Vjen paralajmërimi: Dielli do të zhdukë jetën në Tokë, Marsi është shpresa e vetme e njerëzimit

0
46

Elon Musk nuk fokusohet vetëm në të nesërmen, por mendon për mijëra, madje miliona vite në të ardhmen. Themeluesi i kompanisë SpaceX ka kohë që ngre alarmin se njerëzimi duhet të evoluojë drejt një civilizimi shumëplanetar – dhe sipas tij, vendi më i arritshëm për të nisur këtë kapitull të ri është Marsi.

Në një intervistë të kohëve të fundit për Fox News me gazetarin Jesse Watters, Musk shprehu shqetësimin e tij të thellë për të ardhmen e Tokës. Ai tha se planeti ynë nuk do të mund të jetë përgjithmonë një strehë e sigurt për jetën, jo për shkak të konflikteve apo krizave klimatike, por për shkak të një kërcënimi shumë më të madh: vetë Diellit.

“Dielli po zgjerohet gradualisht dhe në një moment do të na duhet të bëhemi një qytetërim shumëplanetar”, tha Musk, duke shtuar: “Përfundimisht, e gjithë jeta në Tokë do të shkatërrohet”.

Sipas vizionit të tij, ndërsa Dielli plaket, ai rrit temperaturën dhe ndriçimin e tij në mënyrë të pandalshme. Brenda rreth 450 milionë vitesh, kjo rritje do të jetë aq intensive sa do të bëjë që oqeanet e Tokës të fillojnë të avullojnë dhe atmosfera të shpërbëhet – një proces që do të shënojë fillimin e fundit. Kulmi do të vijë pas afërsisht 5 miliardë vitesh, kur Dielli do të zgjerohet aq shumë sa do të përfshijë dhe zhdukë plotësisht Tokën.

I vetëdijshëm për këtë fund të pashmangshëm, Musk propozon Marsin si alternativën më të mirë për mbijetesën e njerëzimit. Ai beson se ky planet mund të bëhet një “strehë e sigurt për jetën”, jo vetëm për njerëzit, por për çdo formë tjetër të njohur të jetës.

SpaceX po punon për ta bërë këtë mision të realizueshëm përmes zhvillimit të Starship, një anije e madhe kozmike dhe e ripërdorshme që synon të transportojë njerëz drejt Planetit të Kuq.

Për Muskun, kjo nuk është një ide fantastiko-shkencore, por një nevojë ekzistenciale.

“Një biletë vajtje për përjetësimin e jetës,” siç e përshkruan ai këtë projekt ambicioz.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here