Valon Behrami: Po ta dija që Xhaka e Shaqiri do të festonin me shqiponjë, do t’i ndaloja

Valon Behrami ishte një nga katër lojtarët me prejardhje shqiptare në kombëtaren e Zvicrës, të cilët e mposhtën Serbinë në Botërorin e vitit 2018.

Në Botërorin që u mbajtë në Rusi, Zvicra dhe Serbia u shortuan në grupin E, së bashku me Brazilin dhe Kosta Rikën.

Pas barazimit me Brazilin në xhiron hapëse, Zvicra u përballë me Serbinë në xhiron e dytë.

Ndeshja nisi si mos më keq, me serbët që shënuan të parët, dhe e mbyllën pjesën e parë në epërsi.

Megjithatë, Zvicra dhe shqiptarët e saj nuk u dorëzuan dhe në fund arritën të fitojnë 2-1, me golat e Granit Xhakës dhe Xherdan Shaqirit.

Më shumë se fitorja, bujë të madhe bënë festimet e dy shqiptarëve, Xhakës dhe Shaqirit. Të dytë festuan me shqiponjë, me serbët që u nervozuan së tepërmi dhe me një ankesë në FIFA, arritën që t’i dënojnë dy “shqipet” e Zvicrës. Ata u dënuan me gjobë, që thuhej të ishte mbi 20 mijë franga zvicerane për secilin.

E, për këtë situatë të 22 qershorit të vitit 2018, ka folur përsëri Valon Behrami.

Behrami, tashmë i pensionuar nga futbolli aktiv ka thënë se po ta dinte se dyshja shqiptare do të festonin në atë mënyrë, do t’i ndalte.

“Sikur ta kisha ditur që do të festonin me simbolin e shqiponjës në Rusi 2018, do të kisha bërë diçka për t’i penguar. Unë nuk dija asgjë. Sapo kishim shënuar gol, vrapuam dhe ndodhi çdo gjë aty. Unë isha i vetmi që nuk e bëra shqiponjën”.

“Kur u kthyem në dhomat e zhveshjes, akoma nuk e kishim kuptuar se çfarë kishte ndodhur në të vërtetë, më pas na njoftuan se mediat kishin shkaktuar një furtunë, dhe aty nisën problemet”, ka deklaruar ai në RSI Sport.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *