Mot i ndryshueshëm javën e ardhshme, reshje shiu e diell

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka bërë të ditur se java e ardhshme pritet të karakterizohet me mot të ndryshueshëm.

Në njoftimin e lëshuar për media thuhet se parashihen reshje shiu të shoqëruar me vetëtima dhe bubullima.

“Në fushat termike parashihet një rënie graduale e temperaturave. Era do të fryjë kryesisht nga verilindja dhe veriperëndimi, me intensitet të dobët deri mesatar, ndërsa lokalisht mund të jetë edhe e fortë”, thuhet në njoftim.

Moti për pesë ditët e javës së ardhshme:

E hënë
Moti me diell dhe vranesira të çrregullta. Vranesirat gjatë ditës parashihen
të shoqerohen me riga shiu dhe shkarkime rrufesh.
Temperaturat minimale: 14 – 18°C;
Temperaturat maksimale: 25-27;
Era: e lehtë dhe lokalisht e fortë nga drejtimi i veriperendimit.

E martë
Moti me diell dhe vranësira të shpërndara.Në disa zona të kufizuara
parashihen riga shiu.
Temperaturat minimale: 12 – 15°C;
Temperaturat maksimale: 25-30°C;
Era: nga veriperëndimi, 1–5 m/s.

E mërkurë
Moti me diell dhe vranësira të pakta, kryesisht rreth relievit malor.
Temperaturat minimale: 10– 13°C;
Temperaturat maksimale: 29-32°C;
Era: kryesisht nga verilindja, 1–4 m/s.

E enjte
Moti kryesisht me diell.
Temperaturat minimale: 11– 15°C;
Temperaturat maksimale: 29-33°C;
Era: nga verilindja, 1–4 m/s.

E premte
Moti do të jetë me diell dhe vranesira të shperndara. Vranesirat ne
pjesen e dytë parashihen të dendesohen duke krijuar kushte që vende-
vende të shoqerohen me reshje shiu dhe shkarkime rrufesh.

Temperaturat minimale: 13-17°C;
Temperaturat maksimale: 29-33C;
Era: e lehtë dhe lokalisht e forte nga veriperëndimi

VIDEO/ Pamje të rënda, momenti kur njerëzit e Vuçiqit tërheqin zvarrë të riun dhe e godasin shkop

Brutaliteti i regjimit në Beograd ndaj protestuesve sa vjen e po rritet në kohën kur kreu i shtetit Aleksandar Vuçiq paralajmëron ndërhyrjen e ashpër të shtetit pas protestave në shumë qytete të Serbisë, të cilat po mbahen pas shembjes së një tende hekurudhore më 1 nëntor 2024 në Novi Sad, ku gjetën vdekjen 16 persona.

Një video nga Serbia është postuar në rrjetet sociale që tregon njerëz të afërt me shtetin serb  duke zvarritur një të ri, dhe më pas njëri prej tyre e godet me shkop në shpinë.

Rasti ka ndodhur në kryqëzimin e Resavska dhe Nemanjina në Beograd, gjatë një proteste të premten.

Rrahja ndodh jo shumë larg pjesëtarëve të policisë, dhe njerëzit që përdorën dhunë janë anëtarë të Njësisë së Sigurisë për Persona dhe Objekte të Caktuara (JZO). Njësia drejtohet nga komandanti Marko Kricak, i cili vetë është filmuar duke vrapuar pas qytetarëve me një shkop teleskopi në dorë ditët e fundit.

Që nga fillimi i protestave studentore në Serbi, anëtarët e JZO-së kanë qenë më shpesh në rrugë, ku arrestojnë dhe rrahin studentët, sipas mediave serbe.

Në muajt e fundit, anëtarët e kësaj njësie shpesh janë përballur me akuza se veprimet e tyre shkojnë përtej ligjit.

Kurti: Krenar që kemi krijuar një ambient që nxit mirëqenien e qytetarëve

Hulumtimi i Qendrës Amerikane të Kërkimeve “Gallup ka nxjerr se Kosova kryeson në matjet globale për përmirësim të mirëqenies.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti është shprehur krenar që si qeveri kanë arritur të krijojnë një ambient që sipas tij, nxit mirëqenien e të gjithë qytetarëve.

“Në indeksin e këtij viti të Gallup Life Evaluation, Kosova dallohet si vendi me rritjen më të madhe në mirëqenien e raportuar. Në vitin 2014, vetëm 11% e popullsisë deklaronin se po përparonin; vitin e kaluar kjo shifër u rrit në 51%, që përfaqëson më shumë se gjysmën e popullsisë. Si qeveri, jemi krenarë që kemi krijuar një ambient që nxit mirëqenien e të gjithë qytetarëve”, ka shkruar Kurti në “X”.

Vuçiqi kërcënon protestuesit: Përgjigjja do të jetë ndryshe prej asaj që keni parë deri tash

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq i ka kërcënuar protestuesit. Në një postim në Facebook ai ka shkruar se “djegia e vendit” nuk do të zgjasë shumë.

Vuçiq ka thënë se përgjigja e shtetit do të jetë krejt ndryshe nga ajo që është parë deri tani.

Sipas tij, do të përdorin gjithçka kanë në dispozicion për të vendosur ligj dhe rend.

“Ne duhet të mbrojmë vlerat e jetës normale dhe të denjë.  Përgjigja e shtetit do të jetë e ndryshme nga ajo që keni parë deri më tani. U premtoj qytetarëve të Serbisë se djegia nuk do të zgjasë shumë. Ne do të përdorim gjithçka që kemi në dispozicion për të rivendosur ligjin, paqen dhe rendin. Për sa kohë që marr frymë dhe ndërsa gjaku rrjedh në venat e mia, do t’i sfidoj ata dhe do të luftoj për Serbinë! Do të luftoj për popullin, qytetarët e Serbisë dhe ne do të fitojmë”, ka shkruar ai.

Protestat u shkaktuan fillimisht nga shembja e një stacioni hekurudhor në Novi Sad në nëntor të vitit të kaluar që vrau 16 persona.

Ndërsa demonstratat kundër korrupsionit kanë tërhequr qindra mijëra protestues, ato kishin qenë kryesisht paqësore deri në përplasjen e së mërkurës, kur besnikët pro-qeveritarë organizuan kundërdemonstrata.

Të shtunën në mbrëmje, policia u vendos përsëri në një numër qytetesh, përfshirë Beogradin, ndërsa njerëzit morën pjesë në demonstrata për të kërkuar zgjedhje të parakohshme.

Zyrat dhe flamujt që përfaqësonin partinë SNS të Vuqiçit kanë qenë në qendër të zemërimit të protestuesve.

Protestuesit gjithashtu thyen dritaret e selisë së Partisë Radikale Serbe, një partnere e koalicionit të SNS-së.

Situatë alarmuese në Beograd – Studentët nisin grumbullimet, Vuçiq dërgon autokolonën me makina të blinduara

Në disa qytete të Serbisë, studentët dhe qytetarët kanë nisur të grumbullohen nëpër sheshe për të vijuar protestën kundër Vuçiq, sot në mbrëmje në ditën e pestë të saj.

Në Novi Sad protesta është thirrur në sheshin para rektoratit me moton “Po bien mbeturinat – populli sundon”, ndërsa banorët e Nishit po mblidhen për të nisur protestën në orën 21:00 te Crveni Pevac.

Në Novi Bečej, në veri të Serbisë, qytetarët për herë të parë kanë bërë thirrje të protestojnë para ambienteve të SNS, Partia Progresive Serbe e udhëhequr nga Aleksandër Vuçiq për këtë arsye një kordon policor ruan godinën.

Ndërkohë Vuçiq ka dërguar një kolonë makinash policie drejt Beogradit të ri (zonë administrative e qytetit të Beogradit) ndërsa 4 studentë u ndaluan sot pasdite dhe ndodhen në ambientet e komisariatit të policisë.

Protesta janë thirrur dhe në Krushevac dhe Leskovac.

Protestat e fundit janë nxitur nga disa incidente në qyteza të Vojvodinës, më 12 gusht, kur mbështetësit qeveritarë i kanë sulmuar protestuesit me fishekzjarrë.

Situata është përshkallëzuar edhe nga veprimet e zyrtarëve policorë atë ditë, të cilët protestuesit i kanë akuzuar se nuk kanë bërë asgjë për t’i parandaluar sulmet.

Policia në anën tjetër, i ka hedhur poshtë këto akuza, dhe ka thënë se ajo i ka parandaluar disa trazira të mëdha.

Shpërthim në objektin e kandidatit të Listës Serbe në Veri

Vetëm pesë orë më parë, zjarrfikësit lokalizuan një zjarr që kishte shpërthyer në një objekt, i cili sipas informatave jozyrtare lidhet me Milosh Peroviçin, zyrtar i Listës Serbe dhe kandidat i kësaj partie në zgjedhjet lokale.

Skena e zjarrit këtë mëngjes ishte e rrethuar me shirita të verdhë. Dëmet materiale në ndërtesë janë të dukshme dhe ndihet era e djegies.

Siç u bindëm në terren, në afërsi të objektit ku shpërtheu zjarri është i angazhuar një automjet i Policisë së Kosovës.

Policia ka konfirmuar për Zubin Potok INFO se informacionin për zjarrin e kanë pranuar sot në mëngjes, në orën 04:20, përcjell Jepi Zë.

“Ka djegur kati i parë i shtëpisë, ku ndodhet shtypshkronja. Askush nuk është lënduar, por janë shkaktuar dëme materiale. Deri më tani nuk ka të dyshuar,” tha Policia e Kosovës për Zubin Potok INFO.

VIDEO

ZP INFO mëson jozyrtarisht se policia dyshon që zjarri është vënë qëllimisht, por janë duke pritur fjalën përfundimtare nga ekspertët.

Për kujtesë, automjeti në pronësi të Milosh Peroviçit, në kohën kur ai ushtronte detyrën e zëvendësministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale në Qeverinë e Kosovës, ishte djegur në qendër të Zubin Potokut, herët në mëngjesin e 17 majit të vitit 2019.

Dasmë emocionuese në Pejë, këngëtarja kosovare i jep fund beqarisë

Në një atmosferë emocionuese dhe plot dashuri, këngëtarja Fjolla Berisha, vajza e artistit të njohur Vehbi Berisha, ka kurorëzuar dashurinë e saj 11-vjeçare me martesë.

Ceremonia u mbajt mbrëmë në një ambient të hapur në Pejë, ku morën pjesë familjarë, miq të afërt dhe figura të njohura të estradës.

Pjesa më e veçantë e mbrëmjes ishte Ardian Bujupi, i cili ishte i ftuar special për të performuar dhe për të ndezur atmosferën me hitet e tij.

Zelensky i thotë jo planit të Trump dhe Putin

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka hedhur poshtë propozimin e Vladimir Putin që Ukraina të tërhiqet nga Donetsku dhe Luhansku si pjesë e një plani paqeje të mbështetur nga Donald Trump duke e bërë të qartë se një opsion i tillë nuk është i mundur.

Pas takimit me Putin në Alaskë, Trump foli me Zelenskyn për më shumë se një orë e gjysmë. Udhëheqësit e NATO-s dhe vendeve evropiane gjithashtu iu bashkuan thirrjes.

Sipas një burimi të njohur me bisedën, Trump i tha Zelenskyt se Putin ishte gati të ndalonte luftimet në fronte të tjera nëse Ukraina tërhiqej nga lindja e vendit. Zelensky e hodhi poshtë këtë, duke theksuar se nuk kishte tërheqje nga Donbasi.

Gazeta Financial Times raportoi më herët sot se Putin kishte kërkuar në një samit me Trump që Ukraina të tërhiqej nga Donetsk në këmbim të ngrirjes së frontit në rajonet Kherson dhe Zaporizhia.

Më vonë, gazeta New York Times raportoi se Trump e mbështeti planin dhe se ai besonte se paqja mund të arrihej shpejt nëse Ukraina pranonte të dorëzonte pjesën tjetër të Donbas, duke përfshirë zonat që nuk janë të pushtuara nga forcat ruse.

Trump dhe Zelensky do të takohen në Shtëpinë e Bardhë të hënën, dhe janë ftuar edhe udhëheqës evropianë, megjithëse ende nuk është e qartë se cili prej tyre do të përgjigjet.