Arrihet në parim marrëveshja LVV-LDK, pjesë e saj edhe ndarja e tri pozitave shtetërore

Albin Kurti, Lumir Abdixhiku dhe Vjosa Osmani kanë arritur një pajtim në parim për formimin e institucioneve të reja dhe ndarjen e disa prej pozitave kryesore shtetërore, raporton KOHA.

Sipas burimeve të këtij mediumi, marrëveshja ende nuk është zyrtarizuar për shkak të zhvillimeve të brendshme në Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Në kuadër të këtij dakordimi, LDK-ja pritet të përfshihet në koalicionin qeverisës, duke marrë pozitën e zëvendëskryeministrit të parë dhe tri ministri. Po ashtu, sipas raportimit, kësaj partie do t’i takojë edhe pozita e kryetarit të Kuvendit.

Ndërkohë, emri i presidentit pritet të propozohet nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Marrëveshja është arritur, por ky pajtim mes palëve ende nuk është zyrtarizuar për shkak të problemeve brenda LDK-së”, ka thënë një burim.

Brenda grupit parlamentar të LDK-së, i cili përbëhet nga 18 deputetë, disa figura kanë shprehur pakënaqësi me kryetarin Lumir Abdixhiku. Në mesin e tyre janë Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Kujtim Shala, Armend Zemaj, Janina Ymeri dhe Arben Gashi.

Mediumi  ka kontaktuar këta deputetë lidhur me qëndrimin e tyre në rast të një marrëveshjeje mes LVV-së dhe LDK-së, veçanërisht për votimin e presidentit. Vetëm Janina Ymeri ka dhënë përgjigje, duke mohuar se një marrëveshje e tillë është arritur.

“Ka kohë për këtë përgjigje. Nuk është arritur asnjë marrëveshje deri më tani”, ka deklaruar Ymeri.

Në rast se marrëveshja mes dy subjekteve realizohet, LVV dhe LDK do të siguronin së bashku 71 vota në Kuvend. Me përfshirjen e deputetëve nga komunitetet joshumicë, do të krijoheshin kushtet për arritjen e pragut të nevojshëm për zgjedhjen e presidentit.

Në zgjedhjet e 7 qershorit, Lëvizja Vetëvendosje doli forca e parë politike me 53 ulëse në Kuvend, ndërsa LDK-ja siguroi 18 mandate.

Ndërkohë, brenda LDK-së janë shfaqur edhe përplasje të brendshme. Asamblisti i kësaj partie në Podujevë, Ermal Osmani, ka kritikuar kryetarin e degës, Ekrem Hyseni, duke pretenduar se po ofrohen pozita dhe favore për anëtarë të partisë në kuadër të përpjekjeve për të siguruar mbështetje.

“Duke premtuar pozita, zëvendësministra, punësime dhe favore, kinse në emër të ministrit, e ka humbur besueshmërinë”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Ai ka pretenduar se përmes këtyre veprimeve po ushtrohet presion ndaj delegatëve të degës.

Bisedime për një marrëveshje të ngjashme mes Kurtit dhe Abdixhikut ishin zhvilluar edhe më herët, gjatë negociatave për zgjedhjen e presidentit. Në atë kohë, Kurti i kishte ofruar LDK-së pozitën e zëvendëskryeministrit, Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe tri ministri të tjera, ndërsa më pas edhe pozitën e kryetarit të Kuvendit në këmbim të mbështetjes për zgjedhjen e presidentit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *