Dosja e Shehollit zbulon rolin e BIA-s në rastin e rrahjes brutale të të moshuarës në Pejë
BIA serbe provoi t’i jepte ngjyrime ndëretnike rastit të rrahjes së një të moshuare në Shtëpinë e Pleqve në Pejë katër vjet më parë.
Rasti që tronditi opinionin publik në Kosovë në nëntorin e vitit 2022, lidhej me një sulm fizik të kryer nga një infermiere e Shtëpisë së Pleqve ndaj një gruaje të moshuar. Të dy protagonistet e ngjarjes i përkisnin kombësisë shqiptare.
Shërbimi inteligjent serb kishte plan tjetër.
Me synim që të nxiste tensione dhe përçarje ndëretnike, Shërbimi Inteligjent i Serbisë (BIA) dyshohet se shtyu publikimin e një lajmi të rrejshëm në mediat serbe në të cilin e moshuara e keqtrajtuar paraqitej si pjesëtare e komunitetit serb në Kosovë, ndërsa sulmuesja me komnësi shqiptare, sipas dosjes së Prokurorisë Speciale.
Pretendimi bazohet në disa komunikime të Fatmir Shehollit, të cilat janë siguruar si prova në aktakuzën ndaj tij për spiunazh dhe shantazh.
Artikulli i rrejshëm ishte publikuar në tabloidin serb, Alo.rs.
“Nga analizimi i dëshmisë Z#4, përkatësisht telefonit celular Apple iPhone, të sekuestruar nga i pandehuri Fatmir Sheholli, janë evidentuar komunikime të vazhdueshme ndërmjet tij dhe personit Afrim Gjonbalaj, si dhe kontakte me persona të tjerë të lidhur me BIA”, thuhet në një pjesë të dosjes.
“Nga përmbajtja e këtyre komunikimeve rezulton se janë diskutuar informacione të sigurisë, janë organizuar takime me persona të caktuar në rajon dhe janë shkëmbyer informacione lidhur me çështje që ndërlidhen me KFOR-in. Këto komunikime dëshmojnë vazhdimësinë e kontakteve të të pandehurit Fatmir Sheholli me persona të lidhur me BIA-në dhe natyrën e informacioneve të shkëmbyera në kuadër të këtyre kontakteve”.
Një nga komunikimet mes Fatmir Shehollit dhe Afrim Gjonbalajt, ku flitet për artikullin e publikuar në Alo.rs:
Më poshtë transkripta e bisedës:
Afrim Gjonbalaj: Kush o mas ksaj
Fatmir Sheholli: BIA
Fatmir Sheholli: Bojan Dimic sef operative BiA
Afrim Gjonbalaj: Jevi sigurt
Fatmir Sheholli: lajmin e mora nga nje mikesh e imja që punon në BIA
Komunikimi mes tyre zhvillohet më 2 nëntor të vitit 2022. Sheholli dhe Gjonbalaj diskutojnë lidhur me luftën hibride dhe rolin e mediave, me ç’rast Sheholli ia përcjell Gjonbalajt artikullin e publikuar në mediumin serb “Alo.rs”.
Sheholli i thotë Gjonbalajt se prapa këtij artikulli, lajm i rrejshëm, qëndron BIA serbe dhe zyrtari i saj, Bojan Dimiq.
“Artikulli përmbante pretendime dhe materiale vizuale lidhur me keqtrajtimin e një gruaje të moshuar në Pejë, duke e paraqitur atë si pjesëtare të komunitetit serb, me ç’rast publikimi kishte përmbajtje të përshtatshme për nxitjen e tensioneve dhe përçarjeve ndëretnike në Kosovë dhe ishte publikuar në një medium e afërt me qeverin Serbe ‘Alo’, fakt i vërtetuar edhe nga komunkimi i të pandehurit me disa persona tjerë”, thuhet në dosjen e Prokurorisë. /Paparaci.com


