Dy të arrestuar në aksionin policor, dyshohen për këto vepra

Policia e Kosovës, respektivisht hetuesit nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, pas zhvillimit të veprimeve hetimore me urdhër të Prokurorisë Speciale, kanë arrestuar B.M dhe Q.M, nën dyshimet për kryerjen e veprave penale “fajde”, “shpërlarje e
parave”, “kanosje” , “falsifikim i dokumenteve” dhe “mashtrim”.

Hetuesit policorë me autorizim të Prokurorisë Speciale, sot kanë zbatuar urdhër kontrollin e lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, në katër lokacione, shtëpi, banesa, biznese dhe objekte përcjellëse të personave të dyshuar, me ç’rast janë gjetur dhe sekuestruar dëshmi materiale, të cilat do të përdoren në procedurën penale ndaj të dyshuarve.

Pas intervistimit, me vendim të prokurorit nga Prokuroria Speciale, dy të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë.

“Policia e Kosovës, në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorinë Speciale, mbetet e përkushtuar që në vazhdimësi të trajtojë informacionet dhe dyshimet me profesionalizëm, në mënyrë që të gjithë kryesit e veprave penale të vihen para përgjegjësisë ligjore”, thuhet në njoftimin e policisë.

Policia e Kosovës ka një paralajmërim për qytetarët

Policia e Kosovës ka paralajmëruar qytetarët dhe bizneset të tregojnë kujdes të shtuar ndaj rasteve të mashtrimit që po kryhen ditëve të fundit në emër të ndihmës financiare.

Sipas njoftimit thuhet se “është konstatuar se persona të panjohur, për momentin, i kontaktojnë qytetarët përmes telefonit, duke përdorur aplikacione si Viber, WhatsApp etj., me numra telefonikë nga shtete fqinje (Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi), dhe kërkojnë ndihmë financiare në emër të personave të tretë. Ata udhëzojnë që mjetet financiare të dërgohen përmes filialeve të Western Union, MoneyGram dhe të ngjashëm”.

Më vonë, viktimat kuptojnë se mjetet nuk janë përdorur për ndihmë, por për përfitime personale të individëve të dyshuar.

Policia ka theksuar se këto raste përbëjnë skema mashtruese dhe ka apeluar që qytetarët të mos bien pre e kërkesave të tilla, si dhe të raportojnë menjëherë çdo rast të dyshimtë.

“Bazuar në këto rrethana, u bëhet apel qytetarëve dhe bizneseve që të tregojnë kujdes të shtuar ndaj kërkesave të tilla, pasi hetimet e deritanishme kanë konstatuar se bëhet fjalë për skema mashtruese me qëllim përfitimi personal”.

“Deputetë të ish-opozitës pritet të votojnë Kurtin për kryeministër”

Lëvizja Vetëvendosje e cila të dielën e voton, kryetarin e saj Albin Kurti si mandatar për kryeministër thotë se e ka seriozisht formimin e Qeverisë së re.

Deputeti i kësaj partie, Artan Abrashi tha për RTV21 se besojnë se i kanë numrat për Qeverinë re dhe se sipas tij, kusht i vetëm që vendi të ketë një qeveri dhe një stabilitet politik është votimit i Kurtit në krye të saj.

“Se a kemi përnjëmend këtë pune konsideroj se të vetmin që e kemi përnjëmend këtë punë është LVV-ja. E vetmja qeveri qe i duhet aktualisht Kosovës është një Qeveri e LVV-së. Vazhdojmë me qenë subjekti i parë dhe më i fuqishëm në vend dhe kusht i vetëm për me pas një qeveri dhe një stabilitet politik është votimit i kryeministrit Albin Kurti në krye të saj dhe çfarëdo votimi tjetër jashtë LVV-së është përfshirje e Beogradit direkt në punë të brendshme të Kosovës dhe bërje hisedarë të Serbisë në çështje të brendshme të Kosovës.  Ne besojmë se i kemi numrat,  synojmë me kriju qeverinë me të gjithë ata që janë të interesuar për me pas një stabilitet Kosova. Jemi në diskutim me deputetë të ndryshme me subjekte të ndryshme politike dhe besoj së fund do ta kemi një qeveri. Po patjetër që po, Nisma e ka ofertën tonë dhe me Nismën diskutojmë por edhe me të tjerët. Nëse arrijmë me gjet një gjuhë të përbashkët ne jemi të gatshëm të shkojmë tutje”, tha Abrashi për RTV21,

Abrashi bëri të ditur se përveç me Nismën Socialdemokrate janë në diskutim edhe me deputetë të partive të tjera  ish-opozitare por nuk përmendi emra.

“Nuk mund të veçoj emra të veçantë të deputetëve por do të ketë diskutime edhe me deputetë të caktuar të cilët tashmë e kanë parw se qëndrimi bllokues i partive të tyre s’çon askund dhe kanw nisur të rrefkëtojnë. Uroj që ky reflektim i tyre manifestohet edhe me votë për qeverinë Kurti”, tha Abrashi për RTV21,

Abrashi tutje shtoi se nuk ka asnjë pengesë për vazhdim të fazës për formimin e Qeverisë, pas zgjedhjes së kryeparlamentarit dhe shumicës së anëtarëve të kryesisë së Kuvendit.

I pyetur nëse Gjykata kushtetues vendosë në favor të kërkesës së Listës Serbe dhe konstaton se nuk ka konstitutim të Kuvendit, dhe vendimi do të publikohej  pas votimit të mandatarit nga LVV-ja, Abrashi tha se “atëherë Gjykatat Kushtetuese do ta bënte hisedarë Listën Serbe në Kosovë. Gjykata Kushtuese  do të shkaktonte një precedent të rrezikshëm që në të ardhëm kush e di se si do rrefkëtojë në vetë mirëqenin e shtetit të Kosovës. Uroj që kjo të mos ndodh”, tha Abrashi.

Nxënësi kosovar sulmon mësuesen me thikë në Gjermani, ndodhet në gjendje kritike

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në Essen, Gjermani, ku një nxënës me prejardhje kosovare dyshohet se ka sulmuar me thikë mësuesen e tij në një shkollë profesionale.

Viktima u godit në bark dhe ndodhet në gjendje kritike, duke iu nënshtruar një operacioni urgjent.

Pas sulmit, i riu është arratisur dhe policia gjermane ka nisur një operacion të madh me forca speciale dhe helikopter për kapjen e tij.

Autoritetet kanë bërë apel që qytetarët të shmangin zonën e ngjarjes derisa të sigurohet situata

FOTO NGA BILD

Detaje të reja nga aksioni i madh Prokurori-Polici

Lidhur me aksionin e madh Prokurori-Polici që po zhvillohet në disa komuna të vendit, detaje për Klankosova.tv dha zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi.

Ai thotë se përveç Prokurorisë, Policisë dhe institucioneve të tjera, në terren kanë dalë kryeprokurorja dhe nëntë prokurorë të shtetit.

“Prokuroria Themelore në Pejë, bashkë me Policinë e Kosovës dhe me institucione të tjera, është duke zhvilluar aksion në disa lokacione të disa komunave të cilat janë nën juridiksionin e Prokurorisë Themelore të Pejës. Përveç njësive relevante, janë të angazhuar edhe nëntë prokurorë të shtetit dhe kryeprokurorja”, tha Nikçi.

I njëjti nuk dha informacione shtesë, pasi sipas tij, aksioni është në zhvillim e sipër.

Edi Rama pa pardon: Shqipet nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Kosova ndotësit më të mëdhenj të pikave turistike

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, sot ka prezantuar Strategjinë për Zhvillimin e Sektorit të Turizmit.

“Ajo që vlen të theksohet është rritja e madhe nga Franca, Gjermania apo rritja nga Kina, India, Brazili apo Australia, Turqia ose Izraeli”, tha ai.

Rama deklaroi se rritja në numër e turistëve nuk është më prioriteti, por rritja e cilësisë dhe rritja e vizitorëve që konsumojnë më shumë në Shqipëri. Vuri theksin te udhërrëfyesit turistikë të certifikuar që sot janë 1 mijë, strukturat akomoduese e deri te sistemi i administrimit të plazheve.

“Kemi pasur zero ngjarje të rënda kriminale apo kemi pasur afro 70 mijë vizita në qendrat shëndetësore.”

Njoftoi se shumë shpejt qeveria do ketë gati planin për bregdetin dhe se Ksamili e Dhërmiu do jenë nën kontrollin e bashkive.

Plazh i dhunuar, kështu e cilësoi atë të Ksamilit.

“Është ndër më të bukurit në botë, dhe nuk mund të jetë më pre e injorantëve që e shohin si tokë për t’u pushtuar dhe për t’u sjellë me turistët si të ishin skllevër që mund të hanë edhe shkopin e çadrës në kokë. Ne duhet të shërojmë plazhet e dhunuara, t’ua heqim nga dora privatëve. Nuk ka arsye që Ksamili të jetë një plazh privat, me çmime marramendëse dhe shërbime mizerabël”, deklaroi kreu i qeverisë.

“Kanë vënë beach bar që çmendën Himarën! Shezlongë ku rrezikon të të penetrojë gozhda e ndryshkur”, shtoi më tej.

Tha se duhet vijuar me ridimensionimin e plazheve publike, duke marrë shembull Lezhën si qyteti me plazhet më të pastra në vend.

“Nuk duhet të ketë vetëm rërë, por edhe shërbim!”, tha kryeministri.

Mbetjet në plazhe

Ashtu sikur dje, 3 shtator, vijoi me ironizimet për shqiptarët që “shkarkojnë plehrat në pikat më panoramike të Shqipërisë”.

“Kemi një transformim rrënjësor në heqjen e mbeturinave. Megjithatë sikur gjithë ushtria popullore të ngrihet për të pastruar nuk bëhet, nëse paralelisht ke nga ata që hedhin plehrat! Shqipfolësit!”

“Janë ulëritësit më të mëdhenj të stadiumit kombëtar, që thyejnë karriget në stadium dhe i kthejnë ndeshjet në luftë”, tha ai për ata që i konsideron ndotës të Shqipërisë.

Pastrimi i mbetjeve, nënvizoi ai, do të kryhet në nivel kombëtar.

Do ndalohet muzika

“Zhurma, tallavaja e beach bar-eve, që janë vendosur për të stresuar dynjanë. Zona të tëra banuara ku 99.9% e pushuesve nuk janë prezentë, duhet të vuajnë muzikën në kupë të qiellit. Ne do ndalojmë muzikën dhe do ulet dhe numri i beach bareve. Se u habitëm fare, nga beach bari në beach bar!”, deklaroi Rama.

Sipas kryeministrit, edhe turistët japonezë “morën malin prej zhurmës“.

“Ikën japonezët u qetësuan në Theth”, tha ai.

Fustani i gjelbërt

Rama premtoi gjelbërimin total të Shqipërisë.

“Në të gjitha pjesët ku e kemi shqepur dhe bërë copë-copë duke harruar që bukuria dhe hiret e Shqipërisë janë aseti më i madh që nuk ka kopje kolone në hotele që mund ta konkurrojë. Luksi i Shqipërisë është bukuria e vet, tradita e vet. Duke e kthyer natyrën në aset për të rritur çmimin. Do e shohim që nga rrugët kombëtare. Nga krijimi i fidanishteve në tokat buzë rrugëve ku faktikisht nuk ka ndërtim apo prodhim te futja e natyrës në qytet, hapësira publike do ketë më shumë natyrë edhe në qytet.”

Reformim të policisë bashkiake

Deklaroi se çdo punonjës i Policisë bashkiake do i nënshtrohet procedurave sipas standardeve dhe kritere të certifikuara nga Akademia e Sigurisë apo Universiteti.

“Janë bërë vende qokash të tmerrshme. Nuk do vazhdojë kështu!” /tvklan.al

Kajtazi: Kolektivisht kena lujt, ky popull ia çon gishtin Amerikës – një frymë anti-perëndimore që e solli Kurti

Gazetari e komentatori politik s’kurseu asgjë në debat dhe situatën në vend e sheh fort të keqe pas zhvillimeve në Kuvend dhe një degradim të qëllimshëm shoqëror, transmeton Gazeta Metro.


Propozimi dhe votimi i Dimal Bashës si kryeparlamentar është një sinjal i këtij degradimi të vlerave nga një frymë anti-perëndimore për të cilën e fajëson liderin e VEtëvendosjes Kajtazi të enjten në Rubikon të televizionit Klan Kosova.

“Secili popull e ka nga një sahat çmendurie, me gjasë na e kemi tash. Kolektivisht kemi lujtun dhe kolektivisht jemi mbledhur sot rreth një të çmenduri në pushtet” siç e cilësoi Kurtin për të cilin shtoi se ka tiparet e një njeriu asocial dhe pa miq e që se ka problem që s’ka miq.

Ai shtoi tutje se kriza në vend shkon përtej institucioneve dhe është pasojë e qëndrimeve të shtyra të Vetëvendosjes.

“A është ky popull që ia çon gishtin Amerikës?…Po populli është. Është masivisht! Problemi është se kemi frymë antiperëndimore. Këtë frymë që për mua është edhe vehabiste e ka sjellë Albin Kurti. Sot e ka sjellë Kosovën në një personazh siç është Dimal Basha me dorën në xhep”.

Vrasja e të riut – Viktima sapo kishte dalë nga hoteli kur u qëllua me armë zjarri, vrasësi…

Kristian Kola, 34 vjeç, sapo kishte dalë nga hoteli kur u qëllua me armë zjarri.

Pak minuta më parë, ai kishte parkuar makinën përpara lokalit dhe ishte futur brenda për të takuar një mikun e tij. Ata qëndruan vetëm pak minuta dhe sapo dolën së bashku, Kola u vra.

Pranë hotelit ishte ndaluar një motor i zi dhe njëri prej personave ka qëlluar disa herë drejt të riut. Sipas policisë, vrasësi mund të ketë qenë profesionist, pasi nuk ka shkaktuar dëme anësore, edhe pse shumë afër viktimës ndodhej shoku i tij.

Në momentin e ngjarjes, në zonë ka pasur shumë lëvizje dhe policia po merr në pyetje të gjithë kalimtarët dhe disa persona që ishin aty. Gjithashtu po hetohet, pasi dyshohet se autorët kanë pasur një bashkëpunëtor i cili i ka informuar për lëvizjet e të riut.

Policia ka rindërtuar dinamikën e krimit, por ende nuk ka një motiv të qartë. I riu punonte bashkë me babanë, pasi së bashku kishin një firmë ndërtimi.

Skandal në Trepçë, punëtori me tumor përjashtohet nga puna: Më kërcënuan, të gjithë e dinin gjendjen time

Bahri Brahimi, punëtor i Trepçës ka shpërthyer me akuza të rënda ndaj menaxhmentit të ndërmarrjes pas shkëputjes së kontratës së tij, ndonëse, siç thotë, vuan nga tumor dhe nuk ka pasur mundësi të paraqitet në komisionin e punësimit.

Në një rrëfim për Kosova Live në T7, ai tregon se është kërcënuar nga anëtarë të komisionit dhe i është mohuar e drejta e punës, ndërkohë që sipas “dhjetëra persona marrin paga të plota pa shkelur ndonjëherë në vendin e punës”.

Tutje Brahimi tha se: “Gjendjen time shëndetësore e dinë të gjithë punëtorët, menaxhmenti. Por unë u përjashtova nga puna’’

I njejti shtoj de është ndjerë i kërcënuar edhe nga disa prej anëtarëve të Komisionit, të njejtit i përmendi edhe me emra

VIDEO

“Dardanët” me njoftim të rëndësishëm, para ndeshjës me Zvicrën

Kombëtarja e Kosovës sonte nis aventurën e kualifikimeve për Kupën e Botës 2026, ku në Bazel luan ndaj Zvicrës.

Në qytetin “helvetik” kanë udhëtuar shumë tifozë shqiptarë dhe “dardanët” kanë një njoftim zyrtar në lidhje me vendtakimin para ndeshjes, shkruan Indeksonline

“Ju njoftojmë se me rekomandim të forcave të rendit të Zvicerës, do të mblidhemi në “Christoph Merian Park” prej orës 14:00. Ky është lokacioni i ndarë për të qenë pikëtakim për tifozët tanë. Le të jehojnë këngët dhe atmosfera drithërruese për Kombëtaren e atdheut të shënjtë që kemi, për të marshuar të gjithë së bashku më vonë në stadium dhe për të sunduar në tribuna “dardanët” me përkrahje, kurse futbollistët në fushë me rezultat pozitiv”, shkruhet në njoftimin e tifozë-grupit nga Kosova

Kujtojmë se ndeshja mes Zvicrës dhe Kosovës zhvillohet sonte nga ora 20:45 në Bazel.