Vdes një person në QKUK

Policia e Kosovës ka njoftuar se një aksident trafiku i ndodhur më 12 korrik 2025 në Vushtrri, ka përfunduar tragjikisht.

Viktima, një mashkull kosovar, i cili ishte duke u trajtuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ka ndërruar jetë më 29 korrik 2025, si pasojë e plagëve të marra në aksident.

Sipas raportit policor, me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës i është liruar familjarëve për ceremoninë mortore.

Hetimet lidhur me rastin po vazhdojnë.

Arrestohet Hazir Hoxha që akuzonte Fitore Pacollin për hajni – e telefonoi deputeten disa herë

Hazir Hoxha është arrestuar nga policia. I njëjti po dyshohet se ka ngacmuar Fitore Pacollin.

Siç merr vesh Insajderi, i njëjti ka thirrur shumë herë deputeten Fitore Pacolli.

Deputetja e Vetëvendosjes, Fitore Pacolli dhe kryetari i këshillit të fshatit Bellanicë të Malishevës, Hazir Hoxha po ashtu ishin përplasur keq gjatë një emisioni drejtpërdrejt.

Pacolli kishte kërkuar nga Hoxha të tregojë se kush e ka paguar atë për të shpifur ndaj saj, ndërsa Haziri i ishte përgjigjur duke i thënë se ai është misionar dhe jo mercenar.

“Në qoftë se Hazir Hoxha e ka marrë një cent prej dikujt kurrë jeta ime mos qoftë.. e fëmijëve të mi. Unë jam misionar, nuk jam mercenar. Mosmë ofendo..”, ka thënë Hoxha në Tëvë1.

Tutje, Pacolli ka insistuar nëse kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, është personi që i ka dhënë para atij për të dalë në publik me akuza të tilla, mirëpo Hoxha ka mohuar një gjë të tillë.

“Unë nuk dalloj parti sepse krimi nuk njeh as parti, as fe, as komb. Të lutem mos e ul veten kaq poshtë”, është shprehur Hoxha.

Këngëtarja e famshme kapet mat me ish-kryeministrin

Katy Perry dhe Justin Trudeau kanë darkuar së bashku.

Këngëtarja 40-vjeçare dhe ish-kryeministri 53-vjeçar i Kanadasë u panë duke ngrënë së bashku të hënën në mbrëmje në Le Violon në Montreal.

Rojtarët e sigurisë thuhet se i vëzhguan ata nga bari me shpinë të kthyer, duke monitoruar takimin përmes xhamit të pasqyruar.

Katy aktualisht gjendet në Kanada në kuadër të turneut të saj.

Ajo tani është beqare pas ndarjes nga Orlando Bloom pas një dekade, ndërsa Justin dhe Sophie u ndanë në vitin 2023 pas një martesë 18-vjeçare.

Katy Perry, Justin Trudeau

Tërmet i fortë me magnitudë 8.8 ballë në Rusi – lëshohen paralajmërime në të gjithë Paqësorin, alarm për cunami nga Japonia në SHBA

Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 8.8 ballë ka goditur Gadishullin Kamchatka në Lindjen e Largët të Rusisë, duke shkaktuar një cunami deri në katër metra të lartë, duke dëmtuar ndërtesat dhe duke shkaktuar alarme dhe evakuime në të gjithë Oqeanin Paqësor.

Disa persona u lënduan në rajonin e largët rus, dhe banorëve të pjesës më të madhe të bregdetit lindor të Japonisë, i cili u godit rëndë nga tërmeti dhe cunami i vitit 2011, iu urdhërua të evakuoheshin. “Tërmeti i sotëm ishte serioz dhe më i forti në dhjetë vitet e fundit”, tha guvernatori i Kamchatka në Telegram.

Ministri Rajonal i Situatave të Emergjencave Sergei Lebedev raportoi se pas tërmetit u regjistrua një cunami prej 3 deri në 4 metrash. “Të gjithë duhet të largohen nga bregu”, tha Lebedev në një video të postuar në rrjetet sociale.

Instituti Amerikan i Sizmologjisë njoftoi se tërmeti ishte në një thellësi prej 19.3 km, rreth 125 km nga Petropavlovsk, një qytet me 165,000 banorë në bregdetin e Gjirit të Avaçës.

Më shumë se 1.9 milion njerëzve u është kërkuar të evakuohen në Japoni.

Autoritetet kanë vazhduar t’u bëjnë thirrje banorëve në bregdetin lindor të Japonisë të evakuohen në vende më të larta.

Dhjetëra valë janë vërejtur në të gjithë bregdetin e Paqësorit të Japonisë. Paralajmërimet për evakuim tani shtrihen në qindra kilometra/milje përgjatë bregdetit të saj të Paqësorit – nga Hokkaido në veri deri në prefekturën Wakayama në jug.

Agjencia Meteorologjike tha se valët e cunamit mund të arrijnë deri në 3 metra lartësi.

Gjatë orëve të fundit, SHBA-të dhe Japonia kanë qenë ndër vendet që kanë lëshuar paralajmërime për cunami dhe urdhra evakuimi, pasi një nga tërmetet më të fuqishme në histori, me magnitudë 8.8, goditi brigjet e Rusisë.

Në SHBA, zyrtarët në Hawaii dhe Kaliforni po paralajmërojnë popullin  të qëndrojë larg plazheve dhe zonave të ulëta.

Ekspertët e Kalifornisë thonë se nuk ka gjasa të ketë viktima katastrofike në Amerikë, ndërsa guvernatori i Hawaiit i kërkon publikut të qëndrojë i qetë.