Është zbuluar shkaku i vrasjes së 34-vjeçarit Ryshyt Sallahu në Has, ngjarje e ndodhur këtë të mërkurë ndërsa autori i dyshuar i krimit është Ylber Jaku, 41 vjeç.
Dyshohet se dy ditë më parë, viktima Ryshyt Sallahu, së bashku me motrën e tij 21-vjeçaren Artjola Sallahu, kanë goditur me mjete të forta shtetasit Agim Jaku, 65 vjeç dhe Vera Jaku, 60 vjeçe, prindërit e autorit të dyshuar të vrasjes së sotme gjatë një sherri për motive pronësie.
Si pasojë e këtij incidenti, 41-vjeçari Ylber Jaku ka vendosur të marrë hak vetëm një ditë më pas, duke qëlluar për vdekje 34-vjeçarin.
Trupi i pajetë i Ryshyt Sallahut u gjet brenda makinës së tij në fshatin Pla të Hasit.
Në vendngjarje mbërritën menjëherë shërbimet e Policisë së Hasit dhe Forcat e Posaçme “Shqiponja” të DVP Kukës, raporton Euronewsalbania.
Si rezultat i reagimit të shpejtë, u bë arrestimi i menjëhershëm i autorit të dyshuar. Policia sekuestroi gjithashtu armën e zjarrit që dyshohet se u përdor në krim.
Konflikti për motive pronësie mes familjes Jaku dhe familjes Sallahu vijon prej më shumë se 10 vitesh, ndërsa familja Jaku ka bërë mbi 20 kallëzime ndër vite, duke kërkuar zgjidhje për këtë problematikë.