Një tjetër largim nga VV: Jep dorëheqje një nga më të votuarit e kësaj partie në Skenderaj

Një prej figurave të njohura të Lëvizjes Vetëvendosje në Skenderaj, Xhevat Nebihu, ka dhënë dorëheqje nga ky subjekt politik, duke deklaruar se nuk është më pjesë e asnjë partie dhe se nuk ka asnjë interes për t’u përfshirë më në politikë.

Nebihu, i cili kishte qenë kandidat për asamblenë komunale nga radhët e VV-së dhe kishte dalë më i votuari në listën e partisë, tha se vendimi i tij është i bazuar në parime dhe bindje personale dhe familjare.

Përmes një deklarate të gjatë dhe të sinqertë në rrjete sociale, ai ka sqaruar se nuk do të bashkohet me asnjë subjekt tjetër politik dhe nuk do të pranojë asnjë librezë partie, pavarësisht joshjeve të shumta që i janë bërë. Nebihu ka bërë të qartë se do të vazhdojë të kontribuojë në profesionin e tij me nder dhe përkushtim, ashtu siç ka vepruar gjithmonë, shkruan Gazeta Imazhi.

Më poshtë e gjeni postimin e plotë të Xhevat Nebihut:

“Njoftim,

Me mirëkuptim, dua t’ju njoftoj publikisht që, ka kohë që  kam dashur, por tani i erdhi momenti që unë nuk jam më anëtar i asnjë partie, e as që kam dashur të jem, bile për hirë të vërtetës më është bërë lutje e madhe që të anëtarësohem në VV, ku pasi kam menduar goxha mirë kam pranuar. Arsyet e bindjes kanë qenë disa kolegë të respektuar, me qëllimin kryesor që të kontriboj me aq mundësi që kam pasur, për një ndryshim sadopak në shoqëri dhe rrethin ku jetojmë dhe të mirën e vendit, sikurse edhe në periudhat tjera, edhe familjarisht.

Njëherë të vetme kam pranuar të kandidoj për asamble komunale, ku kam dalë edhe më i votuari i listës, përkundër rrethanave që edhe dihen në rrethin tonë, ku shfrytëzoj rastin t’i falënderoj të gjithë ata që ma besuan me bindje votën, dhe i falënderoj për respektin e vazhdueshëm që më kanë bërë.

Një gjë duhet ta dini që, nuk kam ndërruar mendje, e as që ka gjasa të ndërroj për ndonjë subjekt tjetër, përkundër joshjeve që vazhdimisht më janë bërë edhe si Xhevat, edhe si familje, dhe s’ka joshje as FORCË që më bindë aty ku nuk është pastër.

Arsyeja kryesore është se ne si familje, edhe në luftë, e edhe tash i kemi grahë, e i grahim vetëm drejt, dmth nuk jemi për politikë, sepse nuk mundet askush me na lakue jashtë principeve tona.

Për të mirë prapë do të kontribojmë, qoftë edhe me sakrificë, aty ku mendojmë se janë interesat e të ardhmes së vendit, e asnjëherë shtrembër me asnjë shpërblim.

Unë ju siguroj, sidomos personalisht se, asnjëherë nuk pranoj asnjë librezë partije, me asnjë shpërblim, do të vazhdoj të kontriboj në profesionin tim me nder e përkushtim, ashtu edhe si njihem nga të tjerët, me principet që kam pasur deri tani.

Shkruajta pak gjatë që tregoi arsyet, e nuk kisha dashur të vazhdojnë komente apo diçka tjetër pa nevojë, e sidomos provokime me apo pa dashje, sepse pika ime më e ndishme është me e provoku dikënd, e sigurisht edhe nuk mund i përballoj.

Një gjë të jeni të bindur se çdo fjalë e shkruar është e vërtetë dhe sinqertë.

Duke u falënderu për mirëkuptim, u përshëndes sinqerisht!

Xhevati”

“Serbia do të fitojë ndaj Kosovës…”, Vuçiq kërcënon Kosovën

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka kërcënuar hapur Kosovën, duke deklaruar se shteti të cilin ai e udhëheq do të jetë gjithmonë me serbët nga Kosova – duke theksuar se do të fitojë edhe në çështjen e Kosovës, pasi sipas tij gjërat janë duke ndryshuar në botë.

Gjatë paraqitjes në televizionin publik të Serbisë, Vuçiqit i është kërkuar të komentojë arrestimet dhe depërtimet e serbëve dhe vendimet e qeverisë së Kosovës, ai tha se kjo nuk do të ketë fund së shpejti dhe se Serbia do të fitojë në fund, transmeton Telegrafi.

“Nuk do t’ju them se çfarë do të thotë kjo, në fund Serbia do të fitojë. Dhe jam absolutisht i sigurt për këtë. Ndërsa gjërat po ndryshojnë ngadalë por me siguri në botë, jam i bindur se Serbia do të fitojë”, theksoi presidenti serb.

Ai shtoi se nuk do të duhet shumë kohë që uji të rrjedhë poshtë Savës dhe Danubit që njerëzit ta vënë re.

Kurti nis “gjahun” në LDK: Takohet fshehtas me deputeten e LDK-së, e priti në orët e vona në Qeveri

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Serbeze Kabashi Muçaj ka dhënë sërish një sinjal afërsie me partinë e parë të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit, Lëvizjen Vetëvendosje. Deputetja e re nga radhët e LDK-së, Kabashi-Muçaj të hënën e 16 qershorit është takuar me Kryeministrin në detyrë, Albin Kurti në objektin e Qeverisë.

Kabashi-Muçaj, e shoqëruar nga asistenti i saj Islam Qerimi është takuar me Kurtin në objektin e Qeverisë të hënën rreth orës 20:00, merr vesh Gazeta Online Reporteri.net.

Deputetja e LDK-së fillimisht e ka mohuar takimin me Kurtin.

“Jo, as s’kam pasur takim, as nuk ka të bëjë me votën për, s’ka votë prej meje”, tha ajo për Reporteri.net.

Pas instistimit të mediumit se “ju jeni parë bashkë me asistentin tuaj Islam Qerimi duke hyrë në objektin e Qeverisë, ajo “e zënë ngusht”, s’e ka mohuar takimin, por votën e saj pro Kurtit si e vetme, jashtë linjës së partisë.

“Nuk ka votë prej meje individual për Qeverinë Kurti”, tha Kabashi-Muçaj, ndërsa e pyetur për kohëzgjatjen e takimit, ajo ka ndërprerë telefonatën.

Për takimin, Gazeta Online Reporteri.net ka provuar të marrë një përgjigjje edhe nga ana e Qeverisë, përmes zëdhënësit të saj, Përparim Kryeziu, por i njëjti nuk është përgjigjur deri në publikimin e artikullit.

Ndërkohë, zëdhënësi i VV-së, Arlind Manxhuka ka thënë se nuk ka informacione mbi këtë takim, por duke shtuar se do të interesohet. Më pas i njëjti, i kontaktuar sërish, nuk i është përgjigjur thirrjeve të Gazetës Online Reporteri.net.

Emri i Kabashi – Muçajt ka kohë që përflitet si një prej deputeteve që mund ta ‘tradhtojë” Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe të votojë pro Kurtit.

Pikërisht një muaj më parë ajo kishte shfaqur shenja “flirti” me Vetëvendosjen e Kurtit.

Deputetja e LDK’së kishte bërë thirrje për reflektim nga të gjitha subjektet politike për të tejkaluar ngërçin institucional.

“Asnjë kalkulim afatshkurtër nuk duhet të mbajë peng asnjë ditë më shumë të ardhmen e vendit. Ne nuk kemi të drejtë t’i zhgënjejmë qytetarët me mosveprim. Ata na kanë zgjedhur për të zgjidhur, jo për të bllokuar”, kishte shkruar ajo.

Ajo e kishte cilësuar si të papranueshme situatën aktuale në Kuvendin e Kosovës, ndërsa kishte theksuar se është e padrejtë që barra e zhbllokimit t’i lihet vetëm një partie politike.

“Procesi është kolektiv dhe çdo deputet mban një mandat që i buron nga qytetarët, jo nga aritmetika politike. Përgjegjësia për ta çuar vendin përpara është e përbashkët, ashtu siç është edhe dëshira e qytetarëve për stabilitet, rend dhe zhvillim”, kishte shtuar deputetja e LDK-së.

Partia e Kurtit është akuzuar nga partitë e tjera për “peshkim” të deputetëve të tyre. Nënkryetarja e LDK’së, njëherit deputete e kësaj partie, Hykmete Bajrami, javë më parë ka konfirmuar se dy deputetë të kësaj partie, janë kontaktuar nga Vetëvendosje për votën e tyre.

Irani me paralajmërim të fortë për banorët e Tel Avivit dhe Haifës: Evakuohuni për të shpëtuar jetën

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Iranit ka lëshuar një paralajmërim të drejtpërdrejtë për qytetarët izraelitë, duke u kërkuar atyre të largohen menjëherë nga disa qytete.

Në një videomesazh të publikuar nga mediat iraniane, Gjenerali Major Abdolrahim Mousavi i drejtohet popullit të Izraelit me këto fjalë: “Veçanërisht Tel Avivi dhe Haifa duhet të evakuohen sa më shpejt të jetë e mundur për të shpëtuar jetën e tyre”.

Ai shton më tej se “operacionet e kryera deri më tani kanë qenë një paralajmërim për parandalim” dhe se një “operacion ndëshkues” nga Irani “do të kryhet së shpejti”.

“Fat në luftën kundër kriminelëve” – Gazetari Mehmetaj mbështet prokurorin që po heton Radojiçiqin dhe Pecin

Gazetari Lirim Mehmetaj i ka uruar fat prokurorit që po i heton Milan Radojiçiqin dhe Faton Peci.

“Ky prokuror me emrin Admir Shala aktualisht po e heton Milan Radojicic-in dhe Faton Pecin…”, shkroi ai.

Shkrimi i plotë:

Ky prokuror me emrin Admir Shala aktualisht po e heton Milan Radojicic-in dhe Faton Pecin…

I uroj fat ne luften kunder ketyre dy krimineleve.

Rritje alarmante e çmimit të naftës

Çmimet e naftës u rritën të martën në nivelet më të larta në gati pesë muaj, teksa tregtarët e energjisë përgatiten për përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit Izrael-Iran.

Rritja e çmimit të naftës u përshpejtua teksa presidenti amrikan, Donald Trump përgatitej të takohej me zyrtarët e sigurisë kombëtare në Sallën e Situatave në Shtëpinë e Bardhë. Dy zyrtarë i thanë CNN se Trump po bëhet gjithnjë e më i hapur ndaj përdorimit të aseteve ushtarake amerikane për të goditur objektet bërthamore iraniane.

Kontratat e ardhshme të naftës amerikane u rritën me 4.3% me çmim prej 74.84 dollarë – çmimi më i lartë mbyllës që nga 22 janari. Nafta bruto është rritur me 23% deri më tani këtë muaj, një ndryshim që tashmë po rrit çmimet e benzinës.

Nafta bruto Brent, u rrit me më shumë se 4% të martën.

Shqetësimet në lidhje me Ngushticën e Hormuzit, pika më kritike e transportit të naftës në planet, u përforcuan nga një përplasje midis dy cisternave të naftës në Gjirin e Omanit. Incidenti është nën hetim, por Qendra e Përbashkët e Informacionit Detar fajësoi problemet “që lidhen me navigimin”.

“Përplasja dhe zjarri që pasoi duket se kanë ngritur shqetësime se situata mund të dalë jashtë kontrollit në rrugën më të ngarkuar të transportit të naftës në botë”, shkroi në një raport të martën Robert Yawger, drejtor i kontratave të ardhshme të energjisë në Mizuho Securities.

Megjithatë, Yawger vuri në dukje se Ngushtica e Hormuzit nuk është mbyllur kurrë, as gjatë luftës Iran-Irak në vitet 1980.

Baraliu: Ka filluar lufta e tretë botërore

Profesori universitar, Mazllum Baraliu, ka deklaruar se aktualisht Ballkani, dhe veçanërisht Kosova, janë përballë rreziqeve të mëdha të destabilizimit, që sipas tij janë të nxitura nga ndikimi i Federatës Ruse dhe presidentit Vladimir Putin, i cili thotë se po e shfrytëzon këtë periudhë të tensioneve globale për të pasur ndikim në rajon.

Baraliu theksoi se lufta e Ukrainës dhe rreziqet e lidhura me të janë vetëm një pjesë e dramës më të gjerë që po zhvillohet në arenën ndërkombëtare.

Ai e konsideron situatën aktuale si një kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë globale, duke shtuar se një luftë e mundshme botërore tashmë ka nisur dhe se Ballkani është një nga rajonet më të ekspozuara.

“Qëndrimi amerikan nuk duhet të ndryshojë, pikërisht për arsyen e rreziqeve të mëdha, të cilat edhe Ballkani edhe Kosova, mund të ballafaqohet për arsye që qëndrimi i federatës ruse dhe i Putinit si eksponent kryesor i fatkeqësisë në luftën me Ukrainën – mes dy popujve thjeshtë ka synime që ta destabilizojë Ballkanin dhe vetëfakti që edhe shtetet e Bashkimit Evropian ma të rëndësishme është që e mobilizojnë popullin e vetë për përgatitje për një luftë të mundshme, ajo luftë fatkeqësisht po duket që ka filluar tashmë, e treta botërore edhe vlimet në Ballkan e i gjithë armatimi që po bëhet. Mendoj që lufta e tretë ka filluar mund të jem gabim, por ndryshe nuk interpretohet përveçse fillim i luftës dhe thjesht humbja e ekuilibrave dhe çrregullimi, tashmë është e qartë që ka çrregullim në konstipacione gjeopolitike globale, i cili po merr përmasa gjithnjë e më tepër”, deklaroi ai. /Teve1/

e-Kosova me një shërbim të ri, ka të bëjë me grantet

Platforma elektronike e-Kosova ka lansuar një shërbim të ri për të gjithë qytetarët e vendit.

Shërbimi ka të bëjë me përkrahjen financiare të NMVM në sektorin e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, shkruan IndeksOnline.

Për të aplikuar duhet zgjedhur opsionin e granteve dhe subvencioneve, në listën e shërbimeve në platformë.

Ky është njoftimi i plotë:

 

 

Lansohet shërbimi “Thirrje publike për përkrahjen financiare të NMVM në sektorin e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit”

ekosova.rks-gov.net/640

Hapat që duhet të kaloni:

1. Identifikohuni në Platformën eKosova;

2. Klikoni mbi “Shërbime”;

3. Klikoni mbi “Grante dhe subvencione”;

4. Klikoni mbi “Thirrje publike për përkrahjen financiare të NMVM në sektorin e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit”.

Vëmendje: Për informata shtesë, ju lutemi të informoheni në ueb faqen zyrtare të KIESA.

Platforma e shërbimeve elektronike eKosova

Raportohet se ky do te jetë kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për Prishtinën

Lëvizja Vetëvendosje siç duket e ka ndarë mendjen për kandidatin e tyre për komunën e Prishtinës.

Mediumi >Koha raporton me burime se ministri në detyrë i Kulturës, Hajrulla Çeku, do të jetë kandidat për kryeqytet nga radhët e VV’së për zgjedhjet lokale të 14 shkurtit.

Çdoherë sipas këtij mediumi, prezantimi i Çekut si kandidat për kryetar do të bëhet nesër.

Emri i deputetit Glauk Konjufca është përfolur më së shumti për komunën e Prishtinës.

Edi i BBVK bën paralajmërimin e fortë për Bitcoin

Ish-banori i Big Brother VIP Kosova, Edi Kuci, ka tërhequr vëmendjen me një postim të fundit në Instagram.

I fotografuar me një pozë karakteristike, ai shfaqet me dorën në ballë, duke lënë të kuptohet një sinjal serioz për ndjekësit e tij të pasionuar pas tregut të kriptovalutave.

Në përshkrimin e stories ai shkroi: një rekord i ri historik për Bitcoin vjen së shpejti

Edi, i njohur për interesimin e tij në botën e investimeve dixhitale, nuk është hera e parë që jep sinjale për lëvizje të mëdha në treg. Kësaj here, duket se ai është më i bindur se kurrë për një ngritje të fortë të BTC-së.

Nëse paralajmërimi i tij do të rezultojë i saktë, mbetet për t’u parë.