Mësohet identiteti i vikťimës në Gjakovë

Një aksident me pasoja fatale ka ndodhur në orët e para të së dielës në rrugën “Tirana” në Gjakovë, ku një motoçiklist ka humbur jetën.

Viktima është identifikuar si A.A., i lindur në vitin 1991.

Rrethanat e aksidentit ende nuk janë bërë të ditura, ndërsa autoritetet kompetente kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e ngjarjes.

Për rastin kishte raportuar edhe Gazeta Imazhi, ndërsa pritet që policia të publikojë më shumë detaje gjatë ditës.

Deputetët e kanë obligim kushtetues të qëndrojnë në seancë dhe të mundësojnë zgjedhjen e presidentit/es

Profesori i së Drejtës Kushtetuese, Mazllum Baraliu, ka thënë se partitë politike dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë obligim kushtetues që të mundësojnë zgjedhjen e presidentit të vendit, duke theksuar se formimi i institucioneve nuk duhet të bllokohet nga kalkulimet politike.

Baraliu në një interviste për Ekonomia Online, ka deklaruar se zgjedhja e presidentit kërkon bashkëpunim ndërmjet pozitës dhe opozitës, pavarësisht nëse kjo arrihet përmes një marrëveshjeje politike apo përmes respektimit të detyrimeve kushtetuese nga deputetët.

“Është e domosdoshme, obligative dhe imperative siç e thashë. Që të vetëdijesohet kjo klasë politike sidomos fituesi i zgjedhjeve, po hiq më pak as këta të tjerët të opozitës, që të bëhen bashkë edhe t’i bëjnë institucionet. Sa i përket Kuvendit dhe Qeverisë nuk ka problem, shumica e fituesit sepse i ka numrat. Ndërkaq për presidentin domosdoshmërisht do të duhet të bëhen bashkë. A bëhen me ndonjë marrëveshje për qeverisje të përbashkët? Apo ndonjë kompromis për ndonjë kandidat konsensual? Apo varianti i tretë që është po ashtu edhe obligimi i çdo deputeti nga kushtetuta që t’i formojë institucionet, që edhe partive politike obligimi i tyre pra që ta votojnë, të shkojnë të marrin pjesë në zgjedhje kur caktohet, në seancë kur caktohet zgjedhja e presidentit apo presidentes dhe ta votojnë, të jenë të pranishëm, të votojnë për, kundër ose abstenim. Mirëpo ta mundësojnë formimin e institucionit në këtë rast, institucionit të presidentit”, tha ai.

Sipas tij, vendimet e mëhershme të Gjykatës Kushtetuese e kanë bërë të qartë se deputetët janë të obliguar të marrin pjesë në seancat ku zgjidhen institucionet dhe të shprehin vullnetin e tyre me votë.

“Sepse fundi i fundit edhe ky është një obligim kushtetues pikërisht i Gjykatës Kushtetuese e cila më herët në dy raste ka kërkuar dhe ka vendosur, vendimi i saj është pjesë përbërëse e kushtetutës tashmë që duhet të zbatohet si e tillë, si pjesë e kushtetutës që deputetët janë të detyruar të marrin pjesë në seancë dhe të votojnë për, kundër ose abstenim. Pra të rrinë, të qëndrojnë në seancë çdo seancë në Kuvend, e në këtë rast edhe për zgjedhjen e presidentit, dhe të votojnë për, kundër ose abstenim, pra rrjedhimisht të mundësojnë zgjedhjen e presidentit”, tha ai, për Ekonomia Online.

Baraliu shtoi se deputetët janë zgjedhur për të funksionalizuar institucionet dhe jo për të penguar krijimin e tyre.

“Ajo që thotë vendimi i Gjykatës Kushtetuese  në dy raste siç e përmenda më sipër është evidente që deputetët duhet të qëndrojnë në seancë dhe të votojnë për, kundër ose abstenim. Pra është detyrë e tyre për formimin e institucioneve. Përndryshe, shtrohet pyetja, pse shkojnë, pse formohet Kuvendi, pse shkojnë deputetët në Kuvend? Çfarë bëjnë aty? Shkojnë në Kuvend për t’i formuar institucionet, shkojnë për të marrë pjesë, për të nxjerrë ligje, për të trajtuar ligjet një herë, dy herë, për të miratuar ligje. Pra, për t’i bërë funksionale institucionet e këtij vendi të kësaj republike. Prandaj është detyrë e tyre edhe pa marrëveshje, edhe pa ndonjë kompromis për ndonjë kandidat konsensual që thjesht t’i bëjnë institucionet. Pra partitë politike dhe deputetët secili veç e veç, 120 prej tyre, e kanë për detyrë që t’i mundësojnë formimin e institucioneve, në këtë rast edhe zgjedhjes së presidentit”, tha Baraliu.

Aksident me fatalitet, vdes motoçiklisti

Një motoçiklist ka vdekur si pasojë e një aksidenti në rrugën “Tirana” në Gjakovë.

Lidhur me rastin e rëndë detaje për Klankosova.tv ka dhënë Albin Sahatqija, drejtori rajonal i Policisë së Trafikut në Gjakovë.

“Ka ndodhur rreth orës 02:20. Motoçiklisti nuk iu ka përshtatur shpejtësisë dhe e ka humbur kontrollin dhe është përplasur me trotuarin. Si pasojë e shpejtësisë, ai është gjuajtur mbi veturën e cila ka qenë duke lëvizur në shiritin e vet”, deklaroi ai.

Vetëvendosje: PDK po i bën presion LDK-së që të mos bashkëpunojë me ne

Deputeti i rizgjedhur i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka deklaruar se zgjedhjet e fundit parlamentare kanë qenë të panevojshme dhe se rezultati i tyre ka dëshmuar se vendi kishte nevojë për stabilitet institucional e jo për procese të reja zgjedhore.

Ai ka thënë se pas shpalljes dhe certifikimit të rezultateve, duhet të nisin bisedimet politike për formimin e institucioneve, duke akuzuar opozitën se me refuzimin e bashkëpunimit ka sjellë vendin në krizën aktuale.

Sipas Rrustemit, po të ishte pranuar oferta e Vetëvendosjes për bashkëqeverisje me LDK-në vitin e kaluar, vendi nuk do të kishte kaluar në zgjedhje të reja.

“Partitë politike besonin, ato opozitare, që duke e çuar vendin në zgjedhje të njëpasnjëshme do ta dobësonin Lëvizjen Vetëvendosje dhe kësisoj do ta krijonin një rrethanë të përshtatshme për ta, për të krijuar një qeveri të pakicës për kundër fituesit të zgjedhjeve. Natyrisht, këto kalkulimet konjukturale për ta zhvlerësuar vullnetin e qytetarëve nuk prodhojnë stabilitet, dhe vjen një moment kur ato shpërfaqen komplet para publikut, para qytetarëve, dhe pastaj duhet të rishikosh pozicionin. Krejt çfarë ka mbetur të shihet se a ka ndryshuar apo jo, është qasja e opozitës në raport me Vetëvendosjen”, deklaroi Rrustemi.

Deputeti i Vetëvendosjes u shpreh se përsëritja e shpeshtë e zgjedhjeve ka ndikuar edhe në pjesëmarrjen e qytetarëve në votime.

“Mund të jenë faktorë të ndryshëm. Natyrisht mund të jetë edhe një lloj abstenimi nga përsëritja e vazhdueshme e zgjedhjeve, të shpeshta, domethënë ne në këto 18 muaj kemi pasur praktikisht tre palë zgjedhje parlamentare dhe dy palë zgjedhje lokale. Domethënë, pesë palë zgjedhje kemi pasur në 18 muaj. Angazhim i shpeshtë, kosto e madhe, krejtësisht e panevojshme. Edhe zgjedhjet e 22 tetorit, edhe këto të 14 shkurtit kanë qenë të evitueshme po të kishte vullnet politik. Por, të shpresoj që partitë politike opozitare kanë reflektuar domethënë, edhe rezultati i zgjedhjeve i ka bërë që të reflektojnë dhe të ndryshojnë qasjen. Të heqin dorë nga bllokada. Nuk mund të operosh me bllokadë. Në sistemin tonë parlamentar, me sistem zgjedhor proporcional, me një zonë zgjedhore, partitë politike janë të detyruara që të bashkëpunojnë, aq më tepër për procese siç është çështja e presidentit, që kërkon 2/3 e deputetëve në kuvend apo 2/3 e votave të deputetëve në kuti”, tha Rrustemi.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka thënë se Kosova duhet të ketë një president konsensual dhe jopartiak. Sipas tij, Vjosa Osmani nuk i plotëson kriteret për një figurë të tillë, pasi është e përfshirë aktivisht në politikë dhe ka qenë pjesë e proceseve partiake.

“Kosova ka nevojë për një president konsensual dhe ne e kemi thënë edhe para zgjedhjeve të 14 shkurtit, do të angazhohemi për një president jopartiak dhe për një president konsensual. Zonja Osmani është deputete e Kuvendit të Kosovës, është e angazhuar aktivisht në politikë, ka qenë pjesë e listës së një partie politike. Nuk përmbush elementet e një figure konsensuale. Domethënë, nga momenti i pozicionimit të saj pas nga shpërndarja e Kuvendit me atë dekretin antikushtetues, e deri tek kryesimi i listës së LDK-së, e deri tek të qenit deputete, nuk hyn në domenin e figurave konsensuale. Është një figurë tashmë politike, aktivisht politike. Nuk është çështja e votës individuale, por është çështje e pozicionit politik. Kosova ka nevojë për një president konsensual, jopartiak, dhe pastaj se raporti për të krijuar qeverinë, nëse jo, është çështje e vullnetit të popullit të shprehur në zgjedhje”, u shpreh ai.

Rrustemi ka komentuar edhe zhvillimet e fundit brenda LDK-së, si dhe përplasjet në rrjete sociale të Perparim Ramës me Dejona Mihalin.

Ai tha se Përparim Rama, është pjesë e kësaj përpjekjeje për ta penguar çdo afrim mes LDK-së dhe Vetëvendosjes, veçanërisht sa i përket arritjes së një marrëveshjeje për zgjedhjen e presidentit.

“Kjo është një fushatë e PDK-së nëpërmjet elementeve të saj në LDK, siç është Përparim Rama, për ta goditur Lumir Abdixhikun dhe lidershipin aktual të LDK-së që të mos i afrohet me Vetëvendosjen, me asnjë bashkëpunim për ta gjetur një zgjidhje për presidentin. Domethënë, ka një tendencë të vazhdueshme të elementeve të PDK-së në LDK për ta tërhequr LDK-në kah PDK. Ata e kanë pasur gjatë këtyre 15 viteve në pozicione të njëjta. Por në situatën për të shmangur krizën e për të gjetur një zgjidhje për presidentin, dhe duke marrë parasysh që roli i LDK-së është i rëndësishëm, siç ishte përcaktues edhe herën e kaluar, PDK po ushtron presion mbi lidershipin aktual të LDK-së. Unë mund të kem mospajtime të pafundme edhe me lidershipin e LDK-së e me të tjerët, por ama më duket shumë dashakeqe si qasje që PDK po mban të, ose po tenton ta mbajë, LDK-në të nënshtruar dhe kësisoj të pengojë çfarëdo përafrimi apo bashkëpunimi për çështjen e presidentit në mes të LDK-së dhe VV-së”, përfundoi Rrustemi.

Rikujtojmë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në mbledhjen e mbajtur dje më 27 qershor ka shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të mbajtura më 7 qershor.

Sipas rezultateve, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë e para me 47.13% të votave, duke siguruar 53 ulëse në Kuvend. Partia Demokratike e Kosovës ka marrë 19.44% dhe 22 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës 16.69% me 18 ulëse, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka fituar 6.74% dhe 7 ulëse

Vëllezërit rrahen mes vete për shkak të një prone

Dy vëllezër janë arrestuar pasi janë përleshur fizikisht mes vete pas një mosmarrëveshjeje lidhur me një pronë.

Rasti ka ndodhur në Obiliq.

Sipas policisë, njëri prej të dyshuarve ka pësuar lëndime trupore dhe ka pranuar trajtim mjekësor.

Në vendin e ngjarjes është gjetur dhe konfiskuar një shufër metalike, e cila dyshohet se është përdorur gjatë përleshjes.

Të dy të dyshuarit janë dërguar në qendrën e mbajtjes për 48 orë.

Njoftimi i plotë:

LËNDIM I LEHTË TRUPORObiliq,27.06.2026-19:30. Janë arrestuar dy te dyshuar m/k –vëllezër në mes vete pasi që pas një mosmarrëveshje rreth një prone, te dyshuarit janë përleshur edhe fizikisht mes vete. Njëri prej tyre ka pësuar lëndime trupor te cilit i është dhënë ndihma mjekësore. Në vendin e ngjarjes është gjetur dhe konfiskuar një shufër metalike qe dyshohet se është përdorur gjatë rrahjes. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit kujdestar te dyshuari janë ndaluar në qendrën e mbajtjes për 48 orë.