Mësuesi kosovar nuk i di as muajt e vitit, ligjëron gjermanisht pa kryer shkollën

Në tabelë ka mbetur ajo që mësuesi i gjermanishtes u mësoi, por jo saktë. Kjo, për shkak se as vetë arsimtari, Zenë Qeriqi, nuk e di si shkruhen stinët në gjuhën gjermane.

Për ironi të fatit, në shkollën e Krojmirit të Lipjanit, nxënësve të klasës së gjashtë, mësuesi i historisë është caktuar të japë edhe lëndën e gjuhës gjermane, pa qenë i kualifikuar.

Në shkollën “Katër Dëshmorët” në Krojmir të Lipjanit, mësuesi Zenë Qeriqi është kthyer në një lloj “supermeni” arsimor.

Prej muajsh, ai ligjëron jo një, por katër lëndë të ndryshme: Historinë, Gjeografinë, Edukatën Qytetare dhe Gjuhën Gjermane.

Nxënësit të cilëve u mëson ankohen se arsimtari nuk është i përgatitur mirë në asnjë prej këtyre lëndëve.

Ata thonë se, sidomos në lëndën e gjermanishtes, nuk kanë arritur të mësojnë asgjë deri tani, pasi arsimtari i tyre nuk arrin ta dallojë anglishten nga gjermanishtja.

E përveç stinëve të vitit, që edhe në tabelë i shkroi gabim, të vegjlit thonë se nuk morën njohuri të tjera.

Edhe pse kanë kaluar mbi dy muaj nga fillimi i vitit shkollor, ata thonë se, në vend që të përparojnë në lëndën e gjermanishtes, po ngatërrohen gjithnjë e më shumë.

Të pyetur për lëndët e tjera, të cilat Qeriqi mendon se i përvetëson mirë, të njëjtit pohojnë se edhe në ato arsimtari nuk merr mundin të shpjegojë, por vetëm i shtyn të lexojnë.

Të pyetur se çfarë kanë mësuar deri tani në gjuhën gjermane, nxënësit shprehen se vetëm 5 fjali dhe asgjë tjetër.

Ani pse ka një barrë të madhe mbi supe dhe është përgjegjës për katër lëndë, Qeriqi gjen hapësirë edhe të mungojë me ditë në shkollë.

E përveç që nuk po u mëson asgjë, ai herë pas here edhe përdor dhunë fizike.

Dhe dhuna fizike nuk është e vetmja – ai ushtron vazhdimisht edhe dhunë psikike, duke i kërcënuar se do t’i përsërisë.

Arsimtari Zenë Qeriqi është i kualifikuar vetëm për lëndën e Historisë, ndërsa lëndën e gjuhës gjermane, në bazë të informacioneve, e ka mësuar pak, sa ka jetuar më herët në Gjermani.

 

Përparim Rama: Mbi 2 mijë qen endacakë më pak në rrugë, ky problem më nuk përmendet

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se njëri prej problemeve më të mëdha në kryeqytet, është zgjidhur.

Fjala është për qentë endacakë.

Rama tha se tash janë 2 mijë qen më pak në rrugët e Prishtinës.

“Problemi i qenve endacakë ka qenë më i madhi, por sot nuk përmendet. Kemi kriju sistem që u mundëson qytetarëve me adaptu qen endacakë, sot i kemi 2 mijë qen më pak në rrugë. Kemi punu në rregullore, dhe kemi punu në strehimoren e re, për trajtimin e qenve në mënyrën më humane. Kemi kriju siguri shtesë për qytetarët e Prishtinës, për fëmijët tanë”, tha Rama.

 

 

Ai shkruajti në rrjete sociale se sot ka kujdes, trajtim e adpotim.

“Nga rrugët — në kujdes, trajtim e adoptim.

Ky është standardi i Kryeqytetit”, tha Rama.

VV jep sinjale optimiste – gjithnjë e më afër qeverisë së re

Deputeti i koalicionit Lëvizja Vetëvendosje, dhe Guxo, Nezir Kraki, ka lënë të hapur mundësinë për formimin e një qeverie të re.

I ftuar në emisionin “DPT te Fidani” në Klan Kosova, Kraki tha se megjithëse nuk mund të flasë me siguri, ekziston hapësirë për një marrëveshje të mundshme mes partive.

“Nuk mund të them që ka negociata, por kanë qenë disa që kanë nisur para bllokadës dhe herë pas here janë ristartuar. Ka hapësirë për një tentativë”, deklaroi ai.

Sipas tij, edhe pse numrat për momentin nuk janë të sigurt, mundësitë për t’u arritur një marrëveshje janë reale.

“Nuk mund të them që i kemi numrat, por sipas meje, ka më shumë gjasa të bëhen numrat dhe të krijohet qeveria”, tha Kraki.

Gërvalla për regjimin e Vuçiqit: Synon të trazojë rajonin

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla, gjatë takimi të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën, ka deklaruar se përdorimi i termit “Kosovë dhe Metohija” reflekton ambicie hegjemoniste të Serbisë dhe lidhet me retorikën e periudhës së Sllobodan Millosheviqit.

Ajo vuri në dukje se Kosova është një demokraci perëndimore dhe se mbështetja ndaj NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara është shumë e lartë në vend.

Gërvalla theksoi se Serbia përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë për rajonin për shkak të propagandës dhe politikave të saj që, sipas saj, nxisin urrejtje dhe përgatitje për sulme të mundshme ushtarake.

Gërvalla u shpreh se në vitin 2023, Serbia tregoi gatishmërinë për përdorim force, duke dërguar grupime paramilitare të pajisura me armatim anti-tank dhe ajror dhe duke synuar me dhunë pjesë të territorit verior të Kosovës.

Ajo akuzoi drejtues të caktuar si pjesë të atyre ngjarjeve dhe e konsideroi pritjen dhe trajtimin e tyre në Beograd si një shenjë për mungesë dëshire për llogaridhënie.

“Serbia ka dëshmuar në vitin 2023 se është e gatshme për luftë. Vuçiqi mund të pengohet, jo të bindet. Mentaliteti nuk është diçka që ndryshon vetëm nëse flisni për të. Në vitin 2023 Serbia kryu një sulm ushtarak kundër Republikës së Kosovës duke dërguar grupet paramilitare të pajisura nga Serbia me pajisje anti tank ajrore, me plane për të marrë veriun e territorit tonë me dhunë. Komandanti i atij inkursioni ishte dora e djathtë e Vuçiqit për Kosovën ndërkohë, Vuçiqi e mban atë si mysafir nderi. Bashkësia ndërkombëtare duhet të bëjë presion në regjim, nëse nuk ka pasoja, situata do të eskalojë edhe më tutje sepse nuk kanë kut ti frikësohen. Ministri i punëve të jashtme Gjuriq e di këtë shumë mirë, ai nuk ka probleme me vrasës dhe me dhunues. Ai mund të ketë zë të butë zonja dhe zotërinj por ai u ul për kafe pas sulmit në Banjskë me Radojiçiqin.”, tha ajo.

Gërvalla komentoi gjithashtu arrestimin e ish-policit kosovar Arbnor Spahiut në Serbi, duke e cilësuar këtë rast si akt ndëshkimi dhe ndjekje ndaj njerëzve që morën pjesë në mbrojtje të Kosovës gjatë sulmeve të paramilitarëve. Ajo i bëri thirrje autoriteteve serbe ta lirojnë menjëherë Spahiun.

“Para disa muajsh, Serbia arrestoi ish-policin Kosovar Arbnor Spahiun teksa udhëtonte nëpër Serbi me familjen e tij. Akuza ishte dyshimi për përfshirje në sulmin kundër serbëve në Banjskë. Në atë kohë megjithatë Arbnor Spahiu kishte lëshuar shërbimin policor dhe jetonte jashtë por ky rast dëshmon qartë se përfshirja e Serbisë në sulmin e Banjskës dhe ndjekja për hakmarrje e atyre që mbrojtën Kosovën dhe i rezistuan Radojçiqit dhe paramilitarëve të tjerë të përfshirë në sulmin e Banjskës. Nga ky vend unë i bëj thirrje Serbisë që menjëherë ta liroj Arbnor Spahiun. Situata në Ballkan është e ndërlikuar, nuk ka të bëj me tensionet apo me ndarjet etnike ose me historinë. Ka të bëj me të tashmen dhe me kërcënimet e tanishme. Nëse e heqim regjimin e Vuçiqit, Ballkani është paqe dhe bashkëpunim. Nuk ka dallim mes Shqipërisë, Malit të zi, Maqedonisë së veriut, Kosovës apo Bosnjës, përkundrazi, ne udhëtojmë dhe ndajmë fatin e njejtë Evropian. Regjimi i Vuçiqit mundohet vazhdimisht të ndërhyjë në Kosovë, në Bosnjë, në Mal të Zi dhe në Maqedoni të Veriut. Është gabim që qytetarët serbë të cilët kërkojnë zgjedhje duke iu përmbajtur regjimit të Vuçiqit. Kjo nuk funksionon as pvr Kosovën, as për Bosnjën sepse e tëra ka të bëj me ideologji ekstremiste të ndjekura nga vendi më i madh ekstremist në rajon. Për një arsye e quajnë Rusi e vogël sepse Rusia është e rrënjosur thellë në Serbi”, tha ajo /Kosovapress/

Britania kërkon njohjen e Kosovës dhe dorëzimin e Milan Radoiçiqit nga Serbia

Britania e Madhe u ka bërë thirrje shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës që ta bëjnë këtë, duke e cilësuar njohjen si “thelbësore për stabilitetin afatgjatë në rajon dhe për zhbllokimin e potencialit të plotë të vendit”.

Deklaratat u bënë gjatë seancës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku u diskutua raporti i fundit i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, për situatën në Kosovë.

“Britania mbetet përkrahëse e palëkundur e zhvillimit demokratik të Kosovës dhe shtegut të saj euroatlantik. Si ndër vendet e para që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, u bëjmë thirrje shteteve anëtare që ende nuk e kanë bërë këtë, t’i bashkohen shumicës,” deklaroi përfaqësuesja britanike.
“Njohja është esenciale për stabilitet afatgjatë dhe për zhbllokimin e potencialit të plotë të Kosovës,” shtoi ajo.

Përfaqësuesja britanike shprehu shqetësim lidhur me disa deklarata të fundit që, sipas saj, “rrezikojnë të rrënojnë institucionet shtetërore, përfshirë Gjykatën Kushtetuese”. Ajo vlerësoi procesin zgjedhor lokal në Kosovë, duke e cilësuar atë si “të qetë dhe demokratik”, dhe inkurajoi formimin e shpejtë të qeverisë së re.

“Institucionet e forta dhe gjithëpërfshirëse janë jetike për të avancuar integrimin ndërkombëtar të Kosovës dhe për të ofruar progres për qytetarët e saj,” theksoi ajo.

Britania e mirëpriti kthimin e kryetarëve serbë në komunat me shumicë serbe, duke e quajtur këtë “një hap pozitiv drejt një pushteti lokal përfaqësues”.

“Tranzicioni institucional duhet të zhvillohet me respektim të plotë të sundimit të ligjit dhe me mundësi reale për riintegrimin e komunitetit serb,” theksoi ajo.

Thirrje Serbisë për dorëzimin e Radoiçiqit dhe zbatim të marrëveshjeve

Në lidhje me sulmin e armatosur në Banjskë, që ndodhi dy vjet më parë, Britania ritheksoi nevojën për llogaridhënie dhe kërkoi nga Serbia bashkëpunim të plotë për të ulur tensionet.

“Llogaridhënia për sulmin në Banjskë dhe për sulmet ndaj KFOR-it është pritur shumë gjatë. Serbia duhet të sigurojë përgjegjësinë penale të autorëve të sulmit, përfshirë dorëzimin e Milan Radoiçiqit,” u tha në deklaratë.

Përfaqësuesja britanike theksoi rëndësinë e zbatimit të marrëveshjeve ekzistuese, përfshirë formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, që e quajti “element thelbësor për ndërtimin e besimit dhe sigurimin e stabilitetit afatgjatë”.

Në fund të deklaratës, Britania kërkoi një rishikim strategjik të rolit të UNMIK-ut dhe efikasitet më të madh në përdorimin e resurseve të Kombeve të Bashkuara.

“Me presionin e shtuar mbi buxhetin e Kombeve të Bashkuara, resurset duhet të rialokohen aty ku kanë më shumë efekt, e jo të mbahen në misione të trashëguara pa mandat të qartë,” u tha në deklaratë.
“Ne mbështesim një qasje më efikase të stafit civil dhe rishikim të rolit të UNMIK-ut në përputhje me nevojat aktuale në terren.”

Ekskluzive: I arrestuari nga Krimet Ekonomike është familjar i Xhafer Tahirit

Policia e Kosovës njoftoi sot për një aksion të zhvilluar nga Njësiti i Krimeve Ekonomike, në Prishtinë.

Sipas policisë, një zyrtar u arrestua nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës zyrtare, shkruan IndeksOnline.

Burime të IndeksOnline pohuan se zyrtari në fjalë është udhëheqësi i divizionit të prokurimit në Agjencinë e Menaxhimit Emergjent, Lulzim Bajrami.

Po të njëjtat burime bëjnë me dije se Bajrami është “baxhanak” i kandidatit për kryetar të Vushtrrisë nga radhët e LDK-së, Xhafer Tahiri.

 

 

Bajrami dyshohet të ketë ndihmuar operatorët ekonomikë për t’u shpallur fitues në tenderë të caktuar, duke përshtatur kriteret e përcaktuara nga autoritetet kontraktuese në mënyrë të kundërligjshme.

Vlera totale e tenderëve në fjalë tejkalon 8.8 milionë euro.

Pas intervistimit, Bajrami është dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërkaq, dy të dyshuar tjerë janë liruar në procedurë të rregullt.

No description available.
Haziri: Isha në protestë në Tiranë, jam veteran i luftës

Nënkyretari i LDK-së, Lutfi Haziri, thotë se mori pjesë në protestën e OVL të UÇK-së në Tiranë, sepse ‘është veteran i luftës’ dhe se protesta ‘ishte një reagim qytetar’.

“Është reagim qytetar. Jam veteran i luftës. Gjithcka që më lidh, kam vendosë për herë të parë pas shumë viteve me marrë pjesë në një manifestim që është më shumë reagim i njerëzve të Kosovës.

Përballja me drejtësinë, nuk është as hendikep as turp, zbardhja e të kaluarës është obligim qytetar. Edhe këta që janë atje tani edhe ata që janë ballafaqu në të kaluarën me drejtësinë në Hagë, e kanë bërë këtë.

Dështimi i mekanizmave të drejtësisë në Hagë, është proces i joni, jo i atyre”, tha Haziri për Vox Kosova.

Gërvalla në KS të OKB-së: Nuk ka ‘Kosovë e Metohi’, është ambicie hegjemoniste e Serbisë

Në Këshillin e Sigurimit të OKB-së në New York, ka nisur mbledhja ku do të diskutohet raporti 6-mujor i UNMIK-ut për situatën në Kosovë.

Në këtë mbledhje, Kosova po përfaqësohet nga ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, e cila gjatë fjalimit të saj ka thënë se nuk ekziston “Kosovë e Metohi” dhe se kjo është një gjuhë e vjetër shoviniste e Sllobodan Millosheviqit dhe shprehje e ambicieve hegjemoniste të Serbisë ndaj Kosovës.

“Më lejoni ta bëjë të qartë se nuk ka ‘Kosovë e Metohi’, ajo nuk ekziston, zonja dhe zotërinj. ‘Kosova dhe Metohia’ është një shprehje, shprehje e qartë e ambicieve hegjemoniste të Serbisë për Kosovën, është gjuha e vjetër e Sllobodan Millosheviqit. Kosova është një demokraci e pastër perëndimore në Ballkan. Mbështetja për NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara është 99 për qind në vendin tonë. Ne jemi vendi më pro NATO-s e më pro SHBA-së në botë. Ne jemi mbështetur e mbrojtur nga gjenocidi i Serbisë nga NATO e SHBA”, ka theksuar Gërvalla, shkruan RTK.

Ajo tha se shteti i Kosovës është i fortë dhe se “fuqia jonë rrjedhë nga populli ynë, nga demokracia jonë perëndimore e ekonomia e fortë”.

“Ne kemi pasur zgjedhje për parlamentin këtë vit, të cilat janë vëzhguar nga vëzhguesit lokal e ndërkombëtarë. Kemi pasur edhe zgjedhje lokale në tetor të cilat ishin të lira e të të drejta gjithashtu. Për herën e pestë me radhë Banka Botërore e ka renditur Kosovën në mesin e udhëheqësve kryesor të zhvillimit ekonomik në tërë botën. Investimet e huaja të drejtpërdrejta po rriten dhe të hyrat doganore dhe akcizat po rriten gjithashtu. Kosova renditet e para në Evropë dhe e treta në botë në indeksin për rend e ligj me 94 nga 100 pikë gjithsej”, ka shtuar Gërvalla.

Arrestohet një zyrtar publik, dyshohet për keqpërdorime në tenderë në vlerë 8.8 milionë euro

Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona, përfshirë një zyrtar publik nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës zyrtare në procedurat e tenderëve publikë.

Në njoftim thuhet se janë siguruar prova dhe informata se i njëjti ka ndihmuar operatorët ekonomikë për t’u shpallur fitues në tenderë të caktuar, duke përshtatur kriteret e përcaktuara nga autoritetet kontraktuese në mënyrë të kundërligjshme, teksa lera totale e tenderëve tejkalon 8.8 milionë euro, shkruan Reporteri.net.

“Veprimet hetimore janë zhvilluar në bashkëpunim të vazhdueshëm me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, duke përfshirë sigurimin e dëshmive dhe masa të tjera hetimore, përfshirë sekuestrimin e pajisjeve komunikuese”, thuhet në njoftim.

I dyshuari është intervistuar dhe me urdhër të Prokurorisë Speciale, është dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa dy të dyshuar të tjerë janë liruar në procedurë të rregullt.

“Rasti vazhdon të hetohet dhe Policia e Kosovës dhe në bashkëpunim me organet e drejtësisë do të ndërmerren veprime tjera”, përfundon njoftimi.