Një zjarr i përhapur gjatë natës në Spitalin Marien në Hamburg të Gjermanisë shkaktoi tragjedi, duke marrë jetën e të paktën tre personave dhe plagosur mbi 50 të tjerë, shkruan Gazeta Sinjali.
Flakët shpërthyen në një dhomë të repartit të kujdesit për të moshuarit në katin përdhes të ndërtesës në lagjen Hohenfelde, ku tymi i dendur përfshiu të gjitha katet e spitalit.
Sipas autoriteteve, 16 prej të lënduarve janë në gjendje të rëndë, ndërsa një person ndodhet në rrezik për jetën. Zjarrfikësit kanë vlerësuar ndërhyrjen si shumë të vështirë për shkak të përhapjes së shpejtë të tymit në të gjithë objektin.
Shkaku i zjarrit nuk është zbuluar ende dhe autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar rrethanat e ngjarjes.