Vendimi i Izraelit për të marrë kontrollin ushtarak në Gaza, reagon Erdogan
Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan e ka cilësuar vendimin e Izraelit për të marrë kontrollin ushtarak të Gazës si “absolutisht të papranueshëm” gjatë një telefonate me presidentin palestinez Mahmoud Abbas.
Sipas Drejtorisë së Komunikimit të Turqisë, të dy udhëheqësit diskutuan sulmet e Izraelit ndaj Gazës dhe zhvillimet e fundit në rajon. Erdogan theksoi se Turqia do të vazhdojë të qëndrojë pranë Palestinës dhe përmendi mbështetjen ndaj deklaratave të Francës, Britanisë dhe Kanadasë për njohjen e mundshme të shtetit palestinez.
Ai gjithashtu vuri në dukje rritjen e kritikave ndaj Izraelit në Perëndim dhe angazhimin e Turqisë për paqe në rajon.
Ndërkaq, edhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ka dënuar ashpër vendimin e Izraelit, duke e cilësuar atë si “një përshkallëzim të rrezikshëm” që rrezikon “të thellojë pasojat tashmë katastrofike për miliona palestinezë”.
