div[data-widget-id="1924179"] { min-height: 300px; }
class="archive date custom-background wp-custom-logo wp-theme-news-25 td-standard-pack group-blog hfeed">
Foda merr vendimin e rëndë: “Sakrifikohet” mesfushori, dy lojtarë përfundojnë në tribunë ndaj Turqisë

Vesel Demaku, mesfushori që luan në pozicionin e Leon Avdullahut të dëmtuar, është lënë jashtë sfidës ndaj Turqisë.

Bashkë me të, në tribunë për shkak të numrit të limituar të vendeve në listën e ndeshjeve ka përfunduar edhe mbrojtësi Leard Sadriu.

Të dy lojtarët nuk figurojnë në listën me emrat e lojtarëve për sfidën ndaj Turqisë, sikurse ndaj Sllovakisë.

Listën e ka dorëzuar sot në UEFA selektori Franco Foda, për të cilin sigurisht që është një vendim i vështirë të lë futbollistë në tribunë për ndeshjen më të madhe në historinë e Kosovës.

Demaku i ishte bashkuar Kosovës në mars të vitit të kaluar. Në atë grumbullim, mesfushori i Altach në Austri kishte zhvilluar dy ndeshje shumë të rëndësishme në pllej-ofin e Ligës së Kombeve kundër Islandës në mars të vitit të kaluar.

Ndeshja finale e plejofit kualifikues për Kupën e Botës 2026, Kosovë-Turqi luhet sonte nga ora 20:45. Është ndeshja më e rëndësishme deri tash për “Dardanët”.

Rekord rritja e çmimit të naftës në Kosovë

Rritja e çmimit të naftës në Kosovë gjatë dy javëve të fundit ka qenë e ndjeshme, duke arritur sot deri në 1.82 euro për litër.

Ky nivel i lartë po ndikon drejtpërdrejt në buxhetin e qytetarëve, duke rritur kostot e përditshme.

Si një vend që varet kryesisht nga importi, Kosova mbetet e ekspozuar ndaj luhatjeve në tregjet ndërkombëtare. Zhvillimet globale, veçanërisht tensionet në Lindjen e Mesme, reflektohen shpejt në çmimet vendore.

Për qytetarët, këto dinamika përkthehen në shpenzime më të larta në jetën e përditshme. Ndërkohë, ekspertë të ekonomisë kanë propozuar që, si masë lehtësuese, të pezullohet përkohësisht akciza për disa ditë.

Kushtetuesja rrëzon kërkesën e PDK-së

Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) ka njoftuar se Gjykata Kushtetuese e ka shpallur të papranueshme kërkesën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) lidhur me vendimet e dy shkallëve të gjyqësorit për vendimin e saj që i detyron 1300 biznese që të dalin në treg të hapur.

Në njoftimin e ZRRE-së thuhet se ky vendim konfirmon ligjshmërinë e vendimeve të ZRRE-së dhe të procesit të liberalizimit të tregut të energjisë elektrike në Kosovë.

“ZRRE-ja vazhdon zbatimin e plotë të procesit të liberalizimit të tregut të energjisë elektrike, në përputhje të plotë me Ligjin nr. 05/L-085 për Energjinë Elektrike dhe aktet nënligjore përkatëse. Qëllimi i këtij procesi është krijimi i një tregu konkurrues, transparent dhe efikas, në interes të të gjithë konsumatorëve”, thuhet në njoftimin e ZRRE-së.

ZRRE-ja në mars të vitit të kaluar pati njoftuar se nga 1 qershori i vitit 2025 rreth 1300 biznese do të dalin në treg të lirë të energjisë, duke detyruar që vet të zgjedhin një nga furnizuesit e licencuar nga ky institucion. Vendimi u pat atakuar në gjykata nga bizneset dhe një vendim i shkallës së dytë të Gjykatës Komerciale, pati vendosi në favor të ZRRE-së, duke mos shtyrë ekzekutimin e daljes në treg të lirë të bizneseve.

Goditje për VV-në – Kushtetuesja e cilëson të pabazuar kërkesën për Presidentin

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka hedhur poshtë kërkesën e paraqitur nga kryeparlamentarja Albulena Haxhiu dhe nëntë deputetë të tjerë lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së procedurës për zgjedhjen e Presidentit.

Vendimi është marrë më 30 mars 2026, ku Gjykata, në mënyrë unanime, ka refuzuar kërkesën si të pabazuar, raporton Paparaci.

Po ashtu, është refuzuar edhe kërkesa për vendosjen e masës së përkohshme.

“Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, më 30 mars 2026, ka vendosur për kërkesën me numër të rastit KO68/26, të parashtruar nga znj. Albulena Haxhiu dhe 9 (nëntë) deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, për vlerësimin e kushtetutshmërisë së “procedurës për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës”. Gjykata, njëzëri, vendosi: TË REFUZOJË kërkesën për vendosjen e masës së përkohshme; T’UA KUMTOJË këtë Vendim palëve; TA PUBLIKOJË këtë Vendim në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 4 të nenit 20 (Vendimet) të Ligjit Nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës; TË KONSTATOJË që ky Vendim hyn në fuqi menjëherë, në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit”, thuhet në njoftim.

Haxhiu dhe deputetët i kishin kërkuar Gjykatës Kushtetuese ta vlerësojnë kushtetutshmërinë e “procedurës për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës”, duke pretenduar se “deputetët e opozitës, me mospjesëmarrje në seancën e jashtëzakonshme dhe votim për zgjedhjen e Presidentit të mbajtur me 5 mars 2026 kanë shkelur Kushtetutën dhe janë në kundërshtim me detyrat dhe përgjegjësitë e tyre të përcaktuara nga Aktgjykimi i lartpërmendur [KO124/25]”.

Rron Gjinovci publikon qëndrimin e Shkëlzen Gashit: Prokuroria Speciale ia konfiskoi telefonin dhe laptopin

Aktivisti Rron Gjinovci ka publikuar qëndrimin e analistit Shkëlzen Gashi, pasi këtij të fundit i janë konfiskuar telefoni personal dhe laptopi nga Prokuroria Speciale e Kosovës gjatë një bastisjeje në banesën e tij.

Shkrimi i plotë i tij:

Postimi në vazhdim është qëndrimi i Shkëlzenit, të cilit i është konfisku telefoni personal dhe laptopi nga Prokuroria Speciale e Kosovës:

Sot rreth orës 14:30, dy persona me veshje civile filluan me trokitë në derën e banesës time në mënyrë të ashpër. Duke pasë parasysh gjuhën e urrejtjes, sharjet, ofendimet dhe sulmet verbale të këtyre ditëve, isha i bindur se dikush kishte ardhë të më sulmojë.  Menjëherë kam njoftuar miq të ndryshëm, të cilët u nisën drejt banesës time e të cilët njëkohësisht e lajmronin policinë. Fatmirësisht, në ato momente në banesë nuk ishin prezentë fëmijët e mi, të cilët do të ishin terrorizuar prej situatës.

Diku mbas njezet minutave vijnë edhe policë të uniformuar dhe vendosa me e hapë derën e banesës. Policët e uniformuar më njoftojnë që personat civilë janë kolegë të tyre. Më prezantuan dokumentin e urdhëresës së prokurorisë dhe filluan bastisjen e banesës. Ata shprehnin interesim për pajisjet e mia elektronike, telefonin dhe laptopin, paswordat e të cilëve m’i kërkuan e të cilat ua dhashë pa asnjë hezitim. Telefoni dhe laptopi u sekuestruan si prova të mundshme dhe, për çudinë time, edhe një kopje e librit Masakrat në Kosovë dhe disa shënime në letër me dorë për ekspozitën.

Me thënë të drejtën, situata m’u duk si andërr, ngase nuk mund të besoja që kjo po ndodh në shekullin XXI në vendin tim, të cilin unë e konsideroj demokracinë më të avancuar në Ballkanin Perëndimor dhe me të cilin jam shumë krenar.

Pas kësaj, policia kërkoi me shku me ta te Prokuroria Speciale për një deklaratë, siç urdhërohej në urdhëresën e nënshkruar nga prokurori Bekim Kodraliu.

Natyrisht, shkova me ta. Prokurorit i thashë sapo hyra që kjo është një përndjekje politike dhe s’ka asnjë lidhje me drejtësinë. Megjithatë, vendosa t’ia sqarojë me detaje çdo pretendim që ai mundej me pasë. Dhe ashtu ndodhi. Mbas 4 orësh përfunduan pyetjet e tij dhe m’u tha se jam i lirë të shkojë në shtëpi. Në fund e ftova prokurorin që, bashkë me njësitet e veta, të vijnë kurdo që kanë nevojë për informata lidhur me aktivitetet e mia.

Nuk mundem pa e thanë që jam i zhgënjyer me institucionet e drejtësisë, të cilat hapur po i përdorin mekanizmat institucionalë për hakmarrje dhe sulme me motive politike. Ndërkohë, ju falënderoj të gjithëve që jeni interesuar për mua këto orë. Po ashtu, edhe njëherë dua të shprehë keqardhjen për këtë situatë, e cila mund t’i ketë lënduar familjarët e viktimave dhe njerëzit e tjerë të prekur nga masakrat dhe lufta në Kosovë. Me keqardhje të sinqertë ju kërkoj falje për çdo shqetësim.

Por i lus të mos harrojnë që, përtej keqleximeve dhe keqkuptimeve, të cilat janë të mundshme e që jam shumë i interesuar t’i adresoj, ky sulm i organizuar ndaj meje, që filloi me rrjetet sociale, vazhdoi nëpër studio televizive e kulmoi në institucionet e (pa)drejtësisë, është dashakeqësi, është hakmarrje dhe luftë politike, të cilën familjarët e viktimave dhe njerëzit e prekur nga lufta nuk ia kanë borxh askujt.

Ditëve në vazhdim, kur ta vlerësoj që është koha e duhur, do t’i paraqes argumentet e mia lidhur me të gjitha pretendimet kundër meje dhe punës time, e të cilat, në kohën kur po shkruhet ky tekst, po vazhdojnë me ndodhë. Përpjekja për të vërtetën është misioni im, për të cilin jam angazhu dhe do të vazhdoj të angazhohem me përkushtim.