Deputetja e Nismës për Bashën: Jo, nuk kalon ky turp me një konferencë, dorëheqje ose shkarkim

Deputetja e Nismës, Xhevahire Izmaku ka reaguar pas konferencës së kryetarit të kuvendit, Dimal Basha, ku tentoi të arsyetohej për shkrimin skandaloz ndaj UÇK-së.

Ajo ka thënë se ky turp nuk kalon me një konferencë dhe duhet dorëheqje ose shkarkim.

Reagimi i saj:

Jo, nuk kalon ky turp me një konferencë për shtyp!

Dorëheqje ose shkarkim!

Kërkoj që jo vetëm ne që ngritëm dorën kundër, por edhe njerëzit me gjykim të shëndoshë dhe ata që e duan vendin e sakrificën e UÇK-së edhe brenda VV-së, të kërkojnë dorëheqjen e menjëhershme të Dimal Bashës.

Një njeri që ka bashkautorësi në punime shkencore kundër UÇK-së, në linjë me Serbinë, Dik Martyn dhe Rusinë, nuk mund dhe nuk guxon të udhëheqë Kuvendin e Kosovës.

PDK-ja dhe AAK-ja duhet të japin llogari për këtë shkarje të rëndë!

Punimet shkencore nuk botohen me bashkautorësi pa besim dhe pa përputhje në qëndrime.

Me votën e tyre, ata e bënë këtë narrativë pjesë të institucionit më të lartë të vendit.

Duda Balje: S’e kam plan të votoj për asnjë kandidat nga pakica serbe

Deputetja e Unionit Socialdemokrat nga komuniteti boshnjak, Duda Balje, ka deklaruar se nuk do të votojë për asnjë kandidat nga pakica serbe për nënkryetar të Kuvendit të Kosovës.

E pyetur nëse do të mbështeste Nenad Rashiqin, Bale tha se “nuk kam votë për asnjë kandidat nga pakica serbe”.

 

 

Ajo shtoi gjithashtu se “nuk mendoj që do të dalim lehtë nga kjo krizë”.

“Ka pasur ndërlidhje direkte me zyrën e kryeministrit të Kosovës”, Elezi jep detaje për agjenten serbe të dyshuar për spiunazh

Të mërkurën në mëngjes, në Prokurorinë e Qarkut të Splitit janë marrë në pyetje sociologia A. M. nga Mitrovica e Veriut dhe piloti i Forcave Ajrore të Kroacisë J. I. nga Spliti.

Sipas informacioneve jozyrtare të medias kroate “Slobodna Dalmacija”, ata akuzohen për veprën penale të spiunazhit.

Lidhur me këtë zhvillim, eksperti i sigurisë, Bedri Elezi thotë se e dyshuara A.M., ka punuar me EULEX-in dhe UNMIK-un, duke shtuar se ajo kishte qasje në dokumente të rëndësishme të Kosovës.

Elezi madje shton se e dyshuara, nga komuniteti serb në veri, ka pasur ndërlidhje direkte me zyrën e kryeministrit të Kosovës.

“Sipas informacioneve, kjo agjente serbe ka pasur mundësi të marr në kohë reale informacionet për aktivitetet në institucionet e drejtësisë, dhe të njëjtat të i raportojë te Lista Sërpska, apo autoritetet e Serbisë. Ajo ka punuar në EULEX dhe në UNMIK”.

“Sipas informacioneve të fundit, e njëjta ka pasur ndërlidhje direkte me zyrën e kryeministrit të Kosovës, çka do të thotë se shqetësimet tona për përfshirjen e anëtarëve të shërbimeve sekrete serbe në institucionet më të larta shtetërore u vërtetua dhe është një sinjal, apo mesazh, që tregon qartazi për një angazhim serioz të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë dhe Njësive të Policisë së Kosovës, për të parë nëse kjo grua, apo edhe persona të tjerë, janë të lidhur ose kanë punuar në bashkëpunim për spiunazh”, tha Elezi në Klan.

Ndryshe, sipas “Slobodna Dalmacija”, çifti akuzohet për katër raste konkrete spiunazhi, por për shkak të ndjeshmërisë së çështjes, nuk janë bërë publike më shumë hollësi.

“Një nga rastet lidhet me informacionet që piloti ia kishte përcjellë të dashurës për veprimet e KFOR-it në Zubin Potok, komunë me shumicë serbe, që prej kohësh është epiqendër e tensioneve mes serbëve lokalë dhe institucioneve të Kosovës”, shkruan media kroate.

Përleshje e përgjakshme dhe therje me thikë mes të rinjëve, dalin pamjet e rënda

Një përleshje e përgjakshme ka ndodhur mbrëmë në komunën e Lipjanit, më saktësisht në sheshin e qytetit, ku të përfshirë ishin rreth tetë persona, raporton GazetaDemos.

Siç merr vesh Demos nga burimet në vendin e ngjarjes, katër nga të përfshirët në përleshje kanë pësuar lëndime.

Njëri ndër të lënduarit është goditur me mjet të mprehtë, thikë, me çrast nga ekipet emergjente është dërguar në Emergjencë për vazhdimin e trajtimit mjekësor.

Policia ka arritur që të arrestojë disa persona, ndërsa mediat lokale kanë publikuar pamje nga momenti kur i riu i therur merret nga ekipi mjekësor.

VIDEO: KLIKO

Rrahje e përgjakshme në Lipjan, 17-vjeçari ther me thikë një të ri, viktima në gjendje të rëndë

Mosmarrëveshjet për motive të ndryshme, e që shpeshherë dalin të jenë banale bëhen mollë sherri e kërcënimeve e përleshjeve mes të rinjve në vendin tonë. Për pasojë, konfliktet jo rrallëherë eskalojnë edhe në rrahje brutale, për çka nevojitet ndërhyrja e Policisë, raporton Gazeta Sinjali.

Një përleshje e tillë ka ndodhur mbrëmë në sheshin “Adem Jashari” në Lipjan, ku disa persona kanë mbetur të lënduar, ndërsa njëri prej tyre është në gjendje të rëndë.

Burime të Sinjalit bëjnë me dije se rasti është regjistruar më 27 gusht, rreth orës 21:45, kur në konflikt janë përfshirë disa persona.

Gjatë përleshjes, një person ka mbetur i therur rëndë me thikë, plagë që dyshohet se ia ka shkaktuar një i mituri D.L. Për pasojë, ai është dërguar me urgjencë në QKUK-Prishtinë, ku gjendet në gjendje kritike për jetën, ndërsa personat e tjerë të lënduar pas tretmanit janë liruar.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë hetuesit e Stacionit Policor Lipjan, hetuesit rajonalë dhe forenzika, të cilët kanë sekuestruar edhe thikën që u përdor në rast.

Me vendim të Prokurorit, të dyshuarit janë ndaluar: dy të miturit për 24 orë, ndërsa tre të rriturit për 48 orë.