Lëndohen 11 futbollistë në Serbi, i goditi rrufeja

Gjatë një ndeshje futbolli në qytetin Klupci, pranë Loznicës në perëndim të Beogradit, rrufeja goditi fushën në mes të stuhisë.

Siç raporton A2CNN, ndeshja po zhvillohej midis ekipit Radnicki nga Klupci dhe Cerit nga Petkovica. Si pasojë e goditjes së rrufesë, 11 lojtarë u lënduan, transmeton Klankosova.tv.

Ngjarje të ngjashme janë raportuar edhe në vende të tjera. Të shtunën në Republikën Çeke, në qytetin Opava, rrufeja goditi gjatë një stërvitjeje futbolli për fëmijë. Një fëmijë u shtrua në spital në gjendje të rëndë, ndërsa shtatë fëmijë të tjerë dhe një i rritur pësuan lëndime të lehta.

Burri në fotografi po kërkohet nga policia, kjo është arsyeja

Burri  të cilin po e shihni në fotografi po kërkohet për përfshirje në veprën “Vjedhje”.

Policia po kërkon ndihmën e qytetarëve në ofrimin e informatave të cilat do të ndihmonin në identifikimin e të dyshuarit, transmeton Klankosova.tv.

“Të nderuar, për çdo informatë që mund të çojë në identifikimin e tij, ju lusim të kontaktoni policinë në numrin e telefonit: 192 ose përmes emailit: info@kosovopolice.com”, thuhet në njoftimin e policisë në Facebook.

Gjashtë të vdekur nga uria në Gaza në 24 orët e fundit

Gjashtë persona të tjerë kanë vdekur në Rripin e Gazës nga uria dhe kequshqyerja në 24 orët e fundit, njoftoi të dielën ministria e shëndetësisë e enklavës palestineze.

Vdekjet e reja sipas ministrisë e çuan numrin e të vdekurve në 175, përfshirë 93 fëmijë. Televizioni egjiptian Al Kahira News raportoi më parë se dy kamionë që transportonin 107 ton karburant do të hynin në Gaza. Ministria e Shëndetësisë e Gazës paralajmëron se mungesa e karburantit ka kompromentuar ndjeshëm funksionimin e spitaleve, që do të thotë se mjekët mund të trajtojnë vetëm të sëmurët rëndë dhe të plagosurit.

Furnizimet me karburant në enklavë kanë qenë të rralla që nga marsi, kur Izraeli kufizoi aksesin në mallra dhe ndihmë humanitare, duke pretenduar se po ushtronte presion mbi militantët e Hamasit për të liruar pengjet e mbetura izraelite që i rrëmbyen më 7 tetor 2023.

Izraeli fajëson Hamasin për vuajtjet në Gaza, por pas presionit në rritje nga bashkësia ndërkombëtare, njoftoi hapa javën e kaluar për të dërguar ndihma për popullsinë e enklavës, duke përfshirë ndërprerjen e luftimeve në disa pjesë të Rripit të Gazës, autorizimin e dërgimit të ndihmës nga ajri dhe mbrojtjen e disa rrugëve për konvojet humanitare.

Kombet e Bashkuara paralajmërojnë se dërgimi i ndihmës nga ajri nuk është i mjaftueshëm dhe se Izraeli duhet të lejojë akses shumë më të madh nga toka.

Zyra e medias e qeverisë në Gaza njoftoi të dielën se që nga lehtësimi i kufizimeve në korrik, gati 1,600 kamionë me ndihma kanë hyrë në enklavë.

Dëshmitarët dhe burimet e Hamasit pohojnë se shumë prej tyre u plaçkitën nga bandat e armatosura dhe banorët e uritur.

Autoritetet palestineze thonë se të paktën 40 persona u vranë në sulmet ajrore në të gjithë enklavën të dielën. Midis të vrarëve ishin edhe njerëz që përpiqeshin të arrinin në qendrat e shpërndarjes së ndihmave, thanë autoritetet shëndetësore.

Një punonjës i Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze u vra gjithashtu. Organizata humanitare njoftoi se kati i parë i selisë së saj në Khan Yunis u vu në flakë në një sulm ajror.

SBASHK-u njofton se do t’i bashkohet protestës së OVL të UÇK-së më 7 gusht

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës se Kosovës përmes një komunikate për media ka njoftuar se do t’i bashkohet protestës së thirrur, më 7 gusht nga organizatat e dala nga lufta.

SBASHK-ja njofton se kësaj proteste do t’i bashkohet një numër i gjerë i punëtorëve të arsimit, shkencës dhe kulturës.

“Falë atyre që sot padrejtësisht ndodhen në qeli, ne sot gëzojmë lirinë, ecim të lirë në shtetin tonë dhe edukojmë brezat për atdhedashuri e drejtësi. SBASHK-u ngre zërin për drejtësinë, për lirinë dhe për ata që sakrifikuan gjithçka për të ardhmen tonë”, thuhet në njoftim.

Kujtojmë se protesta e organizuar nga OVL e UÇK-së është thirrur për përkrahjen e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po mbahen në Hagë.

Momenti kur Dua Lipa “nervozohet” në Sunny Hill, e kthen mbrapsht duksin që iu hodh në kokë

Këngëtarja me famë botërore, Dua Lipa, po qëndron edhe në natën e tretë dhe të fundit të festivalit me nam ndërkombëtar “Sunny Hill”.

Asaj i ka ndodhur një moment i pazakontë, i cili siç duket ia ka prishur paksa qejfin Duas, shkruan Insajderi.

Në bazë të një videoje të publikuar nga mediumi ATV, shihet se teksa mbështetësit Duas, e cila po qëndron në zonën VIP, i hudhin gjësende për autograf, në një moment goditet në kokë me bluzë.

Kësisoj, ajo merr bluzën që e goditi dhe ia kthen mbrapsht “pronarit”.

 

Nëse i shihni këta persona lajmërojeni menjëherë policinë

Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan, ka lëshuar një kërkesë për bashkëpunim me qytetarët dhe mediat për identifikimin, lokalizimin dhe arrestimin e disa personave të dyshuar, bazuar në autorizimin e Prokurorisë Themelore në Gjilan.

Në njoftimin e bërë publik të hënën, policia bën të ditur se është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e rastit dhe kapjen e personave në fjalë, për veprën penale “Vjedhje e rëndë”.

“Kërkojmë nga qytetarët që kushdo që ka informacion për identitetin dhe vendndodhjen e personave në fotot e bashkangjitura, të kontaktojë Policinë e Kosovës”, thuhet në njoftim.

Informacionet mund të dërgohen përmes: Stacionit më të afërt policor,  Aplikacionit digjital “Lajmëro policinë” • E-mail: info@kosovopolice.com •

Trump i prerë: Putini ka kohë deri të premten

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se i dërguari i tij i posaçëm, Steve Witkoff, mund të udhëtojë për në Rusi, ndoshta të mërkurën ose të enjten, duke paralajmëruar se do të vendosë sanksione ndaj Rusisë nëse Moska nuk pranon një armëpushim në Ukrainë deri të premten.

“Do të ketë sanksione, por ata duket se janë mjaft të mirë në shmangien e sanksioneve.

Ata janë personazhe dinakë dhe janë mjaft të mirë në shmangien e sanksioneve, kështu që do të shohim se çfarë ndodh”, u tha Trump gazetarëve të dielën, raportoi Reuters.

Presidenti rus Vladimir Putin tha të shtunën se kushtet e Rusisë për t’i dhënë fund luftës, të cilat ai i përshkroi verën e kaluar, nuk kishin ndryshuar.

Media ruse dhe ukrainase raportuan se kushtet përfshinin kapitullimin e Ukrainës.

Eksperti i sigurisë: Para 2030-s SHBA ndërton bazën ushtarake në Nish, ja arsyeja

Eksperti i sigurisë Bedri Elezi tha në emisionin Balkan Talks në Euronews Albania se baza ushtarake e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë është seli qendrore për të gjithë Evropën.

Elezi u shpreh se SHBA-të janë të angazhuara që të ruajnë aleancën me Kosovën ndaj është planifkuar që deri në 2030 të ndërtohet një bazë ushtarake në Nish të Serbisë, që do të bëjë të mundur vendosjen e paqes për një kohë të gjatë në Ballkan.

“SHBA mbetet realisht e angazhuar dhe shumë e interesuar që të ruajë aleancën e saj me Kosovë, të vendosë angazhim të mëtejshëm ushtarak në Kosovë dhe është pikërisht për këtë arsye pse, para 2030 do kemi ndërtimin e një baze ushtarake që do të vendoset në Nish dhe nga ku do garantohet që paqja të vendoset për një kohë të gjatë në Ballkan.

Kjp pasi që dihet që Serbia ka përdorur bashkëpunimin me Rusinë për të vepruar në këtë zonë dhe pikërisht këtu do të vendoste baza amerikane që do të ketë mundësi të ushtrojë aktivitetin ushtarak brenda territorit të Serbisë”, tha eksperti.

“Na mashtruat për Kosovën” – Vuçiq, ndërkombëtarëve: Turp për ju, ju kopilë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka lëshuar akuza të ashpra ndaj bashkësisë ndërkombëtare, duke i fajësuar ata për, siç tha, dobësimin e Serbisë ndërkohë që ndihmojnë shtetet e tjera në rajon të forcohen.

Në një fjalim të mbajtur të dielën, Vuçiq tha se i ishin bërë shumë premtime nga ndërkombëtarët lidhur me zgjedhjet në Kosovë, por ato nuk ishin mbajtur.

“Turp për ju, ju kopilë”, deklaroi ai në mënyrë të drejtpërdrejtë.

Duke komentuar për procesin e zgjidhjes së çështjes së Kosovës, Vuçiq tha se Serbia ishte shtyrë të heshtë dhe të shikojë përpara, me premtime se “askush nuk do ta prekë Kosovën”.

“Ishte e vështirë dhe e dhimbshme për një serb ta shihte. Ne heshtnim, na detyruan të heshtnim, na thanë të shikonim drejt së ardhmes, atje nuk ka më luftëra dhe konflikte. Askush nuk do ta prekë Kosovën, është e juaja. Keni edhe Republikën Serbe, gjithçka po shkon normalisht. Pastaj serbët thanë, Kosova nuk mund të bëhet, tani do t’ju marrim 14 përqind të territorit tuaj…”, deklaroi ai.

Por sipas tij, më vonë pasuan kërkesa të reja dhe humbje të territorit.

“Ata [të huajt] forcojnë gjithçka përreth nesh dhe vetëm na dobësojnë ne. Në vend që të thonë se bënë një gabim për Kosovën apo për Republikën Serbe, ata nuk pranojnë asgjë. Sepse të mëdhenjtë, të fortët, arrogantët nuk gabojnë kurrë, por gabojmë vetëm ne, të vegjlit. Ata që nuk duan të jenë shërbëtorët e tyre”, shtoi ai.

“Dhe një serb nuk do të jetë shërbëtori juaj.”

Në fund, Vuçiq iu referua drejtpërdrejt situatës në Kosovë duke shprehur zhgënjimin e tij me përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare dhe qëndrimin e tyre ndaj Serbisë dhe popullit serb në Kosovë, shkruan NOVA, përcjell Telegrafi.