Tre persona të zhdukur, familjarët kërkojnë ndihmë për gjetjen e tyre

Familjarët kanë kërkuar ndihmën e qytetarëve për gjetjen e tre personave, për të cilët thonë se janë zhdukur dhe nuk kanë më asnjë kontakt me ta.

Bëhet fjalë për:

* Ejup Ternava
* Cennet Ternava
* Fatmire Shabani

Sipas njoftimit të familjarëve, ata janë parë për herë të fundit mbrëmjen e djeshme rreth orës 22:00 në Shkup. Dyshohet se ishin nisur nga aeroporti në drejtim të Kosovës, por që nga ajo kohë nuk dihet asgjë për vendndodhjen e tyre.

Ata po udhëtonin me një veturë Mercedes GLC me ngjyrë blu, me targa MR-DT 2025.

Familjarët u bëjnë thirrje të gjithë qytetarëve që, nëse kanë parë personat ose automjetin, apo posedojnë çfarëdo informacioni që mund të ndihmojë në gjetjen e tyre, të kontaktojnë menjëherë familjarët ose Policinë.

Çdo informacion mund të jetë i rëndësishëm për gjetjen e tyre. Gjithashtu, kërkohet që ky njoftim të shpërndahet sa më shumë për të ndihmuar në lokalizimin e tyre.

Ju lutemi shpërndajeni sa më shumë këtë njoftim.

Kontakt:

‪+49 1573 8465566‬

+49 178 3900599

+49 176 62983674

+383 49 195277

Publicisti e propozon Donikë Gërvallën për presidente të Kosovës

Publicisti Idriz Zeqiraj vlerëson se zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donikë Gërvalla, do të ishte një zgjedhje e denjë për postin e Presidentes së Republikës së Kosovës.

Sipas tij, përvoja e gjatë politike, angazhimi shumëvjeçar për çështjen e Kosovës dhe integriteti personal e bëjnë atë një figurë të përshtatshme për këtë funksion të lartë shtetëror.

“Për një çerek-shekulli kam punuar me zonjën Gërvalla dhe pretendoj se e njoh mirë”, deklaron Zeqiraj, duke kujtuar se ajo u përball me tragjedinë familjare që në moshën 10-vjeçare, kur iu vra politikisht babai i saj, Jusuf Gërvalla.

Ai rikujton se Gërvalla ishte pjesë e lëvizjeve studentore në Shqipëri për rrëzimin e simboleve të regjimit komunist, ndërsa më pas vazhdoi studimet edhe në Gjermani, ku u angazhua në veprimtarinë e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Ajo vepronte në të gjithë Evropën për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës dhe për sigurimin e fondeve për mbijetesën dhe mbrojtjen e vendit”, shprehet ai.

Zeqiraj thekson se gjatë luftës në Kosovë, Donikë Gërvalla ishte e pranishme në debate televizive ndërkombëtare, ku, sipas tij, përballonte me argumente përfaqësuesit serbë dhe mbronte kauzën e Kosovës.

“Sipas analistëve evropianë dhe botërorë, Donikë Gërvalla ishte fituese në këto debate, falë njohjes së shkëlqyer të rrethanave dhe argumenteve për represionin serb në Kosovë”, thotë ai.

Duke komentuar kritikat që i janë bërë Gërvallës ndër vite, Zeqiraj thotë se ato lidhen me denoncimin që ajo ka bërë ndaj individëve të caktuar për krime dhe veprime të dëmshme gjatë dhe pas luftës.

“Donikë Gërvalla pati guximin qytetar dhe intelektual t’i quante kriminelë dhe sabotatorë ata që, sipas saj, dëmtuan luftën dhe stabilitetin e pasluftës”, deklaron ai.

Sipas Zeqirajt, Gërvalla shquhet për ndershmëri, vendosmëri dhe mosgatishmëri për kompromise që cenojnë parimet.

“Ajo, me pastërtinë morale dhe trashëgiminë e dëshmuar familjare, e përmbush mrekullisht mirë pozitën kulmore të Presidentes së Republikës së Kosovës”, vlerëson publicisti.

Megjithatë, ai shpreh rezervën se largimi i saj nga detyra aktuale mund të ndikojë në ecurinë e disa reformave të rëndësishme në drejtësi.

“Për opinionin shqiptar do të ishte lëndues largimi i saj nga posti ministror, për shkak të proceseve si Vettingu dhe Byroja për Verifikimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, të cilat vazhdojnë të sabotohen prej vitesh”, përfundon Zeqiraj.

Çitaku: Kosova po mbetet në periferi, Serbia po e thellon bashkëpunimin me SHBA-në

Deputetja e zgjedhur e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku e ka kritikuar qeverisjen e kryeministrit në detyrë Albin Kurti, duke thënë se Kosova vazhdon të jetë e izoluar dhe me marrëdhënie të dëmtuara me aleatët strategjikë, ndërsa Serbia po avancon bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Çitaku shkroi në Facebook se, “përderisa tash e gjashtë vjet Kosova vazhdon të jetë e izoluar, nën masa ndëshkuese dhe me marrëdhënie të lënduara me aleatët tanë strategjikë, Serbia po e thellon bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

“Marrëveshja e re për Dialogun Strategjik SHBA–Serbi përfshin fusha kyçe të së ardhmes: inteligjencën artificiale, energjinë, gazin e lëngshëm amerikan (LNG), të cilin Albin Kurti e refuzoi me kryeneçësi, si dhe bashkëpunimin në hulumtimet hapësinore”, shkroi ajo.

Sipas Çitakut, këto janë pasojë e një politike që, siç u shpreh ajo, “e ka zëvendësuar diplomacinë me propagandën, partneritetin me arrogancën dhe interesin shtetëror me kultin e liderit”.

“Sikur të mos mjaftonte kjo, vetëm pak ditë pas vizitës në Kosovë i këshilltarit të posaçm të Presidentit Trump, u publikua një raport tejet kritik, që dëmton imazhin e vendit tonë. Këto nuk janë rastësi. Janë pasojë e një politike që e ka zëvendësuar diplomacinë me propagandën, partneritetin me arrogancën dhe interesin shtetëror me kultin e liderit”, shkroi ajo.

“Dikur Kosova ishte në qendër të vëmendjes së botës demokratike. Sot, për fat të keq, po rrëshqet në periferi të interesimit të qendrave vendimmarrëse ndërkombëtare. E ardhmja e Kosovës ndërtohet me aleanca të forta, me besueshmëri dhe me koordinim me partnerët tanë strategjikë, jo me vetëkënaqësi e konfrontim. Me këtë mënyrë të qeverisjes, rrezikojmë të mbetemi në periferi. Dhe këtë çmim nuk e paguan një qeveri, por e paguajnë qytetarët dhe e ardhmja e Republikës sonë”, shtoi Çitaku.

Kajtazi: Kur Hoti ishte në pushtet edhe njerëzit ishin të qetë, kur ki n’kry dikënd të trentë, tranohen tani krejt

Gazetari dhe opinionisti Vehbi Kajtazi ka krahasuar periudhën e qeverisjes së mirë të LDK-së gjatë mandatit të Avdullah Hotit si kryeministër me pushtetin më shumë se gjashtëvjeçar të Vetëvendosjes së prirë nga Albin Kurti.

Kajtazi në emisionin “VV Show” me Visar Ymerin, ka thënë se gjatë qeverisjes së Hotit mbretëronte një qetësi që e karakterizonte edhe vetë kryeministrin.

“Kur LDK-ja ka qenë në pushtet me Avdullah Hotin kryeministër, nëntë muaj apo sa i zgjati, edhe njerëzit ishin të qetë, nuk kishte fyerje kërcënime, nuk kishte gjuhë të rëndë, duke e parë Hotin si kryeministër i qetë dhe i urtë edhe tensioni dhe gjakrat e qytetarëve të këtij vendi ishin më të ulur. Pra kishte një lloj urtësie të përgjithshme, por kur e ki në kry dikë të trentë, masandej tranohen krejt, çmenden krejt”, ka thënë Kajtazi.

Kajtazi ka thënë se nuk e kupton se si sillet një parti me plot agresivitet ani se është në pushtet.

“Ne po jetojmë në gjashtëvjeçar çmendurie, për mua është problematike se si mund të jenë kaq të çmendur derisa janë në pushtet, por pse duhesh me qenë agresiv në pushtet ndaj dikujt që është i urtë”, ka thënë Kajtazi.

Sot në Prishtinë do të protestohet në mbrojtje të kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku

Sot organizohet protestë në mbrojtje të Lumir Abdixhikut pasi po synohet shkarkimi i tij.

Protesta do të organizohet në ora 17:00 nga “Lidhja për Popullin”.

Protesta do të organizohet te zyrat Qendrore të LDK-së në Prishtinë.

Kjo për shkak të zhvillimeve në LDK, ku një grup delegatësh po kërkojnë Kuvend të ri zgjedhor partiak dhe shkarkimin e Abdixhikut nga pozita e kryetarit.

Abdixhiku ka pranuar që të mbahet ky Kuvend, dhe delegatët të vendosin nëse ai duhet të vazhdojë të drejtojë LDK-në.