Një person tenton ta hapë derën e aeroplanit në fluturimin Zvicër – Prishtinë, ndërhyn policia

Një person ka tentuar të hapë derën e aeroplanit në fluturimin Zvicër – Prishtinë.

Sipas pamjeve, pasagjerët kanë mbajtur personin që tentoi të hapë derën, deri kur ka ndërhyrë policia.

I njëtji më pas është marrë nga ta, derisa dëgjohet edhe një përleshje verbale me një person tjetër.

Video e plotë e siguruar nga Nacionale:

VIDEO:

 

 

Zbulohet Diellza e Gjestit, dyshja janë takuar pas daljes së banorit nga Big Brother VIP Albania

Në emisionin Kosova Today është diskutuar emri i Diellzës, e cila është përmendur shpesh nga banori i Big Brother VIP Kosova, Gjesti.

Sipas diskutimit në studio, Diellza ka qenë në një lidhje pesëvjeçare me Gjestin dhe ka pasur një ndikim të rëndësishëm në jetën e tij, veçanërisht në kohët e vështira financiare.

Gjesti ka treguar se ajo jo vetëm e ka ndihmuar atë, por edhe miqtë e tij.

Gazetari në studio zbuloi se së fundmi Gjesti dhe Diellza janë takuar dhe ai i ka dhuruar një zinxhir si simbol.

Po ashtu, ai shtoi se motra e Gjestit, Blerina, është shoqe e ngushtë me Diellzën, me të cilën kanë punuar për më shumë se dy vjet në një qendër tregtare në Prishtinë.

Sipas gazetarit, kjo mund të jetë arsyeja pse Blerina nuk tregon interes për Eglin dhe nuk e ndjek atë në rrjete sociale.

Gjithashtu, u përmend se Diellza është larguar nga rrjetet sociale pasi Gjesti fitoi famë dhe është zhvendosur në Gjermani, ku ka familjarë.

Gazetari solli një detaj interesant nga vizita e Blerinës në Big Brother ku kishte thënë: “Kam qenë në Gjermani veç për ty”, që sipas gazetarit mund të jetë një sinjal që marrëdhënia me Diellzën mund të rifillojë pas daljes së Gjestit.

Në fund ai u shpreh se lidhja mes Gjesti dhe Egli mund të jetë thjesht një strategji marketingu

Nesër mbyllet përkohësisht kjo rrugë në Prishtinë

Komuna e Prishtinës ka njoftuar se nesër, rruga “Agim Ramadani” do të jetë e mbyllur për qarkullim gjatë gjithë ditës për shkak të punimeve finale në shtresën përfundimtare të asfaltit, raporton Gazeta Sinjali.

Mbyllja do të vazhdojë deri në përfundimin e plotë të punimeve, dhe nëse paraqitet nevoja, mund të vazhdojë edhe gjatë ditës së diel, më 4 maj.

“Pas përfundimit të asfaltimit, do të ndalohet qarkullimi i mjeteve të rënda për 48 orë, me qëllim të stabilizimit të shtresës së re dhe shmangies së dëmtimeve të mundshme.

Kërkojmë nga qytetarët dhe pjesëmarrësit në trafik që të planifikojnë lëvizjet e tyre në kohë, duke pasur parasysh këtë ndërprerje të përkohshme”.

Kryetari i Kuvendit gati të zgjidhet? Haradinaj jep shenjën e pajtimit!

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka deklaruar se nëse Lëvizja Vetëvendosje, në seancën e së shtunës për konstituimin e Kuvendit, do të propozojë një kandidat apo kandidate tjetër për pozitën e kryetarit të Kuvendit, do ta kenë votën e kësaj partie.

Ai po ashtu ka thënë se nëse propozimi do të ishte Glauk Konjufca, do ta votonin.

“Ne jemi në pritje që Vetëvendosje të reflektojë në kandidaturë, pra të gjejë një kandidaturë që na bashkon, dhe shpresojmë që deri nesër ta kemi ndonjë lajm të mirë, që Vetëvendosje ta nxjerrë një kandidaturë unifikuese. Nëse e bën këtë, nesër do ta kemi kryetarin apo kryetaren e Kuvendit. Nuk kemi biseduar për Glaukun, por nuk është problem, besoj që po”, deklaroi Haradinaj pas organizimit solemn në shënimin e 25-vjetorit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

Ndërsa për Fatmir Limajn, Haradinaj ka shprehur pasiguri nëse do ta votonte atë, duke thënë “Nuk e di. Nuk kemi qëndrim ende, por duhet diskutuar”.

Rron Gjinovci sfidon raportet për lirinë e medias në Kosovë: “Këtu shpifet më lirshëm se kudo”

Në një reagim të fundit, aktivisti dhe analisti Rron Gjinovci ka vënë në dyshim gjetjet e raportit të Reporterëve pa Kufij, i cili e renditi Kosovën në vendin e 99-të për lirinë e medias në vitin 2025, duke shënuar një rënie prej 24 pozicionesh nga viti i kaluar. Gjinovci shprehet se ky vlerësim nuk pasqyron realitetin në terren, duke theksuar se në Kosovë mediat shpifin lirshëm pa u përballur me pasoja.

“Për besë kjo është e pamundun. Në ekzistoft naj vend në botë ku mediat shpifin ma lirshëm se në Kosovë pa kurrfarë pasoje, atëherë kjo e dhanë është e vërtetë. Kaq di të them,” ka deklaruar ai.

Kjo deklaratë ka ngjallur debat në opinionin publik, veçanërisht në kontekstin e kritikave të vazhdueshme ndaj Qeverisë për presion ndaj mediave dhe përpjekjeve për të kufizuar pavarësinë e tyre. Ndërkohë, organizatat ndërkombëtare dhe vendore kanë shprehur shqetësim për rritjen e sulmeve dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve, si dhe për ndryshimet ligjore që mund të cenojnë lirinë e shprehjes.

Ndërsa disa e shohin deklaratën e Gjinovcit si një kritikë ndaj mungesës së përgjegjësisë së mediave, të tjerë e interpretojnë atë si një minimizim të problemeve reale me të cilat përballen gazetarët në Kosovë. Në çdo rast, kjo deklaratë ka rikthyer vëmendjen te sfidat e lirisë së medias në vend dhe nevojën për një debat të thelluar mbi këtë çështje.

E çuditshme: Ramabaja thotë se Peja dhe Drenica po e shkatërrojnë parlamentarizmin në Kosovë

Përkrahësi i VV-së, Sadri Ramabaj, ka dhënë mbrëmë edhe një konstatim të çuditshëm.

Në emisionin “Debat Plus”, ku diskutohej për konstituimin e Kuvendit, ai ka thënë se dija rajone në Kosovë po e pengojnë formimin e institucioneve të reja.

Duke mos ofruar asnjë argument, Ramabaja ka vlerësuar se Peja dhe Drenica po japin urdhra për shkatërrimin e parlamentarizmit në Kosovë.

Derisa analisti Yll Hoxha thoshte se Kuvendit duhet të përjetohet më seriozisht nga deputetët, Ramabaja bëri një ndërhyrje duke thënë se një gjë e tillë nuk ndodh derisa “jepen urdhra” nga Drenica dhe Peja për deputetë e Kuvendit të Kosovës.

Nuk përjetohet për aq kohë sa t`i bën urdhrat prej Pejës e prej Drenicës nuk përjetohet(seriozisht)”, ka thënë Ramabaaj.

Kur autori i emisioni, Ermala Panduri e pyeti se prej cilës Pejë, Ramabaj u përgjigj: “Prej tanës, për fat të keq”.

Sipas Ramabjes, në Kosovë po vendosin disa oligarkë, duke mos përmendur emra.

Për fat të keq oligarkët po vendin në Kosovë”, është shprehur Ramabaja.

Kur analisti tjetër, Belgzim Kamberi, e pyeti nëse parlamentarizmin në Kosovë po e shkatërron Peja, ai u përgjigj pozitivisht.

Sipas Ramabajës, disa oligarkë kanë vendosur edhe për takimin e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, me kryetarin e VV-së, Albin Kurti.

Janë disa që po vendosin a duhet më shku në takim Lumiri në takim a jo”, ka thënë ai.

Në këtë debat, njeriu që e futin në diskursin kosovar termin “luftë hibride” nuk ka treguar se pse Drenica po e shkatërron parlamentarizmin në vend.

Nuk dihet nëse Ramabaja e kishte me numrin e madh të deputetëve të PDK-së që vijnë nga rajoni i Drenicës, apo me kryetarin e degës së PDK-së në Skenderaj, Sami Lushtaku, i cili në mënyrë kategorike e ka refuzuar koalicionin me VV-në.

Magjia e Anfield: Tifozët e Liverpoolit, forca që dridhi tokën

Tifozët e Liverpool-it, që festuan fitoren historike të titullit kundër Tottenham Hotspur në “Anfield”, shkaktuan një sërë dridhjesh sizmike, kanë zbuluar shkencëtarët e një universiteti.

Skuadra e drejtuar nga Arne Slot siguroi titullin e 20-të në elitën e futbollit anglez me një fitore bindëse 5-1 ndaj Tottenhamit, përpara një stadiumi të mbushur më 27 prill.

Dridhja më e fortë u shkaktua nga goli i Alexis Mac Allister në minutën e 24-t, i cili e kaloi Liverpool-in në epërsi 2-1 dhe u regjistrua me një magnitudë maksimale prej 1.74 në shkallën Rihter.

Të dhënat u regjistruan nga sizmologët e Universitetit të Liverpool-it duke përdorur pajisje që zakonisht përdoren për të zbuluar tërmete.

Studimi u krye nga Dr Antoine Septier, Dr Farnaz Kamranzad dhe profesori Ben Edwards nga Departamenti i Shkencave të Tokës, Oqeaneve dhe Mjedisit në bashkëpunim me klubin.

“Ashtu si ngjarjet natyrore sizmike, këto gola shkaktuan shpërthime të lëkundjeve të tokës, të nxitura nga pasioni i jashtëzakonshëm i tifozëve të Liverpool-it,” tha profesori Ben Edwards.

“Entuziazmi i tyre ishte fjalë për fjalë aq i fuqishëm sa të lëvizte Tokën.”

Të dhënat treguan se turma prej 60,415 tifozësh gjeneroi aktivitet të vërtetë sizmik, veçanërisht si reagim ndaj golave gjatë ndeshjes.

Dridhja e dytë më e madhe, me magnitudë 1.60, u regjistrua pas golit të Mo Salah përpara tribunës “Kop” në pjesën e dytë.

Përpjekja e Cody Gakpo-s u mat me 1.03, autogoli i Destiny Udogie me 1.35 dhe barazimi i përkohshëm i Luis Diaz (që fillimisht u anulua) me 0.64.

Dr Farnaz Kamranzad tha se, megjithëse dridhjet ishin të vogla dhe nuk ndiheshin në tribunat e stadiumit, ato ishin të mjaftueshme “për të lënë një gjurmë të qartë dhe të qëndrueshme në Anfield”.

“Çdo brohoritje, çdo festim, lë një gjurmë nën këmbët tona – një gjurmë sizmike e gëzimit kolektiv, e shkruar në kujtesën e Tokës shumë kohë pas fishkëllimës së fundit,” tha ajo.

Dr Antoine Septier tha se shpresonte që ky eksperiment të frymëzojë një brez të ri sizmologësh.

“Shpresoj që shfaqja e këtyre të dhënave të nxisë ide inovative për aplikime të mundshme, ndoshta edhe për të përmirësuar përvojën në stadium,” tha ai.

Deklaratë e papritur nga SHBA për marrëveshjen Ukrainë–Rusi!

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, dhe nënpresidenti amerikan, JD Vance, shprehën pasiguri lidhur me shanset për arritjen e një marrëveshjeje të paqes për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

“Mendoj se e dimë se ku ndodhet Ukraina dhe e dimë se ku ndodhet Rusia tani… Ata janë më afër, por ende larg njëri-tjetrit”, tha Rubio në Fox News më 1 maj.

Ndërkaq, Vance duke folur në një intervistë të veçantë për të njëjtën rrjet, shkoi më tej, duke thënë se lufta në Ukrainë nuk do të përfundojë “së shpejti”.

Rubio tha se, nëse nuk ka një përparim të vërtetë në luftën në Ukrainë së shpejti, presidenti amerikan, Donald Trump, do të duhet të vendosë se sa kohë do t’i kushtojë procesit të negociatave.

SHBA-ja ka paralajmëruar më herët se negociatat kanë hyrë në një fazë “kritike”, dhe mungesa e përparimit mund të nënkuptojë tërheqjen e Uashingtonit nga përpjekjet për të ndërmjetësuar përfundimin e konfliktit.

Rubio tha javën e kaluar se ndonëse është bërë “përparim i vërtetë” në bisedimet për t’i dhënë fund pushtimit rus të Ukrainës, “hapat e fundit në këtë udhëtim gjithmonë do të ishin më të vështirët, dhe kjo duhet të ndodhë shpejt”.

Trump, i cili nisi mandatin e dytë në janar, e ka bërë ndër prioritetet kryesore përfundimin e luftës. Ai ka bërë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm dhe të plotë, si dhe ka kërkuar që Rusia të ndalë sulmet ndaj qyteteve ukrainase.

Vance tha se ishte “optimist” për arritjen e ndalimit të luftimeve, por theksoi se në fund vendimi do t’i takojë Kievit dhe Moskës.

“Ata janë ata që duhet të hedhin hapin përfundimtar”, deklaroi ai. “Tani u takon rusëve dhe ukrainasve, pasi secila palë i njeh kushtet e tjetrës për paqe. U takon atyre të arrijnë një marrëveshje dhe ta ndalin këtë konflikt jashtëzakonisht brutal”.

“Kjo nuk po shkon askund… Nuk do të përfundojë së shpejti”, shtoi Vance.

Ukraina është shprehur se dëshiron një armëpushim prej të paktën 30 ditësh, për të hapur rrugën drejt bisedimeve për një paqe të drejtë. Rusia nuk është pajtuar për një armëpushim të tillë, por presidenti Vladimir Putin, ka shpallur në mënyrë të njëanshme një armëpushim treditor javën e ardhshme, që përkon me Ditën e Fitores, dhe Kremlini ka deklaruar se është i hapur për bisedime të drejtpërdrejta me Kievin.

Forcat ruse po vazhdojnë të kryejnë sulme vdekjeprurëse me dronë dhe raketa mbi qytetet ukrainase pothuajse çdo natë. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka bërë thirrje që partnerët perëndimorë të Ukrainës të marrin masa më të ashpra kundër Kremlinit.