div[data-widget-id="1924179"] { min-height: 300px; }
class="archive date paged custom-background wp-custom-logo paged-2 date-paged-2 wp-theme-news-25 td-standard-pack group-blog hfeed">
Reagon PDK-ja pasi PZAP-ja refuzoi rivotimin në Mitrovicë, paralajmërojnë këtë veprim
Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar pas vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), i cili refuzoi ankesën e saj lidhur me parregullsitë e pretenduara gjatë raundit të dytë të zgjedhjeve për kryetar të Mitrovicës së Jugut.

Në reagimin e saj, PDK është shprehur thellësisht e zhgënjyer me vendimin, duke e cilësuar atë si të padrejtë dhe të shkëputur nga realiteti i situatës në terren.

“E konsiderojmë këtë vendim të padrejtë dhe të pambështetur në faktet reale. PDK ka paraqitur dëshmi, prova dhe dokumente që qartë tregojnë se procesi zgjedhor në Mitrovicë është cenuar dhe se vullneti i qytetarëve nuk është respektuar në përputhje me ligjin dhe standardet demokratike”, thuhet në reagim.

Partia thekson se nuk do të ndalet dhe do t’i shfrytëzojë të gjitha mjetet ligjore për të mbrojtur integritetin e procesit zgjedhor.

“Hapi ynë i radhës është dërgimi i ankesës në Gjykatën Supreme të Republikës së Kosovës, si instanca e fundit që mund të garantojë drejtësi dhe transparencë të plotë në këtë proces”, ka njoftuar PDK.

Në fund të reagimit, partia thekson se do të vazhdojë betejën ligjore deri në fund, duke mbrojtur, siç thotë ajo, votën e lirë dhe të pastër të qytetarëve të Mitrovicës.

“Ne jemi dhe mbetemi në mbrojtje të votës së lirë, të drejtë dhe të ndershme të qytetarëve. Nuk kërkojmë asgjë më shumë sesa respektimin e ligjit dhe të vullnetit të qytetarëve. Drejtësia do të vijë”, përfundon reagimi i PDK-së.

Publikohet video, ja kur do të fillojë Big Brother VIP Albania 5
Pas një periudhe të gjatë pritjeje dhe spekulimesh, fansat e “Big Brother VIP Albania” më në fund kanë marrë lajmin e shumëpritur: sezoni i pestë do të nisë në dhjetor.

Ky informacion u konfirmua përmes një njoftimi zyrtar në llogarinë e programit, duke i dhënë fund misterit që kishte mbuluar këtë edicion të ri.

Megjithatë, një detaj i rëndësishëm ka tërhequr vëmendjen e fansave: nisja e këtij sezoni është e vonuar në krahasim me vitet e kaluara, kur programi zakonisht fillonte në tetor ose fillim-nëntori.

Kjo ka shkaktuar një valë diskutimesh në rrjetet sociale, ku ndjehet qartë padurimi i publikut për të parë çfarë do të ndodhë këtë herë.

Një tjetër element që ka ndezur bisedat online është reagimi i Ledion Liços, i cili është përfolur si prezantuesi i këtij sezoni.

Ai shpërndau njoftimin zyrtar në rrjetet e tij sociale, duke e konsideruar këtë si një konfirmim të heshtur për rikthimin e tij në rolin e prezantuesit, ashtu si në sezonin e kaluar.

Edhe pse Top Channel ende nuk e ka bërë zyrtare, reagimi i menjëhershëm i Ledionit ka mjaftuar që publiku ta pranojë këtë si një fakt të mbyllur.

Kjo ka rritur edhe më shumë interesin e fansave për të mësuar detaje të tjera rreth sezonit të ri.

Me njoftimin e vonuar dhe konfirmimin e tërthortë të Ledionit, publiku është më kureshtar se kurrë për të zbuluar se cilët VIP-a do të futen në këtë edicion.

Spekulimet për emrat e mundshëm kanë filluar të qarkullojnë, duke rritur tensionin dhe pritshmëritë.

Një tjetër pikë e rëndësishme është se çfarë ndryshimesh do të ketë në formatin e programit.

Kjo është një pyetje që fansat e bëjnë shpesh, duke pritur të shohin inovacione dhe surpriza që do ta bëjnë këtë sezon edhe më interesant.

Po ashtu, shtëpia e re e Big Brother-it është përfolur se do të pësojë ndryshime të mëdha.

Detajet mbi këtë aspekt janë ende të paqarta, por fansat janë të etur për të zbuluar se si do të duket ambienti ku do të zhvillohen ngjarjet e këtij sezoni.

Me kaq shumë pyetje dhe spekulime, është e qartë se “Big Brother VIP Albania 5” do të jetë një edicion që do të mbajë vëmendjen e publikut.

A do të arrijë të përmbushë pritshmëritë e fansave? Vetëm koha do ta tregojë.

Një veturë përplas një grup njerëzish në Beograd, disa të lënduar
Në lagjen Banjica të Beogradit sot ka ndodhur një aksident i rëndë rrugor. Një automjet ka goditur një grup njerëzish.

Sipas informacionit jozyrtar, dy persona janë plagosur dhe janë dërguar në spital. Aksidenti ndodhi në rrugën “Bakhtiyar Vahabzadeh”, ndërsa një Golf u përplas me grupin e njerëzve, shkruan nova.rs.

Dëshmitarët thonë se automjeti po lëvizte me shpejtësi të madhe dhe njëri prej tyre tregoi momentet dramatike.

“Drejtuesi i veturës ishte mjaft i ri. Automjeti po lëvizte me shpejtësi të madhe. Drejtuesi i automobilit tjetër u përpoq të kthehej, dhe pastaj kjo veturë u përplas mes nesh. Ai shkoi drejt meje, unë e shmanga, por goditi një grua tjetër. Ajo mbeti e bllokuar nën makinë”, tha ajo.

Në vendin e ngjarjes ndodhen edhe pjesëtarë të ushtrisë, pasi automjeti ka goditur edhe gardhin e një objekti ushtarak.

Bashkudhëtari i veturës që u përplas me njerëzit shpjegoi si, sipas tij, ka ndodhur aksidenti.

“Veturë tjetër po bënte një kthesë të gjysmë rrethore. Ne menduam se do të kalonim. Ai automjet doli përpara. Ne, për ta shmangur, dolëm nga rruga. Atëherë goditëm trotuarin. Dy gra u plagosën, por ne mbetëm këtu. Drejtuesi i makinës që po bënte gjysmë rrethoren iku,” tha i riu.

 

PZAP vendos, a do të ketë rivotim në Mitrovicë?

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), e cila kërkonte përsëritje të procesit zgjedhor dhe rivotim në Komunën e Mitrovicës së Jugut, në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale të 9 nëntorit 2025.

Në vendimin e publikuar të premten, PZAP ka bërë të ditur se pas shqyrtimit të pretendimeve të PDK-së dhe përgjigjes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), nuk ka gjetur bazë ligjore që procesi të shpallet i pavlefshëm, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

“Refuzohet si e pabazuar ankesa e subjektit politik Partia Demokratike e Kosovës (PDK), me seli në Prishtinë, me të cilën është kërkuar që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), brenda afatit ligjor, të urdhërohet të përsërisë procesin zgjedhor në Komunën e Mitrovicës së Jugut duke organizuar rivotim, në përputhje me ligjin dhe rregulloret përkatëse”, thuhet në vendimin e PZAP-së.

Në vendim thuhet gjithashtu se Paneli ka hedhur poshtë pretendimin për të ashtuquajturin “tren bullgar”, duke theksuar se nuk është gjetur asnjë provë që vërteton manipulime të tilla.

Pretendimet e PDK-së

PDK kishte dorëzuar një ankesë më 11 nëntor, ku ngrinte dyshime për: përzierje të fletëvotimeve mes vendvotimeve të ndryshme; fletëvotime të pavulosura ose të vulosura dy herë (“tren bullgar”); mos-përputhje mes kodit të vendvotimit dhe fletëvotimit; rritje të pazakontë të daljes në votime në balotazh; presion ndaj qytetarëve ditën e votimit.

Sipas PDK-së, këto parregullsi “cenonin integritetin e procesit zgjedhor”, duke kërkuar rivotim të plotë në komunë.

PZAP vlerësoi se: shkeljet e raportuara janë rezultat i një defekti teknik të operatorit ekonomik; gabimet janë të izoluara dhe nuk ndikojnë vullnetin e përgjithshëm të zgjedhësve; nuk ekziston bazë ligjore për rivotim në tërë komunën; procesi i numërimit dhe administrimi i fletëvotimeve përputhet me të gjitha regjistrat zyrtarë./Reporteri.net/

Hajdari e përjashton Kurtin nga skandali me rezervat shtetërore, sulmon Blerim Isufajn

Ministrja në detyrë, e MINT, Rozeta Hajdari ka thënë së kryeministri në detyrë, Albin Kurti nuk ka asnjë lidhje me skandalin e rezervave shtetërore, për të cilën tashmë është ngritur edhe aktakuzë ndaj saj.

“Nuk ka asnjë lidhje kryeministri Kurti, Kurti ka të vetëm lidhje që ka aprovuar me kolegjin qeveritar kërkesën tonë të ligjshme sipas ligjit në fuqi për largimin nga procedurat nga prokurimi publik, sepse dështuam tri herë kjo është e vetmja ndërhyrjeje ligjore të Qeverisë”, tha ajo në konferencë për media.

Ajo ka sulmuar edhe Kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, duke përmend edhe kryeterroristin Millan Radojçiqin.

Ajo pretendon se po ndiqet politikisht veç për të luftuar Qeverinë.

“Prokuroria vendos që të më ndjek mua politikisht për të luftuar Qeverinë e cila atë dhe shefin e tij Blerim Isuaj nuk lejoj që të avancohen në pozita që të vazhdonin të vepronin në dëm të shteti e për interesa të ndryshime duke mos anashkaluar ato të Serbisë si në rastin kur kanë anuluar urdhër arrestin kundër Milan Radojçiq”, tha ajo.

Kërkohen nga Policia e Kosovës: A i njihni këta tre persona?

Policia e Kosovës, Drejtoria Rajonale në Pejë, me autorizim të Prokurorisë Themelore të Pejës, ka publikuar të dhënat e tre personave të kërkuar, me qëllim lokalizimin dhe arrestimin e tyre.

Personat e kërkuar janë:

Ismet (Rexhep) Kelmendi, i lindur më 09.09.2005 në Pejë
Valtrim (Shefqet) Kelmendi, i lindur më 28.02.2005 në Pejë
Premton (Megjid) Berisha, i lindur më 11.09.2005 në Pejë

Të pandehurit kërkohen për veprat penale:
Mbajtja në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve
Lëndim i lehtë trupor
Kanosje

Policia e Kosovës u bën thirrje qytetarëve që posedojnë informacione për vendndodhjen e personave të dyshuar në fotot e publikuara, të njoftojnë menjëherë autoritetet policore ose të paraqiten në stacionin më të afërt.

Numrat e kontaktit:
192 dhe 0800 19999 (pa pagesë)
039 432 327 – Drejtoria Rajonale Pejë
Email: info@kosovopolice.com

Hekuran Murati jep lajmin e mirë për pensionet

Pensionistët e Kosovës nga ky muaj do të përfitojnë pensione me rritje.

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka bërë të ditur se sot pritet ekzekutimi i pensioneve të përmirësuara.

“Asnjë qeveri nuk i ka rritur pensionet sikurse Qeveria Kurti. Pensioni Bazik, të cilin e gjetëm me vlerë 90 euro/muaj në fillim të mandatit, prej sot procesohet me rritje në 150 euro/muaj. Pra 60 euro rritje brenda mandatit, apo 67%. Ngjashëm edhe Pensionet për Personat me Aftësi të Kufizuara, të cilat i gjetëm me 75 euro/muaj dhe nga sot ato bëhen 150 euro/muaj, apo 100% rritje brenda mandatit”, tha ai.

Ministri Murati shtoi se “Gjithashtu, kemi rritur edhe mbështetjen për familjet që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara, por edhe pensionin invalidor e atë familjar. Qeveria për pensionistët”.

Vrasja që tronditi Gjilanin, Salihu dënohet me 25 vjet burgim

Në Gjykatën Themelore të Gjilanit është shpallur aktgjykimi për rastin e vrasjes së Sokol Osmanit, 37-vjeçarit që humbi jetën në mënyrë tinëzare në nëntor të vitit 2024 në Gjilan.

Pas disa muajsh seanca gjyqësore dhe dëgjimi të disa dëshmitarëve, gjykata ka marrë vendim ndaj të pandehurve Valmir Salihu dhe Florian Mitev, të cilët ishin arrestuar pas vetëdorëzimit të tyre pas një periudhe të gjatë kërkimi nga Policia e Kosovës.

Salihu është dënuar me 25 vjet burgim, kurse Mitev me 8 vjet burgim.

Gjatë shqyrtimit gjyqësor, dëshmitarët kanë dhënë deklaratat e tyre për rrethanat e ngjarjes tragjike që tronditi opinionin publik.

Prokuroria kishte ngritur aktakuzë për vrasje të rëndë, ndërsa mbrojtja kishte kërkuar lirimin e të akuzuarve, duke pretenduar mungesë provash të mjaftueshme.

Familja Osmani ka ndjekur nga afër procesin dhe ka kërkuar drejtësi për djalin e tyre të vetëm, duke theksuar se humbja e Sokol Osmanit ka lënë një boshllëk të madh në familje dhe komunitet.

Sokoli ishte djali i vetëm i familjes Osmani.

“Nga refugjat në hero”, llapjani që u vra në New York do të varroset në Kosovë

41-vjeçari, Burim Havolli u vra tragjikisht në Bruklin, teksa po tentonte të ndalonte një vjedhje në ndërtesën ku ai ishte mbikëqyrës.

Familjarët e viktimës kanë bërë të ditur se varrimi i tij do të bëhet në Kosovë, pasi të përfundojnë të gjitha procedurat ligjore në New York.

Policia njoftoi se një person është marrë në pyetje, por deri tani nuk janë ngritur akuza. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes vazhdojnë.

Ndërkohë Blerim Havolli, vëllai i viktimës, ishte në lot ndërsa fliste për mënyrën se si të dy e mbijetuan luftën e Kosovës në vitin 1999 dhe arratisën në Amerikë për një jetë më të mirë.

“Ai e donte këtë vend. Ky vend na ka ndihmuar shumë”, tha Blerim Havolli për CBS News.

Vëllai tha se familja po e përjeton rëndë vdekjen e 41-vjeçarit.

“Nuk ka fjalë që mund ta përshkruajnë. Kjo është e trishtë. Ai la pas tre [fëmijë] dhe ishte vetëm 41 vjeç”, tha nga ana tjetër, kushëriri Petrit Havolli.