Vetëaksidenti me fatalitet në Pejë, ky dyshohet se ishte shkaktari

Sot në orët e hershme të mëngjesit në Pejë ka ndodhur një vetëaksident me fatalitet.

Policia e Kosovës për rajonin e Pejës në një njoftim për media ka dhënë detaje të aksidentit.

“Ju informojmë se sot, më datën 22 gusht 2025, në orën 05:20, Policia është informuar për një aksident trafiku i cili ka ndodhur në rrugën ‘Konferenca e Bujanit’ në Pejë. Deri te vetaksidenti dyshohet se ka ardhur derisa drejtuesi i veturës ishte duke qarkulluar nga Vitomirica nё drejtim tё Pejёs dhe me tё arritur në rrugёn e lartpërmendur, duke mos iu përshtatur shpejtësisë dhe kushteve tё rrugës, humb kontrollin mbi automjet dhe godet një shtyllë elektrike tё ndriçimit rrugor”, thuhet në njoftim.

Si pasojё e kёtij vetaksidenti ngasёsi i veturёs ka pёsuar lëndime trupore, i njëjti ёshtё dёrguar me autoambulancё nё spitalin rajonal nё Pejё, aty nga ekipi mjekësor ёshtё konstatuar vdekja e viktimës.

Me urdhër të Prokurorit të shtetit trupi i pajetë i viktimës dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, për obduksion.

Gërvalla: Kur kam kontribuar unë për luftën, disa të tjerë kanë qenë duke pirë qumësht

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Donika Gërvalla nga radhët e Listës Guxo është deklaruar sot lidhur me raportimet e mëhershme në media se është dëshmitare në Hagë.

Ajo theksoi se është fushatë që bëhet për denigrimin dhe baltosjen e personalitetit të saj.

“…Nuk jam dëshmitare e Hagës…Pyetni avokatët e të akuzuarve në Hagë se ku figuron emri im, në cilën dëshmi figuron emri im… Është keq kur fushatën kundër një ministri e bazon në gënjeshtra… Sot e tutje do të marr hapa ligjor kundër secilit që pretendon publikisht se unë kam dërguar dëshmi në Hagë ose jam dëshmitare…Ndoshta nuk e kanë ditur në fillim të procesit, por sot gjithkush e dinë sepse trajtimi i dëshmive nga ana e akuzës ka përfunduar”, tha Gërvalla.

Ajo po ashtu foli edhe për kontributin e saj në luftën çlirimtare.

“Edhe diçka të gjithë ata që më sulmojnë në publik si anti-UÇK duhet të maten fort mirë, sepse mund t’ju dalë që historia të tregojë se kur unë kam kontribuar në luftën çlirimtare si person dhe strukturë disa të tjerë ende kanë qenë duke pirë qumësht”, shtoi Gërvalla.

Ndërron jetë djali i reperit të njohur shqiptar

Dhimbje e madhe për familjen e reperit shqiptar Marin, i cili ka njoftuar në rrjetet sociale se ka humbur djalin e tij të porsalindur.

Artisti ka bërë me dije përmes një postimi prekës në rrjete sociale se djali i tij i porsalindur ka ndërruar jetë të mërkurën në mëngjes.

Në postimin e tij, Marin shprehet se kjo ishte menduar të ishte një lajm i gëzueshëm për ardhjen në jetë të vogëlushit, por fatkeqësisht jeta ka marrë një kthesë të dhimbshme për familjen e tij.

“Disa njerëz vetëm ëndërrojnë engjëj, por ne patëm nderin të mbanim një në krahët tanë,” shkruan ai, duke shprehur tronditjen dhe pikëllimin e madh që po përjetojnë.

Reperi thekson se këto ditë kanë qenë tepër të vështira për të dhe partneren e tij Alba, por megjithatë po përpiqen të gjejnë forcë duke u mbështetur tek dashuria e ndërsjellë dhe tek përkrahja e miqve e familjarëve.

Ai falënderoi të gjithë ata që u janë gjendur pranë në këtë periudhë të vështirë të tyre.

Kujtojmë se Marin dhe partnerja e tij Alba janë prindër të tri vajzave: Milana, Melody dhe Marina.

Humbja e djalit ka lënë një plagë të madhe në zemrat e tyre, por çifti shprehet se do të vazhdojnë të ecin përpara me besimin se një ditë do ta takojnë sërish engjëllin e tyre në parajsë.

“Deri sa të shihemi përsëri, engjëlli ynë, do të na mungosh çdo ditë,” përfundon mesazhi i reperit, i shoqëruar me fjalë ngushëllimi për bashkëshorten e tij, të cilën e quan “njeriu më i fortë dhe gruaja më e mirë që ka ekzistuar ndonjëherë.”

Ngushëllime të sinqerta për familjen e Marin dhe Albës në këtë periudhë të rëndë dhimbjeje. /Prive By Liberta Spahiu

Hajrulla Çeku për Ramën: Mungesë e seriozitetit dhe dashnisë për kryeqytetin

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës, Hajrulla Çeku, tha se qeverisjen e Përparim Ramës në kryeqytet e ka karakterizu “një lloj papërgjegjësie, mungesë serioziteti dhe mungesë e dashnisë për qytetin”.

Sipas tij, Rama po e di që “i ka mbaru mandati”, por po e bën me “pak humor”.

“Bllokuesi i vërtetë i Prishtinës është ky (Përparim Rama). Kush e ka blloku këtë kryetar mi rregullu çështjet bazike të kryeqytetit, si mbeturinat, ndërtimet paleje, qentë endacakë dhe krejt problemet që ballafaqohemi si të dalim prej shtëpisë”, tha Çeku në Pressing.

“Edhe ky e din që është i marrum, mendoj që e pat puna e tij”, tha Çeku për Ramën.

Gërvalla me akuza të rënda: LDK-ja u bënë bashkë me Listen serbe kundër meje

Deputetja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Donika Gërvalla, ka përmendur disa deputetë të LDK-së se u bënë bashkë me Listën Serbe për të votuar kundër saj.

Kur u pyet se edhe deputetja e Vetëvendosjes, Shqipe Selimi, s’votoi për të, Gërvalla iu drejtua gazetarëve me “mos përzieni kot”.

LDK ka pasë mundësi ta zhbllokojë Kuvendin nuk e ka bërë një gjë të tillë. Imagjinoni, aty në Kuvend janë të ulur djali i Xhemajl Mustafës, Besian Mustafa, nipi i Tahir Zemaj, Armend Zemaj, janë ulur dy komandantë të Koshares, Fadil Hadërgjonaj dhe Anton Quni, dhe këta të katërt janë bërë bashkë me PDK-në dhe Listën Serbe për të votuar kundër Donika Gërvallës.

“Edhe Shqipe Selimi…”, i reaguan gazetarët.

“Ajo nuk ka votuar. Mos përzieni kot. Mos i ngatërroni. Shqipe Selimi nuk është bërë bashkë me Listën Serbe për të votuar kundër meje. Besian Mustafa, Armend Zemaj, Anton Quni, Fadil Hadërgjonaj kanë pasë më shumë se një arsye për të votuar dje për propozimin tonë. S’ka person në skenën publike të Kosovës, i cili është angazhuar qe 20 e diçka vjet më hapur, më qartë dhe me një kosto të lartë politike për zbardhjen e krimeve të pasluftës”.

Gjykata Supreme merr një vendim për rastin e Dardan Krivaqës e Arbër Sejdiut

Gjykata Supreme ia ka kthyer për përmirësim Gjykatës së Apelit rastin ndaj Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut.

Kështu konfirmoi për “Betimi për Drejtësi“, zëdhënësja e Supremes, Antigona Lutfiu-Uka.

“Lidhur me kerkesen tuaj, ju njoftoj se lënda PML.nr.348/2025, ku të akuzuar janë Dardan Krivaça dhe Arëbër Sejdiu, nuk është vendosur në Gjykatën Supreme, pasi që rasti penal i është kthyer Gjykatës së Apelit për përmirësim”, thuhet në përgjigjen e Lutfiu-Ukës.

Gjykata e Apelit kishte vërtetuar aktgjykimin e shkallës së parë i marrë nga Gjykata Themelore e Ferizajt më 29 korrik 2024, duke konfirmuar se Dardan Krivaqa i akuzuar për vrasjen e Marigona Osmanit, do të vuaj dënimin me burgim të përjetshëm. Gjithashtu, Apeli kishte vërtetuar dënimin prej 15 vitesh edhe ndaj Arbër Sejdiu, i akuzuar për ndihmë në vrasjen e rëndë në bashkëkryerje.

 

 

Ndryshe, fillimisht Gjykata Themelore e Ferizajt më 4 gusht 2023 e ka dënuar me burgim të përjetshëm Dardan Krivaqën për vrasje e Marigona Osmanit. Ndërsa ishte liruar nga akuza për dhunim. Arbër Sejdiu ishte dënuar me 15 vite burgim për ndihmë në vrasjen e rëndë në bashkëkryerje. Sejdiu ishte liruar nga vepra penale e ndihmës në dhunim.

Por, Gjykata e Apelit me aprovimin e ankesës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj dhe mbrojtjes së dy të akuzuarve, e ka kthyer çështjen në rigjykim.

 

 

Më 29 korrik 2024, Themelorja edhe në rigjykim e shpallur fajtor Krivaqën, duke e dënuar sërish me burgim të përjetshëm. Këtë vendim, e vërtetoi Apeli.

18 vjeçarja Marigona Osmani u vra më 22 gusht të vitit 2021 në banesën e të akuzuarit kryesor, Dardan Krivaqa, në qytetin e Ferizajt.

Sipas aktakuzës, Dardan Krivaqa thuhet se më 21 gusht 2021, rreth orës 10:14, në banesën e tij, pa pëlqimin e tani të ndjerës Marigona Osmani, e kishte detyruar atë të kryente marrëdhënie seksuale dhe e kishte abuzuar e maltretuar në forma të ndryshme.

Një ditë më pas, më 22 gusht 2021, Krivaqa dhe Sejdiu akuzohen se kanë privuar nga jeta Marigona Osmanin, në përpjekje për të fshehur veprën penale të dhunimit.

Më 14 korrik 2022, ishte mbajtur seanca fillestare ku Dardan Krivaqa ka shfrytëzuar të drejtën të mbrohet në heshtje, kurse Arbër Sejdiu, është deklaruar i pafajshëm.

Krivaqën, Prokuroria e ngarkon me veprën penale vrasje e rëndë dhe dhunim, kurse Sejdiu po akuzohet për veprën penale vrasje e rëndë dhe ndihmë në kryerjen e dhunimit.

Sipas aktakuzës, i pandehuri  Dardan Krivaqa më 21 gusht 2021, rreth orës 10:14, në banesën e tij në rrugën “Ramadan Rexhepi”, në Ferizaj, pa pëlqimin e tani të ndjerës Marigona Osmani, e kishte detyruar të njëjtën për të kryer marrëdhënie seksuale, e cila siç thuhet në aktakuzë përcillet me tortura.

Gjithnjë sipas aktakuzës, aty thuhet se i pandehuri Krivaqa fillimisht pa dëshirën e tani të ndjerës ka kryer marrëdhënie seksuale në sallon, pas kryerjes së aktit seksual të njëjtën të zhveshur e kishte dërguar në banjo, nga aty me dhunë e kishte dërguar në dhomën e gjumit, mirëpo me kalimin e kohës për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore tani e ndjera Marigona Osmani si pasojë e dhunës së ushtruar kishte humbur aftësinë për të rezistuar, e ku në dy raste në mbrëmje kishin kryer marrëdhënie seksuale, pastaj i pandehuri Dardan të zhveshur e kishte dërguar në banjë, e ku i vërehen edhe lëndimet në trup.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Dhunimi” nga neni 227, par. 4, nënpar 4.1, lidhur me par.1 të Kodit Penal.

Sipas dispozitivit të dytë të kësaj aktakuze, i pandehuri Arbër Sejdiu më 21 gusht 2021, në banesën e të pandehurit të parë në rrugën “Ramadan Rexhepi”, në Ferizaj, me dashje i kishte ndihmuar të pandehurit Dardan Krivaqa në kryerjen e veprës penale të dhunimit.

Sipas aktit akuzues thuhet se fillimisht dy të pandehurit kishin kontaktuar përmes telefonit dhe ishin takuar në qytet, pastaj së bashku ishin kthyer në banesë, ku i pandehuri Arbër posa kishte arritur, duke qenë në dijeni se i pandehuri Dardan është duke e dhunuar tani të ndjerën Marigona Osmani, me dashje kishte marrë veprime me të cilat lehtësohet kryerja e dhunimit.

Tutje thuhet se dy të pandehurit së bashku kishin hyrë në dhomën ku kryhet dhunimi, e ku e ndjera ishte e zhveshur, e të cilin veprim gjatë qëndrimit në banesë e merr disa herë, po ashtu dhe gjatë asaj kohe kishte përcjellë gjendjen nëse ndonjë nga banorët është duke lëvizur aty pari.

Siç e përshkruan aktakuza, i pandehuri Arbër Sejdiu po ashtu edhe disa herë kishte dalë nga banesa për të blerë gjëra ushqimore, ndërsa gjatë gjithë kohës dy të pandehurit kishin biseduar mes vete, kështu tutje, të pandehurit Dardan Krivaqa i kishte dhënë telefonin për të thirrë kompaninë e cila menaxhon kamerën, që ishte e vendosur në korridorin e banesës me qëllim që të fshihen video-incizimet, gjegjësisht provat e veprës penale.

Me këtë, Sejdiu akuzohet se ka kryer veprën penale “Ndihmë në kryerjen e dhunimit” nga neni 227, par 4, nënpar. 4.1, lidhur me par. 1 dhe nenin 33 të Kodit Penal.

Kjo aktakuzë në dispozitivin e III-të, dy të pandehurit Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu i ngarkon për veprën penale të vrasjes së rëndë në bashkëkryerje.

Aty thuhet se më 22 gusht 2021, në banesën e të pandehurit Dardan Krivaqa, në rrugën “Ramadan “Rexhepi”, në Ferizaj, me dashje dhe në bashkëkryerje, me qëllim të fshehjes së veprës penale dhunimi e kanë privuar nga jeta tani të ndjerën Marigona Osmani, me të cilën i pandehuri i parë ishte në bashkësi jashtëmartesore.

Tutje, sipas aktakuzës, përshkruhet se në intervale kohore nga ora 10:56 deri në orën 14:43, i pandehuri i parë kishte marrë një shkop, e së bashku me të pandehurin e dytë kishin hyrë në dhomë dhe kishin filluar ta godasin tani të ndjerën në pjesë të ndryshme të trupit, me ç’rast të njëjtës i kanë shkaktuar dhimbje të mëdha fizike dhe psiqike, ku nga goditjet e njëjta ka pësuar politrauma-lëndime të shumëfishta, ku vdekja shkaktohet drejtpërdrejt nga asfiksia mekanike, si dhe shoku hemorragjik dhe traumatik, të cilat janë pasojë e gjakderdhjes së jashtme dhe gjakderdhjes së brendshme, nga thyerja e ashtit të nofullës së poshtme, thyerja e brinjëve, klavikulës së majtë, unazave të qafës, gjakderdhjes epidurale dhe subdurale në pjesën e pasme të trurit të madh dhe në trurin e vogël, këputje parciale të palcës së kurrit në qafë, të njëjtën e dërgojnë në Spitalin e Përgjithshëm – Qendrën Emergjente në Ferizaj dhe largohen nga aty.

Me këtë, akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173, par. 1, nënpar. 1.3, 1.4 dhe 1.7, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.

Durrësi dhe Tirana përfshihen nga reshjet e dendura, disa rrugë përmbyten

Kjo e premte ka nisur me moti të keq në disa qytete të Shqipërisë, ku reshjet e dendura të shiut kanë përfshirë zonat bregdetare dhe kryeqytetin.

Në Durrës, shiu i rrëmbyeshëm që ka rënë në orët e para të mëngjesit ka shkaktuar vërshime uji në disa rrugë, duke penguar qarkullimin dhe duke krijuar vështirësi për banorët dhe drejtuesit e automjeteve. Sipas raportimeve nga terreni, nivelet e ujit po bien gradualisht ndërsa moti po stabilizohet.

Edhe Tirana është përfshirë nga reshje të dendura gjatë mëngjesit, por deri në mesditë situata është qetësuar, pa pasoja serioze.

Tërmet 7.5 Rihter në oqeanin Atlantik, alarm për tsunami

Një tërmet me magnitudë 7.5 ballë Rihter është regjistruar të enjten në mbrëmje në Oqeanin Atlantik.

Lëkundjet kanë qenë shumë të forta dhe raportohet se janë ndjerë në Argjentinë dhe Kili.

Epiqendra e tërmetit sipas Shërbimit Gjeologjik të Shteteve të Bashkuara, është regjistruar afërsisht 710 kilometra në juglindje të Ushuaia-s, në Grykën Drake.

Pas tërmetit, autoritetet në Kili lëshuan një paralajmërim për cunami. Zona është e izoluar dhe nuk ka raportime për dëme apo viktima.