Ndërron jetë doktori i njohur

Ka ndërruar jetë Dr. Fadil Kurmehaj, specialisti i parë i sëmundjeve infektive dhe ish-shefi i Repartit të Sëmundjeve Infektive në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës.

Dr. Kurmehaj për vite me radhë kontribuoi në shërbimin shëndetësor në Pejë, duke u angazhuar në trajtimin e pacientëve dhe zhvillimin e këtij shërbimi.

Pľagoset një 30-vjeçar në Mitrovicë

Një 30-vjeçar ka mbetur i plagosur pas një sulmi me thikë në orët e para të mëngjesit në Mitrovicë, ndërsa i dyshuari është arrestuar pak minuta më vonë nga Policia.

I dyshuari është B.R, rreth 24-vjeçar, ndërsa viktimë B.M, rreth 30-vjeçar.

Sipas burimeve të Sinjalit, ngjarja ka ndodhur më 18 korrik, rreth orës 01:20, në rrugën “Artim Jashari” në Mitrovicë.

Policia është njoftuar fillimisht se në Spitalin Rajonal ishte dërguar një person i plagosur. Në vendngjarje, zyrtarët kanë kontaktuar me viktimën, e cila kishte plagë në kokë dhe nën kraharorin e majtë, që dyshohet se janë shkaktuar me thikë.

Motivi i sulmit ende nuk dihet, ndërsa hetimet janë në fazën fillestare.

I dyshuari është arrestuar në rrugën “Artim Jashari”,pranë Poliklinikës “Fati”, në afërsi të shtëpisë së tij dhe është shoqëruar në stacion policor.

Në vendin e ngjarjes, hetuesit dhe krimteknikët kanë sekuestruar një thikë, një telefon celular, si dhe një motoçikletë, të cilën, sipas dëshmitarëve, e drejtonte viktima në momentin e incidentit.

Pas testimit me alkool, i dyshuari rezultoi me 1.48 promil alkool në gjak. Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ai është ndaluar, ndërsa për shkak të gjendjes së tij alkoolike është mbajtur nën mbikëqyrje deri në krijimin e kushteve për procedurat e mëtejshme hetimore.

Rasti është iniciuar si “Vrasje në tentativë” dhe hetuesit po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave, përfshirë sigurimin e pamjeve nga kamerat e sigurisë.

Shtrenjtohet edhe më shumë nafta, MINTI publikon çmimet e karburanteve

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit ka publikuar çmimet e lejueshme për tregtimin e derivateve në Kosovë për datën 18.07.2026.

Çmimi maksimal i lejuar për tregtimin e naftës për sot është 1.63 euro për litër, benzina 1.45 euro për litër ndërsa gazi 0.60 euro për litër, raporton KlanKosova.tv.

Kujtojmë që nga dje çmimi i naftës është shtrenjtuar për 3 centë, benzina për 2 centë ndërsa gazi mbetet në çmim të njëjtë./KlanKosova.tv.