Pesë zyrtarë policorë janë arrestuar mbrëmjen e kaluar nga Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), në lidhje me incidentin e ndodhur në Lipjan që përfundoi me vdekjen e një qytetari.
Sipas njoftimit të IPK-së, arrestimi është bërë pas hetimeve të zhvilluara në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë.
Të arrestuarit janë një rreshter dhe katër zyrtarë policorë, të cilët ishin të përfshirë në ndërhyrjen e forcave të rendit gjatë incidentit.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka lëshuar urdhrin për këtë masë, nën dyshimet se të njëjtit kanë kryer veprën penale “Vrasje nga pakujdesia”, gjatë arrestimit të Agon Zejnullahut.
Ndaj tyre është marrë masa e ndalimit për 48 orë me vendim të prokurorit.
Lajmin e ka konfirmuar për Gazetën Sinjali, Kaltrina Shala, zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës.
“E konfirmoj se janë arrestuar pesë zyrtar policor për veprën penale “Vrasja nga pakujdesia” nga neni 175 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Për momentin nuk mund të ofrojmë më shumë detaje sepse mund të dëmtojmë integritetin e hetimeve”.