E fundit! Franco Foda heq nga lista dy lojtarë për ndeshjen ndaj Zvicrës

Trajneri Franco Foda ka dorëzuar listën me 23-lojtarë te UEFA për ndeshjen kundër Zvicrës, që zhvillohet sonte nga ora 20:45.

Dy lojtarë janë larguar nga lista e plotë dhe do ta shikojnë ndeshjen nga tribunat, shkruan Indeksonline

Bëhet fjalë për Florian Haxhën dhe Ron Raçin.

Dy lojtarët nuk do jenë të gatshëm për të luajtur me Kosovën në Bazel. Ky është vendim i trajnerit Franco Foda.

Pjesa tjetër janë të gjithë të gatshëm për ta përfaqësuar ekipin “dardan”.

Rrahje me shufra hekuri në Mitrovicë – 18-vjeçari përfundon në QKUK me fraktura në kokë

Mosmarrëveshjet për motive të ndryshme, e që shpeshherë dalin të jenë banale bëhen mollë sherri e kërcënimeve e përleshjeve mes të rinjve në vendin tonë. Për pasojë, konfliktet jo rrallëherë eskalojnë edhe në rrahje brutale, për çka nevojitet ndërhyrja e Policisë, raporton Gazeta Sinjali.

Një rrahje e tillë është regjistruar mbrëmë në fshatin Kqiq i Madh të Mitrovicës, ku një i mitur ka pësuar lëndime serioze si pasojë e një sulmi brutal.

Sinjali mëson se tre persona kanë shkuar tek shtëpia e viktimës A.D., rreth 18-vjeçar për t’u sqaruar lidhur me një konflikt të ndodhur më 31 gusht. Në vend që çështja të zgjidhej me bisedë, situata ka përfunduar me dhunë fizike.

Të dyshuarit janë identifikuar si J.A., rreth 22-vjeçar, A.A., rreth 20-vjeçar dhe A.A, rreth 18-vjeçar. Sipas hetimeve, ata e kanë sulmuar viktimën me shufra hekuri, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

I mituri fillimisht ka marrë tretman mjekësor në spitalin e Mitrovicës, por për shkak të frakturave të konstatuara në kokë është transferuar në QKUK – Prishtinë, në repartin e Neurologjisë.

Njësia e hetimeve ka intervistuar të dyshuarit dhe me urdhër të Prokurorit kujdestar, dy prej tyre janë dërguar në qendrën e mbajtjes për 48 orë, ndërsa i mituri është liruar në procedurë të rregullt.

Rasti është iniciuar si “Lëndim i rëndë trupor” dhe po hetohet nga Policia.

Aksion i madh nga Policia dhe Prokuroria në disa komuna

Sot në 5 komuna pritet të zhvillohet një aksion i përmasave të gjera.

Njësitet policore, së bashku me prokurorët dhe inspektorët, do të jenë pjesë e këtij aksioni, i cili do të realizohet në mbi 10 lokacione të ndryshme, raporton Klan Kosova.

Në aksion do të përfshihen gjithsej 9 prokurorë, ndërsa vepra penale për të cilën bëhet fjalë nuk është bërë ende e ditur nga autoritetet.

Uk Lushi: Presidenti Hashim Thaçi ka qenë dhe është nën rrezik të ekzekutohet

Ish-eprori i UÇK-së, Uk Lushi, i cili jeton dhe vepron në Amerikë, ka reaguar pas raportimeve se një prokuror i Hagës ka kërcënuar fizikisht Thaçin dhe krerët e tjerë të UÇK-së që gjenden në paraburgim në Hagë.

Ai e ka kritikuar heshtjen e shtetit të Kosovës ndaj këtij rasti.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se ish presidenti ka qenë dhe është nën rrezik të ekzekutohet kurse Kosova hesht.

Sipas tij, ndaj këtij rasti është dashur të reagojnë presidentja, kryeministri dhe institucionet tjera.

“Hashim Thaçi është kërcënuar, mbase edhe me jetë, në paraburgimin ku po mbahet peng politik, bashkë me të tjerë. Ja ku e keni e zeza në të bardhë dhe shteti i Kosovës hesht. Presidenti ka qenë dhe është nën rrezik të ekzekutohet kurse Kosova hesht!! Pse keni shtet?!!! Ku është shteti? Kryeministri, Presidentja, Kuvendi? Ku janë PDK dhe Kryesia e saj? A meritoni miliona euro që merrni në rroga?”, ka shkruar ai.

“Punonte në ndërtim”, kush është i riu i vrarë në Shkodër?

Kristjan Kola është 34-vjeçari i vrarë në një atentat me armë zjarri mbrëmjen e së enjtes në Shkodër.

Euronews Albania raportoi se ngjarja ndodhi në qendër të qytetit, në lagjen Vasil Shanto dhe dyshohet që autorët, të cilët kanë qenë më maska dhe kapuçë, kanë qenë duke pritur shënjestrën e tyre para se ta ekzekutonin nga një distancë e afërt.

Nga të dhënët e para, 34-vjeçari nuk rezulton person problematik dhe punonte në ndërtim bashkë me atin.

“Në një distancë shumë të afërt, kur ka qenë duke dalë nga lokali autorët e kanë qëlluar me armë zjarri pistoletë në gjoks disa herë duke e lënë të vdekur në vend, më pas janë larguar me një motoçikletë për të zhdukur gjurmët. Nga të dhënat që kemi nuk është person me precedentë të mëparshëm penale, ka punuar me të atin në një firmë ndërtimi dhe nuk njihet si person me rekorde kriminale. Në momentin kur ka ndodhur vrasja në lokal ka pasur edhe persona të tjerë, por autorët e kanë monitoruar deri në momentin e ekzekutimit shënjestrën e tyre”.

Arrestohen dy personat e kërkuar nga gjykata

Në dy raste të ndara, policia rajonale e Ferizajt ka arrestuar dy persona të kërkuar nga gjykata.

Fillimisht më 04.09.2025, rreth orës 06:00, policët e stacionit policor në Kaçanik, në fshatin Dubravë, kanë arrestuar personin B. K. (24 vjeç), i cili ishte në kërkim me urdhëresë të Gjykatës Themelore në Ferizaj për 23 ditë burg ose pagesë gjobe prej 460 eurosh.

Pas kryerjes së pagesës është liruar në procedurë të rregullt.

Ndërsa, më 05.09.2025, rreth orës 01:20, gjatë patrullimit në udhëkryqin mes fshatrave Balaj dhe Lloshkobare, policët e stacionit policor në Ferizaj kanë ndaluar për kontroll një veturë.

Gjatë verifikimit është konstatuar se njëri nga pasagjerët, A. E. (29 vjeç), ishte në kërkim me urdhëresë aktive të Gjykatës Themelore në Ferizaj për vuajtje dënimi me burgim prej 10 ditësh.

Pas procedurave të nevojshme është dërguar në vuajtje dënimi.