Peshku me krimba u shit për vite të tëra me lejen e shtetit: Mehmetaj raporton MEGA-skandalin nga Peci

Gazetari i VOX Kosova, Lirim Mehmetaj, ka raportuar për një skandal të përmasave të mëdha korruptive, ku – sipas hulumtimeve të këtij mediumi – rezulton se në tregun kosovar prej vitesh është shitur peshk i ngrirë i kontaminuar me krimba dhe parazitë. Kjo, siç raporton Mehmetaj, ka ndodhur pavarësisht se autoritetet kompetente kishin konstatuar infektimin dhe fillimisht kishin marrë vendim për asgjësim.

Sipas Mehmetajt, dosje voluminoze dokumentesh tregojnë se vendimet janë modifikuar ose anashkaluar, ndërsa produkti ka vijuar të shitet “tash e sa vjet”.

“Prej vitesh, qytetarët e Republikës së Kosovës hanë krimba dhe parazitë të llojeve të ndryshme sa herë blejnë peshk të ngrirë nëpër marketet e Kosovës. Kjo ndodh me lejen e institucioneve të Kosovës – më saktësisht Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës dhe Ministrisë së Bujqësisë. Në një dosje të madhe e voluminoze që ka siguruar VOX Kosova, do të kuptoni se si peshku i infektuar me krimba, që fillimisht u vendos të asgjësohej, nuk u largua fare nga tregu. Madje, vazhdoi të shitet rregullisht tash e sa vjet.

Në dokumentacionin e siguruar nga VOX-i, do të shihni se si Ministri Faton Peci dhe Agjencia e Ushqimit që operon në Ministrinë e tij, përkundër se vetë e konstatuan peshkun e krimbosur, përkundër se vetë morën vendim për asgjësim, përkundër se fituan edhe rastin në Gjykatën Komerciale më pas, të diktuar nga interesa që mbetet t’i hetojë Prokuroria, dolën me një njoftim absurd ku thuhej se ‘Përkundër se shteti në Kosovë po shitet me krimba, vazhdoni ta hani’.” – tha Mehmetaj ndër të tjera.

“Rrëzojini avionët e Moskës”, pas deklaratës së Trump, vjen paralajmërimi nga rusia: Nëse NATO i prek, do përgjigjemi me luftë

Ambasadori rus në Francë, Alexey Meshkov, ka paralajmëruar se rrëzimi i një aeroplani rus nga forcat e NATO-s në hapësirën ajrore të ndonjë vendi aleat do të çojë në luftë.

Deklarata u bë gjatë një interviste me kanalin francez të lajmeve RTL, në një kohë kur tensionet mes Rusisë dhe aleancës perëndimore janë në rritje.

Komentet e Meshkov vijnë pas deklaratave të ish-presidentit amerikan Donald Trump, i cili u shpreh se vendet e NATO-s duhet të rrëzojnë avionët rusë që shkelin hapësirën e tyre ajrore.

“Rrëzimi i një avioni rus do të përbënte një akt lufte, e dini ka shumë aeroplanë të NATO-s që shkelin hapësirën ajrore ruse, me qëllim ose jo, por kjo ndodh mjaft shpesh. Ata nuk qëllohen më pas”, tha ambasadori rus.

Pas deklaratave të ambasadorit, vendet anëtare të NATO-s kanë raportuar një numër incidentesh të ndodhura javët e fundit, ku avionë dhe dronë rusë kanë shkelur hapësirën e tyre ajrore.

Më 10 shtator, Polonia raportoi rrëzimin e të paktën tre dronëve rusë në territorin e saj, ndërsa Rumania konfirmoi fluturimin e një avioni pa pilot rus për afro një orë mbi hapësirën e saj ajrore. Ndërkohë, më 19 shtator, Estonia tha se tre avionë luftarakë MiG-31 të Forcave Ajrore Ruse kishin hyrë në hapësirën ajrore të vendit për 12 minuta.

Moska ka mohuar akuzat, duke i cilësuar si të pabazuara dhe pjesë të një fushate kundër saj. Ambasadori Meshkov përsëriti linjën zyrtare të Kremlinit, duke hedhur poshtë edhe lidhjet me aktivitetet e dyshimta të dronëve të vërejtur në Danimarkë dhe Norvegji në fillim të kësaj jave.

Incidentet e përsëritura në kufijtë lindorë të NATO-s po tensionojnë më tej marrëdhëniet tashmë të acaruar mes Perëndimit dhe Rusisë, sidomos që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës në vitin 2022.

Muajt e fundit, zyrtarë perëndimorë kanë paralajmëruar për një rrezik të përplasjes ushtarake të drejtpërdrejtë me Rusinë në vitet në vijim, veçanërisht nëse lufta në Ukrainë përshkallëzohet ose zgjat më tej.

Çka pritet nga vizita e Kurtit në SHBA?

Të mërkurën në mbrëmjë, kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka udhëtuar për vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në njoftimin e lëshuar nga Qeveria, thuhet se ai do të zhvillojë takime bilaterale me liderë në kuadër të javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

“Gjatë qëndrimit atje, gjithashtu do të takojë pjesëtarë të komunitetit shqiptar në ShBA dhe përfaqësues të shoqatave të diasporës. Përmes pjesëmarrjes në Javën e Nivelit të Lartë dhe takimeve të parapara synohet thellimi i raporteve bilaterale me vende partnere, fuqizimi i mëtejmë i subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit tonë në raport me vendet mosnjohëse dhe prezantimi i mundësive dhe përparësive që Republika e Kosovës ofron për investitorë të huaj”, kanë lajmruar nga Zyra e Kryeministrit.

Profesori universitar, Avdi Smajlaj vlerëson se kjo është mundësi e mirë për vendin të krijojë marrëdhënie edhe me shtetet mos-njohëse.

“Normalisht në takime të tilla ndoshta do duhej punuar edhe për t’i aranzhuar takime të tilla sepse jo çdo herë çdo takim mund të jetë i frytshëm. Sidomos takimet që mund të ndodhin edhe në korridoret e hollet të venidt ku mbahen këto takime ndoshta janë më pak të frytshme krahasuar me takimet që janë të aranzhuara paraprakisht në të cilat Kosova ka një mundësi që ta prezentojë vetveten, t’i prezentojë të arriturat, ambiciet e veta e kështu me radhë”, ka thënë Smajlaj.

Ai shton se kjo vizitë duhet shfrytëzuar për diskutim edhe për pezullimin e dialogut strategjik nga ShBA-ja me Kosovën.

“Nuk është thënë se ka një aranzhim të tillë, megjithatë  në këtë forum të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së marrin pjesë edhe delegacioni i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe këtu kryeministri do duhej ta shfrytëzonte edhe për këtë takim në njëfarë mënyrë që ta shpjegojë pozicionin e shtetit të Kosovës karshi vërejtjeve që i kanë ngritë ShBA-ja për Kosovën dhe shtetin e Kosovës”, është shprehur tutje Smajlaj.

E sipas politologut, Albinot Maloku pezullimi i dialogut strategjik ka zbehur rëndësinë e kësaj vizite të Kurtit.

“Ka pasë shkuarje të krerëve shtetërorë atje me synimin thelbësor që të ketë njohje të reja për Republikën e Kosovës. Unë këtë vizitë gjithsesi nuk mundem me pa në raportin e interesit shtetëror të Republikës së Kosovës sesa në raportin individual e krejtësisht personal të z. Kurti për të ndryshuar një imazh që është për të përveçse fakt të interesit për bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, është shprehur Maloku.

Bashkë me Kurtin, pjesëmarrëse në Asamble pritet të jetë edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani./teve1

Sërish alarm, avionët e NATO-s pikasin pesë avionë luftarakë rusë pranë Danimarkës

Dy avionë luftarakë hungarezë Gripen nga njësia e Policisë Ajrore Baltike e NATO-s u ngritën sot nga Baza Ajrore Siauliai në Lituani në përgjigje të një Su-30, Su-35 dhe tre MiG-31 rus që fluturuan pranë hapësirës ajrore daneze.

Deklarata u bë nga Komanda Ajrore e NATO-s, duke pohuar se 5 avionë luftarakë rusë janë pikasur pranë Danimarkës.

Më herët sot avionë luftarakë amerikanë u ngritën në ajër të mërkurën për të identifikuar dhe monitoruar katër avionë ushtarakë rusë që fluturonin pranë Alaskës.

Komanda e Mbrojtjes Hapësinore e Amerikës së Veriut (NORAD) njoftoi se dy bombardues strategjikë me rreze të gjatë veprimi Tu-95 dhe dy avionë luftarakë Su-35 ishin futur brenda Zonës së Identifikimit të Mbrojtjes Ajrore të Alaskës (ADAZ), një hapësirë ajrore ndërkombëtare afër hapësirës ajrore sovrane të Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë.

Për t’u përgjigjur, NORAD dërgoi në zonë një avion radar dhe kontrolli E-3, së bashku me katër avionë luftarakë F-16 dhe katër avionë tankerë KC-135, me qëllim “identifikimin dhe kapjen pozitive” të avionëve rusë.

NORAD theksoi se aktiviteti i avionëve rusë në ADAZ është i shpeshtë dhe nuk shihet si kërcënim i menjëhershëm, por kjo fluturim i fundit vjen në një seri aktivitetesh që perceptohen si provë e gatishmërisë së forcave amerikane dhe aleatëve të NATO-s për të mbrojtur hapësirën e tyre ajrore.

Pamje EKSKLUZIVE: Momenti kur kërciti dje grushti brenda objektit të Komunës së Prishtinës

Gazeta online Reporteri.net ka siguruar pamje ekskluzive të momentit të përleshjes së ndodhur dje para objektit të Komunës së Prishtinës, pas dështimit të seancës për Buxhetin e vitit të ardhshëm.

Në fragmentin e pamjeve të kamerave të sigurisë që i ka siguruar Reporteri.net zbardhet se si nisi përleshja fizike ku u përfshi edhe kryesuesi i Kuvendit Komunal, Fehmi Kupina.

Gjithçka nis me një diskutim të tensionuar mes Kupinës dhe Gramos Begollit – vëllait të dhëndrit të tij Gent Begolli – me asamblistin e LDK-së, Sami Salihu.

Tensioni përshkallëzohet kur në konfliktin verbal dhe me shtyrjeje përfshihet edhe një person tjetër që dyshohet se është djali i Kryesuesit Kupina, i cili sulmon me grusht në fytyrë asamblistin e LDK-së. Situata agravon në perleshje fizike, dhe tutje edhe vetë Salihu shihet duke u kundërpërgjigjur me grushte.

Sipas raportimeve dje, si pasojë e kësaj përleshje fizike, Fehmi Kupina që drejton listën zgjedhore “Lidhja për Prishtinën”, ka pësuar lëndime dhe është trajtuar në Emergjencë, ndërsa asamblisti Salihu dhe dy të tjerë janë shoqëruar në Policia.

“Sot rreth orës 10:30 është pranuar informata për një rrahje në rrugën “UÇK”, në Prishtinë. Me të marrë informatën policia, ka arritur në vendin e ngjarjes dhe ka shoqëruar 3 persona, të cilët ishin përfshirë në rast. Aktualisht policia po vazhdon punën për zbardhjen e rrethanave dhe motiveve që karakterizojnë ngjarjen”, kishte njoftuar dje zëdhënësi i Policisë për Prishtinën, Enis Pllana.

Përleshja fizike ka ndodhur të mërkurën, menjëherë pas mbylljes së seancës për buxhetin e Komunës së Prishtinës.

Mbetet e paqartë prezenca e Gramos Begollit – ish-konsull i Kosovës në Gjermani, që njëherësh është edhe vëllai i anëtarit të subjektit politik të Fehmi Kupinës, Gent Begolli – dje para hyrjes së objektit të komunës së Prishtinës, ndërkohë që në Kuvendin Komunal po parashihej të zhvillohej seanca për buxhetin e kryeqytetit. Njëjtë sikurse, edhe ajo e personit që shihet në pamjet e siguruara nga gazeta online Reporteri.net duke sulmuar Salihun e LDK-së, e që dyshohet se është djali i Kryesuesit Kupina. /Reporteri.net/

 

Publikohen pamjet e sulmit brenda ambienti të Komunës së Prishtinës – ja si nisi gjithçka

Një incident i paprecedentë u raportua dje te Komuna e Prishtinës, ku u raportuar se kryesuesi i Kuvendit Komunal, Fehmi Kupina, u sulmua me shishe të çelçit.

Autor i sulmit dyshohet të jetë asamblisti i LDK-së, Sami Salihu, ndërsa motivi i incidentit ende nuk është bërë i ditur.

Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prishtinës, Enis Pllana, konfirmoi për Insajderin se rasti ka ndodhur rreth orës 10:30, kur policia ka marrë informacion për një rrahje në rrugën “UÇK” në Prishtinë.

“Me të marrë informatën, policia ka arritur në vendin e ngjarjes dhe ka shoqëruar tre persona të përfshirë në rast”, tha Pllana, duke shtuar se hetimet janë ende në vazhdim.

Më poshtë gjeni pamjet e sulmit të publikuara nga Reporteri:

 

Serbia “goditet” para përballjes me Shqipërinë, konfirmohet edhe mungesa e tretë

Problemet ishin të mëdha edhe përpara këtij lajmi.

Gjithsesi, Serbia duket se po merr goditje njërën pas tjetrës sepse nga Gjermania njoftohet për dëmtimin e një tjetër lojtari të kombëtares së këtij vendi.

Ky është Kosta Nedeljkoviç, mbrojtës i rëndësishëm ekipit, i cili pësoi lëndim gjatë stërvitjes me Leipzigun dhe sipas revistës “Kiker” do të mungojë disa javë.

Koha duket tepër e shkurtër për riaftësim siç e thekson edhe media serbe “Sport Arena”.

Ndeshja Serbi – Shqipëri luhet në 11 tetor, pra mbeten edhe vetëm 16 ditë, që do të thotë pak më shumë se dy javë.

Trajneri Dragan Stojkoviç kishte që më parë dy mungesa të sigurta, dhe kjo për shkak kartonësh, shkruan abcnews.

Kapiteni Milenkovic mori karton të kuq në duelin e humbur me shifrat 5-0 në Beograd ndaj Anglisë, pra nuk mund të luajë, dhe po ashtu i pezulluar është mesfushori që luan në Premierligën angleze me Nottinghamin, Sasha Lukiç.

Vrasja e 51-vjeçarit, dalin detaje të reja, dyshohet se autori dhe viktima kishin lidhje intime me njëri-tjetrin

Zbardhen detaje nga vrasja e 51-vjeçarit, Valbon alias Marko Beqirim nga 24-vjeçari, Teilor Tivari mbrëmjen e djeshme në Durrës.

Burime nga grupi hetimor thanë për TCH se ndryshe nga pretendimi i autorit se viktima tentoi ta përdhunojë ndaj e qëlloi, vrasja dyshohet se ka qenë e paramenduar dhe palët dyshohet se ishin në një lidhje homoseksuale me njëri-tjetrin. Viktima është masakruar nga i riu që rezulton se e ka goditur mbi 20 herë me thikë

Viktima u gjet vetëm me të mbathura. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes rezulton se ai është qëlluar që tek dera nga autori i dyshuar. Më pas ka pasur përleshje mes tyre.

Viktima ka tentuar të mbrohet, ndërkohë që apartamenti është gjetur krejt i mbuluar në gjak, që nga dera kryesore dhe në të gjithë banesën. Viktima u gjet poshtë tavolinës në kuzhinën e apartamentit.

 

 

Gjithçka rezulton se ka ndodhur brenda një harku kohor prej 25 minutash dhe në kamerat e sigurisë është parë dhe hyrja e 24-vjeçarit në pallat.

Si ndodhi krimi?

Viktima merrte nga shkolla djalin e tij dhe një fëmijë tjetër për t’i kthyer në shtëpi, por ditën e djeshme fëmijët kanë qëndruar në pritje të gjatë. Beqiri nuk përgjigjej në telefon dhe as është dukur për të marrë djalin, duke ngritur alarmin.

Pas kërkimeve, e kanë gjetur në apartamentin që kishte në ruajtje. Dera mësohet se është lënë e pambyllur mirë nga autori që është larguar nga vendi i ngjarjes rreth 25-30 minuta pasi ka hyrë në pallat.

Me të konstatuar skenën horror dhe trupin e masakruar, familjari i Valbon Beqirit ka njoftuar policinë e cila më pas ka mundur të zbardhë krimin dhe të arrestojë autorin dhe personin që e ndihmoi për t’u larguar.

Çka mund të vendosë Gjykata Kushtetuese për Kuvendin?

Hedhja ndaras në votim e kandidatëve për nënkryetarë të Kuvendit të Kosovës nga komunitetet pakicë u bë shkas që më 5 shtator Gjykata Kushtetuese e Kosovës të vendoste një masë të përkohshme, duke ua ndaluar deputetëve të ndërmerrnin veprime dhe të zhvillonin ndonjë procedurë për formimin e qeverisë së re të vendit për shkak të dyshimeve për shkelje kushtetuese.

Lista Serbe u ankua në Kushtetuese për veprimin e kreut të ri të Kuvendit, Dimal Basha, i cili, më vonë, do ta shpallte organin ligjvënës të konstituuar, pavarësisht moszgjedhjes së nënkryetarit nga minoriteti serb.

Kushtetuesja tha se masën, që do të jetë në fuqi deri sa ajo të nxjerrë një aktgjykim, e vendosi në mënyrë ex officio, dhe në bazë të kërkesës së deputetëve të partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, duke e arsyetuar me “evitimin e rreziqeve ose dëmeve të pariparueshme”.

Si mund ta gjykojë Kushtetuesja çështjen?

Zahir Çerkini, profesor i së Drejtës Kushtetuese në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë, thotë për Radion Evropa e Lirë se Kushtetuesja është mbështetur gjithmonë në praktikën e konstituimit të Kuvendit.

Ai parasheh se Gjykata do “të konstatojë se shkelja e vetme ka qenë ndarja e votimit të nënkryetarëve, pasi praktika e deritanishme kërkon zgjedhjen e tyre në pako”.

Çerkini nuk pret “që Gjykata të merret me çështje politike, siç është diskutimi se kush duhet të jetë nënkryetar nga komuniteti serb. Një gjë e tillë nuk është përgjegjësi e saj. Roli i Gjykatës është vetëm të garantojë respektimin e Kushtetutës dhe të procedurës”.

Vendim të ngjashëm pret edhe Ehat Miftaraj, drejtor i Institutit të Kosovës për Drejtësi.

Por, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit, ka pritje të tjera.

“Ne presim që Kuvendi të konfirmohet si i konstituuar, ngase Kryetari i Kuvendit i ka respektuar dhe ndjekur të gjitha procedurat e parashikuara me Kushtetutë, jurisprudencën e Gjykatës dhe Rregulloren e Kuvendit”, thuhet në një deklaratë të Zyrës për Media të LVV-së dhënë REL-it.

Për LVV-në, përfaqësuesja e pakicave joserbe, Emilija Rexhepi, e cila u zgjodh nënkryetare e Kuvendit, u votua “në mënyrë të rregullt dhe nuk ka drejtë askush t’ia marrë këtë të drejtë grupit multietnik”.

Votimi për nënkryetarët

Për dallim prej kandidates së komuniteteve të tjera minoritare, asnjëri nga 10 përfaqësuesit e komunitetit serb nuk arriti të zgjidhet nënkryetar i Kuvendit.

Kandidati i vetëm që propozoi Lista Serbe, e cila në Kuvend ka 9 nga 10 vendet e rezervuara për serbët, nuk i siguroi 61 votat e nevojshme as pas tri rundeve të votimit.

Pasi partia që gëzon mbështetjen e Beogradit nuk pranoi të propozonte për nënkryetar dikë tjetër përveç Sllavko Simiqit, kryetari Basha hodhi short, sipas Rregullores së punës së Kuvendit, për të nxjerrë një emër tjetër.

As të tjerë nga Lista Serbe, e as Nenad Rashiq nga partia serbe Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, aktualisht ministër në detyrë në qeverinë e Albin Kurtit, nuk i morën votat e nevojshme, me ç’rast Basha në mënyrë të njëanshme e mbylli si të përfunduar seancën konstituive.

Miftaraj thotë për REL-in se “nëse merren për bazë aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014 dhe 2025 dhe standardi që është ndërtuar në 11 vjetët e fundit lidhur me konstituimin e Kuvendit të Kosovës, Gjykata Kushtetuese mund të vendosë kthimin e votimit në pako për dy nënkryetarët e komuniteteve joshumicë”.

Sipas tij, nëse nga Gjykata “merret për bazë Rregullorja e Punës e Kuvendit, e miratuar nga legjislatura e kaluar, mund të sqarohet procedura e votimit të kandidatëve që kanë shumicën e votave të deputetëve nga pakicat”.

E, pastaj? Çerkini beson se Gjykata do “të theksojë se procedura e konstituimit duhet të vazhdojë aty ku ka mbetur, duke u shfrytëzuar ditët e mbetura nga afati 30-ditor” i një aktgjykimi paraprak.