Vritet ish-basketbollisti i Golden Eagle Ylli

Ish-basketbollisti i Golden Eagle Ylli, amerikani Kinu Rochford, u vra gjatë një turneu basketbolli në Harlem të Nju Jorkut.

Basketbollisti profesionist Kinu Rochford ka humbur jetën në moshën 35-vjeçare pas një incidenti të rëndë në Harlem të Nju Jorkut.

Lojtari u qëllua me armë zjarri në kokë gjatë një turneu basketbolli në fushën “Kingdome” në Lenox Avenue.

Sipas policisë, Rochford u dërgua në spitalin Mount Sinai Morningside, ku u shpall i vdekur.

Ngjarja dyshohet se ndodhi pas një konflikti mes tij dhe një personi tjetër.

Gjesti i pazakontë i trajnerit të Egjiptit ndaj arbitrit bëhet viral, zbulohet kuptimi i shenjës “X”

Një nga momentet që ra në sy gjatë ndeshjes mes Argjentinës dhe Egjiptit në Kupën e Botës 2026 ishte reagimi i trajnerit egjiptian Hossam Hassan ndaj arbitrave, pasi ai bëri një shenjë në formë të shkronjës “X”.

Incidenti ndodhi në fund të takimit, kur Egjipti protestoi ashpër për një aksion që, sipas stafit teknik, duhej të ishte rishikuar nga sistemi VAR. Në pamjet televizive, Hassan shihet duke formuar me duar simbolin “X”, gjest që u bë viral në rrjetet sociale.

Në atë moment, Hossam Hassan iu drejtua gjyqtarit me një gjest në formë “X” me duar, një veprim që zakonisht përdoret për të sinjalizuar raste të pretenduara të abuzimit racist, megjithëse nuk është e qartë nëse përzgjedhësi egjiptian e përdori pikërisht me këtë kuptim.

Një rast i ngjashëm kishte ndodhur në vitin 2010, kur ish-trajneri i Inter, Jose Mourinho, bëri një gjest të ngjashëm ndaj një zyrtari të ndeshjes. Ai u konsiderua si një veprim ofendues pasi interpretohej si simbol i prangave dhe më pas Mourinho u pezullua për tri ndeshje.

Pas gjestit të Hassan, një lojtar rezervë i Egjiptit ndërhyri, ndërsa vëllai i tij dhe ndihmësi i stafit, Ibrahim, iu afrua dhe i uli duart.

E ardhmja e Xhakës merr drejtim, vjen vendimi final

Granit Xhaka nuk do t’i bashkohet Chelseat gjatë këtij afati kalimtar.

Sipas raportimit të Sky Sports, klubi londinez kishte bërë një ofertë prej 8 milionë funtesh për mesfushorin shqiptar, por ajo është refuzuar nga Sunderlandi.

Xhaka, i cili po kalon një formë të shkëlqyer me Zvicrën në Kupën e Botës, ka vendosur të vazhdojë karrierën te Sunderlandi, ku mban edhe shiritin e kapitenit.

Raporti thekson se Sunderlandi nuk e ka konsideruar asnjëherë shitjen e 33-vjeçarit, duke e bërë të qartë se ai nuk ishte në listën e lojtarëve të transferueshëm.

Edhe pse fillimisht ishte i hapur për mundësinë e ribashkimit me ish-trajnerin e tij, Xabi Alonso, i cili tashmë drejton Chelsean, pas bisedimeve me drejtuesit e Sunderlandit, Xhaka ka vendosur të qëndrojë në klub.

Mesfushori synon të vazhdojë projektin me Sunderlandin, pas një sezoni të suksesshëm në Premier League.

Konfirmohet edhe çifti i parë i fazës 1/8 e finales në Kupën e Botës

Është konfirmuar çifti i parë i fazës së 1/8 së finales në Kupën e Botës.

Kombëtarja e Kanadasë do të luajë ndaj Marokut, shkruan Indeksonline

 

Maroku mbrëmë eliminoi Holandën dhe siguroi një vend për në raundin tjetër.

Kurse, Kanadaja ditë më parë e mposhti Afrikën e Jugut.

Ndeshja mes Kanadasë dhe Marokut zhvillohet më 4 korrik.

Faza e parë me eliminim në Kupën e Botës – dihet cilat sfida mund t’i ndiqni në RTK

Faza e grupeve të Kupës së Botës në SHBA, Meksikë dhe Kanada ka përfunduar.

Të dielën ka nisur faza e eliminimit direkt, e cila, për shkak të zgjerimit të turneut në 48 ekipe, për herë të parë përmban edhe një raund të 1/16-ve të finales.

Pas ndeshjes së parë të zhvilluar të enjten (Afrikë e Jugut-Kanada), edhe 15 të tjera do të luhen nga e hëna deri të dielën.

Partnerët e transmetimit në Kosovë, TV Vala dhe RTK, tashmë kanë përcaktuar cilat sfida do t’i transmetojnë secila. TV Vala, e cila posedon të drejtën ekskluzive, i transmeton të gjitha takimet, ndërsa RTK-ja gjysmën.

Të hënën, Transmetuesi Publik do të transmetojë sfidën e parë të Brazilit me eliminim direkt, të cilën e zhvillon kundër Japonisë.

Më poshtë, gjeni cilat sfida mund t’i ndiqni pa pagesë në Radio Televizionin e Kosovës.

E hënë:

Brazil – Japoni (Ora 19:00, RTK, TV Vala)

Gjermani – Paraguaj (Ora 22:30, TV Vala)

E martë:

Holandë – Marok (Ora 03:00, RTK, TV Vala)

Bregu i Fildishtë – Norvegji (Ora 19:00, TV Vala)

Francë – Suedi (Ora 23:00, RTK, TV Vala)

E mërkurë:

Meksikë – Ekuador (Ora 03:00, TV Vala)

Angli – RD Kongo (Ora 18:00, RTK, TV Vala)

Belgjikë – Senegal (Ora 22:00, TV Vala)

E enjte:

ShBA – Bosnjë dhe Hercegovinë (Ora 02:00, RTK, TV Vala)

Spanjë – Austri (Ora 21:00, TV Vala)

E premte:

Portugali – Kroaci (Ora 01:00, RTK, TV Vala)

Zvicër – Algjeri (Ora 05:00, TV Vala)

Australi – Egjipt (Ora 20:00, RTK, TV Vala)

E shtunë:

Argjentinë – Kepi i Gjelbër (Ora 00:00, TV Vala)

Kolumbi – Ganë (Ora 03:30, RTK TV Vala)

Valon Behrami: Po ta dija që Xhaka e Shaqiri do të festonin me shqiponjë, do t’i ndaloja

Valon Behrami ishte një nga katër lojtarët me prejardhje shqiptare në kombëtaren e Zvicrës, të cilët e mposhtën Serbinë në Botërorin e vitit 2018.

Në Botërorin që u mbajtë në Rusi, Zvicra dhe Serbia u shortuan në grupin E, së bashku me Brazilin dhe Kosta Rikën.

Pas barazimit me Brazilin në xhiron hapëse, Zvicra u përballë me Serbinë në xhiron e dytë.

Ndeshja nisi si mos më keq, me serbët që shënuan të parët, dhe e mbyllën pjesën e parë në epërsi.

Megjithatë, Zvicra dhe shqiptarët e saj nuk u dorëzuan dhe në fund arritën të fitojnë 2-1, me golat e Granit Xhakës dhe Xherdan Shaqirit.

Më shumë se fitorja, bujë të madhe bënë festimet e dy shqiptarëve, Xhakës dhe Shaqirit. Të dytë festuan me shqiponjë, me serbët që u nervozuan së tepërmi dhe me një ankesë në FIFA, arritën që t’i dënojnë dy “shqipet” e Zvicrës. Ata u dënuan me gjobë, që thuhej të ishte mbi 20 mijë franga zvicerane për secilin.

E, për këtë situatë të 22 qershorit të vitit 2018, ka folur përsëri Valon Behrami.

Behrami, tashmë i pensionuar nga futbolli aktiv ka thënë se po ta dinte se dyshja shqiptare do të festonin në atë mënyrë, do t’i ndalte.

“Sikur ta kisha ditur që do të festonin me simbolin e shqiponjës në Rusi 2018, do të kisha bërë diçka për t’i penguar. Unë nuk dija asgjë. Sapo kishim shënuar gol, vrapuam dhe ndodhi çdo gjë aty. Unë isha i vetmi që nuk e bëra shqiponjën”.

“Kur u kthyem në dhomat e zhveshjes, akoma nuk e kishim kuptuar se çfarë kishte ndodhur në të vërtetë, më pas na njoftuan se mediat kishin shkaktuar një furtunë, dhe aty nisën problemet”, ka deklaruar ai në RSI Sport.

Djali i Medës firmos me klubin gjerman, Aldion Përgjeçaj hedh hap të madh në karrierë

Aldion Përgjeçaj po vazhdon të bëjë hapa të rëndësishëm në rrugëtimin e tij futbollistik.

Talenti i ri, djali i këngëtarit të njohur Meda, ka firmosur me klubin gjerman SV Waldhof Mannheim, duke shënuar një moment të rëndësishëm në karrierën e tij.

Pas nënshkrimit të kontratës, Aldioni ka pozuar me fanellën e ekipit, i shoqëruar nga babai i tij dhe bashkëlojtarët, mes të cilëve ka edhe futbollistë shqiptarë.

Sipas raportimeve, ai ka lënë përshtypje shumë pozitive me paraqitjet e tij, ndërsa cilësitë e tij po vlerësohen edhe nga stafi teknik i klubit.

Xhaka afër kalimit te gjiganti anglez

Granit Xhaka është pranë një transferimi sensacional te Chelsea.

Një “bombë” e merkatos ka shpërthyer gjatë Kupës së Botës.

Sipas informacioneve të “blue Sport”, Chelsea dëshiron ta transferojë menjëherë kapitenin e Zvicrës, Granit Xhakën.

Kombëtarja zvicerane është kualifikuar në fazën e 1/16-ës së finales së Kupës së Botës, ndërsa kapiteni Granit Xhaka mund të ndryshojë sërish klub pas sezonit të shkëlqyer që zhvilloi me Sunderlandin.

Sipas “blue Sport”, Chelsea ka vendosur të transferojë 33-vjeçarin.

Në stolin e londinezëve ndodhet tashmë Xabi Alonso, me të cilin Xhaka fitoi titullin kampion te Bayer Leverkuseni.

Raportohet se bisedimet mes lojtarit dhe Chelsea kanë avancuar ndjeshëm, ndërsa tani po zhvillohen negociatat edhe mes dy klubeve.

Megjithatë, pritet një negociatë e fortë, pasi Sunderland kërkon mes 35 dhe 40 milionë euro për kapitenin e Zvicrës.

Xhaka më parë ka luajtur tek Arsenali, i cili është edhe rival i Chelseat në Premierligë, teksa më parë ka djersitur fanellat e Borussia Monchengladbachut dhe Baselit./GazetaExpress

Futbollisti venezuelian në mesin e viktimave nga tërmeti shkatërrues në Venezuelë
Venezuela është goditur nga një tërmet i fuqishëm ditë më parë, ku deri tani raportohet për 920 viktima.

Në mesin e të vdekurve është edhe futbollisti i ri venezuelian, Yimvert Berroteran.

Ai ka humbur jetën në moshën 18-vjeçare, pasi raportohet se është gjetur nën rrënoja pas tërmetit.

Berroteran konsiderohej si një nga talentet më premtuese të futbollit venezuelian dhe kishte qenë pjesë e Kombëtares U-17 të Venezuelës në Kupën e Botës.

 

Kush ishte personi që e detyroi Shakirën ta puthte gjatë ndeshjes së Kupës së Botës FIFA?

Ndërsa po ndiqte ndeshjen midis Argjentinës dhe Austrisë në stadiumin e Dallasit, këngëtarja kolumbiane, Shakira, u pa duke u shtyrë për një puthje.

Tifozët që po ndiqnin ndeshjen e së hënës midis Argjentinës dhe Austrisë kishin disa pyetje pasi ylli global i popit Shakira u pa e pranishme.

Nuk ishte se ikona e muzikës kolumbiane ishte në stadiumin e Dallasit për të parë Lionel Messin të thyente rekordin për më shumë gola në Kupën e Botës FIFA, por ishte ajo që ndodhi kur ajo u shfaq në transmetim të drejtpërdrejtë televiziv.

Kur kamera e fokusoi atë të ulur në një lokacion luksoz në stadium, personi i ulur në të majtë të saj reagoi shpejt duke e përqafuar dhe duke e puthur gjë që nuk dukej se ishte e dëshiruar në atë moment.

Tifozët u hutuan nga pamja, duke komentuar në rrjetet sociale dhe duke pyetur se çfarë kishte ndodhur.

“A është mirë Shakira?” pyeti një fans, ndërsa postoi një video të momentit të sikletshëm.

Një përdorues tjetër në X pyeti: “Kush është ky djalë që po përpiqet ta detyrojë Shakirën të puthë?”

Por e vërteta është se, ndërsa mund të jetë dukur e çuditshme, ishte thjesht një moment i gjallë familjar. Më vonë zbulua se bëhej fjalë për djalin e saj 13-vjeçar, Milan, i cili ndodhej pranë saj në stadium dhe ishte ai që e kishte puthur në faqe. /Indeksonline/