Zbulohet e dashura e Edon Zhegroves, publikon pamje me vjehrrën

Prej më shumë se gjashtë vitesh, futbollisti i njohur Edon Zhegrova shijon një histori dashurie që shpesh ka qenë në qendër të vëmendjes.

Edhe pse dyshja nuk kanë folur kurrë hapur për lidhjen e tyre, romanca e Edonit me partneren Elsa ka krijuar lajm në rrjete sociale, sidomos në periudhat kur janë vërejtur hatërmbetje apo shkëputje të vogla.

Megjithatë, prej kohësh duket se çifti ka gjetur qetësinë dhe ekuilibrin e munguar.

Marrëdhënia e tyre po ecën për mrekulli dhe së fundmi nuk hezitojnë më të ndajnë detaje të vogla me publikun.

Ishte Elsa ajo që postoi një moment të ëmbël, teksa shihej duke pirë çaj me vjehrrën e saj.

“Koha më e mirë me njerëzit më të mirë”, shkroi ajo, duke treguar kështu se është pranë Edonit dhe familjes së tij në një fazë kaq të rëndësishme të karrierës, kur ai po nis kapitullin e ri si pjesë e Juventusit.

Vdes veterani i UÇK-së, Smajl Kruna

Ka vdekur sot veterani i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Smajl Kruna nga fshati Poklek i Vjetër i Drenasit.

Lajmin për ndarjen nga jeta e bënë të ditur familjar të të ndjerit në rrjete sociale.

I njëjti do të varroset sot në ora 18:00 në varrezat e fshatit Poklek i Vjetër.

Spahiu i ashpër me OVL-UÇK-në: “Rama ua përdhosi flamurin në Tiranë e nuk reaguat, nëse do ishit aq patriotë…”

Në emisionin Kosova Live në T7, profesori Nexhmedin Spahiu ka kritikuar ashpër reagimet e veteranëve të UÇK-së ndaj vizitës së kryetarit të Kuvendit, Dimal Basha, në Prekaz.

Spahiu tha se OVL-UÇK po tregohet selektive në reagimet e saj dhe i akuzoi për mungesë konsistence. “Rama ua përdhosi flamurin në Tiranë e nuk reaguat, e tash ngriteni për një vizitë. Nëse do ishit aq patriotë, do reagonit edhe atëherë,” u shpreh ai.

VIDEO:

Azemi paralajmëron protesta e grevë: Punëtorët s’po e shijojnë as minimumin e jetës, me këto paga po jetojmë sot për nesër

Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Sektorit Privat të Kosovës, në një intervistë për Gazeta Blic ka thënë se janë të pakënaqur me mungesën e rritjes së pagave për punëtorët e kategorive që ndikohen drejtpërdrejt nga fondet e Qeverisë së Kosovës dhe Kuvendeve komunale, përfshirë punëtorët e QKUK-së, QMF-ve dhe shumë të tjerë që ofrojnë shërbime përmes kompanive private dhe financohen nga fondet publike.

Sipas tij, rritja prej 110 euro që është bërë në qershor për punëtorët e sektorit publik, duhet të zbatohet edhe për këta punëtorë, pasi ata paguhen nga i njëjti buxhet si punëtorët e sektorit publik.

“Deri më 1 shtator, i kemi lajmëruar se po presim të dialogojmë dhe të arrijmë një marrëveshje lidhur me rritjen e pagave për këta punëtorë, duke kërkuar një pagë bruto prej 600 eurosh. Deri më tani, me përjashtim të Komunës së Prishtinës me të cilën kemi caktuar takim nesër në ora 11:00, me të tjerët nuk kemi pasur ndonjë komunikim konkret. Besoj se edhe me Komunën e Prishtinës nuk do të arrihet ndonjë marrëveshje e menjëhershme, ashtu si edhe me institucionet e tjera. Prandaj, më 9 shtator do të fillojmë me protesta dhe, në varësi të reflektimit të këtyre institucioneve, do të ndërmarrim veprime tona. Ndoshta, aty ku nuk ka reflektim, fundi i shtatorit na gjen në disa institucione dhe komuna me grevë dhe protesta”, tha ai.

Ai, lidhur me gjendjen aktuale të pagave përballë rritjes së vazhdueshme të çmimeve, u shpreh se pagat aktuale nuk mjaftojnë as për të mbijetuar.

“Nuk kërkon ndonjë mençuri të veçantë për ta shpjeguar se, me pagat që kemi, sidomos ato të punëtorëve që kryejnë shërbime në institucionet publike përmes kompanive private, nëse një punëtor merr 350 ose 370 euro, dhe kur ke parasysh se një pagë minimale duhet të mbulojë kërkesat e katër anëtarëve të familjes, kuptohet vetvetiu se kjo është e pamjaftueshme. Një llogari që kam bërë kohë më parë, sot tregon se, pa asnjë shpenzim tjetër, vetëm me dy bureka në ditë, nuk mbeten para për asgjë tjetër.”

“Një pjesë e madhe e punëtorëve të sektorit privat në Kosovë nuk po e shijojnë as minimumin e jetës. Domethënë, jemi duke jetuar sot për nesër”, shtoi Azemi.

Sipas tij, pagat e ulëta janë një nga arsyet kryesore të ikjes së fuqisë punëtore nga vendi.

“Parashikimet që i kemi bërë para disa vitesh janë bërë realitet. Kemi dokumentacion të protokolluar, përmes të cilit kemi tërhequr vërejtjen si ndaj kësaj Qeverie, ashtu edhe ndaj asaj të mëhershme, se në momentin kur bëhet liberalizimi i vizave, ajka e punëtorëve, pra fuqia më vitale do të largohet nga vendi, dhe kjo ndodhi. Mospërcjellja e kostos së jetesës dhe largimi i punëtorëve e kanë bërë të vetën. Ky shtet shumë shpejt do të mbetet me punëtorë të moshës 55-vjeçare.”

“Punëtorët nuk kanë siguri. Ata nuk punojnë vetëm për të ngrënë, ata kanë nevojë për një shtëpi të vetën, për familje, për garanci. Pjesa dërrmuese e tyre jo vetëm që nuk e kanë këtë luks, por madje iu mungojnë edhe barnat elementare”, përfundoi Azemi.

Nga 4 deri më 6 shtator do të mbyllen përkohësisht rrugët kryesore të Kosovës, shkak garat e çiklizmit

Policia e Kosovës ka njoftuar se rrugët kryesore të vendit do të mbyllen për qarkullim gjatë tri ditëve të ardhshme, më 4, 5 dhe 6 shtator, për shkak të garave ndërkombëtare të çiklizmit “Tour of Kosovo 2025”.

Mbyllja për qarkullim do të zbatohet sipas etapave dhe intervaleve kohore:

Etapa e parë – 04.09.2025, ora 12:00 – 15:00: Gara fillon në hapësirën e autostradës Veternik – Bresje – Komoran – Gjergjicë – Malishevë – Duhël – Suharekë – Prizren Veri – Prizren Jug – Vërmicë (kthimi) – Prizren Jug – Prizren Veri – Suharekë – Duhël – Malishevë dhe përfundon në kilometrin e 52-të të autostradës në Malishevë.

Etapa e dytë – 05.09.2025, ora 11:00 – 15:00: Gara fillon në Pikën Kufitare në Vërmicë – Prizren Jug – Prizren Veri – Suharekë – Duhël – Malishevë – Gjergjicë – Komoran – Fushë Kosovë – Uglarë – Lipjan – Babush – Bibaj – Kaçanik – Hani i Elezit, ku do të përfundojë.

Etapa e tretë – 06.09.2025, ora 11:00 – 15:00: Gara fillon nga Hani i Elezit – Kaçanik – Bibaj – Babush – Lipjan – Uglarë – Bresje – Sllatinë – Komoran – Gjergjicë – Malishevë – Duhël – Suharekë – Prizren Veri – Prizren Jug – Zhur – Vërmicë (kthimi) – Prizren Jug dhe përfundon në kilometrin e 10-të të autostradës në Vlashnje, ku do të mbahet ceremonia e mbylljes së etapës së III-të.

Policia ka kërkuar mirëkuptim nga qytetarët dhe ka apeluar që shoferët të shfrytëzojnë rrugë alternative gjatë këtyre ditëve.

“Tym duhani në spitalet e Kosovës” Infermieret kapen duke pirë cigare në zhveshtore e kuzhina, drejtorët justifikohen me ‘stres’

“Infermieret duke pirë duhan në zhveshtoren e klinikës. Drejtoresha duke konsumuar duhan nga ‘stresi’” – janë disa nga arsyet që Inspektorati Shëndetësor ka identifikuar gjatë kontrolleve në institucionet shëndetësore në Kosovë, ku janë konstatuar shkelje serioze të Ligjit për Kontrollin e Duhanit. Në shumë raste, inspektorët kanë raportuar erë të duhanit dhe mbetje të tij në hapësirat e brendshme të spitaleve dhe QKMF-ve, përfshirë salla, kuzhina dhe zhveshtore të personelit. Insajderi sjell disa nga vendimet.

Mira Avdimetaj

Ministria e Shëndetësisë, përmes Inspektoratit Shëndetësor, ka shqiptuar dhjetëra gjoba ndaj personelit mjekësor për mosrespektim të Ligjit për Kontrollin e Duhanit. Gazeta Insajderi, përmes kërkesës për qasje në dokumente zyrtare, ka siguruar vendimet e lëshuara gjatë vitit 2024, ku secila gjobë ka qenë në vlerë prej 500 euro.

Gjobat ndaj drejtuesve dhe stafit mjekësor

Doktor Lulzim Kamberi, drejtor në Klinikën e Kardiologjisë – Njësia Koronare në QKUK, është gjobitur me 500 euro për shkelje të Ligjit për Kontrollin e Duhanit. Sipas vendimit të datës 27 gusht 2024, gjatë inspektimit janë kontrolluar të gjitha hapësirat publike dhe të punës. Në një nga dhomat që shfrytëzohej si kuzhinë, është ndier erë duhani, ndërsa në koshin e mbeturinave janë gjetur mbetje të cigareve.

Në një rast tjetër, Bahri Gjyshinca, shef i repartit në Klinikën e Ortopedisë në QKUK, është gjobitur po ashtu me 500 euro. Në vendimin e datës 26 gusht 2024 thuhet se inspektorët kanë gjetur mbetje duhani në hapësirat e punës, si dhe një infermiere është hasur duke pirë duhan në zhveshtoren e klinikës.

Ligji është shkelur edhe në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Istog. Drejtori Mujë Osmani është ndëshkuar me 500 euro më 15 gusht 2024, pasi inspektorët kanë konstatuar praninë e mbetjeve të duhanit dhe aromë duhani në ambientet e brendshme të institucionit.

Një rast interesant është raportuar edhe në Spitalin e Përgjithshëm të Mitrovicës. Laura Nushi, drejtoreshë e këtij spitali, është dënuar me 500 euro më 30 prill 2024, pasi është raportuar se ka konsumuar duhan brenda ambienteve të spitalit.

Sipas raportit zyrtar, Nushi ka mohuar se e konsumon duhanin, duke thënë para inspektorëve se atë ditë kishte qenë nën stres të madh për shkak të largimit nga puna të një punonjësi.

Guri, Kurtit: Qysh me truproje në vendin më të sigurt të shtetit, a të erdhi marre kur i pe prokurorët e gjyqtarët

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti u kritikua pasi u paraqit në Gjykatën Themelore në Prishtinë në rastin në të cilin ish-udhëheqësi i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faton Klinaku dhe Nuredin Selmani akuzohen për kanosje ndaj tij.

Kurti u paraqit në Gjykatë, ndërsa pati reagime të shumta për faktin se ai po refuzon të dëshmojë në Prokurori për rastin e rezervave shtetërore.

Deputeti i LDK-së, Paris Guri, ka reaguar ndaj një detaji tjetër nga paraqitja e Kurtit në Gjykatë. Ai u pa i rrethuar nga shumë truproja, derisa tre nga ata e shoqëruan edhe brenda derisa u ul në sallë.

Guri e ka e ka pyetur nëse i ka ardhur turp kur i ka parë gjyqtarët e prokurorët, për të cilët thoshte se ata duhet të kenë mbrojtje të afërt e jo kryeministri.

“Qysh bre kryeministër, me truproje ne vendin ma të sigurt të shtetit. A të erdh marre kur i pe prokurorët e gjyqtaret, a tu kujtojke kur thoshe se ata duhet me pasë mbrojtje të afërt, jo kryeministrat”, ka shkruar Guri.

Zëdhënësi i qeverisë: S’ka standard të dyfishtë, Kurti ka bashkëpunuar me drejtësinë me dy rastet

Zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu konsideron se paraqitja e kryeministrit Albin Kurti nuk është kurrfarë standardi i dyfishtë në raportë me ftesën nga Prokuroria Speciale.

“Sa i përket ftesës së Prokurorisë Speciale, kryeministri Kurti asnjëherë nuk ka refuzuar që të japë dëshminë e tij. Përkundrazi, ai ka shprehur gatishmërinë e plotë për të bashkëpunuar me drejtësinë dhe për të respektuar parimin e transparencës dhe llogaridhënies, duke kërkuar që intervistimi të zhvillohet në zyrën e tij, një praktikë kjo që ka ndodhur edhe më parë”, ka shkruar ai, transmeton IndeksOnline.

Statusi i tij i plotë:

E dhimbshme: Sot i jepet lamtumira e fundit 40-vjeçares që humbi jetën në aksidentin tragjik

Gazeta Sinjali raportoi dje për një aksident trafiku me pasoja fatale në fshatin Gjonaj, ku humbi jetën Merita Hodaj, rreth 40-vjeçare.

Sinjali mësoi ekskluzivisht se personi që dyshohet se shkaktoi aksidentin është Emanuel Kolgjeraj, rreth 28-vjeçar, i cili po drejtonte një veturë BMW.

Sipas hetimeve të para, viktima kishte filluar të kalonte rrugën kur një veturë tjetër ndaloi për t’i dhënë përparësi. Në atë moment, ajo u godit nga BMW-ja që drejtonte Kolgjeraj, duke pësuar lëndime të rënda që rezultuan fatale.

Lamtumira e fundit për 40-vjeçaren do të mbahet sot në orën 16:00, në varrezat e fshatit Kabashi i Hasit.

Hoti për Kurtin: Ky nuk është Kryeministri që i duhet Kosovës

Dy të akuzuarit për kanosje ndaj kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, janë deklaruar të pafajshëm gjatë seancës fillestare të mbajtur në Gjykatën Themelore në Prishtinë më 3 shtator.

I pranishëm në gjykatë ishte edhe Kurti.

Lidhur me këtë ka reaguar deputeti Avdullah Hoti i cili ka thënë se Kurti paraqitet pa asnjë problem duke u viktimizuar në seanca për një rast të dyshuar kërcënimi ndaj tij.

Por, ka theksuar deputeti i LDK-së, Kurti s’paraqitet kur ftohet nga organet e drejtësisë për të dëshmuar në një rast të dyshuar korruptiv.

‘‘Ky nuk është Kryeministri që i duhet Kosovës’’, ka thënë ai.

Postimi:

Zyrën e Kryeministrit e mban në mënyrë joligjore. Për këtë ekziston aktgjykimi i organit më të lartë të drejtësisë – Gjykatës Supreme, e cila qartësisht konstaton se anëtarët e Qeverisë në detyrë që mbajnë njëkohësisht edhe pozitën e deputetit janë në shkelje ligjore.

Kur ftohet nga organet e drejtësisë për të dëshmuar në një rast të dyshuar korruptiv, ai nuk paraqitet. Në vend të kësaj, i fyen dhe i përçmon zyrtarët e drejtësisë, duke e diskredituar shtetin në sytë e qytetarëve dhe të aleatëve.

Por, kur organet e drejtësisë e thërrasin për një rast të dyshuar kërcënimi ndaj tij, ai paraqitet aty pa asnjë problem, duke u viktimizuar.

Ky nuk është Kryeministri që i duhet Kosovës.