Ekonomisti Mustafa për rritjen e pagës minimale: Vendim i pamatur dhe popullist

Vendimi për rritjen e pagës minimale në 425 euro bruto po konsiderohet vendim i pamatur e popullist që po përdoret në kohë fushatash.

Ekonomisti Bashkim Mustafa në një intervistë për EO ka thënë se krejt këto vendime po merren meqë sipas tij Lëvizja Vetëvendosje e ka pa rrezikun e rënies në elektorat, e për çka nëpërmjet këtyre metodave tenton të fitojë vota.

“Së pari kemi të bëjmë me një kryeministër që i mungon legjitimiteti qeverisës edhe si i tillë nuk ka të drejtë as ligjore as nuk ka mundësi ligjore që merr vendime të tilla, mundësitë në pozicionin të cilin është janë totalisht të kufizuara dhe ky vendim më tepër është popullist në kohë fushate dhe e sheh si momentum i cili është duke u rrezikuar rënia e tij nga pushteti dhe LVV ka rënie siç po shihet për këto mundohet që sadopak të ndikoj në blerjen e votës në mënyrë indirekte. Sa i përket çështjes tjetër e cila si të merret vendimi që do ta implementojnë të tjerët është një vendim totalisht i pamatur, vendim i cili nuk mund të merret pa konsultime publike edhe nuk mund të merret pa këshillin ekonomik social i cili ka kompetenca dhe ka me zbatu një vendim të tillë”, tha ai.

Derisa Qeveria vlerëson se vendimi për rritjen e pagës minimale që do të hy në fuqi që nga janari i 2026-ës, janë bizneset që sipas Mustafës do të pësojnë.

“Kjo buxhetit të Kosovës nuk i kushton asgjë por i kushton bizneseve, ky vendim është marr që të implementohet nga bizneset por do të ja ulë fuqinë financiare në proporcion me rritjen e pagës coftë në aspektin investiv çoftë në aspekte të tjera dhe si i tillë punëtoret do të përfitoj pro është vendim i pamatur, i pallogaritur mirë dhe me impakt që mendoj se më shumë do të ketë pasoja në aspekt ekonomik sesa do të ketë përfitime”, theksoi ai.

Mustafa nënvizoi se Kurti do të duhej të krijonte politika të qëndrueshme të cilat do të ndikonin në biznese.

“Kryeministri në detyrë, në dorëheqje, i cilit i ka kalu i gjithë legjitimiteti ligjor dhe kushtetues është duke mbajtur peng institucionet i ka pas pesë vite në dispozicion që të bëjë lëvizje të tilla me zgjedhjet e vitit të kaluar ka marr vendime të tilla dhe ka rrit pagën minimale dhe tash të njëjtën pe përdor për qëllime politike. Po t’ia donte të mirën punëtorëve të shtetit dhe të sektorit privat ai do të krijonte politika të qëndrueshme të cilat do të ndikonin pozitivisht dhe nga viti në vit do t’i imponohej bizneseve t’i rritin pagën minimale në proporcion me rritjen e kërkesës dhe fuqisë së blerjes që ka ekonomia e vendit dhe qytetarët e vendit”, potencoi ekonomisti.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti njoftoi se nga muaji i ardhshëm paga minimale bëhet 425 euro bruto nga 350 euro sa është tash. Kurse nga 1 korriku fillon zbatimi i fazës së dytë ku paga minimale bëhet 500 euro. Gjithashtu njoftoi se përfitues nga vendim do të jenë rreth 150 mijë punëtorë./EO

Haradinaj për Qeverinë Kurti: Burgu i Dubravës nuk ka kate të mjaftueshme për këta të korruptuar

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kritikuar qeverisjen e Albin Kurtit për mosluftim të korrupsionit. Ai ka thënë se gjatë mandatit të saj, Qeveria Kurti nuk ka bërë asgjë për ta luftuar korrupsionin.

Sipas tij, Kosova aktualisht është në kulmin e korrupsionit.

“Në pushtet kanë ardhur me këtë kauzë, “Do ta luftojmë korrupsionin”. Kanë kaluar pesë vjet dhe askush nuk është në burg, por po aq pesë vjet ka që nuk ka ditë pa dalë ndonjë aferë korruptive, në të katër anët dhe kudo që ka prekur ky pushtet në krye. Çdo ditë nga një dosje e re. Është e vërtetë që Dubrava nuk ka kate të mjaftueshme për këta të korruptuar. Ju vjen dita”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

AAK-ja në zgjedhjet e 28 dhjetorit hyn në garë e vetme, pa asnjë koalicion parazgjedhor./KOHA

Hamza iu premton qytetarëve: Një prej vendimeve të para do të jetë rritja e pagave dhe pensioneve të të gjitha kategorive

Kandidati për kryeministër nga PDK, Bedri Hamza ka bërë një premtim për qytetarët

Ai i ka siguruar ata, që me ardhjen e tij në pushtet do të rriten pagat dhe pensionet, rritje të cilën e ka quajtur kualitative.

Hamza ka treguar edhe se çka është e nevojshme për qytetarët në këtë aspekt.

“Qytetarët duan parashikueshmëri, çdo përkrahje e qytetarëve është e mirëseardhur, është e mirë por ata duan parashikueshmëri dhe qëndrueshmëri. Kjo nënkupton ti duhesh të rritësh pagat, dhe pagat të jenë në kontinuitet, pensionet të jenë në kontinuitet, jo me iu dhënë një ndihmë të njëhershme dhe qytetari të mos e dij kur i vjen tjetra dhe a ndodh tjetra. Përtej kësaj, kjo duhet të bëhet në kohë dhe me ligj, në procedurë ligjore, në kohë dhe me qenë të përhershme”, ka thënë Hamza në ATV.

Ai ka treguar se për cilët kategori të pensioneve do të ketë rritje.

“Prandaj, prej vendimeve të para ka me qenë rritja e pagave, rritja e pensioneve të të gjitha kategorive, edhe pensioneve bazike edhe atyre kontributdhënëse, edhe kategoritë e dala nga lufta, personat paraplegjikë, tetraplegjikë, viktimat e dhunës seksuale”, ka thënë Hamza.

Ai ka thënë se për t’u arritur kjo duhet të rritet buxheti, për të cilin ka treguar se mund të zgjidhet.

Hamza është kandidat i PDK-së për kryeministër për herë të dytë, pasi ai kishte kandiduar edhe në zgjedhjet e 9 shkurtit. Nga rezultati i dal prej atyre zgjedhjeve, nuk u arrit të formohet një Qeveri.

Zgjedhjet e 28 dhjetorit pritet të sjellin rezultat të mirë për formimin e institucioneve, e më pas ai që do të fitoj këto zgjedhje dhe do të formoj Qeverinë, pritet t’i realizoj premtimet e dhëna para dhe gjatë fushatës.

Aksident me pasoja fatale në veri: Vdes një serb ndërsa të tjerë shtrihen në spitalin e Mitrovicës

Policia e Kosovës, Drejtoria Rajonale e Policisë Mitrovicë Veri, më datë 09.12.2025 rreth orës 16:20, është informuar për një aksident trafiku të ndodhur në magjistralen Mitrovicë – Leposaviq, ku kanë qenë te përfshira dy automjete civile, një me targa vendore dhe një me targa të huaja.

Njësitë e hetimeve të trafikut janë duke e hetuar rastin dhe sipas hetimeve fillestare, dyshohet se njëra nga veturat ka kaluar në shiritin e kundërt, duke u përplasur me automjetin që po vinte në kahje të kundërt.

Si pasojë e aksidentit, pesë persona kanë pësuar lëndime: dy shoferët dhe tre pasagjerë. Fatkeqësisht, njëri nga pasagjeret, i identifikuar me inicialet V. M. (1999), ka ndërruar jetë në spitalin rajonal të Mitrovicës Veri, rreth orës 20:30 trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për procedurat e mëtejshme ligjore.

Njësitë kompetente policore kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme në vendngjarje dhe hetimet po vazhdojnë për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit.

Policia e Kosovës apelon tek të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion që të respektojnë rregullat e trafikut, të shmangin tejkalimet e rrezikshme, të përshtatin shpejtësinë me kushtet e rrugës dhe të kenë kujdes të shtuar gjatë vozitjes. Çdo pakujdesi në trafik mund të rrezikojë jetën dhe sigurinë e qytetarëve.

Ndërron jetë legjenda e boksit kosovar

Ka vdekur Nazif Gashi, njëri prej emrave më të mëdhenj të historisë së sportit të Kosovës.

Gashi, 74-vjeçar, ka pasur një karrierë të pasur si boksier. Ai ishte pjesë e gjeneratës së artë të Prishtinës, e cila për shumë vjet dominoi në shtetin e dikurshëm federativ.

Për vdekjen e Gashit kanë njoftuar familjarë të tij.

Në vitet shtatëdhjeta dhe tetëdhjeta të shekullit të kaluar, Gashi dhe boksierët e tjerë të Prishtinës kishin bërë krenarë gjithë Kosovën me paraqitjet e tyre.