Dy serbë dhe një maqedonas gjenden të vdekur brenda thasëve të zinj

Një ngjarje makabre e ndodhur në Santa Cruz të Bolivisë ka tronditur opinionin publik. Tre shtetas të huaj, respektivisht dy serbë dhe një maqedonas, u gjetën të masakruar në një vilë me qira, ndërsa dëshmitarët tregojnë për skena të tmerrshme me muzikë të lartë dhe britma që paralajmëruan krimin e rëndë.

Hetimet paraprake tregojnë për një prapavijë të lidhur me rrjetin ndërkombëtar të trafikut të drogës.

Vrasja e të treve ka ndodhur në një vilë të marrë me qira në Bolivi, aty ku policia lokale edhe zbuloi trupat e Miljan Đekić (38 vjeç) nga Nishi, Dejan Lazarevski (47 vjeç) nga Strumica, si dhe të një burri të tretë ende të paidentifikuar zyrtarisht, i njohur si “Mali Kosta”.

Të tre viktimat ishin mbështjellë me qese të zeza plastike dhe të mbyllura me ngjitës, ndërsa trupat ishin fshehur në kuzhinë, të përgatitur për transport të mundshëm.

Sipas raportimeve të mediave boliviane, fqinjët alarmuan policinë për zhurma të pazakonta që vinin nga vila. “Rreth orës 23:00, dëgjuam muzikë me volum të lartë dhe pastaj britma të frikshme. Më pas, gjithçka u qetësua. Thirrëm policinë, dhe menjëherë u vendos një kordon sigurie”, deklaruan dëshmitarët.

Raporti mjeko-ligjor zbuloi skena të tmerrshme torturash. Një nga viktimat u qëllua në tëmth pas torturës, një tjetër kishte dy plumba në pjesën e pasme të kokës, ndërsa i treti kishte kafkën e thyer dhe besohet se ka vdekur nga goditjet para të shtënave.

Këto dëshmi e bëjnë të qartë se bëhet fjalë për një akt të planifikuar dhe brutal ndaj tre viktimave që dyshohet se mund të jenë anëtarë të Kartelit Ballkanik të drogës që operon në Amerikën Latine. (A2 Televizion)

Dramë familjare, 26-vjeçari dyshon se është babai i vëllait të tij

Një 26-vjeçar nga Las Vegasi, Logan Gifford, pretendon se është abuzuar seksualisht nga nëna e tij, Doreen Gifford, që në moshën 10-vjeçare. Ai është vetëm 11 vjet më i madh se vëllai i tij 15-vjeçar, të cilin e ka marrë nën kujdes që nga viti 2015, kur nëna e tyre u dënua me të paktën tetë vjet burg për tentativë sulmi seksual, incest dhe veprime të pahijshme me një fëmijë nën 14 vjeç.

Doreen, pavarësisht dënimit, ka deklaruar pafajësinë e saj dhe ka pranuar një marrëveshje Alford plea, duke mos pranuar fajin, por duke pranuar se prokurorët kishin prova të mjaftueshme për ta dënuar. Që prej asaj kohe, Logan dhe vëllai i tij kanë ndërprerë kontaktet me të dy prindërit, përfshirë babanë e tyre, Theodore Gifford.

Logan ka kryer një test atësie në një laborator, por rezultatet dolën të paqarta, pasi përputhshmëria e ADN-së ishte 99.9% si me Loganin, ashtu edhe me babain e tij, gjë që e bën të vështirë përcaktimin e qartë të atësisë. Ai thotë se do të vazhdojë betejën për të zbuluar të vërtetën.

Në një intervistë për UNILAD, ai u pyet nëse marrëdhënia me vëllain do të ndryshonte nëse zbulohet se është babai i tij. Logan u përgjigj:
“Nuk do të ndryshonte mënyra si sillem me të. Ia kam thënë shumë herë se ai është dhe gjithmonë do të mbetet vëllai im, pavarësisht rezultatit të testit. Nuk dua që titulli im të ndryshojë dhe nuk dua të më thërrasë ‘baba’. Unë tashmë jam figura atësore për të në shumë drejtime.”

Sa i përket reagimit të vëllait nëse zbulohet e vërteta, Logan pranoi se nuk e di se si do ta marrë lajmin.
“Mund të lutem për më të mirën, por unë dhe familja jemi të përgatitur t’i japim ndihmë shtesë nëse i duhet. Disa anëtarë të tjerë të familjes madje shpresojnë që rezultati të dalë pozitiv, vetëm që kjo çështje të mbyllet,” shtoi ai.

Megjithatë, ai pranon se kjo është e vështirë për t’u dëgjuar:
“Kjo do të thotë që unë do të doja që vëllai im të ishte produkt i abuzimit tim nga nëna ime. Është një barrë e rëndë dhe një pilulë e hidhur për t’u gëlltitur.”

Në fund, ai tha se pavarësisht se çfarë do të zbulohet, do ta pranojë të vërtetën, sepse për herë të parë vëllai i tij ka ndjerë se dikush është në krah të tij dhe kujdeset për të. Sipas tij, gjëja më e rëndësishme është që vëllai të marrë përgjigje pse ka lindur në këto rrethana dhe pse ka vonesa njohëse.

Vrasja e trefishtë në Gjilan, ja ku dyshohet se po qëndrojnë të dyshuarit Mefail Shkodra dhe dy djemtë e tij

Kanë kaluar katër ditë që kur Mefail Shkodra, Engjull Shkodra dhe Edonis Shkodra ndodhen në arrati, pas dyshimeve se vranë babë e bir, Selman e Edmond Hasani, si dhe familjarin e tyre, Abedin Hoxha.

Gazetari Faton Mehmeti, në emisionin “Kosova Today” në Klan Kosova, tha se fillimisht të dyshuarit dyshohet se janë plagosur nga njëri prej viktimave dhe janë trajtuar në një klinikë private në Gjilan.

“Pas marrjes së ndihmës së parë, ata janë larguar dhe tashmë po marrin trajtimin, hospitalizimin në Serbi”, tha Mehmeti./Klankosova.tv.

Ndiqni deklaratën e plotë, në videon vijuese:

Kandidati për deputet i VV-së e merr zyrtarisht detyrën e drejtorit të ATK-së – në ceremoni edhe ministri i Kurtit

Sot është bërë pranim-dorëzimi i detyrës së drejtorit të ri të Administratës Tatimore të Kosovë. Drejtori i vjetër, Ilir Murtezaj, ia dorëzoi detyrën drejtorit të ri, Mentor Hyseni, që është anëtar i VV-së.

Në ceremoni mori pjesë edhe ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati.

“Në këtë ceremoni mori pjesë Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, z. Hekuran Murati, i cili falënderoi z. Murtezaj për punën dhe rezultatet e arritura gjatë mandatit të tij, duke theksuar se kontributi i tij ka qenë i rëndësishëm në rritjen e të hyrave buxhetore dhe përmirësimin e shërbimeve tatimore. Ministri Murati gjithashtu uroi z. Hyseni për detyrën e re, duke i ofruar mbështetjen e plotë të ministrisë për të avancuar më tej reformat dhe për të forcuar kulturën e llogaridhënies dhe transparencës në sistemin tatimor të Kosovës.”

Murtezaj ka falënderuar stafin për bashkëpunimin dhe përkushtimin.

“Z. Murtezaj falënderoi stafin e ATK-së për bashkëpunimin dhe përkushtimin gjatë viteve të tij në detyrë, duke theksuar se suksesi i institucionit është rezultat i punës së përbashkët. Ai i uroi  suksese drejtorit të ri z. Hyseni në realizimin e objektivave strategjike të Administratës Tatimore.”

Hyseni tha se do ta ushtrojë detyrën me profesionalizëm, integritet dhe dinjitet.

“Nga ana tjetër, z. Hyseni shprehu mirënjohjen për besimin e dhënë dhe theksoi se do ta ushtrojë detyrën me profesionalizëm, integritet dhe dinjitet, duke vënë në prioritet ngritjen e transparencës, përmirësimin e efikasitetit, si dhe shërbimet ndaj tatimpaguesve. Ai po ashtu, u zotua se do të punojë ngushtë me stafin e ATK-së dhe partnerët institucionalë për të garantuar mbledhjen e drejtë dhe të barabartë të të hyrave buxhetore, në përputhje me ligjin dhe në të mirë të interesit publik. Administrata Tatimore e Kosovës mbetet e angazhuar në përmbushjen e misionit të saj për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendit”.

Dorëheqje e papritur në Vetëvendosje: Demokracia e brendshme – është zbehur deri në zhdukje

Një prej më zërave më aktivë të Lëvizjes Vetëvendosje në Klinë, Lulzim Dragidella ka njoftuar për dorëheqjen e tij nga kjo parti, duke e cilësuar vendimin si “më të vështirin” në jetën e tij politike.

Në një deklaratë të gjatë, Dragidella theksoi se vendimi nuk është marrë për arsye emocionale, por pas një reflektimi të thellë mbi drejtimin që ka marrë LVV në vitet e fundit.

Ai kritikoi mungesën e demokracisë së brendshme, mungesën e transparencës dhe përjashtimin e zërave kritikë brenda strukturës partiake.

“Pas një procesi të gjatë mendimesh, analizash dhe betejash të brendshme, kam marrë vendimin më të vështirë në jetën time politike: Të tërhiqem menjëherë nga Lëvizja VETËVENDOSJE! Ky vendim nuk ka ardhur si pasojë e një momenti emocional, por si rezultat i një reflektimi të gjatë mbi rrugën time politike, mbi përvojat që kam kaluar dhe mbi realitetin aktual të kësaj lëvizjeje. Unë u bëra pjesë e VETËVENDOSJE!-s sepse besoja se ajo përfaqësonte një vizion të qartë për ndryshim shoqëror: drejtësi, barazi, përgjegjësi, solidaritet dhe guxim për t’u përballur me çdo padrejtësi, pa kompromis me parimet.

Gjatë viteve të fundit, një element themelor që e bëri këtë lëvizje të fuqishme – demokracia e brendshme – është zbehur deri në zhdukje. Sot vendimmarrja ndodh kryesisht në rrethe të ngushta, larg syve dhe mendimeve të shumicës së anëtarëve. Mendimet e ndryshme, që dikur pasuronin debatin, sot shpesh trajtohen si rrezik për unitetin, në vend që të shihen si forcë e tij. Në terren, sidomos në zona si Klina, kam parë një braktisje të angazhimit real me qytetarët. Struktura lokale shpesh lihet pas dore, njerëzit që japin kohën dhe mundin e tyre injorohen, ndërsa kontributet e sinqerta nuk vlerësohen. Kam parë shokë dhe kolegë që janë zhgënjyer deri në heshtje, sepse zëri i tyre nuk gjen hapësirë”, thotë ai.

Dragidella theksoi se dorëheqja nuk është fundi i angazhimit të tij politik, por një fillim i ri jashtë kornizave të Vetëvendosjes, ku ai synon të vazhdojë të kontribuojë në interes të publikut dhe qytetarëve.

“Po largohem sepse nuk dua të bëhem pjesë e një realiteti që nuk përfaqëson më idealet me të cilat fillova këtë rrugë. Po largohem sepse nuk dua të bëj kompromis me bindjet e mia për hir të pushtetit partiak. Po largohem sepse dua të jem i ndershëm – me veten time, me punën time dhe me qytetarët që më kanë dhënë besimin e tyre. Nuk largohem nga politika, por nga një strukturë që nuk më lë më hapësirë për të vepruar me ndershmëri dhe transparencë. Udhëtimi im politik nuk mbaron këtu. Përkundrazi – fillon një kapitull i ri, ku do të vazhdoj të punoj për interesin publik, pa u lidhur me interesa të ngushta.

Dua t’i falënderoj të gjithë ata që më kanë mbështetur në këtë rrugë – kolegët që kanë ndarë me mua ideale dhe përpjekje, qytetarët që më kanë inkurajuar, dhe të gjithë ata që kanë besuar se politika mund të jetë mjet për të bërë mirë. Largohem me kokën lart, pa hidhërim personal, por me një ndjenjë të fortë përgjegjësie për të qëndruar besnik parimeve të mia. Besoj ende se ndryshimi i vërtetë është i mundur – por ai nuk vjen nga heshtja, as nga bindja e verbër. Ai vjen nga guximi për të thënë të vërtetën dhe për të vepruar ndryshe, edhe kur kjo do të thotë të largohesh nga rruga që dikur mendoje se ishte e vetmja”.

 

Policia serbe arreston qytetarë të Kosovës

Në pikën kufitare të Horgoshit, mes Hungarisë dhe Serbisë, policia serbe ka arrestuar dy persona, H.E. 49-vjep dhe B.E. 52-vjeç, dyshohet shtetas të Kosovës, me dyshimin për “kryerjen e një krimi lufte kundër popullsisë civile me disa anëtarë të UÇK-së, më 9 gusht, 1999″.

Siç njofton Ministria serbe e Punëve të Brendshme, ata dyshohen se në Rahovec kanë rrëmbyer një civil të kombësisë serbe, i cili, sipas tyre, është u zhdukur që nga ajo kohë.

“Pjesëtarët e Ministrisë së Brendshme, Drejtorisë së Policisë Kriminale dhe Shërbimit të Hetimit të Krimeve të Luftës, në Kalimin Kufitar Horgosh në hyrje të Serbisë, arrestuan H. E. (1976) dhe B. E. (1973) për shkak të ekzistencës së bazave të dyshimit se ata kanë kryer një vepër penale të krimeve të luftës kundër popullsisë civile”.

“Dyshohet se më 9 gusht 1999, në Rahovec, në bashkëpunim me disa anëtarë të së ashtuquajturës UÇK, ata rrëmbyen një civil të kombësisë serbe J. M. më 9 gusht 1999, duke përdorur forcë fizike, armë zjarri dhe kërcënime serioze për jetën dhe gjymtyrët dhe e çuan atë në një drejtim të panjohur, që nga ajo kohë ai është zhdukur. J. M. ende listohet si person i zhdukur”, tha ministria serbe në një deklaratë, raporton Klankosova.tv.

Të dyshuarve iu dha urdhër të mbahen në paraburgim deri në 48 orë, me miratimin e prokurorit publik të Zyrës së Prokurorit Publik për Krime Lufte.

Ata më pas do të sillen në zyrën e prokurorit kompetent me një kallëzim penal.

Gjykata vendos paraburgim për shqiptarin e dyshuar për krime lufte në 1999

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj Ramadan Morina, si i dyshuar për krime lufte.

Lajmin e ka konfirmuar për Klankosova.tv, zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

Morina dyshohet se gjatë luftës në Kosovë, në periudhën 29–31 mars 1999, në bashkëkryerje me pjesëtarë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka marrë pjesë në masakrën e 34 civilëve shqiptarë në fshatin Burim të Komunës së Malishevës, raporton Klankosova.tv.

E jashtëzakonshme: Ky është polici që hyri mes flakëve për të shpëtuar të moshuarën

Në përballjen me zjarret që po shkatërrojnë Gramshin, oficeri i policisë, Alfred Zhupani, ka treguar një akt heroik duke rrezikuar jetën për të shpëtuar një grua të moshuar.

Duke kaluar mes flakëve dhe tymit, Zhupani mbajti gruan në krahë dhe vrapoi për ta larguar nga zona e rrezikut, pa menduar për pasojat.

Ky akt guximi dhe përkushtimi është lavdëruar nga banorët dhe ka bërë xhiron e rrjeteve sociale.

Jeta Statovci, bartëse e listës së Guxo për Prishtinën
Jeta Statovci do t’i prijë listës së kandidatëve për Kuvendin Komunal të Prishtinës nga Guxo, raporton Gazeta Blic.

Këtë e ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook, derisa ka thënë se lista ka 25 gra e 26 burra.

“Nuk gaboj të them, se është lista më e freskët këto zgjedhje, me profile doktorësh, arkitektësh, ekonomistësh, profesorë e artistë”, ka shkruar Statovci.

Postimi i saj i plotë:

Guxo për Prishtinën!

Kam nderin të prezantoj dhe t’i prijë listës së kandidatëve për Kuvendin Komunal të Prishtinës, nga Partia Guxo. Në listë gjenden profile të jashtëzakonshme, 25 gra e 26 burra.

Nuk gaboj të them, se është lista më e freskët këto zgjedhje, me profile doktorësh, arkitektësh, ekonomistësh, profesorë e artistë.

Prishtina ka një mundësi kreative, na priftë e mbara!

#GuxopërPrishtinën

“Jam zhduk për do ditë” Gjesti zbulon arsyen e mungesës nga muzika: Po përballem me një padrejtësi

Gjesti ka folur për herë të parë rreth mungesës së tij në skenën muzikore, duke ndarë me ndjekësit një mesazh. Në një postim në rrjetet sociale, ai shpjegoi se arsyeja e largimit të përkohshëm nga projektet lidhet me një problem personal.

“Edi jom zhduk këto ditë për arsye personale. Nuk jam aktiv as me projekte as sen, po shumë shpejt besoj që kryhet ky problem edhe kom me kon pranë juve, si gjith me dek sistemin,”- shkroi ai.

Gjesti theksoi se po përballet me një padrejtësi që po e pengon të ecë përpara, duke preferuar të mos zbulojë detaje:

“Jon do sene që unë s’po du mi nda në media se nuk ja vlen… Po për juve ni sqarim t’vogël: deri sa të përfundojë ni padrejtësi që mu ka bo, nuk muj me kon aktiv.”