Zotohet Kurti, rritje të pensioneve dhe shtesa për fëmijë e lehona

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka prezantuar buxhetin për vitin 2026, të cilin e ka cilësuar si më të madhin dhe më të pasurin me risi deri më tani, shkruan Insajderi.

Sipas Kurtit, buxheti i ri do të jetë në vlerë prej 4 miliardë eurosh, me rreth 1 miliard euro të dedikuara për investime kapitale.

Një nga risitë kryesore është dhënia e pagës së 13-të për punonjësit e sektorit publik, e cila do të zbatohet për herë të parë.

“Ky buxhet përfshin edhe zbatimin e rritjes së pagës bazë me 0.5% për çdo vit përvojë pune, ndryshe nga më herët kur kjo rritje ishte vetëm 0.25% për 15 vitet e para”, tha Kurti gjatë mbledhjes së Qeverisë.

Krahas pagës shtesë, buxheti 2026 përfshin edhe rritjen e pensioneve, shtesat për fëmijë dhe lehona, mbështetje për gratë që angazhohen me Superpunë, si dhe finalizimin e reformës së asistencës sociale.

Kurti shtoi gjithashtu se do të ketë rritje të mbështetjes për barnat esenciale, kulturën dhe sportin, duke e përshkruar buxhetin si një hap të rëndësishëm drejt forcimit të mirëqenies sociale dhe zhvillimit ekonomik të vendit.