Vuçiq sfidon Perëndimin: “Po shkoj te Putini, po s’u pëlqeu, më ndëshkoni mua”

0
42

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka zgjedhur të marrë pjesë në paradën ushtarake në Moskë për nder të 80-vjetorit të fitores ndaj fashizmit, pavarësisht tensioneve me Perëndimin. Ai e ka përshkruar pjesëmarrjen si një akt personal që mund të ketë pasoja për të.

“Jam i bindur se Serbia do të mbetet në rrugën evropiane. Nëse BE-ja dëshiron të ndëshkojë dikë, le të më ndëshkojë mua. Unë do ta pranoj dënimin dhe do të kërkoj që të mos ndëshkohet i gjithë vendi”, tha Vuçiq.

Vuçiq mbërriti në Moskë përmes Bullgarisë, Turqisë dhe Azerbajxhanit, pasi Letonia dhe Lituania nuk i lejuan kalimin e avionit presidencial në hapësirën e tyre ajrore. Ai u prit nga zëvendësministri i Jashtëm rus, Aleksandar Grushko.

“Udhëtuam përmes Bullgarisë, Turqisë dhe Azerbajxhanit, dhe kur na u lejua korridori, vazhduam rrugën. Mbërrita në Moskë ku më priti zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Aleksandar Grushko, një nga figurat më të rëndësishme të diplomacisë ruse”, tha Vuçiq.

Disa ministra serbë kishin kërkuar masa reciproke ndaj Letonisë dhe Lituanisë, por Vuçiq tha se ai ishte kundër.

“Populli serb nuk ka pse të turpërohet, por duhet të jetë krenar për luftën e tij kundër fashizmit. Nëse ndonjë popull ka të drejtë të krenohet me luftën kundër fashizmit, ai është populli serb”, shtoi ai.

Ai do të takohet me patriarkun Kirill, ku do t’i dorëzojë një dekoratë, si dhe me presidentin e Kazakistanit, Zhomart Tokajev. Të premten, pas paradës, Vuçiq do të ketë takime me presidentin kinez Xi Jinping dhe më pas me presidentin rus Vladimir Putin.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here