Maqedonci: Lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe e pastër

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, në kuadër të vizitës në Varshavë, ka qenë i ftuar në një intervistë në TVP World, si dhe nga ekipi i Forumit të Sigurisë.

Maqedonci, në intervistën për TVP World theksoi se lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe e pastër, ndërsa qëllimi i vërtetë i Serbisë përmes akuzave kundër drejtuesve të UÇK-së është minimi i shtetësisë së Kosovës dhe i legjitimitetit të intervenimit të NATO-s që ndali gjenocidin e ushtruar nga Serbia në Kosovë.

“Bëra të qartë se Serbia po vazhdon të mbajë qasje hegjemoniste ndaj Kosovës dhe vendeve fqinje, duke zhvilluar luftë hibride dhe duke strehuar e mosdorëzuar pjesëtarët e grupit paramilitar që tentoi aneksimin e pjesës veriore të Kosovës dhe kreu akte terroriste kundër institucioneve tona. Paraqita këndvështrimin tonë për ambientin global të sigurisë, ndryshimet teknologjike, si dhe për invazionin rus në Ukrainë, duke nënvizuar mbështetjen që Kosova i ka dhënë dhe po vazhdon t’i japë Ukrainës në luftën e saj të drejtë për liri”, tha ai.

Gjithashtu, ai ka theksuar investimet e Qeverisë në zhvillimin e kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës dhe faktin që ushtria jonë po ndërtohet sipas standardeve të NATO-s, duke siguruar ndërveprueshmëri me aleatët dhe duke përgatitur vendin për anëtarësim në NATO.

|Konfirmova se Republika e Kosovës mbetet e vendosur në rrugën e saj drejt anëtarësimit në NATO dhe Bashkimin Evropian, si dhe në ruajtjen dhe forcimin e vlerave demokratike”, tha ai.

Ish-ushtaraku shqiptar: Kurti vendosi rendin në veri të Mitrovicës, GreneII humbi ndikimin

Ish-ushtaraku shqiptar, Artur Meçollari, ka reaguar pas deklaratës së kryeministrit Albin Kurti në SHBA, duke theksuar se Veriu i Kosovës është tashmë nën sovranitetin e plotë të institucioneve të Kosovës.

Sipas tij, kjo ka minimizuar mundësitë e Serbisë për destabilizim dhe ka dobësuar ndikimin e ndërkombëtarëve, veçanërisht të Richard Grenell.

Meçollari paralajmëron se ideja e rikthimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, pa njohjen e Kosovës nga Serbia, rrezikon të kthehet në mekanizëm kontrolli ndaj Qeverisë së Kosovës.

Ai shton se, edhe nëse rrëzohet nga ndërkombëtarët, Kurti ka treguar se mund të ringrihet politikisht.

Postimi i plotë:

Kurti deklaroi sot nga SHBA se Veriu i Kosovës ishte thelbi i kundërshtive me Ambasadën e SHBA.

E kam deklaruar këtë përpara tetë ditësh, një ditë pas deklaratës së Ambasadës së SHBA në Prishtinë. Bile, kam deklaruar se pas kësaj deklarate qëndron Richard Grenell.

Prej mbi 20 vjet, situata e paqëndrueshme në veri të Kosovës ka qënë mekanizmi i kontrollit dhe shtrëngimit të qeverive të Kosovës, si edhe të Sërbisë. Vendosja e rendit ligjor në këto territore dhe ushtrimi i sovranitetit të shtetit të Kosovës, ka bërë që lobistët ndërkombëtarë të humbasin një mekanizëm shumë të fortë kontrolli. Sot Kosova ëdhtë më shumë sovrane.

Sot, Veriu i Kosovës është nën sovranitetin dhe ushtrimin e ligjeve të Kosovës. Sërbisë i është minimizuar mundësia e destabilizimit të Kosovës. Kujtoni aktin terrorist të Banjskës. Ndërkombëtarëve (pazarzhinjëve si Grenell) ju është minimizuar mundësia e kontrollit dhe shtrëngimit të Qeverisë së Kosovës. Kosova është më sovrane, jo vetëm nga Sërbia, por dhe nga pazarxhinjë si Grenell. Albinin Kurtin mund ta rrëzojnë ndërkombëtarët por nuk mund ti mohojnë trashëgiminë se ai vendosi rendin në veri të Kosovës, ashtu sikurse ishte i vetmi që kundërshtoi Gjykatën Specisle.

Ringritja e përsëritëshme e çështjes së Asosacionit të Komunave me shumicë serbe, pa njohjen paraprake nga Sërbia të Kosovës, nuk është në interes të Kosovës, pasi do ti japi mundësi Sërbisë të destabilizojë Kosovën. Por, kjo iniciativë mund të shihet edhe si një mekanizëm i ri për rivendodjen nën kontroll të Qeverisë së Kosovës.

Edhe po ta rrëzojnë ndërkombëtarët, Albin Kurti, ai do të vijojë të ketë fuqi të mjaftueshme të ringrihet. Ai është i ri dhe ka treguar se mund të ringrihet. Fuqia e tij do të vijojë të jetë e mjaftueshme në Parlament, që njerëz të kontrolluar nga Grenell në Kosovë të mos lejohen të bejnë pazare me kurriz të Kosovës, siç bënë me Sazanin në Shqipëri.

Kurti s’e mban premtimin, nuk shkarkoi ministrat e zyrtarët me aktakuza

“Jo, nuk do të kemi ministra me aktakuza…”, kishte thënë Albin Kurti më 04.02.2021 për Kallxo. com.

4 vite pas kësaj deklarate, udhëheqësi i qeverisë tashmë në detyrë, duket se e ka harruar këtë premtim.

Kjo meqë, në zyrat e Ministrive e në funksione publike vazhdojnë të qëndrojnë persona që tashmë akuzohen për korrupsion.

Në korrik të këtij viti, Prokuroria Speciale e Kosovës, ngriti aktakuzë ndaj ministrit në detyrë të Zhvillimin Rajonal, Fikrim Damka nën dyshimet se kishte financuar dy organizata joqeveritare pa organizuar thirrje publike dhe duke tejkaluar limitet ligjore të financimit.

Bashkë me Damkën, i akuzuar është edhe Besim Kamberaj, por për të Qeveria kishte vendosur ndryshe, duke e pezulluar nga puna pas ngritjes së aktakuzës.

Ministri Damka ka edhe një tjetër aktakuzë tjetër, për sulm dhe kanosje ndaj një kandidateje për deputete nga një parti turke, ngjarje e ndodhur ditën e zgjedhjeve parlamentare.

Megjithatë, ai vazhdon të ushtrojë detyrën e tij në ministri, por edhe si deputet i Kuvendit të Kosovës.

Në gjykatë tashmë është duke u përballur edhe Nagip Krasniqi, ish-Kryeshef i Korporatës Energjetike të Kosovës. Dikur pjesë e VV-së në Komitetin për Energji, PSRK-ja ka ngritur dy aktakuza ndaj tij që lidhen me keqpërdorim të detyrës zyrtare në disa tenderë.

Me akuzat për korrupsion sa ishte nënkryetar i Mitrovicës së Jugut, tashmë do të përballet edhe ish-kandidati për deputet i Lëvizjes Vetëvendosje.

Faruk Mujka, i cili aktualisht është kryeshef i Iber Lepencit, së bashku me ish-drejtorin komunal të Mitrovicës, Hysen Muzliukaj, akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare meqë në mënyrë të kundërligjshme kishin privatizuar objektin e ish-Bibliotekës në Mitrovicë.

Mujka nga PSRK-ja akuzohet edhe për mosdeklarimin e rreth 60 mijë eurove që iu gjetën në shtëpinë e tij gjatë bastisjes.

Ndonëse ende nuk ka marr vulën e organit të akuzës, por ende nën hetim, është ministrja e Industrisë Rozeta Hajdari, e cila u intervistua në cilësinë e të pandehurës në lidhje me rezervat shtetërore.

Për këtë çështje u ftua të dëshmojë edhe kryeministri në detyrë Albin Kurti, por i njëjti refuzon të paraqitet, pavarësisht thirrjeve e gjobave të shqiptuara.

I dyshuar për tri vepra të ndryshme penale si “Shpëlarja e parave”, “Shmangia nga tatimi” dhe “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë është edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci Martin Berishaj.

Si i pandehur është intervistuar edhe tashmë ministri në detyrë i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, për projektin e zgjerimit të rrugës nacionale Prishtinë – Pejë.

Në prokurori ishte paraqitur edhe ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli, e koordinatorja e Komiteteve në Lëvizjen Vetëvendosje, Dejona Mihali. Dëshmitë e tyre lidheshin me çështjen e ish kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi.

Me aktakuza por në kohën sa ishin deputetë të opozitës për gjuajtje të gazit lotsjellës janë edhe Xhelal Sveçla, Albulena Haxhiu dhe Arbërie Nagavci, procese të cilat nuk kanë marr aktgjykimin final./dukagjini

Tentoi të ikë jashtë vendit, ndalohet 25-vjeçari i shumëkërkuar nga Policia

Policia e Kosovës njofton se datë 26.09.2025, në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, zyrtarët policorë kanë ndaluar personin e dyshuar Sh. F., 25 vjeçar, i cili ishte në kërkim policor dhe po tentonte të largohej jashtë vendit.

Pas ndalimit, ekipi i hetimeve i Stacionit Policor të Prizrenit, e ka shoqëruar të dyshuarin në stacionin për intervistim.

“Gjatë procedurës, pas prezantimit të dëshmive të pakontestueshme, i dyshuari ka pranuar se ka kryer së paku gjashtë raste të vjedhjeve gjatë vitit 2025, në markete të ndryshme brenda qytetit të Prizrenit”, njofton policia.

“Të gjitha veprimet hetimore janë kryer në koordinim të vazhdueshëm me Prokurorin kujdestar nga Departamenti për Krime të Përgjithshme, i cili ka rekomanduar që pas intervistimit, i dyshuari të lirohet në procedurë të rregullt.

Për të gjitha rastet e dyshuara, do të procedohet me kallëzim penal në Prokurorinë Themelore në Prizren”, thuhet tutje në njoftimin e PK-së.

Burri vret gruan, dy fëmijët dhe veten në Oldenburg të Gjermanisë

Katër persona kanë humbur jetën pas një sulmi me armë zjarri të hënën në Oldenburg.

Sipas hetimeve të para, një burrë vrau një grua dhe dy fëmijë, dhe më pas kreu vetëvrasje.

Policia po zhvillon hetime në lagjen Osternburg, ku ndodhi krimi, ndërsa rruga është bllokuar për siguri.

Të katër viktimat u gjetën pa shenja jete në një shtëpi, dhe hetuesit janë ende në fazën fillestare të hetimeve.

Deri tani identiteti i tyre apo motivet e aktit, ende nuk janë bërë të ditura./klankosova

Çitaku: Kurti ka përçarë shqiptarët në rajon

Vlora Çitaku, nënkryetare e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) ka akuzuar kryeministrin në detyrë Albin Kurti për rrënim të aleancave me partnerët ndërkombëtarë.

Ajo ka thënë se Kosova tash e disa vite është nën sanksionet e Bashkimit Evropian.

“Për më tepër, ne kemi edhe raporte të ftohta me Shqipërinë, kemi raporte të cenuara me shqiptarët në rajon. Z. Kurti ka luajtur një rol përçarës me shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, në Luginën e Preshevës dhe në Mal të Zi”.

”Pra, është një personalitet destruktiv i cili me një lehtësi të padurueshme ka rrënuar aleancat të cilat janë krijuar me shumë mund. Më keq se kaq nuk mund të bëhet. Çfarë po pritni që duhet të ndodhë?”, ka thënë ajo.

Ajo ka folur edhe sa i përket bllokadës parlamentare dhe vendimit që pritet ta marrë Gjykata Kushtetuese.

Çitaku tha se PDK është përmbajtur të komentojë lidhur me vendimin që pritet të nxjerrë Gjykata Kushtetuese, me qëllim që të mos interferojë apo të duket si ndërhyrje në vendimmarrje.

“Ajo me të cilën po ballafaqohemi nuk është as krizë juridike, as krizë kushtetuese, por krizë politike e cila ka ardhur kryekëput si rezultat i kryeneqësisë politike të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Albin Kurtit”, ka thënë ajo në RTV Dukagjini.

“Kosova drejt izolimit total, po bën gabime të pafalshme -Vëmendja e SHBA ndaj Serbisë, e shtuar“

Ish ministri shqiptar Paskal Milo komentoi për ‘Real Story’ qëndrimin e Kosovës në skenën ndërkombëtare, menjëherë pas konferencës në Kombet e Bashkuara.

Sipas Milos, grindjet e klasës politike në Kosovë nuk tërheqin vëmendje dhe se fokusi i amerikanëve ka shkuar ndaj Serbisë. Më tej, Milo tha se Kosova po bën gabime të mëdha strategjike të cilat janë të pafalshme dhe nuk mund të jetojë pa një mbështetje të fuqishme të një faktori ndërkombëtar.

“Kosova nuk përbën lajm për tu afishuar në OKB, lajmi i keq është ai që përhapet më shpejt. Kosova e ka arritur pikën e ngopjes dhe nuk tërheq vëmendje, vetëm nëse ndodh një krizë më të madhe seç e kemi. Grindjet e brendshme të klasës politike nuk tërheqin më vëmendje, dhe Kosova me aq sa e gjykoj nga distanca, po braktiset nga fati i vet. Serbia e ka rritur potencialin e vet, dhe vëmendja e SHBA ndaj Serbisë është rritur. Serbia është një vend që ka më tepër peshë në llogaritë perëndimore.

Objektivi është që Serbia të shkëputet nga influenca ruse. Perëndimoret, por edhe amerikanët e kanë gabim nëse mendojnë se do e tërheqin Vuçiç nga ana e tyre, nuk mund të fshijnë historinë dhe ta shkëpusin nga Rusia, madje nuk e tërheqin as nga Kina sepse është bërë donator ekonomik nga Serbisë.

Ai po luan me SHBA, BE, Rusinë por edhe me Kinën, është një aftësi. Ky luan me këto katër qendra të mëdha të politikës botërore.

Kosova ka shumë kohë që po bën gabime të mëdha strategjike, të pafalshme. Kosova nuk mund të mbijetojë pa një mbështetje të fuqishme të një faktori ndërkombëtar. Duhet të heq dorë nga ambiciet e parealizueshme, nuk ndodh ajo që ka në mendje Kurti dhe partia e tij për shqiptarët në rajon dhe politikën rajonale. Një vend i vogël është i detyruar që të mbijetojë të ketë një aleat.”/Abcnews.al

Pas pezullimit të Dialogut strategjik, SHBA me kusht për Kosovën dhe Qeverinë Kurti

Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë derën e hapur për përmirësimin e marrëdhënieve dhe rifillimin e bashkëpunimit me Qeverinë e Kosovës, por me kushtin që qeveria në detyrë të angazhohet për t’i ulur tensionet.

Kështu ka deklaruar një zëdhënës i Ambasadës amerikane në Prishtinë, i pyetur nëse çështja e pezullimit të dialogut të planifikuar strategjik do të trajtohet në takimet me liderët e Kosovës që morën pjesë në margjinat e sesionit të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara.

“Siç ia kemi bërë të qartë qeverisë në detyrë, dera është e hapur për përmirësimin e marrëdhënieve dhe rifillimin e bashkëpunimit. Megjithatë, kjo kërkon hapa konkretë nga kryeministri në detyrë Kurti për të ulur tensionet dhe për të çuar përpara qëllimin tonë të përbashkët për forcimin e paqes dhe stabilitetit si bazë për prosperitet ekonomik të ndërsjellë. Ne do të vazhdojmë të vlerësojmë veprimet e qeverisë në detyrë”, kanë thënë për Kohën në Ambasadën e SHBA-së.

Pas vendimit të Shteteve të Bashkuara për pezullimin e Dialogut të planifikuar strategjik me Kosovën, qeveria në detyrë nuk dha sinjale se do të ketë ndryshim kursi ashtu siç kërkuan Shtetet e Bashkuara.

Deri tash në asnjërin prej takimeve të realizuara, për të cilat qeveria lëshoi komunikata, nuk përmendet Dialogu strategjik.

Po ashtu deri tash kanë munguar edhe takimet me përfaqësues të Departamentit Amerikan të Shtetit.

E në një takim me studentë në SHBA, Kurti ka thënë se Shtëpia e Bardhë ka pezulluar Dialogun e planifikuar strategjik me Kosovën, për shkak të mbylljes së strukturave ilegale serbe në veriun e Kosovës, i banuar me shumicë serbe.

“[Arsyeja e pezullimit të Dialogut të planifikuar strategjik] është për shkak të sundimit të ligjit në veri të Kosovës, i cili rezultoi të ishte kundër strukturave ilegale serbe dhe këtu nuk mund të bëj kompromise. Nuk mund t’ia lë këtë problem brezit tuaj. Mendoj që brezi im është ai që duhet ta përfundojë këtë”, ka deklaruar Kurti.

Nga 12 tetori rregulla të reja të hyrje – daljeve në BE, Policia e Kosovës del me njoftim

Policia e Kosovës ka dalë me njoftim për rregullat e reja të hyrje/daljeve në BE prej datës, 12 Tetor 2025.

Nga 12 Tetori 2025 hyn në fuqi Entry/Exit System (EES) – një sistem i ri digjital për regjistrimin e hyrjes dhe daljes në zonën e BE, njofton policia.

“Vlen për të gjithë shtetasit jo-BE që udhëtojnë drejt Evropës. Nuk ka më vula në pasaportë – gjithçka digjitale. Regjistrohen automatikisht hyrjet/daljet, gjurmët e gishtërinjve dhe fotografia”, thuhet në njoftim.

Detaje nga njoftimi i publikuar në faqen e Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar:

 

Vdes ish-futbollisti i njohur kosovar

Ka ndërruar jetë sot në moshën 79-vjeçare ish-futbollisti i njohur kosovar, Jakup Kuqi, një nga figurat më të respektuara të futbollit në Kosovë gjatë gjeneratës së artë.

I lindur më 12 qershor 1946, Kuqi ka lënë gjurmë të thella në sportin kosovar me paraqitjet e tij për skuadrat legjendare të Vllaznimit dhe Trepçës.

 

Me talentin dhe përkushtimin e tij në fushën e blertë, ai u bë një simbol i pasionit për lojën dhe i shpirtit sportiv.

Jakup Kuqi ndërroi jetë në qytetin e tij të dashur, Gjakovë, ku edhe kishte kaluar një pjesë të madhe të jetës dhe karrierës.

Lajmi për ndarjen e tij nga jeta ka prekur thellë komunitetin sportiv dhe më gjerë, ndërsa shumë miq, bashkëlojtarë dhe dashamirë të futbollit po e kujtojnë me respekt dhe mall.

Varrimi i të ndjerit do të bëhet nesër në varrezat e qytetit në Gjakovë në orën 15:0.

Pushofsh në paqe, legjendë!