Edon Zhegrova e shijoi mbrëmë suksesin më të madh në karrierë.
Ylli kosovar arriti që me Lillen të kualifikohet në Ligën e Kampionëve, shkruan “Gazeta Express”.
25 vjeçari e inspiroi ekipin francez të futet në mesin e skuadrave elitare të kompeticionit më të rëndësishëm të futbollit evropian.
Përfaqësuesi kosovar në fakt e shënoi golin e kualifikimit në Pragë ndaj Slavias vendëse, në ndeshjen e kthimit të “play-offit” të Championsit.
Lille u mposht nga Slavia Praga 1:2 mbrëmë, por shkoi tutje falë fitores me rezultat 2:0, të cilën e kishte regjistruar në shtëpi javën e kaluar.
Edhe në atë takim, “Messi i Kosovës” ishte protagonist me një gol të shënuar.
Pas lojës, Zhegrova ka marrë lëvdata të mëdha për paraqitjen.
Ndërkohë, ai e bëri një postim në rrjetet sociale, përmes së cilit e shprehu gëzimin e tij.
“Ishte e gjitha një ëndërr. Ne jetojmë për kësi net. Ne ia dolëm.”, shkroi futbollisti ofanziv.
Zhegrova, vlera e së cilit në treg është 25 milionë euro, i ka shënuar tre gola në katër ndeshje në kualifikimet e Ligës së Kampionëve në këtë edicion.
Ai është pa dyshim futbollisti më në formë shqiptar i momentit.
Krahas Edonit, në formatin e ri të Championsit do të luajnë edhe dy përfaqësuesit tjerë kosovarë, Albion Rrahmani dhe Ermal Krasniqi. /Gazeta Express/