div[data-widget-id="1924179"] { min-height: 300px; }
class="archive paged tax-post_format term-post-format-aside term-191 custom-background wp-custom-logo paged-64 wp-theme-news-25 td-standard-pack group-blog hfeed">
Lajm i mirë për familjet, sot ekzekutohen këto pagesa

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ua rikujton të gjithë përfituesve ndryshimin e datave të pagesave. Pagesat e këtyre skemave do të ekzekutohen si në vijim:

Me datë 24 të çdo muaji do të ekzekutohen pagesat për masat aktive të tregut të punës:

Me datë 25 të çdo muaji do të ekzekutohen pagesat për lehonat e punësuara dhe të pa puna, si dhe shtesat për fëmijë;

Me datë 29 të çdo muaji do të ekzekutohen pagesat e ndihmave sociale dhe masat tjera të veçanta nga Pako e Ringjalljes Ekonomike

Sulmohen policia e Kosovës brenda stacionit policor

Një incident i rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në Prishtinë, ku një person i dyshuar për vjedhje është arrestuar nga Policia, por më pas ka eskaluar situata edhe brenda stacionit policor.

Sinjali mëson se rasti ka ndodhur më 26.01.2026, rreth orës 01:00, në rrugën “Fehmi Lladrovci” , ku njësitë e Stacionit Policor Jugu kanë intervenuar pas raportimit për një vjedhje në një supermarket.

Sipas burimeve, në vendin e ngjarjes është arrestuar i dyshuari Flamur Musa Gashi, i cili dyshohet se është recidivist i veprave penale.

Mirëpo, pas shoqërimit të tij në stacion, i njëjti dyshohet se ka sulmuar fizikisht një zyrtar policor, i cili si pasojë ka pranuar tretman mjekësor për lëndimet e pësuara.

Në lidhje me rastin janë njoftuar Hetimet Rajonale, ndërsa palët e përfshira janë intervistuar, përfshirë edhe të dyshuarin, i cili është marrë në pyetje në prani të avokatit mbrojtës.

Po ashtu, sipas të dhënave nga burimet, pas matjes së alkoolit në organizëm, i dyshuari ka rezultuar me 0.60 promila.

Në konsultim me Prokurorin kujdestar, është marrë vendim që rasti të iniciohet si “Sulm ndaj personit zyrtar”, ndërsa i dyshuari të dërgohet në Qendrën e Ndalimit për 48 orë.

Ndërkohë, për rastin e vjedhjes, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

Hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

“Ju vras, ju vras”, gjakovari kërcënon policët me armë dhe granatë

Një incident jashtëzakonisht i rëndë ka ndodhur në Gjakovë, ku një person i dyshuar ka kërcënuar zyrtarët policorë me armë zjarri dhe granatë dore, duke u larguar më pas nga vendi i ngjarjes.

Sinjali mëson se rasti ka ndodhur më 25 janar 2026, rreth orës 16:20, në rrugën “Flaka e Tringa Hoxha” në Gjakovë, kur patrulla policore ka ndalur një automjet të tipit BMW X5, pasi drejtuesi kishte shkaktuar një kundërvajtje në trafik.

Sipas informacionit që ka siguruar Sinjali, pasi zyrtarët policorë e kanë njoftuar se do t’i shqiptohet tiketa e trafikut, i dyshuari L.P. ka dalë nga automjeti dhe ka nisur t’i kanosë policët me kërcënime serioze, duke iu drejtuar atyre me fjalë kërcënuese për jetë.

Zyrtarët policorë e kanë njoftuar se është i arrestuar, por në momentin kur kanë tentuar ta prangosin, ai ka shfaqur rezistencë dhe ka arritur të largohet nga duart e policisë.

Situata ka eskaluar në mënyrë dramatike, kur i dyshuari ka futur duart në çantën e krahut dhe ka nxjerrë një pistoletë, ku dyshohet se e ka futur fishekun në tytë dhe e ka drejtuar armën në drejtim të policëve, duke i kërcënuar me fjalët: “Ju vras, ju vras!”

Në vazhdim, ai dyshohet se ka nxjerrë edhe një granatë dore, ia ka hequr siguresën dhe ka vazhduar t’i kanosë zyrtarët policorë, për t’u larguar më pas me shpejtësi me veturën e tij nga vendngjarja.

Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori Kujdestar, i cili ka urdhëruar ndërmarrjen e veprimeve të menjëhershme hetimore, përfshirë bastisje në lokacionin ku banon i dyshuari, si dhe në lokalin e tij.

Gjatë bastisjes në lokal, Policia ka gjetur dhe sekuestruar prova materiale, përfshirë:

•             4 fishekë

•             2 gramë marihuanë

•             3 peshore

•             një mulli për bluarjen e marihuanës

I dyshuari, sipas burimeve, ndodhet në arrati, ndërsa rasti është inicuar për veprat penale: “Kanosja”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, si dhe “Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.

Hetimet janë në vazhdim, ndërsa pritet që organet e rendit të ndërmarrin veprime të tjera për lokalizimin dhe arrestimin e të dyshuarit.

Avokati i komisioneres së arrestuar të VV-së: Klientja më tha se ka nënshkruar dokument pa e ditur çka po nënshkruan

Avokati Gent Gjini, që ka kliente një nga të arrestuarat në cilësinë e komisioneres së partisë Vetëvendosje në zgjedhjet e 28 dhjetorit, thotë se klientja e tij ‘ka nënshkruar dokument të cilin nuk e ka kuptuar’.

Klientja ka thënë se gjatë intervistimit, ajo thekson që unë kam nënshkruar dokument por nuk e kam ditë se cka po nënshkruaj” – tha avokati Gjini në një lidhje të drejtpëdrejtë me televizionin 7.

Ajo kur është kthyer procesi i fletëvotimeve, ka parë që deri aty procesi ka vijuar i rregullt, nuk ka pasë dyshim që dikush ka intereferuar, por ne e kemi parë tek pas dy javësh që ka vjedhje industrial të votave.

Kjo komisionerja e partisë së Vetëvendosjes, ka rënë pre e dallavereve, është e pafajshme” – ka thënë avokati.

Ky është parashikimi i motit për javën e ardhshme

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, ka njoftuar se gjatë javës moti do të jetë i ndryshueshëm, kryesisht i vranët dhe me reshje shiu.

Sipas IHMK-së, reshjet më intensive parashihen ditën e hënë, lokalisht me intensitet mesatar deri të lartë, ndaj rekomandohet kujdes i shtuar në komunikacion, veçanërisht në zonat urbane dhe ato me rrezik për grumbullim uji.

“Temperaturat minimale gjatë kësaj jave do të lëvizin nga -1 deri në 5°C, ndërsa temperaturat maksimale të ditës pritet të jenë ndërmjet 6–10°C. Të mërkurën do të ketë kushte për mjegull në disa zona, kryesisht në viset mesatare ,lugina dhe përgjatë relievit malor, çka mund të zvogëlojë dukshmërinë në orët e mëngjesit”, thuhet në njoftim transmeton Klankosova.tv.

Era do të fryjë nga drejtime të ndryshme, me shpejtësi maksimale deri në 5m/s.

E hënë

Moti i vranët dhe me shi. Reshjet parashihen të jenë të intensitetit mesatar deri të lartë, ndërsa në viset malore parashihet shi me borë.

Temperaturat minimale:3 deri 5°C

Temperaturat maksimale: 6 deri 8°C

Era: Kryesisht nga juglindja me shpejtësi 1-5m/s.

E martë

Mot i vranët dhe vende-vende me riga shiu.

Temperaturat minimale: 2 deri 4°C

Temperaturat maksimale: 5- 8°C

Era: nga verilindja me shpejtësi 1-5m/s

E mërkurë

Moti i vranët dhe me interval me diell..Në mëngjes parashihet mjegull, kryesisht në

zonat mesatare dhe per gjatë relievit malor

Temperaturat minimale: -1 deri 1°C

Temperaturat maksimale: 6-9°C

Era: kryesisht nga verilindja me shpejtësi 1-4m/s.

E enjte

Mot i vranët dhe vende-vende me riga shiu.

Temperaturat minimale: 1 deri 4°C

Temperaturat maksimale: 7deri 10°C

Era: nga verilindja 1-5m/s.

E premte

Mot i vranët dhe vende-vende me riga shiu.

Temperaturat minimale: -1 deri 1°C

Temperaturat maksimale: 6 deri 9°C

Era: nga drejtimi i veriperendimit 1-3m/s.

Dolce gënjeu? Zbulohet mosha e vërtetë e banores së “BBVK”

Dolce është ndër emrat më të komentuar në media për lojën e saj në “BBVK”.

Mirëpo, një detaj nga ajo mori “dhenë” tash e disa ditë.

Prive Klan Kosova raporton me burime se mosha e vërtetë e Dolces nuk është 31 siç është paraqitur në hyrje të këtij formati.

Sipas burimeve të Prive mosha e saj është 41-vjeçe, duke qenë kështu 10 vite më e moshuar sesa mosha që ajo pretendon.

KQZ njofton për rinumërimin e 65 për qind të votave

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), vazhdon numërimi i fletëvotimeve sipas listës së vendvotimeve për të cilat Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka marrë vendim për rinumërim.

Sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, nga fillimi i procesit më 13 janar 2026 dhe deri më 25 janar, janë rinumëruar 1,662 vendvotime nga gjithsej 2,557, duke përbërë 65% të totalit.

Rezultatet pas rinumërimit të çdo vendvotimi mund të ndiqen në platformën e KQZ-së për rezultate.

Vdes avokati i njohur nga Gjakova

Sot, ka ndërruar jetë avokati i njohur nga Gjakova, Avdi Rizvanolli, në moshën 75-vjeçare.

Lajmin për vdekjen e tij e ka bërë të ditur Oda e Avokatëve të Kosovës, e cila ka shprehur dhimbjen e thellë për humbjen e një profesionisti të përkushtuar dhe një figure të respektuar të komunitetit juridik në vend.

Sipas njoftimit të OAK, avokati Rizvanolli ndërroi jetë më 25 janar 2026, ndërsa gjatë karrierës së tij shumëvjeçare u dallua për integritet, korrektësi dhe angazhim të palodhshëm në mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve.

“Oda e Avokatëve të Kosovës ka pranuar me dhimbje të thellë lajmin për ndarjen nga jeta të avokatit Avdi Rizvanolli. Kontributi i tij në fushën e drejtësisë do të mbetet i paharruar dhe do të kujtohet me respekt të veçantë nga kolegët dhe i gjithë komuniteti juridik”, thuhet në telegramin e ngushëllimit të Odës së Avokatëve të Kosovës.

 

Ligjvënësit amerikanë shtyjnë përpara Projektligjin kundër diskriminimit të shqiptarëve në Serbi

Komiteti për Punë të Jashtme i Kongresit amerikan ka votuar për ta çuar përpara një projektligj, sipas të cilit i kërkohet Sekretarit të Shtetit ta përgatisë një raport gjithëpërfshirës mbi trajtimin e shqiptarëve në Luginën e Preshevës nga autoritetet serbe.

Projektligji u sponsorizua nga kongresisti republikan Keith Self, i cili ka thënë se shqiptarët në Luginë vazhdojnë të diskriminohen, derisa ka përmendur pasivizimin e adresave të shqiptarëve.

“Një raport i vitit 2021 i publikuar nga Komiteti i Helsinkit për të drejta të njeriut tha se Serbia mund të jetë duke kryer një formë të spastrimit etnik përmes mjeteve administrative ndaj shqiptarëve”, ka thënë ai, sipas videos nga mbledhja e komitetit e publikuar në rrjetin X. 

E, nënkryetari i Komitetit, Gregory Meeks, ka thënë se mungesa e marrjes së përgjegjësisë nga ana e Qeverisë së Serbisë për krimet e kryera ndaj pakicave etnike në rajon, përfshirë shqiptarët etnikë, mbetet një pengesë në paqe të qëndrueshme sot.

“Ky komitet është jashtëzakonisht i shqetësuar që Qeveria e Serbisë vazhdon të diskriminojë dhe persekutojë pakicat etnike në Serbi, përfshirë shqiptarët etnikë”, ka deklaruar ai para anëtarëve.

Ndërkohë, për vendimin e Komitetit amerikan ka reaguar deputeti shqiptar në Kuvendin serb, Shaip Kamberi, i cili ka theksuar se beteja e gjatë u kurorëzua me sukses tani.

“Si qëndrim zyrtar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Komiteti për Punë të Jashtme i Kongresit të SHBA-së miratoi rezolutën H.R. 6411, mbi të drejtat etnike dhe kombëtare të shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Mirënjohje e veçantë për Kongresistin Keith Self, Kryetar i Nënkomitetit për Evropë, për iniciativën dhe lidershipin e tij parimor, si dhe për përkrahjen dypartiake të Kryetarit Brian Mast dhe Nënkryetarit Gregory Meeks. Kjo rezolutë tashmë pritet të aprovohet nga vetë Kongresi i SHBA”, ka shkruar ai në Facebook.

E, kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, e cilësoi vendimin e Komitetit si mesazh të qartë për Beogradin.

“Kjo është ditë e rëndësishme për shqiptarët e Luginës. Dhe sinjal se padrejtësia nuk është e përjetshme. Një betejë e gjatë. Me durim, këmbëngulje dhe besim”, shkroi në Facebook.

Pas shqyrtimit të plotë në komision, projektligji do të raportohet nga Komiteti për Punë të Jashtme i Kongresit dhe do t’i dërgohet Dhomës së Plotë të Përfaqësuesve për votim. Më pas ai miratohet nga Senati dhe nënshkruhet nga presidenti.

Projektligji kërkon të vlerësohen çështje më rëndësi, përfshirë pasivizimin e adresave; kufizimet në përdorimin e gjuhës shqipe në institucionet publike; diskriminimin në arsim, përfshirë mosnjohjen e diplomave të Kosovës dhe mungesën e teksteve shkollore në gjuhën shqipe. Rasti i pasivizimit të adresave është një çështje për të cilën shqiptarët në Serbi janë ankuar vazhdimisht dhe kanë dalë në rrugë për të protestuar.

Pasivizimi nënkupton fshirjen e qytetarëve prej adresave ku kanë qenë të regjistruar. Ky hap rezulton me humbjen e shtetësisë serbe, e rrjedhimisht të të gjitha të drejtave civile – përfshirë të drejtën për të votuar, për të pasur pronë, për të pasur sigurim shëndetësor e pension dhe për t’u punësuar.