div[data-widget-id="1924179"] { min-height: 300px; }
class="archive date paged custom-background wp-custom-logo paged-2 date-paged-2 wp-theme-news-25 td-standard-pack group-blog hfeed">
Gjykata Speciale liron me kusht Isni Kilaj

Kilaj është liruar me kusht, kanë njoftuar Dhomat e Specializuara.

Njoftimi thekson se Kilaj mbetet i akuzuar në gjykimin aktual dhe lirimi i tij shoqërohet me disa kushte që synojnë të zvogëlojnë rrezikun e ndikimit ndaj dëshmitarëve në çështjen gjyqësore kundër tij. Sipas vendimit, në rast se Kilaj shkel cilindo nga këto kushte, do të lëshohet një fletarrestim për arrestimin e tij të menjëhershëm.

Gjykatësi, në vendimin e 3 dhjetorit 2025, konstatoi se rrethanat kishin ndryshuar që prej rishikimit të paraburgimit të Kilajt në tetor 2025 dhe se mbajtja e tij në paraburgim nuk ishte më as e arsyeshme, as proporcionale. Megjithëse ekzistonte njëfarë rreziku që Kilaj mund të pengonte ecurinë e procesit ose të kryente vepra penale të tjera, gjykatësi arriti në përfundimin se e drejta themelore e tij për liri peshon më shumë se këto rreziqe.

Gjykatësi mori gjithashtu parasysh se koha që Kilaj ka kaluar në paraburgim tashmë tejkalon dënimin minimal sipas ligjit për veprat penale për të cilat akuzohet.

“Nuk është paraqitur asnjë provë që tregon se Kilaj ka tentuar të pengonte procesin gjatë periudhës së lirimit të tij të mëparshëm me kushte në vitin 2024; paraqitja e provave në çështjen e Prokurorisë së Specializuar për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin ka përfunduar, dhe rreziku që Kilaj mund të ndikojë në dëshmitarët në Çështjen 12 është shumë i ulët, duke marrë parasysh rrethanat e tyre specifike. Gjykatësi konstatoi gjithashtu se nuk ka rrezik arratisjeje, duke marrë parasysh periudhën e lirimit të mëparshëm dhe shumën e konsiderueshme financiare të dorëzuar që do të humbiste në rast shkeljeje”, thuhet në njoftim.

Kilaj mbetet i akuzuar në gjykimin aktual, ndërsa kushtet e lirimit të tij janë vendosur për të minimizuar çdo rrezik për procesin gjyqësor. Çdo shkelje e këtyre kushteve do të çojë në lëshimin e një fletarrestimi për arrestimin e tij të menjëhershëm.

Xhuli thotë se Cristiano Ronaldo ia kërkoi numrin

Modelja dhe ish-banorja e “Big Brother VIP Kosova”, Xhuli Nura, ka zbuluar një episod më pak të njohur nga jeta e saj, që lidhet me një takim të vitit 2016 me futbollistin e njohur Cristiano Ronaldo.

Gjatë intervistës për “Andale”, ajo tregoi se gjithçka kishte nisur në një festë në Ibiza, ku ndodheshin disa jahte pranë njëri-tjetrit.

Sipas saj, Ronaldo po argëtohej bashkë me disa miq dhe ndodhej shumë afër tavolinës së saj.

“Po rrinim, po kërcenim, dhe vjen njëri e thotë: ‘Ronaldo po ta kërkon numrin’. Të nesërmen na ftoi në një party tjetër. Bëmë muhabet, por ishte shumë djalë i mirë, shumë i thjeshtë,” u shpreh ajo

Nura rrëfeu se një shok i Ronaldos i ishte afruar për t’i kërkuar numrin e telefonit, pasi futbollisti kishte shprehur interes.

Ajo shtoi se Ronaldo e kishte ftuar në një festë që do të mbahej një ditë më vonë. Ajo theksoi se gjatë bisedës së tyre, ai ishte treguar tepër i thjeshtë dhe i sjellshëm.

Modelja përmendi edhe një rast tjetër kur e kishte takuar Karim Benzeman në Dubai, por sipas saj, ai ishte dukur më i rezervuar dhe më pak i afrueshëm, ndryshe nga Ronaldo.

“Shihe, e kam takuar edhe Benzeman, por në Dubai ishte kështu mbreti i botës, po kush je, askush nuk të var”, tha Nura.

Në fund, Nura theksoi se ka mbetur me përshtypje të mira nga sjellja respektuese e Ronaldos.

Me humor ajo shtoi se sot “e ka bllokuar në Instagram”, duke kujtuar se ngjarja ka ndodhur në vitin 2016, kohë kur ajo pati ndarë me të edhe llogarinë e saj në Instagram.

Liverpooli merr vendimin final rreth Salahut

Liverpool mbetet i përkushtuar ta mbajë Mohamed Salah në Anfield deri në përfundim të kontratës së tij, pavarësisht spekulimeve gjithnjë e më të mëdha rreth së ardhmes së tij dhe përjashtimit surprizë nga lista e Ligës së Kampionëve për ndeshjen kundër Interit të martën në mbrëmje.

Vendimi për ta lënë Salah jashtë ekipit udhëtues është marrë bashkërisht nga trajneri Arne Slot dhe bordi i Liverpoolit, pas tensioneve të vazhdueshme mes lojtarit dhe stafit teknik.

Sulmuesi 33-vjeçar, i cili ka qenë zemra e suksesit të Liverpoolit për gati një dekadë, është gjendur në një pozitë të pazakontë, në periferi të skuadrës gjatë një prej periudhave më të trazuara të klubit në vitet e fundit.

Megjithatë, sipas The Athletic, gjigantët e Premierligës nuk kanë asnjë qëllim ta shesin Salahun tani dhe planifikojnë ta mbajnë deri në përfundim të kontratës së tij me klubin.

Pavarësisht dramës jashtë fushës, qëndrimi i Liverpoolit mbetet i palëkundur. Fenway Sports Group (FSG) nuk kanë aspak ndërmend ta shesin Salahun në janar dhe insistojnë që ai ta çojë deri në fund kontratën aktuale, e cila skadon në vitin 2027.

Drejtuesit thuhet se e shohin Salahun si thelbësor për ruajtjen e imazhit global dhe fuqisë komerciale të klubit, edhe pse roli i egjiptianit në fushë është bërë gjithnjë e më kompleks nën drejtimin e Slot.

Përjashtimi i tij vjen pas një serie mosmarrëveshjesh publike dhe private me Slot, që kulmuan me intervistën shpërthyese pas ndeshjes së barazuar 3-3 ndaj Leeds United, ku ai akuzoi figura të paidentifikuara në klub se “e kishin hedhur poshtë”.

Megjithatë, burime të brendshme thonë se drejtuesit e Liverpoolit mbeten të bashkuar pas Slot, duke u përpjekur njëkohësisht ta menaxhojnë situatën me Salah me diplomaci, për të shmangur destabilizimin edhe më të madh të dhomës së zhveshjes.

Përplasja e vazhdueshme ka ringjallur interesimin nga Liga Saudite, veçanërisht nga Al-Hilal, që janë të interesuar ta transferojnë sulmuesin egjiptian.

Nëse kjo situatë do të zgjidhet apo jo mbetet për t’u parë, por një gjë është e qartë: Liverpool nuk është gati ta lërë të largohet në heshtje lojtarin e tyre më ikonik të epokës moderne.

LAJMI I FUNDIT: Qeveria Kurti pritet të ekzekutojë para zgjedhjeve pagën e 13-të

Tashmë jemi në prag të zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare të 28 dhjetorit.

Një nga vendimet që po shqyrtohen të merrën nga qeveria Kurti para ditës së zgjedhjeve është ndarja e pagës së 13-të për të gjithë të punësuarit në sektorin shtetëror.

Gazeta Online Veriu.info mëson nga burimet e saj brenda qeverisë se po shqyrtohet mundësi e ndarjes së pagës së 13-të për rreth 80 mijë të punësuar në sektorin publik.

Kjo gjë sipas këtyre burimeve mund të bëhet pak ditë para ditës së zgjedhjeve.

Ekonomisti Mustafa për rritjen e pagës minimale: Vendim i pamatur dhe popullist

Vendimi për rritjen e pagës minimale në 425 euro bruto po konsiderohet vendim i pamatur e popullist që po përdoret në kohë fushatash.

Ekonomisti Bashkim Mustafa në një intervistë për EO ka thënë se krejt këto vendime po merren meqë sipas tij Lëvizja Vetëvendosje e ka pa rrezikun e rënies në elektorat, e për çka nëpërmjet këtyre metodave tenton të fitojë vota.

“Së pari kemi të bëjmë me një kryeministër që i mungon legjitimiteti qeverisës edhe si i tillë nuk ka të drejtë as ligjore as nuk ka mundësi ligjore që merr vendime të tilla, mundësitë në pozicionin të cilin është janë totalisht të kufizuara dhe ky vendim më tepër është popullist në kohë fushate dhe e sheh si momentum i cili është duke u rrezikuar rënia e tij nga pushteti dhe LVV ka rënie siç po shihet për këto mundohet që sadopak të ndikoj në blerjen e votës në mënyrë indirekte. Sa i përket çështjes tjetër e cila si të merret vendimi që do ta implementojnë të tjerët është një vendim totalisht i pamatur, vendim i cili nuk mund të merret pa konsultime publike edhe nuk mund të merret pa këshillin ekonomik social i cili ka kompetenca dhe ka me zbatu një vendim të tillë”, tha ai.

Derisa Qeveria vlerëson se vendimi për rritjen e pagës minimale që do të hy në fuqi që nga janari i 2026-ës, janë bizneset që sipas Mustafës do të pësojnë.

“Kjo buxhetit të Kosovës nuk i kushton asgjë por i kushton bizneseve, ky vendim është marr që të implementohet nga bizneset por do të ja ulë fuqinë financiare në proporcion me rritjen e pagës coftë në aspektin investiv çoftë në aspekte të tjera dhe si i tillë punëtoret do të përfitoj pro është vendim i pamatur, i pallogaritur mirë dhe me impakt që mendoj se më shumë do të ketë pasoja në aspekt ekonomik sesa do të ketë përfitime”, theksoi ai.

Mustafa nënvizoi se Kurti do të duhej të krijonte politika të qëndrueshme të cilat do të ndikonin në biznese.

“Kryeministri në detyrë, në dorëheqje, i cilit i ka kalu i gjithë legjitimiteti ligjor dhe kushtetues është duke mbajtur peng institucionet i ka pas pesë vite në dispozicion që të bëjë lëvizje të tilla me zgjedhjet e vitit të kaluar ka marr vendime të tilla dhe ka rrit pagën minimale dhe tash të njëjtën pe përdor për qëllime politike. Po t’ia donte të mirën punëtorëve të shtetit dhe të sektorit privat ai do të krijonte politika të qëndrueshme të cilat do të ndikonin pozitivisht dhe nga viti në vit do t’i imponohej bizneseve t’i rritin pagën minimale në proporcion me rritjen e kërkesës dhe fuqisë së blerjes që ka ekonomia e vendit dhe qytetarët e vendit”, potencoi ekonomisti.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti njoftoi se nga muaji i ardhshëm paga minimale bëhet 425 euro bruto nga 350 euro sa është tash. Kurse nga 1 korriku fillon zbatimi i fazës së dytë ku paga minimale bëhet 500 euro. Gjithashtu njoftoi se përfitues nga vendim do të jenë rreth 150 mijë punëtorë./EO

Haradinaj për Qeverinë Kurti: Burgu i Dubravës nuk ka kate të mjaftueshme për këta të korruptuar

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kritikuar qeverisjen e Albin Kurtit për mosluftim të korrupsionit. Ai ka thënë se gjatë mandatit të saj, Qeveria Kurti nuk ka bërë asgjë për ta luftuar korrupsionin.

Sipas tij, Kosova aktualisht është në kulmin e korrupsionit.

“Në pushtet kanë ardhur me këtë kauzë, “Do ta luftojmë korrupsionin”. Kanë kaluar pesë vjet dhe askush nuk është në burg, por po aq pesë vjet ka që nuk ka ditë pa dalë ndonjë aferë korruptive, në të katër anët dhe kudo që ka prekur ky pushtet në krye. Çdo ditë nga një dosje e re. Është e vërtetë që Dubrava nuk ka kate të mjaftueshme për këta të korruptuar. Ju vjen dita”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

AAK-ja në zgjedhjet e 28 dhjetorit hyn në garë e vetme, pa asnjë koalicion parazgjedhor./KOHA

Hamza iu premton qytetarëve: Një prej vendimeve të para do të jetë rritja e pagave dhe pensioneve të të gjitha kategorive

Kandidati për kryeministër nga PDK, Bedri Hamza ka bërë një premtim për qytetarët

Ai i ka siguruar ata, që me ardhjen e tij në pushtet do të rriten pagat dhe pensionet, rritje të cilën e ka quajtur kualitative.

Hamza ka treguar edhe se çka është e nevojshme për qytetarët në këtë aspekt.

“Qytetarët duan parashikueshmëri, çdo përkrahje e qytetarëve është e mirëseardhur, është e mirë por ata duan parashikueshmëri dhe qëndrueshmëri. Kjo nënkupton ti duhesh të rritësh pagat, dhe pagat të jenë në kontinuitet, pensionet të jenë në kontinuitet, jo me iu dhënë një ndihmë të njëhershme dhe qytetari të mos e dij kur i vjen tjetra dhe a ndodh tjetra. Përtej kësaj, kjo duhet të bëhet në kohë dhe me ligj, në procedurë ligjore, në kohë dhe me qenë të përhershme”, ka thënë Hamza në ATV.

Ai ka treguar se për cilët kategori të pensioneve do të ketë rritje.

“Prandaj, prej vendimeve të para ka me qenë rritja e pagave, rritja e pensioneve të të gjitha kategorive, edhe pensioneve bazike edhe atyre kontributdhënëse, edhe kategoritë e dala nga lufta, personat paraplegjikë, tetraplegjikë, viktimat e dhunës seksuale”, ka thënë Hamza.

Ai ka thënë se për t’u arritur kjo duhet të rritet buxheti, për të cilin ka treguar se mund të zgjidhet.

Hamza është kandidat i PDK-së për kryeministër për herë të dytë, pasi ai kishte kandiduar edhe në zgjedhjet e 9 shkurtit. Nga rezultati i dal prej atyre zgjedhjeve, nuk u arrit të formohet një Qeveri.

Zgjedhjet e 28 dhjetorit pritet të sjellin rezultat të mirë për formimin e institucioneve, e më pas ai që do të fitoj këto zgjedhje dhe do të formoj Qeverinë, pritet t’i realizoj premtimet e dhëna para dhe gjatë fushatës.

Aksident me pasoja fatale në veri: Vdes një serb ndërsa të tjerë shtrihen në spitalin e Mitrovicës

Policia e Kosovës, Drejtoria Rajonale e Policisë Mitrovicë Veri, më datë 09.12.2025 rreth orës 16:20, është informuar për një aksident trafiku të ndodhur në magjistralen Mitrovicë – Leposaviq, ku kanë qenë te përfshira dy automjete civile, një me targa vendore dhe një me targa të huaja.

Njësitë e hetimeve të trafikut janë duke e hetuar rastin dhe sipas hetimeve fillestare, dyshohet se njëra nga veturat ka kaluar në shiritin e kundërt, duke u përplasur me automjetin që po vinte në kahje të kundërt.

Si pasojë e aksidentit, pesë persona kanë pësuar lëndime: dy shoferët dhe tre pasagjerë. Fatkeqësisht, njëri nga pasagjeret, i identifikuar me inicialet V. M. (1999), ka ndërruar jetë në spitalin rajonal të Mitrovicës Veri, rreth orës 20:30 trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për procedurat e mëtejshme ligjore.

Njësitë kompetente policore kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme në vendngjarje dhe hetimet po vazhdojnë për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit.

Policia e Kosovës apelon tek të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion që të respektojnë rregullat e trafikut, të shmangin tejkalimet e rrezikshme, të përshtatin shpejtësinë me kushtet e rrugës dhe të kenë kujdes të shtuar gjatë vozitjes. Çdo pakujdesi në trafik mund të rrezikojë jetën dhe sigurinë e qytetarëve.

Ndërron jetë legjenda e boksit kosovar

Ka vdekur Nazif Gashi, njëri prej emrave më të mëdhenj të historisë së sportit të Kosovës.

Gashi, 74-vjeçar, ka pasur një karrierë të pasur si boksier. Ai ishte pjesë e gjeneratës së artë të Prishtinës, e cila për shumë vjet dominoi në shtetin e dikurshëm federativ.

Për vdekjen e Gashit kanë njoftuar familjarë të tij.

Në vitet shtatëdhjeta dhe tetëdhjeta të shekullit të kaluar, Gashi dhe boksierët e tjerë të Prishtinës kishin bërë krenarë gjithë Kosovën me paraqitjet e tyre.