Një mitrovicas ka vdekur si pasojë e plagëve që ka marrë dy netë më parë në Podgoricë, pranë kodrës së Goricës.
Binak Kabashi, është me prejardhje nga Hasi e që ka banuar në Mitrovicë, por që ishte shtetas i Republikës së Shqipërisë, i cili fillimisht ishte raportuar si i plagosur rëndë dhe ishte dërguar në Qendrën Klinike të Malit të Zi (QKKM), ku iu nënshtrua ndërhyrjeve urgjente kirurgjikale, shkruan Mitropol.
Fatkeqësisht, ai nuk mundi t’u mbijetojë plagëve dhe ndërroi jetë në spital.
Lajmin për ndarjen nga jeta të të riut e ka konfirmuar edhe babai i tij, Ali Kabashi, përmes një postimi prekës në rrjetet sociale.
“Shokë, miq, do ju njoftojmë me kohë për varrimin e djalit.”, shkruan ai me foton e bashkëngjitur.
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 21:45 të së enjtes, si pasojë e një debati mes viktimës dhe një tjetër shtetasi shqiptar, E.B., 23 vjeç.
Sipas Policisë së Malit të Zi, autori u arrestua në kanionin e lumit Moraça, midis urave Blazov dhe Viseçi, pas një operacioni ku u angazhuan edhe Njësitë Speciale të Policisë.
Policia njoftoi se E.B. posedonte dokumente udhëtimi të Shqipërisë dhe Kosovës, dhe ndaj tij janë ngritur akuza për vrasje.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje vijojnë.