Qeveria në detyrë ndan mbi 255 mijë euro

Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ka mbajtur një mbledhje elektronike, në të cilën ka miratuar katër vendime, përfshirë ndarjen e mbi 255 mijë eurove për pajisjen me tekste mësimore në gjuhën shqipe për nxënësit në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

Sipas njoftimit, ekzekutivi ka miratuar vendimin për ndarjen e 255,153.45 eurove për blerjen e teksteve mësimore në gjuhën shqipe për nxënësit shqiptarë që vijojnë mësimin në gjuhën shqipe në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, për vitin shkollor 2025/2026.

Po ashtu, Qeveria ka miratuar vendimin për dhënien në shfrytëzim afatgjatë, pa kompensim, të pronave të menaxhuara nga Agjencia Pyjore e Kosovës për nevojat e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit KRU “Mitrovica” Sh.A., me qëllim realizimin e projektit për sigurimin e furnizimit me ujë të pijshëm për Komunën e Leposaviqit.

Në mbledhjen elektronike është miratuar edhe ndarja e 40 mijë eurove për mbështetjen e organizimit të ngjarjeve me karakter ndërkombëtar në fushën e inovacionit, teknologjisë, ndërmarrësisë dhe transformimit digjital.

Sipas vendimit, nga kjo shumë:

20 mijë euro do t’i ndahen organizatës FLOSSK – Free Libre Open Source Software Kosova;

20 mijë euro do t’i ndahen Innovation Centre Kosovo (ICK).

Qeveria ka bërë të ditur se këto mjete synojnë mbështetjen e organizimit të iniciativave dhe ngjarjeve ndërkombëtare që kontribuojnë në promovimin e Republikës së Kosovës, forcimin e imazhit të saj ndërkombëtar, zhvillimin e ekosistemit vendor të inovacionit dhe rritjen e dukshmërisë së vendit në nivel global.

Drejtoresha e re e RTK-së është gruaja e aktorit të famshëm

Bordi i Radiotelevizionit të Kosovës sot ka mbajtur mbledhjen e radhës, në të cilën sipas njoftimit zyrtar, u shqyrtua lista përfundimtare e renditjes së kandidatëve për pozitën e drejtorit të përgjithshëm të RTK-së.

IndeksOnline raporton se në krye të RTK-së, si drejtoreshë e përgjithshme, u zgjodh Zana Spahiu.

Zana Spahiu është e njohur edhe si bashkëshortja e aktorit të njohur kosovar, Fatmir Spahiu, i njohur për publikun me nofkën artistike “Bufi”.

Fatmir Spahiu është një nga aktorët dhe humoristët më të njohur në Kosovë. Ai ka ndërtuar karrierën e tij përmes roleve të shumta në teatër, televizion dhe film, ndërsa famën më të madhe e fitoi me interpretimin e personazhit “Bufi”, emër me të cilin vazhdon të identifikohet nga publiku.

Ariana Musliu-Shoshi: Kurti e ka futur Kosovën në izolim, Serbia po forcon lidhjet me SHBA-në

Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, ka kritikuar qeverinë e kryeministrit Albin Kurti për, siç ka thënë ajo, dështimet në politikën e jashtme dhe dëmtimin e raporteve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sipas Musliu-Shoshit, Serbia po nis dialogun strategjik me SHBA-në, ndërsa Kosovës po i vendosen kushte për ta filluar një proces të tillë.

Ajo ka vlerësuar se kjo është pasojë e drejtpërdrejtë e një qeverisjeje që, sipas saj, ka dëmtuar besimin me aleatin më të rëndësishëm strategjik të Kosovës dhe e ka futur vendin në izolim ndërkombëtar.

Deputetja e PDK-së ka kërkuar që qeveria të marrë përgjegjësi për situatën dhe të punojë për rikthimin e besimit me Shtetet e Bashkuara dhe partnerët euroatlantikë, duke theksuar se interesi i Kosovës duhet të jetë gjithmonë mbi interesin partiak./IndeksOnline/

 

Albulena Haxhiu zbulon kohën kur do të ftohet seanca konstituive

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, tha se seancën konstituive do ta thërrasë në javën e parë të gushtit.

Këtu Haxhiu bëri një premtim.

“Do të ketë seancë në javën e parë të gushtit. Ju premtoj që javën e ardhshme do të tregojmë datën dhe orën”.

Presidenca kishte thënë se Haxhiu ka vendosur që të caktojë seancën konstituive kah fundi i afatit ligjor, i cili përfundon më 7 gusht, me qëllimin që t’iu lë kohë partive politike për arritjen e një marrëveshje për Presidentin.

Gjinovci: “Veç t’jua rikujtoj edhe njëherë, Kosovën e ka çliruar NATO”

Aktivisti Rron Gjinovci ka shkaktuar reagime të shumta në rrjetet sociale pas një deklarate të tij lidhur me çlirimin e Kosovës, ku ka thënë se vendi është çliruar nga NATO.

Në një postim të publikuar në rrjetet sociale, Gjinovci ka shkruar se nuk i frikësohet kritikave dhe ka insistuar në qëndrimin e tij se NATO është ajo që e ka çliruar Kosovën.

“Na tu jau lshu rrugën se folni budallak, keni nisë me menu që po ju tutët najkush. Veç t’jua rikujtoj edhe niher, Kosovën e ka çliru NATO.

Ia keni nisë me besu në rrena t’juja edhe po menoni që masi jau bojnë gjinja rrafsh edhe ata i besojnë rrenat e juja. Jo, as s’ju tutët kërkush as s’ju beson kërkush, veç jau lshojmë udhën se pritojna me hupë vakt me juve”, ka shkruar ai.

Deklarata e Gjinovcit ka ngjallur debat të gjerë në rrjetet sociale, ku shumë qytetarë kanë reaguar me komente pro dhe kundër qëndrimit të tij.