div[data-widget-id="1924179"] { min-height: 300px; }
class="archive paged tax-post_format term-post-format-aside term-191 custom-background wp-custom-logo paged-85 wp-theme-news-25 td-standard-pack group-blog hfeed">
Të shtënat në Deçan – dyshohet se i plagosur mbeti edhe avokati kosovar

Deçani është tronditur mbrëmë pas mesnate nga të shtëna me armë zjarri, ku si pasojë kanë mbetur të plagosur tre persona.

Në mesin edhe tyre, siç merr vesh Gazeta Sinjali ka mbetur i plagosur edhe avokati kosovar Daut Cacaj.

Të plagosur kanë mbetur edhe dy pjesëtarë të nacionalitetit serb.

Sipas informacioneve, incidenti ka ndodhur në një lokal, ndërsa në vendin e ngjarjes kanë intervenuar njësitet policore dhe ekipet mjekësore, të cilat u kanë ofruar ndihmën e parë të plagosurve dhe i kanë dërguar për trajtim mjekësorë

Policia e Kosovës ka konfirmuar se lidhur me rastin është arrestuar një person i dyshuar, i nacionaliteti shqiptar, i cili dyshohet se ka shtënë me armë zjarri. Gjatë intervenimit policor është sekuestruar edhe arma e dyshuar e përdorur në incident.

Me vendim të prokurorit kompetent, i dyshuari është ndaluar dhe ndaj tij pritet të ndërmerren veprime të mëtejme hetimore, ndërsa rasti është iniciuar si “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “lëndim i rëndë trupor”.

Hetimet janë duke vazhduar për të sqaruar rrethanat e plota të këtij rasti.

E dhimbshme: Ndërron jetë motra e këngëtarit të njohur

Këngëtari i njohur, Marsel Selita, po kalon një nga momentet më të vështira të jetës së tij.

Ai ka humbur motrën në moshë të re, një lajm i trishtë që e ka ndarë me ndjekësit përmes një njoftimi në rrjetet sociale.

Me disa fjalë prekëse, Marseli ka shprehur dhimbjen për humbjen e parakohshme të motres.

Marsel Selita është një nga emrat e njohur të muzikës live në Shqipëri, i vlerësuar për interpretimin skenë.

Gjatë karrierës së tij, ai ka pasur bashkëpunime të suksesshme me artistë të njohur të muzikës shqiptare, mes tyre Aurela Gaçe dhe i ndjeri Dr. Flori, projekte që janë pritur shumë mirë nga publiku.

Në këto momente të vështira, bota e artit dhe publiku i gjerë i shprehin ngushëllimet më të sinqerta këngëtarit dhe familjes së tij, duke iu qëndruar pranë në dhimbjen për këtë humbje të madhe.

Plagosen dy serbë dhe një shqiptar, dërgohen me urgjencë në spital

Gjatë mbrëmjes, në Deçan është raportuar për të shtëna me armë zjarri

Indeksonline ka kontaktuar Policinë e Kosovës për tu informuar lidhur me rastin.

Sipas Policisë, rasti ka ndodhur në një lokal në Deçan rreth orës 00:18 minuta.

”Në orët e para të mëngjesit rreth orës 00:18, policia e deçanit është njoftuar për të shtëna me armë zjarri në një lokal. Lidhur me këtë njesitet kanë dal menjëherë në vend të ngjarjes dhe kanë vrejtur tre përsona të plagosur, një i komunitetit shqiptar e dy sërb”, ka thënë fillimisht Fadil Gashi për Indeksonline.

Më tutje Gashi thotë të njëjtit janë dërguar në QMF dhe pastaj në Emergjencës e Spitalit të Pejës.

Lidhur me këtë rast një person i dyshuar është arrestuar dhe me urdhër të prokurorit të shtetit është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitë kompetente për të sqaruar rrethanat e ngjarje, ndërsa janë sekuestruar 1 armë, 1 karikator me 9 fishekë”, tha Gashi.

Dronë nga Serbia mbi territorin e Kosovës

Dy dronë kanë shkelur hapësirën ajrore të vendit.

Sipas informacioneve që ka Paparaci, të njëjtët vijnë prej territorit të Serbisë në zonën kufitare të Muqivërcës.

Nga burime të Paparaci mësohet se dronët kanë hyrë në territorin e Kosovës rreth orës 19:30-19:45 të natës së sontme pranë fshatit Novosellë të Kamenicës.

Po ashtu, bëhet e ditur se për rreth 30 minuta, dronët kanë qëndruar statikë edhe afër stacionit policor të Breznicës.

Burimet gjithashtu bëjnë me dije që është njoftuar edhe misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR-i, të cilët kanë konfirmuar se dronët nuk u përkasin atyre.

Shkeljen e hapësirës ajrore të Kosovës nga Serbia përmes dronëve e kishte konfirmuar në shtator të 2025 edhe ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

“Shiheni, në vazhdimësi ne kërcënohemi nga Serbia. Kohët e fundit po besoj që tashmë e dini që ka një lëvizje të paautorizuar apo shkeljes së hapësirës sonë ajrore përmes dronëve të cilët kohë pas kohe qarkullojnë apo shkelin hapësirën tonë ajrore”, kishte deklaruar ai.

Anëtari i LDK-së në diasporë: I vetmi mercenar në LDK je ti, Lumir – jep dorëheqje menjëherë

Aktivisti i njohur i LDK-së në diasporë, Qefser Hoxha, ka lëshuar akuza të forta ndaj kryetarit aktual, Lumir Abdixhiku, duke e cilësuar atë si “mercenar” dhe përgjegjës për rënien drastike të partisë.

Në reagimin e tij, Hoxha rendit atë që ai i quan “rekorde” që meritojnë librin Guinness, duke u bazuar në rezultatet e zgjedhjeve të fundit:

LDK ka shënuar 45,255 vota më pak në dhjetor 2025 krahasuar me shkurtin e po të njëjtit vit, duke rënë nga 18.27% në 13.26%.

Sipas tij, 30% e votuesve të LDK-së nuk e kanë votuar Abdixhikun si kandidat për kryeministër.

Në 8 komuna, Abdixhiku renditet i dyti për nga votat brenda listës së vetë LDK-së, një situatë që Hoxha e quan “precedent të papranueshëm”.

“Në 8 komuna të Kosovës, renditet i dyti për nga votat brenda vetë LDK-së, një precedent i papranueshëm: asnjëherë më parë një kandidat për kryeministër nuk ka dështuar të votohet nga partia e tij. Sigurisht kjo do të jetë rekord i ri botëror”.

Hoxha nuk është kursyer në cilësime personale, duke e quajtur Abdixhikun “peng politik” dhe “mercenar” që nga ardhja e tij në parti në vitin 2017.

“I vetmi mercenar në LDK je ti Lumir. Si mercenar erdhe dhe si mercenar po largohesh, pa as minimumin e dinjitetit për të dhënë dorëheqje. Mercenari nuk largohet pa miratimin e atyre që ia blenë votat e delegatëve në vitin 2021,” shkruan ai në letrën e tij.

Sipas aktivistit, Abdixhikun nuk e intereson e ardhmja e partisë së Ibrahim Rugovës, por vetëm kontrolli mbi të, qoftë edhe nëse partia bie në kuotën e 5%.

Përmes kësaj letre, Qefser Hoxha u bën thirrje anëtarëve të Kuvendit të LDK-Së që të kërkojnë zyrtarisht: Dorëheqjen e menjëhershme të Lumir Abdixhikut nga posti i kryetarit dhe shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në të gjitha nivelet e partisë për të nisur një proces ristrukturimi dhe ringritjeje.

Nuk ndalen telashet në LDK: Jep dorëheqje një tjetër figurë e rëndësishme

Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës në Prizren, Haziz Hodaj, ka njoftuar dorëheqjen e tij nga Kryesia e Degës së LDK-së, duke kritikuar ashpër mënyrën e vendimmarrjes brenda partisë dhe duke kërkuar përgjegjësi politike.

Përmes një postimi në Facebook, Hodaj ka theksuar se në vend të reflektimit për humbjet e njëpasnjëshme, në LDK po mbizotëron papërgjegjësia, e cila sipas tij vetëm sa i thellon gabimet.

Ai ka kërkuar drejtpërdrejt dorëheqjen e Driton Selmanajt, duke vlerësuar se shkelja e fjalës së dhënë, mungesa e komunikimit dhe përjashtimi i parimeve e bëjnë dorëheqjen “të vetmen rrugë të ndershme”.

“Dorëheqja nuk është ikje nga përgjegjësia, por akt dinjiteti për të mos u bërë pjesë e pabesisë”, ka shkruar Hodaj, duke shtuar se është më mirë të largohesh me nder sesa të qëndrosh aty ku, sipas tij, është shkelur besa.

Ai ka bërë të ditur se vendimi për largim nga Kryesia vjen si pasojë e, siç i quan ai, vendimeve arbitrare, të marra pa konsultim, pa marrëveshje dhe jashtë vendimeve të Kryesisë, të cilat cenojnë parimet dhe besimin brenda partisë.

Hodaj ka theksuar se do të vazhdojë të qëndrojë besnik ndaj parimeve të tij dhe besimit të votuesve, duke e cilësuar këtë si detyrim moral që nuk e shkel në asnjë rrethanë.

Në fund të reagimit, ai ka bërë edhe një thirrje publike ndaj kryetarit të Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, duke kërkuar që emërimet e drejtorëve nga radhët e LDK-së të mos bëhen pa pëlqimin dhe konsultimin e anëtarëve të Kuvendit Komunal nga kjo parti, me përjashtim të drejtorit të Urbanizmit.

Ndërkohë, dorëheqje nga të gjitha funksionet në LDK ka dhënë edhe Fejzë Kabashi. Ai ka bërë të ditur se vendimi i tij vjen pas një njoftimi me SMS nga kryetari i degës, përmes të cilit, sipas tij, janë caktuar përfaqësuesit e LDK-së në ekzekutivin lokal pa asnjë diskutim paraprak në Kryesi.

“U hodh poshtë fjala e dhënë se përfaqësuesit për ekzekutivin lokal do të diskutoheshin dhe vendoseshin së bashku në Kryesi. Kjo, së bashku me mosvlerësimin tim dhe të rajonit të Hasit, më detyroi të jap dorëheqje nga të gjitha funksionet”, ka shkruar Kabashi.

Blero po martohet dhe pritet të bëhët sërish baba, kjo është e dashura e re

Marrëdhënia mes Bleros dhe Eronitës ka qenë prej kohësh në qendër të vëmendjes, edhe pse e mbajtur larg konfirmimeve zyrtare. Dyshja ka zgjedhur privatësi maksimale, por detajet e vogla në rrjete sociale kanë lënë vazhdimisht të kuptohet se raporti i tyre është serioz dhe i konsoliduar.

Së fundmi, burime të sigurta për revistën “Bordo” bëjnë me dije se Eronita është shtatzënë. Lajmi, i mbajtur deri tani larg publikut, tregon se çifti po kalon një fazë shumë të rëndësishme të jetës së tyre dhe ka preferuar ta jetojë këtë moment në heshtje, pa ekspozim mediatik.

Dyshimet janë forcuar edhe më tej nga një postim i fundit i Eronitës në Instagram, ku ajo shfaq thonjtë e rinj, të kuruar me detaje elegante, shoqëruar me mbishkrimin domethënës: “Thonjtë e nuses janë gati”. Ky mesazh ka ndezur menjëherë aludimet për një martesë të afërt, por edhe si një sinjal i qartë për shtatzëninë.

Këngëtari është tashmë baba i një vajze, Tara, nga martesa e tij e mëparshme me aktoren Teuta Krasniqi. Pavarësisht ndarjes, Blero ka ruajtur gjithmonë një lidhje të fortë me vajzën e tij dhe është shprehur publikisht për rëndësinë e rolit të prindit në jetën e tij.

Deri në këto momente, as Blero dhe as Eronita nuk kanë reaguar për lajmin që po qarkullon, duke vijuar të mbajnë të njëjtën linjë privatësie që i ka karakterizuar që nga fillimi i lidhjes. Megjithatë, sipas burimeve për “Bordo”, një kapitull i ri është duke u shkruar dhe konfirmimi zyrtar mund të mos jetë shumë larg.

 

Gjykata merr vendim për Ramadan Morinën, i akuzuar për krime lufte

Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka vazhduar paraburgimin të akuzuarit për krime lufte, Ramadan Morina.

Kërkesën e Prokurorisë për vazhdim të masës së paraburgimit ndaj Morinës Themelorja e ka aprovuar më 31 dhjetor, shkruan EO.

“Pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale ndaj të pandehurit R.M. për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Krime lufte kundër popullatës civile, gjyqtari i procedurës paraprake pas shqyrtimit të kërkesës, me datë 30.12.2025 përmes Aktvendimit ka aprovuar kërkesën e PSRK-së, ashtu që të njëjtit iu është vazhduar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 2 (dy) muaj”, ka thënë zëdhënësja e Gjykatës Themelore, Mirlinda Gashi.

Avokati i Morinës, Arianit Koci, pati kërkuat atij t’i ndryshohet masa e sigurisë.

Edhe avokati Shpend Gashi, i cili e pati zëvendësuar Kocin në seancën e shqyrtimit fillestar, pati kërkuar që i akuzuari të lirohet nga paraburgimi.

Këtë propozim e pati kundërshtuar, prokurori special Ilir Morina, i cili i pat propozuar Gjykatës që të pandehurit t’i vazhdohet masa e paraburgimit.

Në seancën e mbajtur më 30 dhjetor, Morina, është deklaruar i pafajshëm, lidhur me akuzat për krime lufte. Sipas aktakuzës, i pandehuri Morina më 31 mars 1999, në fshatin Burim të Komunës së Malishevës, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka marrë pjesë në vrasjen e 34 civilëve shqiptarë.

Morina akuzohet se kreu veprën penale “Krime Lufte kundër popullatës civile”.

Sipas Prokurorisë Speciale, Morina ngarkohet se gjatë periudhës 1998-99, në kohën e luftës në fshatin Burim të Malishevës, na bashkëkryerje me persona të tjerë, ka marrë pjesë në vrasje, dëbime, arrestime e keqtrajtime fizike”.