Qeveria izraelite: Sulmet ndaj Iranit do të vazhdojnë edhe ditëve tjera

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka konfirmuar se Izraeli ka goditur objektivat bërthamore në Iran, duke bërë të ditur se oeracioni do të vazhdojë për shumë ditë.

“Çaste më parë, Izraeli nisi operacionin Rising Lion, një operacion ushtarak i synuar për të zbrapsur kërcënimin iranian për vetë mbijetesën e Izraelit”, tha Netanyahu në një fjalim televiziv, raporton CNN, transmeton Klankosova.tv.

“Ky operacion do të vazhdojë për aq ditë sa duhet për të hequr këtë kërcënim”, tha i pari i qeverisë izraelite.

Sipas tij, Irani kishte një program për të zhvilluar armë bërthamore, duke paraqitur një rrezik të qartë dhe të pranishëm për vetë mbijetesën e Izraelit.

“Ne goditëm në krye të programit të armatimit bërthamor të Iranit.”

Netanyahu shtoi se me anë të këtij operacioni, duke mbrojtur veten, Izraeli gjithashtu mbron edhe të tjerët, shkruan CNN, transmeton Klankosova.tv

“Ne mbrojmë fqinjët tanë arabë. Ata gjithashtu kanë vuajtur nga fushata e kaosit dhe masakrës së Iranit”, deklaroi kryeqeveritari izraelit.

Nga ana tjetër, Qeveria e Iranit nuk ka komentuar ende për sulmet

Izraeli sulmon Iranin

Izraeli ka nisur një fushatë të paprecedentë sulmesh ajrore mbi territorin iranian, në një operacion të koduar “Luanin që Ngrihet” (Operation Rising Lion), duke goditur objektiva strategjike që përfshijnë uzina bërthamore, baza ushtarake dhe ndërtesa të lidhura me Gardën Revolucionare Iraniane.

Sipas mediave shtetërore iraniane, mes të vrarëve janë komandanti i Gardës Revolucionare, Hossein Salami, si dhe dy shkencëtarë të njohur në fushën bërthamore: Fereydoun Abbasi-Davani dhe Mohammad Mehdi Tehranchi.

Goditjet kanë përfshirë zonën e Natanz-it, ku ndodhet një nga reaktorët kryesorë të pasurimit të uraniumit, si dhe laboratorë të dyshuar për zhvillimin e teknologjisë bërthamore në Teheran, Khondab, dhe Isfahan.

Ministri i Mbrojtjes i Izraelit e ka përshkruar operacionin si një “masë parandaluese jetike”, duke akuzuar Iranin për përshpejtimin e zhvillimit të armëve bërthamore që “rrezikojnë vetë ekzistencën e shtetit izraelit”.

Ndërkohë, Irani ka paralajmëruar një hakmarrje të ashpër dhe të gjerë, ndërsa qytetet e mëdha si Teherani, Qom dhe Isfahani janë futur në gjendje të jashtëzakonshme. Aeroportet janë mbyllur, dhe në disa rajone është pezulluar qarkullimi ajror civil dhe ushtarak.

Reagimet ndërkombëtare janë të përziera: Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar se nuk kanë qenë të përfshira në sulme, por kanë shprehur shqetësim për përshkallëzimin e mundshëm të konfliktit. Ndërkohë, çmimet e naftës në bursat botërore janë rritur mbi 6%, pas frikës për destabilizim në rajon.