18-vjeçari nga Podujeva që vdiq tragjikisht në Gjermani ishte futbollist

Sot, Gazeta Imazhi raportoi me dhimbje për ndarjen nga jeta të mërgimtarit dhe ish-futbollistit të ri, Ardian Osmani, vetëm 18 vjeç. Lajmi ka tronditur jo vetëm familjen dhe të afërmit, por edhe gjithë komunitetin sportiv që e ka njohur dhe vlerësuar për përkushtimin dhe sjelljen shembullore në fushën e blertë.

Ardiani ishte futbollist i klubit shqiptar FC Kosova Munchen, ku luante si mbrojtës i krahut të djathtë dhe ishte pjesë e skuadrës së juniorëve për dy sezone, duke treguar aftësi të larta teknike dhe një karakter të fortë sportiv.

Në një telegram ngushëllimi, klubi ku Ardiani kishte luajtur i shprehu respektin dhe dhimbjen për humbjen e një djaloshi të talentuar:

“Ardiani do të kujtohet gjithmonë për sjelljet shembullore, pasionin, përkushtimin dhe shpirtin e tij sportiv.”

– thuhet ndër të tjera në telegramin e shpërndarë nga kryesia e klubit.

Gazeta Imazhi shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Osmani dhe gjithë atyre që ndihen të prekur nga kjo humbje.

Vdes profesori i njohur universitar

Dje, me 13 qershor ka vdekur Fikret Ahmedit (1943 – 2025), profesori i Fakultetit të Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës të Universitetit të Prishtinës.

I ndjeri ishte ndër profesorët e parë shqiptarë në Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës, duke qenë një doajen i kësaj fushe dhe një nga themeluesit e traditës akademike në inxhinierinë e ndërtimit në vend.

I lindur në Preshevë, Ahmedi kreu shkollimin fillor në vendlindje dhe atë të mesëm në Shkup, ndërsa studimet universitare në Universitetin e Lublanës, si dhe një varg specializimesh ne Rumani, Çeki dhe Poloni.

Profesori kishte botuar disa tekste universitare, udhëhoqi për vite fakultetin dhe laboratorin e Gjeomekanikës, si dhe kontribuoi si ekspert në projekte profesionale inxhinierike të numërta në Kosovë.

Ahmedi për kontributin e tij është nderuar me mirënjohje nga Universiteti i Prishtinës dhe Oda e Inxhinierëve të Kosovës.

Varrimi i të ndjerit është bërë sot me 14 qershor në ora 13:00 në varrezat e qytetit në Prishtinë.

Egli merr vendimin e papritur

Fillimi i javës nisi me lajme për shkëputje të bashkëpunimit artistik mes Egli Takos dhe Fifit.

Ishte Egli që e konfirmoi një gjë të tillë përmes një reagimi shumë të matur ku fjalët u vërejt qartë që i pati të zgjedhura me kujdes.

Ajo ka vendosur t’i besojë rrugëtimin një tjetër shtëpie mediatike

Se për ku bëhet fjalë e kuptoni në materialin më poshtë! /Prive By Liberta Spahiu

Humb jetën ish-referenti i Gjykatës, dyshohet se u godit nga rryma elektrike

Një ngjarje tragjike ka goditur sot familjen Kasapi në Pejë. Shani Kasapi, ish-referent në Gjykatën Themelore të Pejës, ka ndërruar jetë në rrethana të rënda, ku dyshohet se është goditur nga rryma elektrike, para pak kohe.

Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur në shtëpinë e tij në Pejë, ku fillimisht është gjetur pa shenja jete, ndërsa ekipet e emergjencës kanë konfirmuar vdekjen e tij në vendin e ngjarjes.

Policia dhe njësitë relevante kanë dalë menjëherë për ta ekzaminuar rastin, ndërsa është njoftuar edhe prokurori i shtetit. Vdekja e tij po konsiderohet aksidentale, megjithëse hetimet janë ende në zhvillim për të sqaruar plotësisht rrethanat.

Gazeta Imazhi i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Kasapi.

Qeveria e Kosovës: Irani të ndalojë veprimet hibride, zgjidhja diplomatike është rruga e duhur

Qeveria e Kosovës ka thënë se Irani duhet të ndalojë veprimet hibride që cenojnë stabilitetin rajonal dhe se rruga diplomatike është e duhura për ta zgjidhur konfliktin, pas përshkallëzimit të situatës me Izraelin.

Që nga e premtja, Izraeli dhe Irani kanë intensifikuar sulmet ndaj njëri-tjetrit. Izraeli nisi sulmet duke synuar objektet bërthamore dhe ushtarake të Iranit, e më pas erdhi kundërpërgjigja nga Teherani.

“Republika e Kosovës po e përcjell me shqetësim situatën e tensionuar mes Izraelit dhe Iranit dhe u bën thirrje të gjitha palëve të përfshira që të përmbahen, me qëllim të shmangies së përshkallëzimit të mëtejshëm të krizës së sigurisë në rajon”, thuhet në reagimin e Zyrës së Kryeministrit.

Duke iu referuar të dhënave të fundit të Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Atomike (IAEA), ku theksohet se Irani nuk po i përmbush detyrimet e tij për mospërhapjen bërthamore, Qeveria e Kosovës ka thënë se Teherani duhet të ndalë veprimet hibride që cenojnë stabilitetin rajonal dhe më gjerë dhe “t’i përmbahet detyrimeve të IAEA”.

“Zgjidhja diplomatike është rruga e duhur për adresimin e çështjeve të sigurisë, ndaljen e dhunës dhe parandalimin e pasojave më të gjera rajonale e globale”, thuhet më tej në deklaratë.

Qeveria u bën thirrje qytetarëve të Kosovës, veçanërisht atyre që ndodhen në rajon apo kanë kontakte atje, që të tregojnë kujdes të shtuar dhe të ndjekin me përpikëri udhëzimet e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, si dhe të autoriteteve lokale.

Në përfundim, Qeveria ka thënë se riafirmon përkushtimin e saj ndaj vlerave të paqes, demokracisë dhe sigurisë ndërkombëtare, duke shprehur solidaritet me të gjithë qytetarët e prekur nga konflikti aktual.

Kurti harron që e ka kundërshtar politik, impresionohet me punën e kryetarit të kësaj komune

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, sot shkoi në Klinë për të marrë pjesë në një mbledhje të degës së Vetëvendosjes atje ku u nominua Ramiz Rrusta kandidat për kryetar për komunën e Klinës.

Gjatë vizitës në Klinë, Kurti përshkoi edhe sheshin e qytetit për të cilin u impresionua.

“Shumë është i mirë qeky shesh, shumë më pëlqen”, tha Kurti atje.

Kosova ndalon katër pjesëtarë të MPB-së serbe, Beogradi reagon me akuza për hakmarrje politike

Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë tha se autoritetet kosovare i kanë ndaluar të shtunën tre pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë (MPB) dhe një oficer të pensionuar në pikat kufitare, një javë pasi Serbia e arrestoi një ish-polic të Kosovës

Ajo tha se autoritetet kosovare nuk kanë pasur “asnjë arsye ligjore” për arrestimin e tyre dhe se kjo “është hakmarrje e nxitur politikisht kundër popullit serb”, shkruan Radio Evropa e Lirë.

Në të njëjtën ditë, ministri i Brendshëm në detyrë i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se e ka privuar nga shtetësia një shtetas të Kosovës nga komuniteti serb, për “cenim të sigurisë kombëtare” të vendit.

Sveçla nuk tregoi nëse Nikolla Vujoviq pjesëtar i policisë serbe, është arrestuar dhe nuk dha hollësi të tjera rreth tij.

Në njoftimin e Zyrës për Kosovën përmenden vetëm inicialet e të ndaluarve nga MUP-i serb: N.V., (26 vjeç), M.M., (28), dhe A.M., (36), si dhe M.S., (53), i cili është polic në pension.

Autoritetet kosovare nuk kanë komentuar deri tani rreth këtyre ndalimeve të raportuara.

Për të ndaluarin me inicialet N.V., Zyra serbe tha se autoritetet e Kosovës kanë marrë vendim për “dëbim të kundërligjshëm”.

“Të gjithë ata, së bashku me familjet, jetojnë prej vitesh në mënyrë paqësore në ‘Kosovë dhe Metohi’ dhe detyrat i kryejnë në drejtoritë policore në territorin e Serbisë qendrore. Aktualisht ndodhen në paraburgim”, thuhet në deklaratën e Zyrës serbe.

Ajo shtoi se për “privimin e kundërligjshëm nga liria” do t’i njoftojë përmes kanaleve diplomatike të gjithë përfaqësuesit ndërkombëtarë, si dhe të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen.

Ndërkohë, ish-pjesëtari i Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, Arbnor Spahiu, u arrestua nga autoritetet serbe më 7 qershor në pikën kufitare ndërmjet Hungarisë dhe Serbisë, derisa po kthehej nga Austria në Kosovë me autobus së bashku me familjen e tij.

Foshnja tre-muajshe nxirret e gjallë nga rrënojat pas sulmit iranian në Izrael

Një foshnjë tre-muajshe ishte midis atyre që u shpëtuan nga rrënojat pasi sulmet hakmarrëse të raketave iraniane goditën shtëpitë në Izraelin qendror.

Të paktën tre persona u vranë dhe 20 u plagosën kur Rishon LeZion, një periferi e Tel-Avivit, u godit nga një breshëri raketash herët në mëngjes, raporton “Telegraph”, transmeton Klankosova.tv.

Një oficer policie u pa duke e mbajtur foshnjën, e cila shërbimet e emergjencës thanë se ishte plagosur lehtë.

“E tërhoqa në krahët e mi dhe pastaj ia dhashë oficerit të parë të policisë që pashë, dhe pastaj fillova të nxirrja të gjithë anëtarët e tjerë të familjes”, tha Idan Chen, kapiteni i shërbimit të zjarrfikësve dhe shpëtimit.

“Ndërsa po e bënim këtë, kishte njerëz të bllokuar në shtëpinë sipër dhe pranë – dhe përballë kishte një zjarr”, i tha ai agjencisë izraelite të lajmeve “Walla”.

E konfirmon Policia: Vujoviqi, pjesëtar i inteligjencë serbe do të largohet me forcë nga Kosova

Policia e Kosovës ka njoftuar se, pas vendimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme për heqjen e shtetësisë së Kosovës ndaj personit N.V., janë iniciuar procedurat për largimin e tij me forcë nga territori i Republikës së Kosovës.

Sipas njoftimit zyrtar, N.V. ishte njëkohësisht shtetas i Serbisë dhe pjesëtar i inteligjencës policore serbe. Drejtoria për Migrim dhe të Huaj ka lëshuar vendimin për largim me forcë, bazuar në legjislacionin përkatës.

Derisa të përmbushen kushtet për ekzekutimin e vendimit, ndaj personit në fjalë është shqiptuar masa e ndalimit në Qendrën e Mbajtjes për të Huaj.

Policia e Kosovës ka theksuar se do të vazhdojë të përmbushë detyrat e saj kushtetuese dhe ligjore, duke zbatuar vendimet e institucioneve shtetërore.