Rama: Kosova duhet ta harrojë Serbinë, lë të merret Evropa me të

Në një tryezë të zhvilluar në Londër, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama u pyet për dialogun Kosovë-Serbi.

Gjatë fjalës së tij, Rama nënvizoi se është shumë e rëndësishme që Kosova të punojë dhe të plotësojë të gjitha pikat e dialogut dhe kriteret.

Gjithashtu, ai tha se Kosova tashmë është një shtet i ri demokratik dhe i njohur nga fuqitë e mëdha, duke shtuar se çështjen nuk duhet ta lënë të shndërrohet në problem të tyre por të punojnë për të ecur përpara dhe të lënë Evropën të merret me Serbinë.

 

 

“Nuk shoh çështje territoriale. Kosova është republikë, një shtet i ri demokratik, i njohur nga fuqitë e mëdha dhe ende jo i njohur nga pesë vende nga BE-ja. Në këtë drejtim, nuk shoh problem. Nga ana tjetër i takon Kosovës që të shtyjë përpara dhe të bindë pjesën tjetër për pozicionin e konsoliduar, sa i takon vlerave në botën demokratike të BE-së. Që të jetë e suksesshme Kosova duhet të harrojë Serbinë dhe të realizojë të gjitha pikat e dialogut. T’ia lënë topin në fushë Serbisë, të lërë Evropën të merret me Serbinë. Dhe jo ta lërë çështjen të shndërrohet në fajësim të tyre”, tha Rama.

Rrahje me shkopinj mes disa personave, shkrepet dhe arma – Policia jep detaje

Një rast i rëndë ka ndodhur sot në Podujevë, ku disa persona janë përfshirë në një rrahje mes vete, ku ka pasur edhe shkrepje të armës.

Nga policia është bërë e ditur se si pasojë e rrahjes, një person ka marrë lëndime nga shkopi. I njëjti është dërguar për tretman mjekësor.

Lajmin për Gazetën Express e ka konfirmuar Flora Ahmeti, zëdhënëse e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës.

Nga policia është bërë e ditur edhe se në stacion policor janë shoqëruar katër persona, 1 dëshmitar dhe tre të dyshuar si të përfshirë në rast.

Njoftimi:

Sot rreth orës 14:30 është pranuar informata për një rrahje  dhe shkrepje të armës në Podujevë.

Me të marrë informatën policia, ka dalë në vendin e ngjarjes nga ku jemi njoftuar se si pasojë e rrahjes nga një mjet i fortë (shkop) është lënduar një person i cili është dërguar për trajtimin e nevojshëm mjekësor .

Lidhur me këtë rast policia ka shoqëruar në stacion policor katër persona, prej tyre  1 dëshmitar dhe  tre persona të dyshuar të cilët ishin të përfshirë në rast.

Aktualisht policia po  vazhdon punën për zbardhjen e rrethanave dhe motiveve që karakterizojnë ngjarjen.

LDK-ja futet fuqishëm në garë për balotazh në Fushë Kosovë, zyrtarizon koalicionin e dytë

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të një komune, Besnik Osmani, ka njoftuar të martën për lidhjen e koalicionit të dytë radhazi në prag të raundit të dytë të zgjedhjeve lokale.

Përmes një postimi në Facebook, Osmani bëri të ditur se LDK-ja ka arritur marrëveshje bashkëpunimi me Partinë Liberale Egjiptiane.

“Së bashku me Partinë Liberale Egjiptiane, po bashkojmë forcat për çdo rrugë e çdo lagje të komunës sonë. Bashkimi ynë është zëri i bashkëjetesës, barazisë dhe mirëqenies për të gjithë!”, ka shkruar ai.

“Xhelozi e inati”, Çitaku i reagon Kurtit për krijimin e Qeverisë: T’i s’kërkon marrëveshje, kërkon nënshtrim

Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, i ka reaguar kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, pasi ky i fundit ka folur për xhelozi e inati mes partive sa i përket përpjekjeve për krijimin e Qeverisë së re.

Çitaku në reagimin e saj i ka thënë Kurtit se s’kërkon as marrëveshje e as kompromis, por kërkon nënshtrim.

“Por ky popull nuk është e nuk do të jetë kurrë popull që nënshtrohet”, ka shkruar Çitaku.

Postimi i plotë:

Kjo kastë drejtuesish tashmë e ka shndërruar në normë keqpërdorimin e misioneve diplomatike të Kosovës për nevoja partiake të Lëvizjes Vetëvendosje.

Në kulmin e fushatës zgjedhore, në një kohë kur vendi nuk ka qeveri legjitime, ky është abuzim i skajshëm me institucionet e shtetit.

Rasti i fundit në Londër e shfaq më qartë se kurrë mendësinë e një partie që e sheh shtetin si pronë të vetën.

E për më tepër, njeriu që nuk la askënd pa fyer e përbuzur, pa asnjë kod, sot paska dalë të thotë se na qenka helmuar atmosfera, se paska xhelozi e inate, andaj po e ka vështirë ta bëjë qeverinë.

Jo A.K.

Ti nuk kërkon marrëveshje, as kompromis.

Ti kërkon nënshtrim.

Por ky popull nuk është e nuk do të jetë kurrë popull që nënshtrohet.

Albin Kurti paralajmëron zgjedhje të reja nacionale

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka dyshuar edhe vet se mund ta bëjë qeverinë e re të dielën kur e ka afatin e fundit.

Tha se “nuk është kollaj” dhe se alternativa tjetër, në rast të mosbërjes së qeverisë, janë zgjedhjet e reja.

Ai u shpreh se “ka shumë inat e xhelozi” dhe se “është intoksuar atmosfera”.

Por, as partitë ish-opozitare, tha ai, “nuk duket ta kenë vullnetin dhe synimin”.

“Do të përpiqemi maksimalisht që deri në dielën më së larg, të hënën nuk mundemi me u përgatit. Sepse të hënën ose e kemi bë qeverinë ose nuk e kemi bë (qesh). Prandaj në këto ditët e mbetura, jemi duke komuniku, jemi duke bisedu. Nuk është kollaj, se, s’di qysh me ua shpjegu, ndoshta e keni ndëgju edhe ju vet, është intoksu atmosfera shumë, ka shumë xhelozi e inati e cinizëm shumë më shumë se ide, punë e pasion. Por, jemi ku jei dhe do të përpiqemi ta bëjmë qeverinë. Por, siç duket, alternativa është se do të shkojmë në zgjedhje prap. Ose do ta bëjmë qeverinë, ose shkojmë në zgjedhje prape. Nuk po duket që opozita ka vullnet dhe as synim për qeveri të tyre”, tha Albin Kurti në Londër.

Prapaskenat e negociatave: Këto janë postet që Kurti ia premtoi Limajt

Mandatari për formimin e qeverisë së re, Albin Kurti tha se Fatmir Limajt i kishte propozuar të bëhej nënkryetar i Kuvendit të Kosovës, si dhe tri pozita të tjera qeveritare për Nismën Socialdemokrate.

Gjatë një takimi me diasporën shqiptare në Londër të hënën, Kurti ka rrëfyer për herë të parë publikisht hollësitë e negociatave të Lëvizjes Vetëvendosje me Nismën Socialdemokrate për formimin e institucioneve në korrik të këtij viti.

Derisa shpjegonte tentativat për marrëveshje për bashkëqeverisje me Nismën, Kurti tërhoqi një paralele të partneritetit të Vetëvendosjes me Partinë Guxo të Donika Gërvallës e Faton Pecit.

“Me Partinë Guxo, e cila i ka gjashtë deputetë, ne jemi marrë vesh me i pasë dy ministra. Në këtë mandat që s’po përfundon, pra përfundon ma s’largu të dielën, kanë qenë ministra Donika Gërvalla dhe Faton Peci. Tash me gjashtë deputetë, dy ministra”, tha fillimisht ai.

Kurti tha se i ka ofruar Limajt postin e nënkryetarit të Kuvendit, një ministri dhe dy zëvendësministra.

“Unë kam qenë i gatshëm Nismës me ia dhanë me tre deputetë, një ministër, nënkryetarin e Kuvendit – po të ishte bërë Albulena Haxhiu kryetare e Kuvendit, Fatmir Limaj do të ishte bërë nënkryetar i Kuvendit. E kish marrë një ministri dhe dy zëvendësministra. Katër pozita të larta me tre deputetë”, u shpreh Kurti.

Negociatat mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Nismës Socialdemokrate për formimin e institucioneve të reja, të zhvilluara gjatë muajit korrik, rezultuan të pasuksesshme. Dy palët nuk u morën vesh për pozita.

A siguroi ulëse në Kuvend Komunal nipi i Hashim Thaçit?

Albin Thaçi nipi i ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, nuk ka arritur të sigurojë një ulëse në Kuvendin Komunal të Prishtinës, ndonëse garoi si kandidat i Partisë Demokratike të Kosovës në zgjedhjet e fundit lokale.

Sipas rezultateve përfundimtare pas numërimit të 100% të votave për Asamblenë Komunale, Albin Thaçi ka marrë 521 vota, duke u renditur i 15-ti në listën e kandidatëve të PDK-së, raporton lajmi.net

PDK, në këto zgjedhje, ka fituar 22.55% të votave në Prishtinë, përkthyer në rreth 9 ulëse në Kuvendin prej gjithsej 51 ulësesh.

Kjo do të thotë se vetëm 9 kandidatët më të votuar të PDK-së kanë siguruar ulëse, ndërsa Thaçi ka mbetur jashtë për shkak të renditjes më të ulët në listë.

Ky rezultat vjen pavarësisht emrit të njohur familjar dhe mbështetjes brenda subjektit, duke reflektuar garën e fortë brenda listës së PDK-së në kryeqytet.

Armend Rexhepagiqi befason me pamjen, shfaqet me stil të ri

Pas shumë vitesh me lookun e tij identitar të flokëve të gjata, Armend Rexhepagiqi ka habitur publikun me një ndryshim të dukshëm në pamje.

Artisti i njohur, që prej dekadash njihet si një prej zërave më të veçantë të muzikës shqiptare, është shfaqur së fundmi në një organizim privat në Prishtinë, ku performoi me një stil të ri dhe me një karizëm që dëshmon se koha vetëm e ka pjekur artistikisht.

Ndryshimi vjen në një periudhë të artë për Rexhepagiqin, i cili këtë verë lansoi albumin “Dashni e Vjetër”, projekt ky që u mirëprit nga publiku dhe kritika, duke shënuar rikthimin e tij në skenën muzikore me tinguj modernë, por me thelbin poetik që e ka karakterizuar gjithmonë.

Albumi përfshin disa prej këngëve më të ndjera të tij, ndër to “Kutia e zezë” dhe “Dyfish ma pak”, që janë vlerësuar për përzierjen mes nostalgjisë dhe freskisë artistike.

Pas publikimit të albumit, Armendi mbajti edhe një koncert madhështor në Prishtinë më 19 korrik 2025, ku mijëra fansa e ndoqën me entuziazëm, duke e kthyer mbrëmjen në një retrospektivë emocionesh e kujtimesh që përfshinte hite nga e kaluara dhe krijime të reja.

Me këtë energji, ai tregoi se arti i tij mbetet po aq i gjallë dhe i dashur për publikun sa herën e parë që doli në skenë.

Performanca e fundit në eventin privat, ku u shfaq me lookun e ri, vetëm sa e konfirmon këtë fazë të re të artistit, më i qetë, më elegant, por me të njëjtin shpirt rebel që i ka dhënë identitet muzikës kosovare ndër vite.

 

Këta janë kandidatët më të votuar nga diaspora në komunat më të mëdha në Kosovë

Të hënën në mesnatë ka përfunduar numri i votave me postë për zgjedhjet lokale.

Sipas rezultateve të publikuara nga KQZ, në Prishtinë i pari ka dalë kandidati i LVV-së, Harulla Çeku me 55.38%, apo 571 vota.

I dytë është Përparim Rama nga LDK me 26.67% , apo 275 vota.

Në Pejë, Gazmend Muhaxheri i LDK-së ka marrë 48.55%, apo 604 vota, kurse Taulant Kelmendi i LVV-së 26.37%, apo 328 vota.

Në Podujevë, i pari është Shpejtim Bulliqi nga LVV me 61.28% , apo 557 vota, kurse i dyti Ekrem Hyseni i LDK-së 31.24% , apo 284 vota.

Në Prizren, Artan Abrashi i LVV-së ka 33.30%, apo 594 vota, kurse i dyti është Shaqir Totaj i PDK-së me 31.73% , apo 566 vota.

Në Ferizaj, Enver Haliti i LVV-së është i pari me 39.13%, apo 349 vota, kurse i dyti është Agim Aliu nga PDK me 37.78%, apo 337 vota.

Faton Peci nga Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 55.92%, apo 392 vota, kurse Arian Tahiri i PDK-së 33.67%, apo 236 vota

Kandidati LVV-së për Fushë – Kosovën, Valon Prebeza ka marrë 48.86%, apo 150 vota, kurse Besnik Osmani i LDK-së 37.46%, apo 115 vota.

Në Gjilan, Alban Hyseni i LVV-së ka 51.76%, apo 707 vota, kurse Arbër Ismajli i LDK-së 36.53%, apo 499 vota.

Ardian Gjini i AAK-së ka 43.82%, apo 992 vota, ndërsa Anton shala nga Partia Shqiptare Demokristiane e Kosovës ka 20.80%, apo 471 vota.

PZAP urdhëron rinumërim të votave në tri komuna

Ka nisur rinumërimi i pesë vendvotimeve me urdhër të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ndërsa gjatë ditës së sotme do të vazhdohet me numërimin e fletëvotimeve me kusht dhe atyre të personave me nevoja të veçanta.

Numërimi i fletëvotimeve nga votimi jashtë Kosovës përfundoi të hënën rreth mesnatës, sipas KQZ-së.

Mbi 44.000 votues kishin të drejtë të votojnë me postë nga jashtë vendit dhe patën një muaj kohë ta bënin këtë, nga 17 shtatori deri më 11 tetor.

Ndërkohë, rinumërimi ka nisur në tri komuna pas urdhrit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtesa.

Rinumërim do të ketë në dy vendvotime në Mitrovicën e Jugut, në të cilën nuk pati fitues në rundin e parë, pasi kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahiri, dhe ai i Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Peci, zhvilluan një garë të ngushtë kokë me kokë dhe do të përballen në balotazhin e 9 nëntorit.

Javën e kaluar, autoritetet njoftuan se kishin nisur mbledhjen e të dhënave lidhur me dyshimet për keqpërdorime të mundshme të votave në komunën e Mitrovicës së Jugut.

Për këtë komunë pati dallime të mëdha mes sondazheve fillestare, të publikuara menjëherë pas mbylljes së vendvotimeve, dhe rezultatit preliminar të publikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Në Kamenicë do të ketë rinumërim në një vendvotim, i cili nuk pritet të ketë ndikim në rezultat, pasi kandidati i LVV-së, Kadri Rahimaj e fitoi garën qysh në rundin e parë me mbi 51 për qind të votave të fituara.

Gjithashtu rinumërim do të ketë në një vendvotim në Podujevë, ku garën e fitoi bindshëm po ashtu një kandidat i LVV-së qysh në rundin e parë, Shpejtim Bulliqi.

KQZ-ja tha në njoftim se të martën do të nisë edhe numërimi i votave nga procesi i votimit me kusht dhe i votave të personave me nevoja të veçanta.