Ky është 49-vjeçari që humbi jetën në aksidentin tragjik

Gazeta Sinjali raporton se një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur mëngjesin e djeshëm në fshatin Makoc të Prishtinës, ku ka humbur jetën shoferi i një automjeti dhe janë lënduar tre persona të tjerë.

Viktima është identifikuar si Mehdi Krasniqi, rreth 49-vjeçar, i cili po drejtonte një automjet të tipit Opel Corsa, që për shkaqe ende të panjohura ka kaluar në korsinë e kundërt dhe është përplasur me një Range Rover pa targa.

Nga përplasja janë lënduar: L.H., rreth 35-vjeçare, L.H., rreth 8-vjeçar dhe D.H., rreth 4-vjeçar.

Siç mëson Sinjali, rreth orës 14:00, në Emergjencën e QKUK-së është konstatuar se Mehdi Krasniqi ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra.

Me urdhër të Prokurorit kujdestar, trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në IML.

Bashkëpunimi i Haradinajt me CIA-n, Shala: Ka informata për bashkëpunimin e Kurtit me Serbinë

Analisti Azdren Shala ka thënë se Ramush Haradinaj mund të ketë informacion që Albin Kurti punon me Serbinë si rrjedhojë e raporteve të këtij të parit me CIA-n.

“Kjo ndërprerja ose pezullimi ose suspendimi qysh doni me i thanë, i dialogut strategjik, lidhet me një element. Mes tjerash që foli dje James Rubini, tha Ramushi ka qenë [në raporte] me CIA-n”, ka thënë Shala në Rubikon të Klan Kosovës.

“Na Ramushin e shohim duke na tregue, duke na porositë, duke na paralajmëru që Albin Kurti punon për Serbi. Atë që unë e kam analizë edhe analiza ime më  çon te konstatimi i Ramushit, mendoj që ai ka fakte. Ai e ka edhe informacionin”.

“Pse hala s’del me na kallëzu, këtu ia shoh fort për të madhe z. Haradinajt. Është mirë me kallëzu fakte se besoj që ai e din”.

Bosch: Gjykata në Hagë po i shërben Serbisë, jo drejtësisë

Ish ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch foli mbi procesin gjyqësor të mbajtur në Hagë ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Bosch, i cili mbajti një fjalim në protestën e së dielës në Hagë në mbështetje të Thaçit, theksoi se ngritja e kësaj gjykate është perceptuar jo si një përpjekje e sinqertë për drejtësi.

“Unë kam qenë i përfshirë që në 2010-tën, dhe gjatë luftës kemi bërë gjithçka më ndërkombëtarët për të sjellë paqe, kemi pasur negociata në Kosovë edhe kur u bënë zgjedhjet në Serbi dhe jemi përpjekur të zgjedhim rrugën e duhur. Tashmë e dimë që Vuçiç nuk është miku ynë në Europë por i Rusisë dhe Kinës”, tha Bosch, në Euronews Albania.

Sipas tij, Kosova vazhdon të mbajë barrën e përgjegjësisë për marrëveshjen me Serbinë, dhe theksoi se shumë individë përgjegjës për krimet e viteve ’90 sot mbajnë pozita të rëndësishme në Serbi.

“Kosova këtu fajësohet gjithmonë sa i takon marrëveshjes me Serbinë. E gjithë kjo gjykatë ishte pjesë e kësaj marrëveshje, ne krijuam de facto për serbët. Në një raport që nuk besoj se e ka lexuar njeri, ka një pikë të rëndësishme sa i takon krimeve të kryera nga Thaçi supozohet, shkruhet që të gjitha krimet janë kryer nga serbët dhe asnjë serb nuk akuzohet nga kjo gjykatë.

Ka shumë fajtor që mbajnë pozicione të mira ndërkohë që kanë qenë kriminelët kryesorë në vitet 90’. Nuk është një gjykatë objektive por është një gjykatë për ti shërbyer Serbisë”, shtoi ish-ambasadori i Hollandës në Kosovë, Robert Bosch.

E turpshme: Bulliqi kërkon nga Hyseni në studio televizive që ta dëshmojë me foto se e ka vëllain invalid lufte

Kandidati për kryetar të Podujevës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Shpejtim Bulliqi, ka bërë një veprim të turpshëm përgjatë përballjes me Ekrem Hysenin, kandidatin e LDK’së për kryetar në Podujevë.

Bulliqi përgjatë debatimit në studion televizive të RTV 21 të ka kërkuar që t’ia dëshmojë se vëllai i Hysenit është invalid lufte përmes një fotografie, shkruan Insajderi.

Pjesë nga debati:

Ekrem Hyseni: Vëllai im është invalid dhe mashtrimi yt…

Shpejtim Bulliqi: Po çfarë invalidi bre? Ku ka qenë bre invalid?

Ekrem Hyseni: Si ka bre mundësi?

Shpejtim Bulliqi: Ku invalid, çfarë invalidi?

Ekrem Hyseni: Ti je i paftyrë more burrë…

Shpejtim Bulliqi: Invalid në Koliç a? Po leje more këtëfar muhabeti.

Ekrem Hyseni: Është invalid i luftës, është i plagosur si 14-vjeçar.

Shpejtim Bulliqi: Këtë e dëshmon me një fotografi…

 

E rëndë: Rrokulliset me traktor, vdes 45-vjeçari

Një ngjarje tragjike ka ndodhur ditën e djeshme në Carralevë të Shtimës, ku si pasojë e rrokullisjes me traktor, një 45-vjeçar ka humbur jetën.

Rastin për Sinjalin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.

“Ju njoftojmë se më datën 16.09.2025, rreth orës 09:00, Policia në Shtime ka pranuar një informatë për një incident të ndodhur në lagjen ‘Kastrati’ të fshatit Carralevë. Është raportuar për rrokullisjen e një traktori, ku si pasojë ka humbur jetën një person i moshës 45 vjeç. Vdekja e tij është konstatuar nga ekipi mjekësor i Qendrës së Mjekësisë Familjare në Shtime. Njësitë policore menjëherë kanë dalë në vendngjarje dhe kanë nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e rastit. Për të gjitha veprimet policore është njoftuar prokurori i shtetit, i cili ka urdhëruar që trupi i pajetë të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion”, tha Veseli.