Policët e larguar se u tallën me Dimal Bashën kthehen në punë, avokatja jep detaje

Policia ka marrë vendim që rreshteri Sami Hoti dhe tre policë të tjerë të kthehen në detyrat e tyre, pasi është vlerësuar se nuk ka pasur shkelje disiplinore.

Avokatja e Sami Hotit, Arbenita Zija Aliu, tha se se ky vendim dëshmon një qasje të drejtë dhe profesionale nga institucionet.

“Rreshteri Sami Hoti së bashku me tre policët e tjerë, para pak minutash u kthyen në detyrat policore, Policia e Kosovës ka vlerësuar se në rastin e Sami Hotit nuk ka pasur shkelje disiplinore dhe ka vendosur që ta kthejë atë në detyrën ku ka qenë. Ky vendim dëshmon një qasje të matur dhe të drejtë, duke e trajtuar këtë rast me vlerësim profesional dhe kredibilitet institucional. Sami Hoti e ka dëshmuar dinjitetin e tij jo vetëm gjatë luftës, por edhe më pas, nën uniformën policore në aksione të shumta ku ka shërbyer me përkushtim për vendin. Edhe gjatë kësaj periudhe të suspendimit, ai ka treguar qetësi dhe integritet, duke e konfirmuar edhe një herë karakterin e tij të palëkundur si polic dhe si qytetar, andaj si përfaqësuese e tij kam thirrë për reflektim bazuar në dispozitat konkrete të Aktit administrativ si dhe Ligjit për policinë”, shkroi ajo.

Sipas raportimeve arsyeja e suspendimit të zyrtarëve policor është bërë për shkak se ata në një grup të mbyllur në viber kanë bërë shaka me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha.

E rëndë: Vdes 57-vjeçari nga Kosova në Mal të Zi

Një shtetas i Kosovës, me inicialet A.M i moshës 57-vjeçare ka vdekur në një aksident trafiku në qytetin Bezdan, në rrugën Podgoricë – Kolashin, raporton mediumi “Vijesti”.

A.M kishte qenë duke drejtuar një kamion rimorkimi me targa të Kosovës duke përfunduar tragjikisht në lumin Moraça mbrëmë.

Trupi i tij, siç raporton “Vijesti”, është nxjerrë sot.

“Sipas urdhrit të prokurorit, trupi është dërguar në Departamentin e Patologjisë të Qendrës Klinike për autopsi. Shkaku i aksidentit do të përcaktohet gjatë hetimit”, ka thënë për “Vijesti” Maja Scepanovic, drejtuese e Zyrës së Prokurorit Themelor të Shtetit në Kolashin.

Mbrëmë rreth orës 22:00, në policinë e Malit të Zi ishte raportuar se kishte ndodhur një aksident midis tuneleve 11 dhe 12 në Platia. Ekipet e shërbimeve kompetente shkuan në terren, por më pas nuk arritën ta nxirrnin kamionin e rimorkimit për shkak të kushteve të natës.

“I ka godit me qëllim”, tragjedia në Viti, flet babai i viktimës: Unë i kam parë videot

Një ngjarje e rëndë kishte ndodhur mbrëmjen e 8 shtatorit në Viti kur një veturë përfundoi mbi disa të rinj që po qëndronin pranë një parku.

Nga ky aksident, 20-vjeçari Auron Ferizi humbi jetën si pasojë e plagëve të rënda, ndërsa katër të tjerë ende po trajtohen.

Në Kosova Live, babai i të ndjerit rrëfeu dhimbjen dhe dyshimet e tij për mënyrën se si ndodhi tragjedia.

Sipas tij, nga ajo çfarë kishte parë nga disa materiale (video) që i janë ofruar, ai pretendon se sulmi me veturë ishte i qëllimshëm.

“E kam pa videon. I ka goditë me qëllim. Ndoshta ka pasë telashe me njërin prej tyre, jo me djalin tem”, tha ai.

Ky është ambasadori i ri i Gjermanisë në Kosovë

Rainer Rudolph është emëruar ambasador i ri i Gjermanisë në Kosovë.

Me një përvojë të thellë në diplomaci dhe politikën evropiane, Rudolph vjen në Prishtinë nga pozita aktuale si Nënkryetar i Konferencës së Sigurisë së Mynihut, të cilën e mban që nga viti 2023.

Diplomati gjerman ka mbajtur pozita të larta në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë dhe në institucionet e Bashkimit Evropian. Ai ka shërbyer më herët si Zëvendës Shef i Misionit në Ambasadën Gjermane në Vjenë dhe si shef i Divizionit në Kancelarinë Federale Gjermane për çështjet e BE-së, zgjerimin dhe marrëdhëniet e jashtme të Unionit (2014–2019).

Për pozitën e tij si ambasador i ri i Gjermanisë në Kosovë, ka konfirmuar Ambasada Gjermane në Prishtinë për Radio Kosovën.

Rudolph ka përfaqësuar Gjermaninë edhe në ambasadat në Varshavë dhe Uashington D.C., si dhe në Përfaqësinë e Përhershme pranë BE-së në Bruksel. Ai është gjithashtu anëtar i asociuar në Këshillin Gjerman për Marrëdhëniet me Jashtë (DGAP).

Emërimi i tij në Prishtinë shihet si vazhdim i angazhimit të Gjermanisë për të mbështetur fuqishëm rrugën evropiane të Kosovës dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Isha me bashkëshorten…”, zbulohet dëshmia e deputetit, që i vendosën tritol tek banesa

Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur gjatë orës 00:55 në Kamëz, ku është vënë tritol në banesën e deputetit të Partisë Demokratike, Xhelal Mziu.

Shpërthimi solli vetëm dëme materiale, fatmirësisht nuk pati të lënduar. Lënda e vendosur ka qenë rreth 50 gram artizanale.

Sipas asaj që raportohet, demokrati Mziu, para hetuesve ka deklaruar se nuk ka konflikte dhe nuk e di se kush mund të jetë autori/autorët e kësaj ngjarjeje.

“Isha me bashkëshorten në banesë në momentin e ngjarjes. Nuk kam konflikte me njeri, nuk e di se kush mund të jetë autori/autorët e kësaj ngjarjeje“, ka dëshmuar Mziu, raporton Top Channel.

Këto janë vendimet që u morën në mbledhjen e qeverisë

Qeveria e Kosovës në detyrë ka mbajtur mbledhjen e saj të radhës, të 269-të me radhë. Në këtë mbledhje janë marrë disa vendime nga ana e kabinetit qeveritar.

Këto janë vendimet e marra:

Miratuar vendimin për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme, të cilat preken nga realizimi i “Projektit për zgjerimin e mihjes sipërfaqësore, për eksploatim të thëngjillit për prodhim të energjisë  elektrike për nevoja të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) SH. A.” Me miratimin e këtij vendimi, KEK-u do të zgjerojë hapësirat eksploatuese për zgjerim të kapaciteteve të prodhimit të energjisë.

– Miratuar vendimin për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim për interes publik, të pronës së paluajtshme ish-shoqërore, që administrohet nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), Z. K. Beroc II, Komuna Shterpcë, për nevoja të institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës.

– Miratuar vendimin për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme ish-shoqërore, që menaxhohen dhe administrohen nga AKP-ja, shpronësimi i të cilave është i nevojshëm për realizimin e projektit “Ndërtimi i Qendrës për Sport dhe Kulturë” në Komunën e Ferizajt. Krijimi i këtyre hapësirave ofron mundësi për zhvillim të talenteve, cilësi të jetesës e shëndetit dhe rritje të komunitetit.

-Miratuar vendimin për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme ish-shoqërore, të menaxhuara dhe të administruara nga AKP-ja, të cilat janë të nevojshme për realizimin e projekteve të Komunës së Gjakovës si në vijim: Ndërtimi i Fushës së Futbollit në Lagjen Dardania, Ndërtimi i Fushës së Futbollit dhe hapësirave rekreative për fshatin Trakaniq dhe fshatrave rreth zonës Trakaniq dhe administrimi i objektit të ish Bankos-it për nevoja të administratës së Komunës së Gjakovës.

– Miratuar vendimin për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim për interes publik të pronës së paluajtshme ish-shoqërore KBI “Progres”, që menaxhohet dhe administrohet nga AKP-ja, për realizimin e projektit “Objekte Edukativo-Arsimore dhe Sportive” në Dushanovë, Komuna e Prizrenit.

– Miratuar vendimin për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme ish-shoqërore të N. Sh. Industrisë së Mobilieve “Përparimi”, si dhe të atyre private, për nevoja të institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës.

– Miratuar vendimin për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës së KOSTT-it (Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut Sh.A), për shpronësim dhe krijimin e të drejtës së servitutit për interes publik të pronave të paluajtshme të pronarëve dhe zotëruesve të interesit, të cilat preken nga realizimi i Projektit “Linja ajrore 110kV, Parku me Erë – Zatriqi”. Ky projekt kontribuon në zhvillimin e energjisë së ripërtëritshme në Kosovë.

– Miratuar vendimin për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për interes publik të pronave të paluajtshme ish-shoqërore për nevoja të Agjencisë së Shërbimeve të Navigacionit Ajror: Z. K. Vrellë e Goleshit dhe Mirenë, Komuna e Lipjanit; Z K. Zatriq, Komuna e Rahovecit; Z. K. Mramor, Komuna e Prishtinës dhe Z K. Bajgorë, Komuna e Mitrovicës.

– Miratuar vendimin për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për interes publik të pronave të paluajtshme, të cilat preken nga realizimi i Projektit “Rehabilitimi, Zgjerimi dhe Asfaltimi i Rrugës Nacionale R-118, Segmenti brenda Fshatit Mushtisht”, Komuna e Suharekës. Ky vendim hap rrugën për rehabilitimin dhe zgjerimin e kësaj rruge, duke përmirësuar infrastrukturën dhe lidhjet në komunën e Suharekës me atë të Shtërpcës, për zhvillim më të shpejtë dhe të qëndrueshëm

– Miratuar vendimin për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për interes publik të pronave të paluajtshme, të cilat preken nga realizimi i Projektit “Ndërtimi i Rrugës Korishë – Kabash – Lidhja me Rrugën Rajonale R118”.

– Miratuar vendimin Përfundimtar për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme, të cilat preken nga realizimi i Projektit “Ndërtimi i Ndërtesave të Banimit të Përballueshëm dhe Social” për Komunën e Podujevës.  Podujeva është një nga 13 komunat që ka aplikuar për zbatim të këtij projekti. Me këtë vendim të sotëm finalizohet procesi i shpronësimit për ndërtimin e gjithsej 131 njësive të banimit atje, prej tyre 106 për Banim të Përballueshëm dhe 27 për Banim Social. Ky është një investim i madh në vlerë prej 13.6 milionë eurosh, e ku punimet po vijojnë.

– Miratuar vendimin Përfundimtar për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme, të cilat preken nga realizimi i Projektit: “FLLOËS” i financuar nga Banka Botërore dhe Ndërmarrja Rajonale për Ujësjellës “Hidromorava” Sh. A., ZK. Perlepnicë,  Komuna e Gjilanit. Në vlerë prej 15 milionë euro, ky projekt është tejet i rëndësishëm për qytetarët e Komunës së Gjilanit duke garantuar furnizim të qëndrueshëm me ujë për qytetarët e asaj komune.

– Miratuar vendimin Përfundimtar për shpronësim për interes publik të pronave  të paluajtshme, të cilat preken nga realizimi i Projektit “Ndërtimi i Rrugës Rajonale R-118 Mushtisht – Shtërpcë”. Ky projekt lidh bjeshkët e Mushtishtit dhe Brezovicës. Përmes ndërtimit të kësaj rruge moderne do të lehtësohet qasja dhe do të promovojmë eko-turizmin, zhvillimin ekonomik dhe ruajtjen e mjedisit

– Miratuar vendimin Përfundimtar për shpronësim për interes publik të pronave  të paluajtshme, të cilat preken nga realizimi i Projektit “Ndërtimi i Qarkores së Jashtme të Qytetit të Gjilanit dhe Kyçja e Rrugës Nacionale N25.2 dhe N25.3 deri te Autoudha R7.1”. Ky vendim përfundimtar mundëson ndërtimin e Qarkores së Jashtme të Gjilanit dhe lidhjen e saj me rrugët kryesore, duke përmirësuar infrastrukturën dhe qasjen në këtë qytet, për një zhvillim të qëndrueshëm dhe rritje të mundësive ekonomike.

– Miratuar vendimin Preliminar për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme të cilat preken nga realizimi i projektit “Qarkorja e Vjetër e Qytetit të Gjilanit Llot 1 dhe Llot 2, Zonat Kadastrale Shillovë, Livoç i Ulët dhe Gjilan”, Komuna e Gjilanit.

– Miratuar kërkesën e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit për transferimin e mjeteve buxhetore  në shumë prej dy milionë e dyzet e njëmijë euro (2,041,000 €), deri nën 25% të ndarjes së ndikuar negativisht për vitin 2025, për subvencionimin e blerjes së teksteve dhe materialeve mësimore për vitin shkollor 2025/2026.

– Miratuar vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit të Qeverisë Nr. 01/ 64, datë 25.12.2022, lidhur me zbatimin nga Republika e Kosovës të pakove 15, 16, 17 dhe 18 të sanksioneve të Këshillit të Bashkimit Evropian, si dhe të masave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për vendosjen e sanksioneve ndaj Federatës Ruse dhe Bjellorusisë,  në lidhje me situatën në Ukrainë.

– Themeluar Komisionin e Ankesave për të Huajt. Ky Komision është masë e nevojshme për të garantuar trajtim të drejtë, të paanshëm dhe profesional të çdo ankese, duke rritur besueshmërinë dhe efikasitetin e institucioneve publike në trajtimin e çështjeve të të huajve në Republikën e Kosovës.

– Ndarë 3 milionë euro (3,000,000.00 €) për zbatimin e Masës 5 — Investimi në infrastrukturë dhe ambient të Pakos së Ringjalljes Ekonomike.  Mjete të cilat do të përdoren për realizimin e projektit për Rehabilitimin e Rrugëve Rajonale.

– Aprovuar bartjen e mjeteve të pashpenzuara nga viti 2024 në vitin 2025 të fondeve nga nënprogrami “Kontigjenca për Energji”, në shumë prej 904,265.48 €.

– Ndarë 904,265.48€ për zbatimin e masave 4 dhe 5 të Planit të Veprimit për zbutjen e ndikimit të menjëhershëm socio-ekonomik të krizës energjetike, në kuadër të Masës 3.7 – Mbështetje në tejkalimin e krizës energjetike të Pakos së Ringjalljes Ekonomike.

– Ndarë mjete buxhetore në vlerë prej 147,300 euro për mbështetjen e pesë aktiviteteve të rëndësishme që kontribuojnë në zhvillimin ekonomik dhe reputacionin ndërkombëtar të Kosovës.

Dëshmitë e ish-zyrtarëve amerikanë në Hagë, vjen veprimi i papritur nga Kurti

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, nuk ka pranuar të përgjigjet në lidhje me procesin e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë që po bëhet ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Ai i pyetur nga gazetarët nuk është deklaruar as për dëshminë e ish-zyrtarëve amerikanë si dëshmitarë të mbrojtjes së ish-presidentit Hashim Thaçi.

Kurti, këtë pyetje e mori pas përurimit të shtatorës së heroit të kombit Afrim Zhitia në Podujevë.

Pas sanksioneve të ShBA-ve, Murati sfidon: Do të dëshmohet se kemi pasur të drejtë

Hekuran Murati ka folur për njoftimin e ShBA-ve për pezullimin e planifikimit për Dialog Strategjik me Kosovën.

Në një konferencë për shtyp të premten, ministri në detyrë i Financave tha se bashkëpunimi me Uashingtonin vazhdon të jetë i mirë.

“Siç edhe e dëgjuat, kryeministri tha se bëhet fjalë për pezullim të procesit për dialogun strategjik, e jo domosdo dialogun si proces në vetëvete. Pra, procesi deri aty, i cili pastaj shqyrton çështje të ndryshme sa i përket bashkëpunhimit ekonomik, në fushën e mbrojtjes etj..”, tha ai.

“Ne mund të kemi dallime, por raportet vazhdojnë, siç vazhdojnë edhe takimet. Sa i përket takimeve, nuk mund të ndaj detaje sepse nuk marrë pjesë në çdo takim”, tha Murati.

Murati tha se Kosova vazhdon të ketë bashkëpunim të mirë me ShBA-të dhe përmendi heqjen e taksës prej 10% ndaj produkteve amerikane.

Duke mos treguar asnjë shenjë pendese ndaj veprimeve të qeverisë në detyrë, Murati tha se beson që në fund do të dal se qeveria ka pasur të drejtë.

“Kjo është situata dhe po besoj që përgjatë bisedave, përgjatë diskutimit.. por edhe siç është dëshmuar tash e sa kohë që veprimet tona, shpeshherë edhe kur janë kritikuar, në fund ka dal se kanë qenë të drejta dhe rezultati ka qenë pozitiv dhe besojmë që edhe në këtë proces në vazhdimësi do të dëshmohet që kemi pasur të drejtë si qeveri”, tha ai.

Zhvillimet e fundit në Hagë – Kush po e ‘paralajmëron’ arrestimin e Kurtit?

Në dritën e zhvillimeve të fundit në Gjykatën Speciale në Hagë dhe dëshmive që po dalin në sipërfaqe, reagimet publike nuk kanë munguar — e në mesin e tyre, ai i Shkëlzen Gashit ka marrë vëmendje të veçantë për tonin ironik krahas deklaratave të fundit.

Gashi përmes një postimi në Facebook ironizoi “hierarkinë” e zyrës së UÇK-së në Prishtinë dhe ngre pyetje provokuese mbi përgjegjësitë politike dhe morale të disa figurave publike, përfshirë Albin Kurtin.

Ky reagim nuk është vetëm sarkazëm — është një reflektim kritik mbi mënyrën se si historia politike e Kosovës po ripërshkruhet përballë drejtësisë ndërkombëtare, përcjell “Bota sot”.

Shkrimi i plotë

Hierarkia në zyrën e UÇK-së në prishtinë ka qenë pak a shumë kjo:

1. Adem Demaçi

2. Albin Kurti

3. Milot Cakaj

Qysh po shkojnë punët dhe mbasi Adem Demaçi ka dekë, nuk përjashtohet mundësia që Gjykata Speciale me e arrestu Albin Kurtin Ama, lehtë e ka Albini, veç e ndjekë strategjinë hashimiane edhe ju thotë: Milot Cakaj ka qenë kryesori, unë veç kam dalë në televizor

Kjo është furra në Skenderaj që ‘detyroj’ furrtarët të ulin çmimet e bukës dhe burekut

Furrtarët në Skenderaj nuk kanë arritur të kurdisin çmimet, gjë që ka ndikuar që edhe produktet bazë të pësojnë ulje.

Si pasojë, buka që deri më tani shitej në shumicën e furrave në Skenderaj dhe fshatra me 60 cent, tani kushton 50 cent, ndërsa çmimi i burekut ka rënë nga 1.50 euro në 1.20 euro, shkruan rajoni.org.

Vlen të kujtohet se në kohën kur ishte bërë rritja e çmimeve, furra “Lindi” e njohur si ndër më të frekuentuarat dhe më të famshmet në Skenderaj kishte vendosur të mos ndryshonte çmimët.

Në këtë furrë, buka vazhdon të shitet me 50 cent, ndërsa bureku vetëm për 1 euro, duke mbetur kështu më e përballueshme për qytetarët./Rajoni.org/