabime thelbësore në interpretim dhe zbatim të normave përkatëse.

E para, Gjykata Kushtetuese nuk ka mandat për t’i dhënë interpretime Rregullores së Kuvendit, sepse Rregullorja e Kuvendit është mëse e qartë, ku në nenin 16, paragrafin 4, shprehet tekstualisht se është Kryetari i Kuvendit ai i cili “bën interpretimin përfundimtar të saj gjatë seancës plenare.” Gjykata në rastin e sotëm nuk ka konstatuar shkelje kushtetuese, por ka intepretuar frymën e Rregullores së Kuvendit, për të cilën nuk ka mandat.

Gjykata, në Njoftimin e saj thekson se “z. Nenad Rašić në pozitën e nënkryetarit të Kuvendit nuk ka ardhur si propozim nga shumica e deputetëve nga radhët e komunitetit serb, si dhe nuk ka pasur refuzim për të shfrytëzuar këtë të drejtë nga ana e shumicës së deputetëve nga radhët e komunitetit serb”.

Fillimisht, duhet theksuar se është e vërtetë që z. Rašić nuk ka ardhur në pozitën e tij si propozim nga shumica e deputetëve nga radhët e komunitetit serb, dhe kjo në vetvete e vërteton se nuk ka pasur propozim nga shumica e këtyre deputetëve. Me fjalë të tjera, vetë Gjykata Kushtetuese po e pranon se shumica e deputetëve nga komuniteti serb nuk e kanë propozuar z. Rašić, pra kemi pasur të bëjmë me refuzim, apo ndryshe thënë mospropozim nga ana e tyre.

Si Kryetar i Kuvendit, kam kërkuar tri herë radhazi që të propozohej deputeti i vetëm që nuk i ishte nënshtruar votimit për pozitën e nënkryetarit, mirëpo propozuesi i shumicës së deputetëve nga komuniteti serb refuzonte propozimin dhe kërkonte që të kthehej radha e votimit për deputetët e njëjtë nga subjekti Lista Serbe. Kërkesa e propozuesit nga komuniteti serb ishte që të tejkalohej (të diskriminohej) deputeti i dhjetë nga komuniteti joshumicë serb, i cili kishte mbetur pa u propozuar si kandidat për nënkryetar asnjëherë të vetme. Ky diskriminim do të ishte antikushtetues, por madje edhe në kundërshtim me mekanizmin e debllokimit për propozim në më së shumti 3 herë të një kandidati sipas Aktgjykimit të datës 18.08.2025.

Pas kërkesës sime për tri herë radhazi për ta propozuar kandidatin Rašić – por që shumica serbe refuzoi ta bënte – ky mosveprim është konsideruar si refuzim i propozimit nga ana ime (pra mospropozim), pasi nuk kishte mundësi të interpretohej ndryshe. Për pasojë, kam aktivizuar procedurën e shortit, siç parashihet në paragrafin 7 të nenit 12 të Rregullores, i cili shprehimisht përcakton se: “Në rast të mospropozimit të kandidatëve sipas paragrafit 6 të këtij neni, propozimi i kandidatëve bëhet me short… Kjo procedurë administrohet nga Kryetari i Kuvendit.”

Dhe kjo është saktësisht ajo që ka ndodhur, nuk ka pasur propozim dhe rrjedhimisht aktivizim të paragrafit 7 të nenit 12 të Rregullores.

Për më tepër, para vazhdimit të kësaj procedure, para deputetëve kam arsyetuar aktivizimin e paragrafit 7 të nenit 12, ku, ndër të tjera, kam sqaruar si vijon: “I patëm 9 kandidatë që për tri herë radhazi nuk i morën votat e mjaftueshme për Nënkryetar të Kuvendit. Prandaj kemi mbetur me një kandidat të vetëm, i cili nuk u propozua (mospropozim) nga përfaqësuesit e komunitetit joshumicë serb, pra refuzuan ta propozojnë. Sipas nenit 67, paragrafi 4 të Kushtetutës, kjo pozitë i takon komunitetit serb dhe secili deputet është i barabartë dhe gëzon të drejtën për t’u propozuar. Meqenëse është refuzuar propozimi i tij, jam i detyruar të kaloj në paragrafin 7 të nenit 12 të Rregullores, pra në procedurën e shortit. Mirëpo, meqenëse kemi vetëm një kandidat, tërheqja e shortit është e panevojshme dhe, rrjedhimisht, vazhdojmë me votimin e kandidatit të radhës, që është deputeti Nenad Rašić, i cili përfaqëson komunitetin serb në Kuvendin e Republikës së Kosovës.”

Në këtë situatë, në respektim të plotë të neneve 7, 24 dhe 67, paragrafi 4 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, si dhe në zbatim të parimeve të mirënjohura ndërkombëtare dhe aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese për veprime në interesin më të mirë të vendit, pas refuzimit për tri herë radhazi, pra në kushtet e mospropozimit nga përfaqësuesit e komunitetit, kam proceduar në përputhje me nenin 12, paragrafi 7 të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Kosovës për propozim me short, duke siguruar trajtim të barabartë para ligjit dhe duke vepruar në funksion të zhbllokimit të situatës institucionale.

Rrjedhimisht, në harmoni me Kushtetutën dhe në përputhje me nenin 12, paragrafi 7 të Rregullores, vazhduam me votimin për deputetin e vetëm të papropozuar. Ky votim rezultoi i suksesshëm, ku me 71 vota “për”, deputeti Nenad Rašić u zgjodh Nënkryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e komunitetit joshumicë serb, duke u zbatuar në përpikëri Rregullorja e Kuvendit, Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe aktgjykimet përkatëse të Gjykatës Kushtetuese që rregullojnë procedurat e konstituimit të Kuvendit.

Përfundimisht, zgjedhja e deputetit Nenad Rašić për Nënkryetar të Kuvendit të Kosovës ka ardhur vetëm pas mospropozimit nga propozuesi i komunitetit joshumicë serb. Me fjalë të tjera, pas dështimit si pasojë e moszbatimit të nenit 12, paragrafi 6, Rregullorja më ka obliguar drejt aktivizimit të nenit 12, paragrafi 7 për propozim përmes shortit.

Prandaj, të gjitha pretendimet në Njoftimin e Gjykatës Kushtetuese janë të pabaza, dhe Vendimi i Kuvendit të Republikës së Kosovës për zgjedhjen e deputetit Nenad Rašić në pozitën e Nënkryetarit të Kuvendit ka qenë në harmoni të plotë me Rregulloren e Kuvendit dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës.