Dy avokatët kosovarë grushtohen mes vete në një kafene në Prishtinë

Një incident ka ndodhur mëngjesin e sotëm në një kafene në Prishtinë, ku, siç raportohet janë përfshirë dy avokatët e njohur, Haxhi Millahu dhe Feim Alaj.

Siç raporton Klan Kosova, se ngjarja ka ndodhur rreth orës 09:30, në një lokal pranë objekteve të gjykatave në Hajvali. Sipas të njëjtit raportim, Policia ka iniciuar procedurë ndaj të dy avokatëve, megjithëse ende nuk është bërë e ditur se si është kualifikuar rasti.

Ndërkohë, avokatët e përfshirë mohojnë se ka pasur përleshje fizike, duke deklaruar se incidenti është kufizuar vetëm në një debat verbal dhe se nuk ka pasur eskalim në dhunë fizike.

“Keqkuptim verbal ishte mes kolegësh asgjë më shumë, më duket se kanë inicuar procedurë, por s’ka qenë diçka e madhe kjo”, kësisoj u përgjigj avokati Millaku, i pyetur për këtë çështje.

Ndërkohë, avokati tjetër thotë se nuk ka asnjë procedurë ndaj tyre.

“Mospajtime dhe keqkuptime mes kolegësh nuk ka diçka më shumë, nuk ka as procedurë penale për këtë punë” , tha avokati Alaj.

Rastin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.

“Lidhur me rastin, dy persona janë shoqëruar në stacionin policor, ku në koordinim me prokurorin e shtetit janë intervistuar”, thuhet në përgjigjen e zëdhënësit për kryeqytetin, Enis Pllana.

Vdes punëtori i KEK-ut që u lëndua para pak ditësh

Ka vdekur punëtori i KEK-ut, Milazim Binaku, i cili ishte lënduar rëndë në vendin e punës, para pak ditësh.

Për vdekjen e tij ka njoftuar sindikata e KEK-ut.

“Njoftojmë të gjithë punëtorët e KEK-ut se një javë pas lëndimit që pësoi në vendin e punës, u nda nga jeta shoku, kolegu dhe bashkëpunëtori ynë i nderuar, Milazim Binaku. Në këto çaste të rënda, shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta familjes Binaku, të afërmve, miqve dhe të gjithë bashkëpunëtorëve të tij. Qoftë i përjetshëm kujtimi për të dhe u prehtë në paqe.”, thuhet në njoftimin e sindikatës.

Ndryshe, 60-vjeçari ishte lënduar rëndë, pasi ishte goditur në kokë nga një mjet i fortë, teksa ishte duke punuar në Kosovamont, në kuadër të Korporatës Energjetike të Kosovës.

Pas lëndimit, ai ishte dërguar me urgjencë në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës dhe ishte duke u mjekuar në kujdesin intensiv, por që nuk ka arritur të mbijetojë pas lëndimeve të marra.

Deputeti i VV-së thotë se Vjosa Osmani nuk i plotëson kriteret për një presidente konsensuale

Deputeti i zgjedhur i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, deklaroi se Vjosa Osmani nuk është figurë konsensuale për postin e presidentes së Kosovës.

Sipas tij, vendi ka nevojë për një president jopartiak dhe mbi palët politike, me integritet dhe kredibilitet, që nuk është i përfshirë në debatet politike. Rrustemi tha se Osmani është politikane aktive, ka qenë bartëse e një partie politike dhe aktualisht është deputete, prandaj, sipas tij, nuk mund të konsiderohet figurë konsensuale për këtë post.

“Shiko, domethënë diskutimet mund të bëhen në modalitete të ndryshme. Një modalitet është nëse ka vullnet reciprok për ta zgjeruar mazhorancën për qeveri — gjithmonë nëse ka vullnet prej të dyja palëve, sepse por nuk është e domosdoshme, gjithmonë po e theksoj, me u ndërlidhë me presidentin. E dyta, nëse vazhdojnë të mbahen pozicione të tilla pozitë-opozitë, atëherë ne duhet ta gjejmë një kompromis për presidentin e Republikës. E për këtë jemi për një figurë konsensuale, jashtëpartiake, domethënë mbi palët, që s’i përket askujt. Domethënë, natyrisht me disa kritere të integritetit, përgatitjes, kontributit, por që nuk është, ose të paktën është jashtë kësaj, le të themi, polemikave e debateve të ashpra që kanë ekzistuar në këto dy vjet në Kosovë. Zonja Osmani nuk është një figurë e tillë, domethënë nuk është figurë konsensuale. Ajo është tashmë një politikane aktive, ka qenë bartëse e listës së një partie politike dhe është deputete e Kuvendit të Kosovës. Prandaj, po e përsëris, nuk është figurë konsensuale në kuadër të përpjekjes për një president jopartiak”, tha ai. /EO

Pas zhvillimeve në LDK, vjen thirrja për protestë në mbështetje të Abdixhikut

Pas njoftimit nga kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikut, se ka autorizuar thirrjen e Kuvendit, kanë filluar thirrje për ‘ta mbrojtur’ atë me protesta, transmeton Gazeta Metro.

“Të dielën, në ora 17:00, para selisë qendrore të LDK-së, le të tregojmë se LDK ka mijëra njerëz që nuk pranojnë t’i imponohet vullneti i pakicës.Ejani me familje, me miq dhe me flamujt e LDK-së. Le ta mbrojmë shtëpinë tonë politike dhe ta dëshmojmë se zëri i anëtarit vlen më shumë se pazaret e disa delegatëve”, thuhet aty.

 

Çka dihet deri më tani për plagosjen në Miradi të Epërme?

Një person është plagosur mbrëmë në fshatin Miradi e Epërme të Fushë Kosovës, si pasojë e të shtënave me armë zjarri.

Lajmin për ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës Enis Pllana.

 “Rreth orës 21:00, Policia ka pranuar informatën për plagosje në fshatin Miradi e Epërme në Fushë Kosovë. Njësitet policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku sipas informacioneve fillestare një person ka mbetur i lënduar, që dyshohet të jetë plagosur me armë zjarri”.

Pllana ka thënë se personi i plagosur, është dërguar për trajtim mjekësor.

“Personi i lënduar është dërguar për tretman mjekësor, ndërkohë që njësitet policore janë duke ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore për të sqaruar rrethanat e rastit”, ka thënë Pllana për Klankosova.tv.

Sipas informacioneve i plagosuri është dërguar për tretman mjekësor dhe është jashtë rrezikut për jetë.

Klankosova.tv mëson se personat e përfshirë në këtë ngjarje të rënda janë familjarë mes vete.

Policia ka dalë në vend të ngjarjes dhe po e heton rastin, ndërkaq, deri më tani, i dyshuari është në arrati.