Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka mohuar se ka raporte të ngushta me presidentin rus, Vladimir Putin. Ai po ashtu hodhi poshtë idenë se kandidatura e shtetit të tij për anëtarësim në Bashkimin Evropian ishte një “Kali i Trojës” për Moskën, pavarësisht se shteti i tij ka refuzuar t’iu bashkohet sanksioneve evropiane për shkak të pushtimit rus të Ukrainës, por edhe për shkak të dallimeve të tjera me bllokun.
“Ne jemi në rrugën e BE-së. Po, ne tradicionalisht kemi raporte të mira, nuk po i fshehim ato dhe unë nuk turpërohem nga kjo me Rusinë, gjithmonë ka qenë kështu mes serbëve dhe rusëve”.
Ai tha se përderisa së fundi ka pasur një bisedë “të mirë” me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila po ashtu këtë javë po qëndron në Pragë, “askush në Evropë nuk pajtohet me mua për këtë çështje, por të gjithë në Evropë e kuptojnë pozicionin tim”.
Serbia dhe Turqia janë shtetet e vetme kandidate të BE-së që nuk kanë vendosur sanksione ndaj Rusisë.